Mes jetës dhe vdekjes

Arben Duka July 10, 2016 11:19

Mes jetës dhe vdekjes

Ku më pas-ku më përpara,
drapri do të bjerë,
po as rrënja-po as fara,
s’shuhen asnjëherë.

Shpatë e mprehtë e Demokleut,
te koka përgjon,
si mundimi i Anteut,
gjithë jeta jonë.

Cfarë mbjell jeta-e korr vdekja,
me drapër të saj,
krejt të lodhur nga përpjekja,
tretemi pastaj.

Një arkivol -a qefin,
do kemi së fundi,
ky është për njerëzinë,
i gjithë jetës-mundi.

Për të gjetur të vërtetën,
vuaj-natyrisht,
po as vdekjen-po as jetën,
s’i marr seriozisht.

Do të paguajmë aq shtrenjtë,
se ka thënë Ai,
nëse jemi frymë e shenjtë,
ende nuk e di.

Ndonjë herë Botës i them:
“Pse s’të bie zjarri?..”,
se njëlloj në dhe do treten,
mbreti dhe lypsari.

Sepse balta aq e butë,
tret gurë e zinxhirë,
ndaj dhe dua-sa të jemi,
të jemi të mirë.

Se në ujë dhe në rërë,
emrin kemi shkruar,
njerëz-ju dua të tërë,
qofshi të bekuar!

Nëse jeta ime…

Nëse jeta ime ka një qiell,
ti-natyrisht-je dielli i saj,
çdo regëtimë e zemrës sime,
të përket ty-mua pastaj.

Nëse jeta ime është një det,
ti je anija që lundron,
unë ndjej si çahet valë e jetës,
edhe kur ti nuk siluron.

Nëse jeta ime është një stinë,
krejt e bleruar-që nga fillimi,
nuk është sekreti që s’e dimë,
ti je aroma dhe blerimi.

Nëse jeta ime është pasqyrë,
që ndrin e ndrin me kaq shkëlqim,
ti je rrezja që ndrit mbi të,
që unë të shoh portretin tim.

Nëse jeta ime është një zjarr,
ndezur né mbrëmje e mëngjes,
ashtu si sot edhe më parë,
ti je shkëndija që e ndez.

Nëse jeta ime do kish një vdekje,
ti do ishe arkivoli im i florinjtë,
arkivoli im i përsosur,
ku nuk do të hynin kurrë gjarpërinjtë.

Ç’ta zgjasim më me metafora,
me metafora-krahasime,
të mijat kam vetëm mushkritë,
se ti je frymë e jetës sime.

Arben Duka July 10, 2016 11:19
Komento

2 Komente

  1. Arber Iliri July 10, 15:00

    O te keqen o adoleshenti 60 vjecar Duka. hahaha

    Reply to this comment
  2. Aretia nga Zagoria July 10, 18:08

    Aretia nga Zagoria

    Degjomi dy fjale
    Djali i Lenos se mire,
    asaj kapedane,
    me djem xhevaire

    Ti kendova vjershat
    qe ke bere o bir
    une ca gjera-plaka
    dhe s’i kuptoj mire

    por e kuptoj mire
    nje zemer te madhe
    qe e bluan dhembja
    qe e rendojne halle

    Hallall more Beni
    qumeshtin e nenes
    si ujet e gurres
    pac fjalet e kenges.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*