Meraku për të ardhmen e polifonisë

November 1, 2017 09:56

Meraku për të ardhmen e polifonisë

 A do ta ruajë ajo formën e saj tradicionale, do të braktiset si një formë arkaike apo do t’u nënshtrohet operacioneve bashkëkohore për të na dhënë forma të reja, të  përshtatshme për shijet dhe kërkesat e kohës?

Nga Asqeri Petani*

Në radhët e interpretuesve të këngës polifonike vërehet një merak që lidhet me të ardhmen e saj. Pyetja që bëhet është se, çfarë do të ndodh me këngën e tyre në të ardhmen, do të ruajë ajo formën e saj tradicionale, do të braktiset si një formë arkaike apo do t’u nënshtrohet operacioneve bashkëkohore për të na dhënë forma të reja, të  përshtatshme për shijet dhe kërkesat e kohës.

Pyetjet vinë edhe nga zhvillimet kulturore aktuale, kur po krijohet një lloj distance me polifoninë, kur tendenca e përpunimit të këngëve popullore përbën një dukuri evidente, kur po shfaqen këngëtarë me këngë dhe krijime të reja, me variante të shumta, të arrira por dhe të deformuara, që më tej paraqiten në tregun mediatik si muzikë e përpunuar.

Shqetësimi për të ardhmen e polifonisë lidhet edhe me ndryshimin e kushteve ku kënga ka jetuar deri më sot, me paksimin e numrit të interpretuesve të saj, çka mund të sjell zbehjen graduale të interpretimit.

Po vihet re që shumë nga interpretuesit e polifonisë po lenë fshatin dhe largohen drejtë qytetit apo emigracionit. Megjithëse mund të ruajnë përkohësisht lidhjet me këngën, raporti me të mund të ndryshojë, fillisht mund të ftohen me të dhe pastaj mund ta braktisin atë.

Mendimi  nuk është i pabazë. Ky fakt bëhet më ngacmues kur e dëgjon nga goja e mjeshtërve të polifonisë, të cilët pranojnë se diçka ka ndryshuar, se studiot natyrore të krijimit dhe interpretimit të këngës polifonike po braktisen, kurse gjeneratat e reja po largohen nga vendlindjet dhe nga kënga njëkohësisht.

Treva që e ruajti këngën për shekuj dhe e solli në ditët e sotme, pothuaj është boshatisur. Zërat e bukur e të fuqishëm të të rinjve lab kanë filluar e paksohen. Në fshatra shikon kryesisht mosha të thyera, ndërsa të rinjtë ikin drejtë vëndeve më të zhvilluara për një jetë më të mirë. Në ceremonitë e sotme familjare, siç janë dasmat, kënga polifonike nuk interpretohet si më parë, as në masën dhe cilësinë e mëparshme.

Ndërkohë, muzika perëndimore po fiton përditë e më tepër hapsira të reja dhe kjo është e pritshme dhe e pranueshme. Ndërkomunikimi është një karakteristikë jetësore, ajo nuk mund të shmanget pa harruar se niveli qytetar po rritet duke e ushqyer veten me shije muzikore të përziera me ato të vendit ku shkojnë.

Shqiptarët po kërkojnë e synojnë që dhe muzika e tyre të jetë po aq bashkëkohore sa dhe ajo e vendeve të tjera. Kuptohet, brezat e rinj nuk mund të dëgjojnë dhe interpretojnë polifoni labe në mënyrën që e dëgjonin apo interpretonin paraardhësit e tyre.

Shpresohet dhe dëshirohet që të gjendet një ekuilibër i ri midis këngës polifonike dhe asaj qytetare. Një zhvillim i tillë do të ruante bazat e muzikes tradicionale, do ta bënte muzikën të pranueshme për qytetaret e këtij vendi dhe të dallueshme nga ajo e vendeve fqinje, do të ruante lidhjet dhe ndjeshmërinë e duhur midis shpirtit shqiptar dhe folkut të tij dhe do t’u jepte mundësinë edhe brezave të ardhshëm të mbështeteshin në të për krijime të reja.

Këtu nuk mungon as dëshira që polifonia të bëhet baza e këngës qytetare, që të këndohet dhe shijohet edhe nga brezat e ardhshëm. Ky proces, nëse kryhet, do ta bënte këngën e përpunuar të përmbante brenda vetes karakteristika specifike shqiptare, të dallueshme, ashtu si dallohen menjëherë këngët qytetare të vendeve fqinje.

Në të kundërt ka rrezik t’i largohemi origjinës, aq sa në të ardhmen të mos e ndjejmë këngën tonën. Është plotësisht e mundur që polifonia, kjo strukturë e veçantë e muzikës shqiptare, të mund të bëhet baza e muzikës së ardhëshme qytetare për zonat e jugut. Nëse përpunimi ecën në këtë rrugë me siguri do të kemi këngë të arrira dhe të pëlqyera nga publiku.

Polifonia labe përbën një kontinuitet tashmë të provuar në fushën e kulturës, kontinuitet të cilin ne duhet ta ruajmë fort. Për shkak të saj vërehen tendenca të afrimit të saj me këngën qytetare. Provat për përpunimin e polifonisë dhe krijimin e derivateve të saj janë bërë edhe më parë dhe produkte të arrira nuk kanë munguar.

Këto përpjekje janë bërë kryesisht në zonat periferike të labërisë, në qëndrat e saj urbane si në Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër apo Delvinë, qytete ku valët e folkut priten me ato të këngës së kultivuar, ku lindin e rriten studius të paisur me njohuritë bashkohore dhe ato tradicionale, njëkohësisht.

Duhet të kenë qenë këta faktorë që na kanë dhënë këngë të përpunuara e të pranuara nga publiku, siç janë këngët qytetare të Vlorës, krijuar e interpretuar nga treshja e njohur, Reshat Osmani, Meliha Doda dhe Kostandin Thana. Këto këngë tashmë të arshivuara në fondin e muzikës së jugut, janë pëlqyer e kënduar edhe nga dëgjuesit, duke u bërë në një farë mënyre këngë qytetare të trevës.

Njerëz me dhunti vokale mund të sjellin variante të reja interpretimi dhe për këtë ata bien në sy, pëlqehen e mbahen mënd. Por këto lloj interpretimesh nuk mund të përvetësohen nga masa e gjërë. Roli i masës së dëgjuesve në këtë rast, është i rëndësishëm përsa i përket seleksionimit të atyre varianteve që do të mbijetojnë.

Shpresojmë që në këtë mënyrë, të kemi në të ardhmen një muzikë të mirfilltë qytetare, me bazë polifoninë. Kjo sepse dëgjimi i muzikës së huaj, me sa duket, po e mbyll ciklin e ngopjes dhe shqiptarët po kuptojnë cdo ditë e më tepër se shpirtin e tyre nuk mund ta mbushi arti i të tjerëve.

Shpresojmë shumë që kjo të ndodh edhe sepse polifonia është shumë e thellë në shpirtin shqiptar dhe ndarja me të nuk është një proces i lehtë.

Ndërkohë, po vërehet se të rinjtë, ashtu si kërkojnë të kthehen e të punojnë në vendin  e tyre po kërkojnë të kenë edhe muzikën e vet. Ata kanë nisur ta pëlqejnë dhe po i drejtohen folkut si një objekt studimi e përpunimi për të krijuar produkte me frymë tradicionale dhe shfaqje moderne.

Dikur, një austriak më dhuroi një CD me këngë folk të vendit të vet. Kur e dëgjova ndjeva se ato ngjanin me muzikën e Shtrausit, opinion të cilin ja shpreva mikut tim kur u ritakova. Dhe përgjigja ishte: ”Po pse, ku i gjeti Shtrausi“.

Një aspekt tjetër do të ishte servirja e artit me mënyrat e kohës. Format e mëparshme të të mësuarit të polifonisë në rrethet familjare janë paksuar, transmetimi në media është zvogëluar, festivalet e zonave janë rralluar, është rritur kostoja e krijimit dhe hedhjes së këngës polifonike në treg e për pasojë ka rënë fuqia blerëse e saj.

Po kënga polifonike mund të bëhet një element i veçantë dhe i rëndësishëm i turizmit. Ajo mund të serviret jo si suvenir, por si një formë e gjallë që s’mund të ndeshet kund përveçse në Shqipëri. Kështu polifonia mund të jetë një element pikant e i rëndësishëm për thithjen e turistëve vendas dhe të huaj.

Kënga do t’u krijonte atyre mundësinë ta dëgjonin, ta regjistronin e komentonin si një bashkësi zërash të kohrave të largëta, si mesazhe apo zëra të padeshifruara ende. Polifonia mund t’u zgjonte, ndoshta, nënshtresat e herëshme të muzikës së tyre, çka  mund t’i ftonte për ta përdor si lëndë e parë në laboratoret e tyre muzikorë.

Kjo na shtyn të themi se polifonia duhet të synojë ekzekutimin nëpër qëndra argëtimi zonale, atje ku ka lindur, jetuar e pëlqehet akoma. Nuk do të ishte keq nëse ajo do të ekzekutohej në kalanë e Tepelenës apo të Kaninës, në qytetin e Gjirokastrës apo në lokalet tradicionale të Jonit. Këto vende mund të bëhen më tërheqëse nëse krahas shërbimit tradicional ofrohet edhe kënga, natyrisht përmes interpretuesish të njohur e me vlera artistike.

Si një pasuri që duhet ruajtur e ekzpozuar por dhe përdorur si komponent zhvillimi, ngritja e një muzeumi për këngën polifonike, veglat muzikore tradicionale, publikime për traditën, pamje, muzikë e literaturë të kësaj kulture do të ishte një nismë positive pasi mund të shërbej si qendër studimore e kulturës labe, do tregonte historinë e saj, do prezantonte dhe mbante gjallë frymën e këngës.

Polifonia u krijua shekuj më parë dhe mbijetoi në rrethana të veçanta. Njerëzit e futën këngën thellë në qënien e tyre, e vaditën, e ushqyen dhe transmetuan nga brezi në brez, për ta sjellë në ditët e sotme e çuditur botën me të. Ajo është e vetme, në ballkan e më gjërë, çka bëri që UNESKO ta shpallte polifoninë ”Kryevepër e trashgimisë gojore të njerëzimit“.

Natyrisht është kënaqsi dhe mirënjohje për vlerat tona kulturore, për ata që e ruajtën e transmetuan, po dhe për ata që e ekspozuan dhe paraqitën para botës. Po kjo lind detyrimin e madh për ta mirëruajtur e transmetuar këngën në të ardhmen.  Kënga ka shumë teke dhe kërkon të njihet mirë ato, që shtrati i saj të mbetet i thjeshtë, që interpretuesit të jenë pjesë e këtij ambienti dhe interpretimi të kalojë natyrshëm në brezat e rinj.

Në këtë synim, shkollat mund  të jenë një mjedis ku kënga mund të futet si pjesë e edukimit kulturor të brezit të ri. Mund të formulohen libra me historinë dhe përmbajtjen e këngës, tekste karakteristike, të mësohen teknikat e interpretimit, të organizohen konkurse etj.

Si në çdo fushë edhe në atë të kulturës, faktori ekonomik është i rëndësishëm. Mbështetja ekonomike e zonave të labërisë do të mbështeste edhe kultivimin e këngës. Përmirsimi i rrugëve p.sh. do të lehtësonte lëvizjen e njerëzve për të shkuar nëpër fshatra, te të afërmit për të kaluar një fund jave, për të takuar njeri tjetrin por dhe për t’u mbledhur në ambjentin e këngës dhe për të kënduar së bashku.

Kënga polifonike po përballet kohët e fundit edhe me sikletin e ndryshimit të emrit, icili ngjan me sikletin e atij njeriut që pasi është thirrur gjithë jetën me emrin që i kanë vënë prindrit, i duhet ta ndryshojnë atë në moshë të thyer.

Duke qenë një kulturë e mocme dhe e përhapur, cdo ndërhyrje te kënga duhet të vijë si nevojë, të jetë e mirëmenduar, e mirëargumentuar dhe e mirëpranuar. Nuk është e lehtë t’i ndërrosh emrin apo ta thërrasësh e polifoninë me një emër të ri.

Pyetja që ngrihet në këto raste është: përse ky ndryshim? Cfarë ngërci krijohet kur kënga dhe emri na kanë ardhur së bashku, janë mësuar me njëri tjetrin dhe i kemi pranuar së bashku? Përse duhen emra të rinj e kompleks? Polifonia, kjo kryevepër e kulturës sonë, përbën për shqiptarët një identitet dhe normale do të ishte që të ruhet sic është, cka do të bënte mirë edhe për studjusit e të ardhmes.

Meraku për polifoninë është i hershëm dhe historia dëshmon se shqiptarët që e kanë trajtuar atë si vlerë, ditën ta ruajnë përmes një procesi që e kanë kryer me një dashuri e konservatorizëm të paparë në hapsirat përreth. Kjo mund të bëhet edhe në të ardhmen, kërkesë që do të ma theksonte edhe një miku im, i huaj, i cili pasi e dëgjoi këngën me vëmendje më tha: “Është e bukur dhe e veçantë por kujdes mos ju ndodh si me ato speciet e rralla që kur arrijnë numrin minimal shoqëria nis e krijon për to rezervate”.

*Studiues       

November 1, 2017 09:56
Komento

3 Komente

  1. lora November 1, 12:05

    A egziston me Instituti i Folklorit ne Tirane? Dhe ne qoftese jo, ku shkuan materialet qe ishin grumbulluar nder vite. Dhe tere keqardhje theme: ja jepni ndonjerit me konçension kengen polifonike. Arshivat e vjetra i ka ruajtur nje mije here me mire diktatura edhe ato qe kish kunder vetes qe i zhduken keta te sotmit, se sa demokracia liberale qe çdo gje e ka hedhur ne shesh dhe nuk merret vesh se ç’behet. Por kjo ndodh ne Shqiperi se bota i ka me shekuj te sistemuara.

    Reply to this comment
  2. Guri Naimit D(Dh.Xh.) November 1, 14:02

    Asqeri te lumte mendia..edhe une ashtu do doja…
    Koren plages na ia hoqe..na kujton mon’e shkuar!

    Faleminderit i nderuari Asqeri Petani,qe na terheq vemendien, nje gje qe vertet rrezikohet te humbase. Sa po punohet keto kohet e fundit,na jep shprese,si dhe ky shkrimi juaj.Ju faleminderit.(nje gjysh kaluar te 80tat jam,jo lab po Dangelliot,ajo Dangelli e “Rilindave te mbedhenj” e me vjen keq, se po rrezikohet ajo trashegimi ne kete fushe.Si “Polifonia Labe” ka probleme ne zona te vecanta. Psh Ajo Klarinete e Famshme e Leskovikut,qe apongjene e arriti me ate gerneten e Zavalanlliut,sa zerin e te Madhit mentor Xhemali,pasues i te cilit ishte Laver Bariu.Ndiese pacin
    Modernia ka vendin e vet me rrenjet ruajtur…me Ju jam.
    Pershendetie gjithe PETANEVE e vijushmerise LABE..
    Ne ka peng qe me ka mbetur…eshte”mbetia ne klase” ne kete fushe, nisur femijnija sa vitet”vrare veten”.lene Kulturen qe nisa te drejtoja ne mesviteve 60t…ne malesine e Tiranes,plot tradita.
    Faleminderit sa bejne,pasuesit e ruajties se TRADITAVE, jo vetem ne kete fushe,qe vertet eshte baza e vijimesise krahinore sa kombetare.
    NENDORI ka qene MUAJI ketyre aktiviteve, kur ziente vendi nga FESTIVALET nga Zonale ne KOMBETARE. Kur do nxjerre Permeti apo Laskoviku, nje Laver te Ri apo Dalip Leskoviku-gjak Zavalani…
    Pershendetie dhe suksese-Djale po te quaj..
    Jemi ne NENDOR; le tiu kendojme..NENDOREVE…
    Nga tej oqeani.
    82 vjecari Guri Naimit D.

    Reply to this comment
  3. Bogonica November 2, 02:34

    Z.Petani ! Shqetesimi juaj dhe mjaft te tjereve dashamires te polifonise,kesaj kryevepre te krijimtarise popullore gojore eshte i drejte.Faktoret e rrezikut ju i kini percaktuar drejt.Por rruget se si duhet shpetuar kjo kryeveper nuk eshte percaktuar pre jush.Le te pranojme se polifonia labe dhe Himariote njohu keto 60 vjetet e fundit nje perfaqesim mjaft te madh,Po thuaj cdo fshat kishte nje grup polifonik i cili kendonte,por dhe direkt apo indirekt paguheshin dhe shperbleheshin per kenget e tyre.Ta themi cope,per artin popullor eshte investuar mjaft,jane hedhur shpenzime te medha materjale,njerzore e monetare.Eshte kjo arsyeja kenga polifonoike dhe arti popullor ne pergjithesi pati nje shperthim te tille.Pra te marrurit me polifonine,pervec se ceshtje te mentalitetit per identitetin kombetar eshte ceshtje financiare,eshte ceshtje investimi.Duhen para,sot nuk kendon njeri bativa.Investimi per kulturen popullore eshte investim per identitetin kombetar.Ata qe ju intereson ky identiteti kombetar investojne per kete gjini.Mendoni se sikur cdo vit te beheshin festivale me femijet e shkollave ne fshatra por edhe ne qytete ku polifonia ka rrenjet,ne se ata djem e vajza te shperbleheshin,ata instruktore qe do te drejtonin keto grupe te shpebleheshin,atehere interesi nuk do te binte e kenga jone polifonike nuk do te humbiste..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*