“Meritoja vdekjen time dhe të sajën…”

August 21, 2018 01:18

“Meritoja vdekjen time dhe të sajën…”

 

Cass-i ishte më e vogla dhe më e bukura ndër pesë motrat e saj. Cass-i ishte femra më e bukur në të gjithë qytetin. Gjysmë indiane, me trup të zhdërvjellët dhe të çuditshëm, një trup si gjarpër dhe epshor, po ashtu edhe sytë. Cass-i ishte zjarr i lëngshëm në lëvizje. Një shpirt, të cilin e kishin izoluar diku në një vend që nuk e zinte. Me flokë të zezë dhe të gjatë si mëndafsh që lëviznin dhe valëviteshin me trupin e saj. Me humor ishte ose mirë, ose keq. Nuk kishte ndjesi të ndërmjetme. Disa mendonin se ajo ishte e çmendur. Por kështu thoshin veç ata tipat e mërzitshëm. Këta tipa nuk do mundeshin ta kuptonin kurrë Cass-in. Meshkujve iu dukej thjesht si makinë seksi dhe nuk donin me ia dit’, a ishte e çmendur apo jo. Kurse Cass-i vallëzonte, flirtonte, puthej me burra, por deri në një ose dy përjashtime, se kur vinte puna që ta bënin me të, Cass-i mënjanohej disi dhe ndjehej e pacënuar prej burrave.

Në lidhje me arsyen ishte thjesht krejt ndryshe; thjesht nuk ishte praktike. Motrat ishin xheloze ndaj saj, sepse ua merrte meshkujt, dhe u ikte truri, sepse mendonin që ajo nuk merrte gjithçka prej meshkujve. Kështu ishte gatuar ajo, me qenë më e këndshme ndaj meshkujve jo simpatikë; ata që tjerët i mbanin për të pashëm, ia ngrenin nervat.-“Pa burrëri”, thoshte. “Pa lëng brenda. Pandehin se kanë diçka tjetër përveç bulave të vogla e të bukura të veshëve dhe flegrave markante të hundës…Gjithçka sipërfaqësore e veç bosh përbrenda…” Temperamenti i saj i ngjante një të çmenduri.

I ati i kishte vdekur nga pija, ndërsa e ëma i kishte braktisur dhe i kishte lënë vajzat vetëm. Atëherë vajzat kishin përfunduar te një kushëri, i cili i kishte çuar në një konvikt femrash. Aty nuk kishte qenë ndonjë vend ideal, Cass-i e kishte pasur më të vështirë se motrat e saj. Vajzat aty bëheshin xheloze për Cass-in, dhe ajo ishte grindur me shumicën prej tyre. Krahun e majtë e kishte gjithë shenja prej brisqeve të rrojës gjatë dyluftimeve. Edhe në faqen e saj të majtë i përvijohej dukshëm një shenjë, por kjo nuk ia prishte bukurinë aspak, madje ia theksonte më tepër.

Unë e takova atë te West End Bar, pasi e kishin liruar nga konvikti. Meqë ishte më e reja, kishte qenë dhe e fundit prej motrave që e kishin liruar. Ajo erdhi aty brenda dhe u ul pranë meje. Mbase isha mashkulli më i shëmtuar në të gjithë qytetin; e ka mundësi që kjo qe arsyeja pse u ul aty.

-“Diçka për të pirë?” e pyeta.

-“Patjetër.Pse jo?”

Besoj se atë mbrëmje nuk pati asgjë të jashtëzakonshme në bisedën tonë, thjesht ishte ndjesia që më fali. Ajo më kishte zgjedhur mua, pra krejt e thjeshtë. Dhe pa e ndihmuar unë. Pijet i shijoi dhe i piu goxha. Dukej se nuk e kishte moshën për këtë, por kamerieri i shërbeu pa problem. Mbase e kishte falsifikuar edhe letërnjoftimin e saj. Varja, çdo herë që kthehej nga tualeti dhe ulej pranë meje, ndjehesha shumë krenar. Ajo nuk ishte vetëm femra më e bukur në të gjithë qytetin, por edhe një ndër më të bukurat që kisha parë ndonjëherë. Ia vura dorën në bel dhe i dhashë një puthje.

-“A të dukem simpatike?” më pyeti.

-“Po, sigurisht, por ke edhe diçka tjetër…ke diçka më shumë se paraqitja…”

-“Njerëzit më bëjnë vërejtje gjithnjë, pse jam simpatike.Mendon vërtetë që jam simpatike?”

-“Simpatike nuk është fjala e duhur, s’ka lidhje.”

Cass-i kapi çantën e saj. Mendova se po kërkonte ndonjë shami. Ajo nxori një karficë. Para se ta ndaloja unë, tashmë e kishte futur në hundë, krejt thellë në birat e hundës. Nerveri dhe tmerr më kapluan. Ajo më vështroi dhe më qeshi.

-“Hë, akoma mendon se jam simpatike? Hë plako, çfarë po mendon tani?”

Ia mora karficën dhe shaminë time e ia ngjesha te plaga. Disa klientë, po ashtu dhe pronari, vërejtën gjithçka.

Më dha një puthje, madje u gërdhesh duke e mbajtur shaminë në hundë. Kur u mbyll bari, shkuam tek unë. Në shtëpi kisha disa shishe birre, u ulëm dhe bëmë muhabet. Atëherë e kuptova se ishte shumë e afrueshme dhe mjaft e arsyeshme. I jepej tjetrit pa e vënë re. Në të njëjtën kohë ra në gjendje egërsie dhe konfuzioni. Delir. Një delir i bukur dhe shpirtëror. Madje ndonjë mashkull apo ndonjë gjë tjetër do ta shkatërronte njëherë e përgjithmonë. Uroj që të mos jem unë ai.

Shkuam në shtrat, dhe pasi kisha fikur dritën, Cass-i më pyeti: “Kur dëshiron ta bësh? Tani apo nesër në mëngjes?” -“Nesër në mëngjes”, i thashë dhe i ktheva shpinën. Të nesërmen u zgjova, bëra një kafe dhe ia çova në shtrat.

“Je i pari që kam takuar, që nuk donte ta bënte natën.”

-“Në rregull”, i thashë. -“Mund ta lëmë fare.

-“Jo, kështu jo, dua ta bëj tani. Më prit sa të shkoj të freskohem.”

Cass-i shkoi në tualet. Pas pak doli nga aty dhe dukej shumë fantastike, flokët e gjatë i shkëlqenin, sytë dhe buzët po ashtu, ajo vetë shkëlqente…Ma dha trupin krejt e qetë, si një mall të mirë. U fut tek unë nën batanije duke u zvarritur.

U lëshova i tëri. Ajo puthte me vetëmohim, por pa ngut. Duart e mia rrëshqitën në trupin e saj, në flokët e saj. I hypa sipër. E kishte të ngrohtë dhe të ngushtë. Fillova të lëvizja ngadalë, tashmë doja të vija. Sytë e saj u kryqëzuan me të mitë.

-“Si quhesh?” e pyeta.

-“Po ç’lesh rëndësie ka?”, u përgjigj.

Unë qesha dhe vazhdova më tej. Mandej ajo u vesh dhe e çova te bari.

Cass-i vinte gati çdo ditë tek unë. Në fakt kjo ndodhte në momente të ndryshme, rrallë ishte e ndrydhur. Një apo dy herë më mori natën në telefon dhe m’u desh ta nxirrja nga burgu kundrejt një pagese, sepse kishte qenë e dehur dhe kishte filluar të grindej.

-“Këta zogj kurvash”, tha. “Vetëm se të qërasin me diçka, kujtojnë se munden me t’i heq brekët.”

-“Kush e lë veten që ta qerasë tjetri, duhet të jetë i vetdijshëm për pasojat.”

-“Mendova se do interesoheshin për mua, jo për trupin tim.”

-“Mua më intereson ti dhe trupi yt. Dyshoj se shumica e burrave nuk shohin gjë tjetër përveç se trupin tënd.”

Mandej u largova nga qyteti për gjashtë muaj, u sorollata sa andej këndej, e u ktheva prapë. Cass-in nuk e kisha harruar, por ne ishim grindur disi dhe sidoqoftë kisha dashur edhe më parë që të largohesha, e kur u ktheva, mëtova që ajo nuk do ishte më aty. S’kisha as gjysmë ore që isha ulur në West Bar End, kur e pashë që po hynte brenda dhe u ul pranë meje. -“Hë mor shkërdhatë, erdhe prapë?”

I porosita diçka për të pirë. Më pas e vështrova. Kishte veshur një fustan të gjatë. Nuk e kisha parë asnjëherë me një fustan të tillë. Nën sytë e saj kishte futur karfica me koka qelqi. Gjithçka që mund të shihja ishin karficat me koka prej qelqi; ishin të futura në mish.

-“Çfarë dreqin bën? Prapë do ta shkatërrosh bukurinë tënde?”

-“Jo mor idiot, kështu vihen këto tani.”

-“Je e çmendur!”

-“Më ka marrë malli për ty!”

-“A është ndokush tjetër këtu?”

-“Jo, askush tjetër. Veç ti. Po kurvëroj. Kushton 10 dollarë. Por për ty e bëj falas.”

-“Hiqi ato karfica.”

-“Jo, kështu mbahen tani.”

-“Po më bën të ndihem keq.”

-“Vërtet?”

-“Djalli e marrtë! Po, vërtet.”

Cass-i i hoqi ngadalë karficat dhe i futi në portofol.-“Pse ke gjithnjë probleme me bukurinë tende?” e pyeta. -“Pse nuk mësohesh të jetosh kështu?”

-“Sepse të tjerët mendojnë se kjo është gjithçka që unë kam. Bukuria s’është asgjë, bukuria s’mbetet. Ti nuk e ke idenë se sa i lumtur mund të jesh për faktin që je kaq i shëmtuar, sepse nëse dikush ka simpati për ty, atëherë ti e di tamam që kjo ka arsye të tjera.”

-“Epo mirë”, i thashë,- “jam i lumtur.”

-“Nuk jam unë ajo që mendon se ti je i shëmtuar. Të tjerët të mbajnë për të shëmtuar. Mua më mrekullon fytyra jote.”

-“Faleminderit!” Pimë dhe diçka tjetër.

-“Çfarë po bën tani?” më pyeti.

-“Asgjë. S’arrij të bëj asgjë. S’kam nerva.”

-“As unë. Po të ishe grua, do kishe mundur të kurvëroje.”

-“Nuk mendoj se do më jepte kënaqësi të kisha kontakte me aq shumë të huaj. Është dërrmuese.”

-“Ke të drejtë. Është dërrmuese, gjithçka është dërrmuese.”

Dolëm jashtë. Në rrugë njerëzit vazhdonin t’ia ngulnin sytë Cass-it. Ajo ishte akoma një femër e bukur, mbase më e bukur se më parë. Shkuam tek unë dhe mandej hapa një shishe verë dhe ndenjëm duke folur. Kur Cass-i dhe unë ishim bashkë, muhabeti rridhte krejt natyrshëm. Ajo fliste për njëfarë kohe, e dëgjoja, e më pas flisja unë. Biseda jonë rridhte krejt lirshëm, pa sforcimin më të vogël. Dukej sikur sëbashku do zbulonim sekrete. Kur qëllonim në ndonjë gjë të bukur, Cass-i fillonte të qeshte, ashtu siç i vinte. Ishte një e qeshur që dukej se rridhte nga zjarri. Gjatë muhabetit u puthëm dhe u përqafuam. U bëmë krejtësisht tap dhe vendosëm të shkonim në shtrat. Cass-i aty hoqi fustanin e saj, kurse unë pashë atë fryrjen e shëmtuar të plagës që i përvijohej në qafë. Ishte e gjatë dhe e trashë.

U puthëm edhe njëherë. Cass-i po qante pa bërë zë. I ndjeja lotët e saj. Flokët e saj të gjatë dhe të zezë i kisha pranë si një flamur vdekjeje. Ia futa brenda dhe bëmë dashuri në mënyrë të qetë, të thellë dhe të mrekullueshme.

Të nesërmen Cass-i ishte zgjuar dhe po përgatiste mëngjesin. Dukej krejt e qetë dhe e gëzuar. Po këndonte. Unë po rrija shtrirë në krevat dhe po gëzoja që ishte e lumtur. Në një moment, erdhi pranë meje dhe më shkundi.

Atë ditë e çova në plazh. Ishte ditë jave dhe akoma nuk kishte ardhur vera, pra plazhi ishte si shkretëtirë. Aty matanë plazhit po flinin disa endacakë në bar. Disa të tjerë ishin ulur në stola guri dhe po ndanin një shishe të vetme. Pulëbardhat fluturonin rreth e rrotull krejt kot, në tym, të shqetësuara. Disa plaka, rreth të shtatëdhjetave apo tetëdhjetave, po rrinin ulur në stola dhe po flisnin për shitjen e mobiljeve, të cilave ua kishin lënë burrat e tyre, që para shumë kohësh kishin vdekur nga etja dhe idiotësia e të mbijetuarit.

Pra gjithçka: Paqja ishte në hapësirë dhe ne shëtitëm, u ulëm në bar dhe nuk folëm shumë me njëri-tjetrin. Ishte thjesht bukur që ishim bashkë. Bleva disa sanduiçë, patatina dhe diçka për të pirë, e u ulëm në rërë  dhe hëngrëm. Cass-in e mbajta në krahët e mi dhe kështu fjetëm gati për një orë. Pak a shumë kjo ishte më e bukur se ta palloja. Ishte një rrjedhje e natyrshme pa pikën e sforcimit. Kur u zgjova, u kthyem në shtëpinë time dhe i përgatita drekën. Mbas drekës i propozova Cass-it që të shpërngulej tek unë. Ajo ndejti gjatë pa dhënë një përgjigje, e mandej tha e qetë: “Jo.” E çova prapë te bari, i porosita diçka për të pirë dhe dola jashtë. Ditën tjetër gjeta një punë si roje në një fabrikë, dhe gjithë javën punova aty. Isha shumë i lodhur për të dalë, por të premten që erdhi shkova prapë tek West End Bar. Zura vend dhe prita për Cass-in. Kaluan orë të tëra. Kur u bëra tap krejt, pronari më tha:

“Më vjen keq për të dashurën tuaj.”

-“Ç’e ka gjetur?” e pyeta.

-“Oh, më fal, a nuk e dini?”

-“Jo.”

-“Vetëvrasje. E kanë varrosur dje.”

-“E kanë varrosur?” e pyeta. Më dukej se nga çasti në çast do ta shikoja te dera duke hyrë brenda. Si mund të ishte e vdekur?

-“Motrat e saj e kanë bërë varrimin.”

-“Vetëvrasje? A mund të më thoni se si ndodhi?”

-“I ka prerë vetes qafën.”

-“Kuptoj. Më mbushni edhe një.”

Vazhdova të pija deri sa u mbyll bari. Cass-i, më e bukura ndër pesë motra, femra më e bukur në të gjithë qytetin. Ia dola ta ngisja makinën deri në shtëpi dhe mendova gjithë kohën, që duhet të kisha këmbëngulur që ajo të shpërngulej tek unë, në vend që ta pranoja “Jo”-në e saj. Çdo gjë tek ajo ishte e qartë, e kishte marrë seriozisht.  Thjesht kisha qenë indiferent ndaj saj, shumë dembel, shumë apatik. E kisha merituar vdekjen time dhe të sajën. Isha treguar tamam një qen. Jo, pse t’i fyej qentë?  Brofa në këmbë dhe gjeta edhe një shishe verë,  dhe piva sa munda. Cass-i, vajza më e bukur në të gjithë qytetin, vdiq 20 vjeçe. Andej jashtë dikush i ra borisë. Ishte e fortë dhe shurdhuese. E lashë shishen dhe bërtita: “Boll, mor shkërdhatë!” Nata filloi të binte ngadalë, ndërsa unë s’kisha çfarë të bëja më.

Tregimi me titull “Femra më e bukur në të gjithë qytetin” nga Charles Bukowski.

s.a/dita

August 21, 2018 01:18
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*