Mendimet frenojnë kënaqësinë në shtrat

February 1, 2013 19:00

Mendimet frenojnë kënaqësinë në shtrat

 

Një studim portugez mbi intimitetin i botuar në revistën “Sexologies” ka treguar se të menduarit e shkatërron aktin seksual. Një anketë e zhvilluar në 191 gra seksualisht aktive zbuloi se pas mungesës së dëshirës, mendimet e papërshtatshme gjatë aktit renditen në vendin e dytë, në klasifikimin e shkaqeve që çrregullojnë intimitetin në çift

 Nëse keni programuar një mbrëmje romantike, mos lejoni që mendimet t’jua prishin festën. Një studim i publikuar në revistën “Sexologies” pohon se mendimet që vijnë në mes të aktit seksual përbëjnë një problem të vërtetë, duke reduktuar aftësinë për të shijuar në maksimum raportin. Gratë janë ‘viktimat’ e preferuara që zë fluksi i mendimeve të papërshtatshme gjatë një marrëdhënieje intime.

Pjesa më e madhe e tyre janë të shpërqendruara në kohën kur duhet të ndihen të çliruara nga të gjitha ndikimet e jashtme për të shijuar momentet intime. Kjo gjë i pakëson mundësitë e arritjes së orgazmës dhe nëse një situatë e tillë kthehet në ritual, atëherë edhe lidhja psiko-fizike që keni vendosur me partnerin, rrezikon të shkatërrohet. “Mendimet negative që pushtojnë mendjen ndërsa jeni duke bërë dashuri, janë të tipit ‘automatik’, vijnë papritur dhe pikërisht në momentin e gabuar”, shpjegojnë studiuesit.

Shpeshherë mendimet e bezdisshme gjatë raportit lidhen me përvojat e mëparshme që mund  të kenë qenë të papëlqyeshme. Dhe ka një radhë të gjatë shqetësimesh që gratë vazhdojnë t’i bluajnë me vete pikërisht në momentin kur duhet t’u thonë ‘ndal’. Këto janë shqetësime që kanë të bëjnë kryesisht me ndjesinë e pamjaftueshmërisë, si mungesa e pëlqimit të trupit të tyre ose e karakterit që kanë, frika se nuk janë në lartësinë e duhur për të përballuar situata të ndryshme, ndër të cilat edhe ajo për të kënaqur partnerin në shtrat. E në fund nuk mund të mungonin as disa tipe imazhesh që pushtojnë mendjen e tyre dhe e ulin së tepërmi sensin e erotizmit, duke e kthyer sensualitetin në vulgaritet.

Doktoreshë Marta Ksavier Kuntim, psikologe klinike, thotë se “nuk ekziston ndonjë mënyrë e thjeshtë për të shmangur mendimet negative apo hutimin gjatë aktit seksual”, duke i dhënë fund shpresave për të gjetur një zgjidhje ndaj këtij fenomeni problematik. E nëse vërtet nuk mund t’i shmangim mendimet, ndoshta ekziston një mënyrë për t’i mbajtur nën kontroll. “Kur bëhemi të vetëdijshme për ekzistencën e tyre dhe ndikimin jofavorizuese që kanë ndaj aktit, e kemi më të thjeshtë për të mësuar se si të merremi me to. Çdo person duhet të përpiqet të gjejë rrugën e tij. Mjafton të përqendroheni në diçka pozitive dhe të mos bini pre e nervozizmit ”, thotë dr.Kuntim.

Në hulumtimin e tyre, studiuesit portugezë u mbështetën në konstatimin paraprak që një grua në katër ndjen vështirësi në arritjen e orgazmës. Anketa u zhvillua me 191 gra seksualisht aktive, të moshës 18-59 vjeç, të cilat u pyetën mbi funksionet e tyre seksuale dhe mbi tipin e mendimeve që kishin gjatë raporteve intime.

Pas mungesës së dëshirës seksuale, mendimet e papërshtatshme renditen në vend të dytë në klasifikimin e shkaqeve që çojnë në një jetë të çrregullt seksuale. Por ajo që mbetet ende e paqartë është ‘drejtimi’ i raportit shkak/pasojë: janë mendimet negative ato që sjellin vështirësi në arritjen e kënaqësisë apo e kundërta, pra vështirësia për ta shijuar aktin që provokon mendimet negative. Cilido që të jetë motivi, rezultati është i njëjtë dhe për shumë gra ajo që duhet të jetë një veprimtari që sjell kënaqësi e që largon mendjen nga problemet e përditshme, kthehet në një burim me vete shqetësimesh.

 

Përgatiti: Dorina Gjuzi

February 1, 2013 19:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*