Mes verëtarëve arvanitas në Greqi

Prof. dr. Andrea Shundi April 3, 2016 16:59 Updated

Mes verëtarëve arvanitas në Greqi

Abdurahim Ashikun, megjithëse agronom, sikurse unë, pata rastin ta njoh në Athinë, në prill të vitit 2012, kur përmes njoftimit të kolegut Jorgji Muzaka, mu mundësua bashkëpunimi me të. Për hartimin e “Enciklopedi për Vreshtarinë dhe Verëtarinë” (Tiranë, 2012), më duheshin të dhëna edhe për veprimtaritë vreshtare-verëtare të arbërorëve (arvanitasve), me shumë tradita e përvojë në këtë drejtim.

Dhe kisha disa arsye për këtë. Arbërorët mërguan nga trojet shqiptare, ku vreshtaria-verëtaria ishte ndër vatrat më të lashta në kontinent, por edhe në Greqi gjetën një shtrat vreshtar-verëtar shumë të vyer dhe e pasuruan më tej. Në krahinat e Atikës, Beotisë, Lokridës, Moresë, Peloponezit, Tebes, si edhe në ishujt e Eubesë, Hidrës, Salaminës, Speces, ende gjallojnë mbi 300 ngulime me popullsi kryesisht arbërore; krahas tyre, migrimi i arbërorëve është në qytetet e mëdha të Greqisë. Pozitiv është fakti se mërgimtarët shqiptarë të 25 viteve të fundit u mirëpritën nga arbërorët dhe një pjesë e tyre punojnë e jetojnë në këto ngulime. Njohjet dhe bashkëpunimet midis tyre, krahas vendosjes së demokracisë në Shqipëri, po ndihmojnë vizitat e shumta të arbërorëve dhe ndonjë hapje biznesi në Shqipëri, madje ndonjë prej tyre është akademik i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Për Enciklopedinë kisha një sërë të dhëna burimore, sidomos nga librat e arbëreshit At Antonio Belushi, i cili ka shkruar disa libra për arbërorët, si edhe nga botimet e shumta të profesor Titos Jochalas. Të dy këto personalitete shkencore, përkatësisht i takova në Frasnitën arbëreshe (Kalabri) dhe në Athinë, duke këmbyer botimet tona.

Jorgo me me Andrean

Jorgo me me Andrean

Gjithsesi, këto burime ishin të pamjaftueshme. Një pjesë e njerëzve dhe e realitetit vreshtar-verëtar arbëror, duhej njohur në vend, te burimi. Përgjatë 18 dhe 19 prillit 2012, Abdurahim Ashiku mu bë krah shumë i fuqishëm, duke përcaktuar trevën më tipësore dhe duke më mundësuar takime me vreshtarë-verëtarë të prodhimit shtëpiak dhe atij industrial, më të moshuar, të cilët njihnin më mirë traditat dhe shumë fjalë të urta për këto veprimtari. Për më tepër, në ekspeditën studimore, mori me vete dy mërgimtarë shqiptarë: Ilia Thaka, ish-kryetar i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi dhe veprimtar i shquar i mërgatës shqiptare në Athinë, dhe Shpëtim Hyka, ish-mësues, anëtar i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, i cili për shumë vite kishte punuar me arbërorët në trevën e Thivas.

U bëmë një katërshe shqiptarësh, që për dy ditë u përqendruam te vreshtaria-verëtaria arbërore në Tebe-Thiva, më se 150 kilometra larg Athinës. Gjatë përshkimit të luginës së Tebës/Thivës, tipësore për vreshtari-verëtari cilësore, sepse veçorizohet nga mbizotërimi i tokave kodrinore dhe klimë mesdhetare. Ditën e parë u përqendruam në Saranti, me pesë fshatra arbërore, ku shquhet Hostiaj që selit 50 ha me vreshta. Abdurahimi, fillimisht na ndali te vreshti dhe kantina e Thanasit, i cili ka qenë disa herë në Shqipëri. Kishim të bënim me prodhim shtëpiak të rrushit e të verës, por në vreshtin trehektarësh spikaste bashkëkohorja: kultivarë vendës, si edhe ndërkombëtarë, shtatëmijë hardhi për hektar, mekanizim i plotë i punimeve.

Pasditen, deri natën vonë, e kaluam me disa vreshtarë-verëtarë arbërorë, miq të Abdurahimit dhe të mësuesit të shkollës shqipe Eqerem Elezi i cili na ndihmoi së tepërmi për organizimin e këtij kuvendimi. Eqeremi është i kursyer në fjalë për veten. Ka qenë mësues në malet e Librazhdit dhe i ka mbetur peng në shpirt që misionin e vet nuk e çoi në fund.

Në një shoqëri arvanitase e mërgimtarësh, ndërsa nata kishte zbritur e deti heshtte në gjumin e natës, mësuam për disa ekotipe dhe kultivarë hardhie (Muhtaro, Risait, etj.), ngjëruam verën e kuqe aq të trashë sa që shpesh e hollonim me ujë (rrush me deri 28 për qind sheqer, prodhuar nga hardhi të selitura shumë dendur dhe në trajtë kupore të ulët), në toka gurishtore mbi ujë. Mbresëlënëse ishin termat, thëniet dhe fjalët e urta, që lidhen me vreshtarinë-verëtarinë. Abdurahimi, gazetar mjeshtër për intervistime, na ndihmoi sidomos për hartimin e pyetjeve, duke ia nxjerrë “me grep” përvojat arbërorit Lam Qefalai (“njëqind edhe tre vjet” – si na u përgjigj në arvanitishten shekullore), mik prej më se dhjetë vjetësh i Abdurahimit. Na treguan se Thanas Bujas dhe familje të tjera arbërore, prodhojnë 120-180 hektolitra verë në vit.

A. Shundi (majtas) me A. Ashikun

A. Shundi (majtas) me A. Ashikun

Të nesërmen u përqendruam te vreshta dhe kantina të prodhimit më të madh, me natyrë industriale. Në to, pronarë arbërorë janë disa, por vizituam “Trashëgimi e muzave”, e themeluar qysh më 1946 dhe e vijuar prej tre breza të familjes Zaharia. Vepron në Luginën e muzave të krahinës së Tebës, selit kryesisht hardhi vendëse “Muhtaro”, prodhon 180 mijë shishe me verë në vit dhe raki tejet cilësore, duke i eksportuar anekënd. Falë Abdurahimit, njohëm një pjesë të visarit vreshtar-verëtar arbëror, me rrënjë te tradita dhe me përshtatje te bashkëkohorja e drejt ardhmërisë.

Përgjatë vajtje-ardhjes, rreth katër orë me makinë, të katër e përqendruam kuvendimin rreth vreshtarisë-verëtarisë së arbërorëve. Madje Abdurahimi e përdori kohën, duke më intervistuar dhe incizuar gjatë udhëtimit. Si zakonisht, botoi një artikull disavlerësh të mirëfilltë.

Nuk më hiqet nga mëndja thënia e Abdurahimit “po largohesh shpejt, siç i thonë dibranët mikut, sa që nuk arrite të ngrohesh në zjarrin e vatrës”.

Dy ditë veprimtarie intensive, e parapërgatitur dhe e organizuar më së miri, na afruan më shumë me njëri-tjetrin, sikurse edhe me Ilian, me Shpëtimin, me mësuesin e shkollimit shqip të fëmijëve, Eqerem Elezi në Saranti e shumë të tjerë. Largohemi prej këtej me përshtypje shumë të mira për një komunitet që e ka në gojë arvanitishten e babait dhe gjyshit, të cilët gjallërohen tek flasin fjalën e bukur shqipe.

Prof. dr. Andrea Shundi April 3, 2016 16:59 Updated
Komento

3 Komente

  1. dash April 4, 09:27

    Shume bukur….

    Reply to this comment
  2. E po kjo pune! April 5, 11:00

    nje tjeter gje qe mund te behet, ekspozita vererash, kontrata importesh (vellezerve tane do ua blejme), interesa te tjera biznesi etj, keshtu fillon e ngjizet vellazeria e humbur gjate.

    Reply to this comment
  3. S Gjokaj April 5, 17:55

    Ndonji emer te veres qe behet nga ta? Apo te gjitha ishin per komunitetin e afert? Poashtu a perdorshin helme apo te gjitha ishin bio?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*