Mercenarët e fjalës

May 26, 2018 09:57

Mercenarët e fjalës

Fitim Çaushi

Sir John Davis, tek “Metamorfoza e fjalës”, ka shkruar: “Fjalës ende i duhet të luftojë për të vërtetën. I duhet të luftojë me shpirtin e gazetarit të lirë e të pavarur. Fjala që flet për shqetësimin e popullit. Fjala që flet për dhimbjen e tij, fjala e brengës së atij që ka emigruar, fjala e atij që ende nuk ka gjetur vetveten në këtë jetë, fjala që kërkon të ndërtojmë atë që kemi humbur prej kaq vitesh, atë që nuk e kemi”.

E citoj këtë, për t’u kujtuar tërë atyre pseudogazetarëve, pseudoanalistëve, pseudostudiuesve, se propaganda e zezë kundër Enver Hoxhës është një mercenarizëm i shëmtuar, antishqiptar dhe antinjerëzor. Pa kurrfarë analize dhe ballafaqimi me kushtet historike të asaj periudhe historike, kalemxhinj ordinerë, pa kurrfarë vlere intelektuale dhe shpirtërore, shkruajnë ende për Enver Hoxhën me mllef, me akuza monstruoze, duke përjashtuar nga kjo propagandë më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare, e cila ka mendim vlerësues për veprën madhore të Enver Hoxhës në shërbim të shoqërisë Shqiptare.

Duke përfituar nga mungesa e mundësive që kjo pjesë e popullsisë ta shprehë mendimin e saj në media, por edhe për shkak të terrorit psikologjik që krijojnë këta tellallë dhe kastat drejtuese, kujtojmë studiuesen Hannah Arendt: “Gjatë shekujve, pohuesit e së vërtetës kanë qenë të ndërgjegjshëm për rreziqet që i kanosen”.

Këta pseudo propagandist nuk kanë kurajën të shkruajnë edhe vlerësimet e njerëzve të ndershëm për Enver Hoxhën, sepse sikundër e ka shkruar Marksi qysh më 1824 në gazetën “Rheininsche zeitung”: “Duhet ditur nëse liria e shtypit është një privilegj i disa personave apo privilegj i shpirtit njerëzor”.

Liria e shtypit nuk është pjesë e këtyre mercenarëve, të cilët e kanë ndërgjegjen të robëruar, në varësi, sikundër ka shkruar Lenini “nga qesja me para”, dhe jo nga e vërteta historike. Këta tellallë politikë e kanë më lehtë të shajnë Enver Hoxhën se sa të ndikojnë në rregullimin e problemeve  konkrete në Shqipëri, të cilat në asnjë periudhë të historisë së Shqipërisë, nuk kanë qenë më të acaruara dhe më të pashpresa.

Deklarata e UNESCO-s mbi Mediat, në principin V, thekson: “Karakteri i këtij profesioni  kërkon veç të tjerash që gazetari të favorizojë pjesëmarrjen e publikut në mediat, çka përfshin detyrimin për korrigjimin, ratifikimin dhe të drejtën e përgjigjes”.

Në emisione televizive shihen të njëjtët mercenarë-analistë, sikundër edhe në media. Me përjashtime të veçanta, këta lloj robërish, nuk e ofrojnë masën e popullit për këtë temë të rëndësishme, sepse u pritet grazhdi.

Deklarata në princip e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve mbi Deontologjinë Gazetareske, mbajtur në Bordo në vitin 1954, në pikën 2, thekson: “Gazetari duhet të mbrojë në çdo kohë principin e dyfishtë, të lirisë për të kërkuar informacion dhe për ta publikuar atë ndershmërisht, principin e komentimit e të kritikës, si dhe të drejtën për një koment të barabartë dhe një kritikë të ndershme...ai nuk duhet të heqë apo eliminojë informacionet thelbësore dhe nuk duhet t’i falsifikojë dokumentet”.

Sikundër shihet është princip i gazetarisë “e drejta për një koment të barabartë dhe një kritikë të ndershme”, dhe jo e kundërta; vreri i zi kundër Enver Hoxhës dhe punës së ndershme 45 vjeçare e një popull që i dha Shqipërisë përparime kolosale në bujqësi, industri, mjekësi, arsim, kulturë, edukim, prestigj dhe sovranitet kombëtar. Gazetari nuk duhet të falsifikojë dokumentet, sikundër ndodh me shpifjet dhe akuzat monstruoze ndaj Enver Hoxhës, kur e vërteta është ndryshe. Në ato mijra vlerësime që bëhen për Enver Hoxhën në popull, po citoj tre raste:

  1. Duke udhëtuar me grupin folklorik në një festival në Preshevë, midis artistëve popullorë, natyrshëm ra fjala për gjendjen e vështirë sot në Shqipëri. Shoferi solemnisht theksoi: “Pse s’bëheshin në kohën e Babazotit këto gjëra? Kur përmendet Babazoti unë ngrihem në këmbë”. Në çast la timonin dhe u ngrit! Ishte i befasishëm, i papritur ky reagim. Mbaj timonin se na hodhe, i thashë i sugjestionuar.
  2. Në gusht 2015 isha i ftuar në dasmën e djalit të n/kryetarit të komunës së Drenasit Sherif Krasniqi. Nga mesi i dasmës prej 400 veta, shumë dasmorë u ulën në gjunjë në mes të sallës, si të organizohej një rit i lashtë. Morën çiftelitë, sharkitë dhe filluan të këndonin këngë për Enver Hoxhën. Aty u afruan tërë dasmorët dhe këndonin në kor. Ishte si një llavë vullkani që na ndezi flakë. Pas përfundimit të ritit, u ulën secili në tavolinat e tyre dhe vazhdoi dasma.

Sherif Krasniqit i është vrarë djali në luftën e Kosovës, vet ka qenë shumë vite në burg nga Serbi. Kur vdiq Enver Hoxha në prill të vitit 1985, një nga ushtarët serb, e fyeu Enverin. Sherifi ishte në shërbim në kuzhinë, rrëmbeu thikën dhe e plagosi ushtarin. E futën në izolim, e nxorën në gjyq,  por ai u mbrojt me tezën se “më provokoi, më fyejti prijësin tonë. A fyeni ju, po t’ju shajmë udhëheqësit tuaj? E pra, Enver Hoxha është udhëheqësi i shqiptarëve!”

  1. Profesori i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Gjirokastrës, duke pirë kafen e mëngjesit, na tregoi: “Isha duke shkuar në Korfuz. Ishte rregull shtetëror të paguanim 1000 lekë për të kaluar në anije. Mes njerëzve u paraqit në sportel edhe djali i madh i Enver Hoxhës. Polici pa pasaportën, dhe i drejtohet:

-Ju shoku qytetar mund të kaloni.

-Ju lutem pagesën – i thotë  pasagjeri.

-Kaloni ju thashë! Për djalin e Enver Hoxhës nuk marr lekë.

-Ju lutem nuk mund ta pranoj, më vini në pozitë të vështirë!

-Kaloni ju lutem se më vononi punën, sikundër e shikoni presin edhe të tjerë në radhë.

-Nuk mund të kaloj pa paguar, edhe për faktin se mund t’ju penalizojnë për shkakun tim.

– Sa të jem unë këtu, ju nuk do të paguani sikur tani të më pushojnë nga puna, prandaj ju lutem vazhdoni dhe udhëtim të mbarë.

I gjithë sheshi duartrokiti. U krijua një atmosferë mirëkuptimi dhe respekti për policin kurajoz dhe njerëzor.

Tellallët politikë dhe padronët e tyre mund të mendojnë se me sharjet ndaj Enver Hoxhës, do ta shkulin përfundimisht nga zemra e popullit prijësin e madh të shqiptarëve, por Enver Hoxha ka rrëmbyer qindra mijra këngë dhe urime nga Jugu në Veri, që do ta këndojnë dhe përkujtojnë atë në shekuj, sepse brezi jonë do ta mbjelli dashurinë për Enver Hoxhën në zemrat e fëmijëve, nipërve dhe mbesave, në zemrat e miqve dhe gjitonëve, pa bujë, pa zhurmë, natyrshëm. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe Enver Hoxha, për veprën e tij madhore popullore dhe kombëtare, janë të paasgjësueshëm, çfarëdo që të bëjnë neofashistët e vjetër dhe të rinj.

Duke goditur Enver Hoxhën, tellallët godasin socializmin dhe i ngrenë himn një sistemi shtypës dhe shfrytëzues. Edhe 800 vjet më vonë, Dante mbetet aktual: “Disa njerëz sundojnë, kurse të tjerë vuajnë”. Po kaq aktual mbetet Gorki: “Klasat e pasura nuk krijuan një jetë që të ishte e denjë për njerëzit. Borgjezia është një ferrë zvarritëse, mallkimi i botës, ajo e shkatërron individin nga brenda, nga fëshfëritja e saj e keqe shuhet kumbimi i kambanave të fuqishme të bukurisë,  dhe të së vërtetës optimiste të jetës. Ajo është një pellg i pafund balte që thith në thellësitë e saj dashurinë, poezinë, mendimin dhe artin…na vjen keq që borgjezia tërheq në anën e saj njerëz të vlefshëm dhe të talentuar, na vjen keq se si vdesin këta njerëz, të helmuar me helmin e qelbëzuar të ambientit që po dekompozohet me shpejtësi”.

Mbase kanë ç’të marrin mercenarët e fjalës nga këta kolosë të mendimit njerëzor.

 

 

May 26, 2018 09:57
Komento

2 Komente

  1. demo May 26, 23:27

    Shtypja e lirise se individit nuk krijon art,nuk krijon as Letersi dhe as shkrimtare te kalibrit te Gorkit,meqenese e ke marre si shembull.Totalitarizmi komunist ishte nje vrases i personalitetit njerezor.Qe te kuptosh Gorkin mos lexo “Nenen”,por lexo “Njerezit Ruse”.Ke sjelle 4 shembella per idhujtaret e Enver Hoxhes .Hitleri,Stalini,Ducja kane edhe sot idhujtare.,me shume se Enver Hoxha.Mua me irriton hipokrizia.Pse vete i merr shembujt ne Kosove?/Pse nuk i merr nga fshati yt?Fshataret e Gjirokastres e duan Enver Hoxhen.Edhe fshataret e Tepelenes,fshataret e Vlores.I beri kapterra me kurs analfabetizmi,i beri sigurim,u dha dajakun ne dore ne vend te krrabes.Poor ama nuk gjen qytetar Gjirokastre ta doje Enver Hoxhen.Une qytetare Gjirokastrite quaj banoret e fisem me kulla guri,nga 44 e tehu.Ata pa perjashtim e urrejne Enver Hoxhen dhe perbuzinGjylon.,..Kokalaret,Karagjozet,Selfot,Bakiret,Cabejt,Kasimatet,nuk e hapnin yklykun me ju katundaret qe zbritet ne Gjirokaster,por ne qe ishim te nje sere me ta kemi degjuar qe te mbushim 10 romane si ai i Fevziut.

    Reply to this comment
  2. Pena May 27, 05:19

    hahahaha
    Shkrim nga nje muzhik per muzhikë.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*