Mesazhet e librit “Zonja nga Parga”

March 12, 2020 13:45

Mesazhet e librit “Zonja nga Parga”

Dr.Shk.Ndue Gjoka 

E lexova dhe e rilexova librin e ri “Zonja nga Parga” të shkrimtarit, Enver Kushit, që ka në qëndër të tij një subjekt të thjeshtë, me pak personazhe dhe tepër interesant. Zonja nga qyteti i Pargës së Çamërisë, tashmë  në moshë të  thyer të jetës, shpëtuar rastësisht nga zjarri dantesk i  ushtrisë së gjeneralit famëkeq Zerva, tregon tmerret që kaloi ajo vetë, familja dhe e gjithë Çamëria në vitet 1944-1945. Nëpërmjet këtij përsonazhi, i cili dialogon me të tjerë e monologon me vetveten, pasqyrohet një nga momentet më të dhimbshme të historisë së kombit tonë, e cila mori me vete shumë njerëz ta pafajshëm, vetëm pse ata ishin myslimanë çamë.

Mesazhet që përcjell, të elektrizojnë dhe të bëjnë të mendosh thellë për atë që ka ndodhur jo shumë larg në kohë e në hapësirat e tokës shqiptare. Është një dramë rrënqethëse, që të shqetëson dhe nuk harrohet lehtë. Zonja nga Parga i mban mënd mirë aktet e kësaj tragjedie, duke i rrëfyer ato me gjuhën e mëmës, apo më saktë me dialektin e çamërishtes.

“Zonja nga Parga” nuk është një përsonazh thjeshtë imagjinar,siç mund të ndodhë me një vepër tjetër artistike dhe kur protagonistët “shpikën” nga shkrimtari,por ajo është një grua e mbijetuar, reale, dëshmitare e  kohës, e ngritur në art nëpërmjet një novele, e cila jep detaje të jetuara e të dokumentuara të genocidit kundër çamëve shqiptarë. Dhe ky fakt ia rritë më shumë vlerën librit.

Prandaj unë e mbaj librin e Enver Kushit “Zonja nga Parga” në tavolinën time dhe sa herë e lexoj dhe e shikoj, duke filluar që nga kopertina e librit për të depërtuar më në brendësi të tij, mendimi më vihet në lëvizje. Përnjëherësh më shfaqet përpara syve portreti i një vajze të bukur çame, të realizuar bukur nga piktorja Entela Kasemi.Vështrimi i saj i butë dhe i vuajtur, por dhe zhbirues e i mprehtë, sikur të pushton qenien. Duket sikur ai vështrim herë tretet në thellësitë e detit të trazuar, herë ngjitet majës së Sulit dhe kapërcen malet e Shqipërisë. Duket sikur të kërkon ndihmë për diçka dhe prej dikujt. Kërkon edhe të rrëfejë për çamët e djeshëm e të sotëm.

Ajo ishte në moshën 16 vjeçare, kue në shtëpinë e saj kishin hyrë me forcë, si një lukuni egërsirash, ushtarët zervistë.E kapën vajzën e redhe e perdhunuan me radhë, deri sa e çuan buzë varrit. Mbeti pa ndjenja me orë të tëra. Nga trupi i saj i plagosur dhe i  torturuar kullonte gjak. Por plagët më të rënda i mbetën në shpirt, nga të cilat, edhe sot e kësaj dite, dalin herë pas here ofshamat evuajtjeve të saj. I ngjet një vullkani gati në shpërthim.  Në portrerin e asaj vajze të dëmtuar rëndë,simbolizohet fati i gjithë Çamërisë. Është vetë Çamëria e gjymtuar, që ka lënguar nën barrën e rëndë të shtypjes.

Ajo duke folur në heshtje me të vdekurit e të gjallët, sikur shkarkon nga shpirti  mllefin dhe urrejtjen e grumbulluar prej kohësh.Duke u zhytur në mjegullën e kohës së shkuar, ajo rikthehet, kush e di për të satën herë, nëciklonin mbytës që pësoi populli çamnga ushtria e kryekriminelit grek Zervanë vitet 1944-1945.

“Zonja nga Parga”,duke u kthyer pas në ato kohë të errëta, denoncon për ato që ka parë e dëgjuar në qytetin e lindjes.Në atë qytet ajo ka përjetuar bastisjet e shtëpive dhe të pronave çame. Ka njohur tortura të tmerrshme kundër popullsisë, deri dhe në prerjet e duarve e nxjerrjen e syve të burrave, grave e fëmijëve çamë. Ka parë përdhunimet e grave dhe të vajzave çame. Ka njohur vrasjet masive dhe turma qensh, që shqyenin kufomat nëpër rrugë. Nga dritaret e shtëpisë së saj i duket sikur shikon akoma zervistët, të cilët zvarriten natën rrugëve për të grabitur çdo gjë dhe për të shkatërruar gjithçka në shtëpitë çame. Krimet monstruoze synonin ta shndërronin Çamërinë në një shkretëtirë pa jetë.

Në këtë libër të Enver Kushit,dëshmohet se edhe në Çamëri gjatë Luftës së Dytë Botëore ka pasur lëvizje antifashiste çame. Në Filat është formuar çeta e parëpartizane e Çamërisë, që luftonte për çlirimin nga nazifashistëttë Greqisë.Në Greqi ka patur një front antifashsit, në radhët e të cilit,krahas popullsisë greke, kontributi çam ka qënë i padiskutueshëm.

Me penelata të shpejta, krahas tragjedisë çame, tezat antihistorike, që përpiqen të justifikojnë dhunën dhe krimin në Çamëri dhe se gjoja popullsia çame ka bashkëpunuar me nazifashistët. Kështu citohet një thënie e historianit grek, Niko Zhango: “Duhet të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë dhe të na vijë turp për ato, që u bënë në Thesproti, sepse nuk janë në karakterin e popullit tonë.Tragjedia çame ka një paralele historike me atë që ndodhi në Kosovë në vitet 1998-1999.  Ishte i njëti skenar, i njëjti kalvar biblik, i njëjti qëllim dhe u përdorën të njëjtat mjete dhune,  edhe për çamët,edhe për kosovarët. Edhe populli kosovar u përzu dhunshëm nga trojet e tij nga pushtuesit sërbë. Edhe atëherë qindra-mijëra burra dhe gra, pleq dhe fëmijë, të sëmurë dhe të gjymtuar nga lufta, u përzunë me forcë nga Kosova drejt Shqipërisë. Ashtu siç edhe mijëra të tjerë, banorë të pafajshëm, për të shpëtuar jetën, ose ikën e u fshehën nëpër male,ose u ekzekutuan në grup nga kriminelët serbë, siç dhe ndodhi në masakrën e Reçakut. Në Kosovë rreth 20 mijë gra dhe vajza janë përdhunuar nga ushtarët serbë, duke u shkaktuar atyre një traumë të madhe. Mendoj, se ky libër duhet promovuar edhe në Kosovë. Jam i bindur, se lexuesi shqiptar i Kosovës do tëgjejë shumë gjëra të përbashkëta, jo vetëm me tragjedinë e Çamërisë, por veçanërisht të grave dhe vajzave të pafajshme.

Duke lexuar rreth “Zonjën nga Parga”,nuk e di pse m’u kujtua kënga “Bila e Lalës”, e poetit arbëresh  Gvril Dara i Ri nga poema “Kënga e Sprasme e Balës”:”Mori bilë,bil’ e Lalës /mori e bukurz e mbriturë/pse më sjell ndë monë e shkuar? ”,këndon Bala,një luftëtar i kohës së Skënderbeut. Sepse,megjithëse në rrethana historike, në kohë dhe në vende të ndryshme, prap se prap,“Bila e Lalës” me “Zonjën nga Parga” kanë ngjashmëri. Jo vetëm nga bukuria,por dhe nga fati i tyre e i të parëve të tyre. Ndonëse Bija e Lalës është në dhe të huaj nga Siçilia i drejtohet Moresë, atdheut ku kanë lindur e jetuar të parët e saj, Zonja nga Parga është në dheun e vet në Çamërinë,por dhe ajo  i drejtohet Shqipërisë.Të dyja janë shqiptare dhe meditojnë  duke kujtuar “monë e shkuar”.Të dyja e dëshmojnë e qajnë për vatrat e tyre të okupuara e për prindërit e humbur.Të dyja digjen nga malli  për  vendlindjen, për detin, për malet shqiptare. Të parët e të të dyjave, ndonëse në kohë të ndryshëme, nga i huaji janë u përzunë me focë nga trojet e veta. Të dyja në rininë e tyre kanë qënë të bukura.Prandaj kriminelët kanë tentuar t’ua rrëmbejnë dhe t’ua dhunojnë bukurinë.Bija e Lalës u vu në shënjestër të ushtarëve  turq për ta kapur si robinë dhe për t’ia dërguar Sulltanit si dhuratë, ndërsa Zonja nga Parga në rininë e saj ishte po aq e bukur, bukuri që kriminelët zervistë e lakmuan dhe e plagosën rëndë.

Libri i Enver Kushit është mbreslënës edhe në një plan tjetër.Zonja nga Parga, ndonëse e moshuar dhe në një vend të mbetur shkretë, të spastruar nga çamët kryesisht, myslimanë e ka ruajtur “gjuhën e mëmës” si si një medaljon  të çmuar të jetës së saj. Dhe jo vetëm gjuhën. Janë emocionuese fjalët që ajo i thotë gazetarit grek: “Djalthi im. Kutu i kam të gjitha. Të ngrira, të pagosura brenda kurmit tim, i kam djalthi im. Edhe zërat e fëminisë sime, edhe të rinisë, kutu i kam.

Zonja nga Parga jo vetëm mbijetoi,por edhe gjeti të dashurin e zemrës, ushtarin grek, Kriston, të cilin e bëri për vete. Kristua, ushtari i pestë zervist, tronditet kur sheh gjendjen e vajzës 16 vjeçare dhe pasojat e përdhunimit shtazarak, që shokët e tij kishin lënë mbi trupin e saj. Dhe ndodh e papritura: Ai e merr nën mbrojtje vajzën çame. Ata lindën një djalë, Aleksin, i cili u rrit dhe u shumua me fëmijë. Ajo tashti ka krijuar një familje të madhe shqiptaro-greke.Një lidhje si kjo është domethënëse,është edhe një simbolikë,e cila tregon se vetëm dashuria nuk njeh kufij,as raca as besime fetare, por ajo shuan urrejtjen dhe zbut zemërimin midis popujve.

Meritë tjetër e Enver Kushit në këtë libër është se nëpërmjet personazheve kryesorë na njeh më mirë me dialektin çam.Surpriza ime ishte se në të folurën e Zonjës nga Parga ndeshen trajta shumë të vjetra të gjuhës sonë, të cilat përputhen me gjuhën e Buzukut, të përdorura rreth pesë shekuj më parë në “Mesharin” e tij. Tërheqin vëmendjen fjalët “klumshtuar” për qumështuar, kur togu i bashkëtinlloreve kl ruhet, në një kohë që në Malsinë Veriore të Shkodrës ka evoluar në k-j (kjumësht)në verilindje të vendit,përfshi dhe Kosovën, përdoret me k (kumësht),ndërsa ne gjuhën letrare ka përfunduar në q (qumësht). Pra, (kl-kj-k-q).Evolucion kanë pësuar edhe fjalët “klan” për foljen qan, “klënë” për foljën qënë,“bilë” për emrin bijë. Pra, gjuha jonë ka të njëjtin themel. Është një pemë që ka mbirë dhe ka mbijetuar me shekuj në trojet shqiptare, duke u rrezistuar përpjekjet e pushtuesve për ta zhdukur.

Lind pyetja: Si ka mundur të mbijetojë shqipja në Çamëri,ashtu si edhe në Kalabri,  në format e saj të vjetra, me moshë të paktën pesëshekullore, duke kapërxyer shekuj e breza,duke përballuar përpjekjet e pushtuesve për ta çrrënjosur. Sigurisht, ky mund të jetë objekt i studiuesve të historisë së gjuhës shqipe, por kjo dukuri flet për vitalitetin e kombit tonë.

Por në librin“Zonja nga Parga”tërheq vëmëndjen edhe një element tjetër i rëndësishëm: marrëdhëniet e ndërsjellta e korrekte midis çamëve me besime të ndryshme fetare. Për festat e pashkëve e të bajramit shkonin tek njëri tjetri për vizita. Çamja Marie, e krishtërë, nga Agjia, e martuar në Pargë,siç thotë Zonja, më ka ndihmuar kur më sulmuan bishat e egra zerviste. I kishte ndëjuar pranë,i kishte fshirë lotët dhe kuruar plagët. Po kështu Lefteria e kishte ndihmuar. Çamët kanë jetuar bashkë jo vetëm në gëzime,por dhe fatkeqësi.Pra,çamët shqiptarë,krahas grekëve,kanë respektuar edhe pakica  të popullsisë,siç kanë qënë vllehët, egjyptjanët etj. Kjo bashkëjetesë korrekte ka rritur besimin midis të gjithë popullsisë çame.

Kujtimet e Zonjës nga Parga janë të trazuara e të hidhura.Herë i vijnë e herë tërhiqen, si valët e detit të Pargës. Shpesh herë mendja i shkon tek të parët e saj, që bëjnë “pushimin e përjetshëm” në këtë tokë.Disaprej tyre që ishin detyruar të vinin këtu,në Shqipëri,ishin plakur e kishin vdekur.Të tjerë kishin lindur e shumuar,por kjo nuk i njihte fare. Por i kishte ëndërruar e dëshëruar një jetë të tërë.

E shtyrë nga këto forca të brendshme,ajo iu lut të shoqit,Kristos, të vinte këtu në Shqipëri për të parë kush është gjallë e kush nuk jeton.Të parëve kërkonte t’u vinte një tufë lule në varret e tyre, edhe në heshtje apo me vaje, t’u tregonte historinë dramatike të rinisë së saj. Ndërsa të gjallëve,pasi të prezantohej me ta,  t’i përqafonte,t’i puthte në ball.

Dhe Kristua ia plotësoi dëshirën gruas së tij.E e kishte sjellur deri në Kakavijë.Por dëshira e shumëpritur nuk u realizua. Kufiri ishte i mbyllur dhe u kthyen mbrapësht Por përsëri e ngacmonte meraku për Shqipërinë. Në këtë libër të bukur, në përmasat e një novele, autori me shumë mjeshtri dhe dhimbje nëpërmjet gojës së Zonjës nga Parga, na përcjell dashurinë e saj për mëmëdhenë. Me vështrimin e tretur diku larg, herë mbi det e herë mbi malet shqiptare, prej nga vijnë akoma erërat e ftohta,bashkë me mallin për prindërit,ajo rikujton vazhdimisht Shqipërinë.Edhe duke folur me vete,sikur nxirrte nga thellsitë e shpirtit brengën përvëlues,që i mbetur diku në thellësitë e zemrës për të. “Më mbenë sitë në Shqipëri,thotë ajo, në dialektin çam.Llafosem me detin.Edhe me retë dhe erërat që shkojnë tutje,atje ku duket limani i Sarandës dhe malet e Shqipërisë…U dërgoj që këtej të fala të parëve të mij, që kam vite pa i parë, më vinë në ëndërr…”  Në imagjinatën e Zonjës nga Parga, të gjithë njërëzit e saj akoma jetojnë.I kishte “ngjallur”e përjetësuar ajo vetë, duke mbjellë në bahçen e saj nga një filiz ulliri apo limoni, për gjyshin dhe gjyshen, për nënën dhe babanë, për nipër e mbesa.U kishte vënë emrat e tyre dhe sa herë mërzitej, u thërriste dhe bisedonte me ta. Ishin zëra që dilnin nga nëntoka dhe mbitoka.Si në legjenda. Në oborrin dhe dritaret e saj kishte shumë vazo me lule. Edhe ato kishin emra. Por prap ata fizikisht mungonin. Diçka e shtërngonte në gjoks,kur nuk i shikonte,as nuk i dëgjonte të flisnin e të bënin shaka më njëri-tjetrin, si në vitet e rinisë së saj.

Por tashti,nga kjo kohë, ata edhe po të ngriheshin nga varret, nuk kishin se ku të shkonin.Sheshet e bahçet e Pargës ishin të shkretëtuara.Vitet e kaluara nuk i kishin shëruar akoma plagët e qytetit. Shumë shtëpi thuajse po shemben,duke u kthyer në rrënoja.Madje edhe pulëbardhat sikur ishin rralluar.Në Pargë, si në të gjithë Çamërinë, kishte ndodhur hataja. Zonja nga Parga sado që e ndien aromën e luleve, sado që rrugët e sheshet e Pargës do të merrnin gjallërinë e dikurshme, përsëri nuk ishte e qetë.

Sigurisht,në këtë libër ka shumë dhimbje,por ka dhe dritë e shpresë. Nuk mund ta ndalojë askush dhe asgjë pranverën. Do vijë edhe atje në Çamëri pranvera. Sheshet, oborret dhe vatrat çame do të gjallërohen. Nipërit dhe stërnipërit e atyre që ikën,do të rikthehen. Sepse jeta do të vazhdojë.Ajo edhe në këto kohë të acarta diku pulson .Merr frymë dhe mbijeton mu aty në vendin e torturave dhe të vrasjeve. Atje ku është derdhur shumë gjak çamësh. Atje ku një pjesë e viktimave u varrosën në një gropë bashkë. Atje mu në skenën ku u luajt tragjedia e vërtetë. Si në tragjeditë e Eskilit.

Erërat e ftohta, që vinin nga malet e Sulit dhe nga Paramithia, do të ngrohen. Edhe valët e detit të Pargës nuk do të jenë të zemruara si dikur.Lulet rreth shtëpisë dhe pemët e kopshtit do të ringjallen.Limonët, portokallet dhe ullinjtë do të bëjnë përsëri fruta.

Enver Kushi, krahas shumë librave të tjerë, si dhe punës si autor skenarësh të filmave artistikë e dokumentarë, apo dhe si kulturolog, me këtë libër jep një kontribut tjetër në fushën e letërsisë shqipe. Ky libër prek thellë shpirtërat e njerëzve. Ajo çka shkruhet në të,është një piskamë që i thërret kohës sonë.

 

March 12, 2020 13:45
Komento

4 Komente

  1. Arben March 13, 20:48

    Napolon Zerva ishte shqipëtar ortodoks.

    Reply to this comment
  2. Arberor Epiroti March 15, 10:28

    E ndjej të nevijshme një sqarim për të përgenjeshtruar komentyesin “1”. Paraardhesut e N. Zerves në Cameri dhe konkretisht në katundun Zervihilir, janë ngulitur ne vitin 1224 në kohën e Kryqzatave. Ata u larguan nga Azia e Vogel si rrjedhojë e ndeshkimit të ktyqzatave. Stergjyjsherit e tyre ishin familje të medha të pasura që jetonin në Kostandinopoje. Iken dhe u vrndisen në Janine., më pas disa prej ttre sic janë zervatet u ngulen në Dhragumi sot quhet Zervohor.
    Nuk janë far e fis i çamëve, kji për sqarim jo për të mbrojtur as camet as vllehet as kend, sepse vrasesit ndodhen në cdo popull race dhe ngjyre si dhe besume fetare. E vërteta është mbi të gjitha.
    Arberor Epitoti

    Reply to this comment
  3. Dhimiter Xhoga (Guri Naimit D) March 23, 17:46

    Ëndërr-Bashkatdhetarie-*Shqipëri-KovË-Çamëri NJI! Dobësia ime CAMËRIA-Parë në 60 vjetorin e ndaries nga Pika kufitare në ketë pervetor,festuar të ardhur nga mbarë vëndi. Fotot marrë në atë ditë deri në Sarandë bujtur natën para festës,me sjelin kujtime dhe sot prag 84 vjetorit tim.Nga tej oqeani ardhur Tiranë në Atdhe, atë kërkesë të parë kam,të gjej këtë libër,po situata e virusit na bllokoj.Shoqëritë një jetë pas clirimit në Tirane,shokët i kam,deri miq bërë familie Came. Nga të Herroit Kombëtar Ali Demi,Kondët e Shalëshi e deri në Torono ,njohur 90 vjecarin nga Filatit Noro Nuri ,apo Faslli Mici,e Tahir Nezha.Nurua Familiarisht, mbi 60 vet vendosur ne Toronto,1945,persekutimi Grek. Faleminderit i nderuar Artist i PENES.Dr Ndue Gjoka

    Reply to this comment
  4. Pellazgos March 24, 02:43

    Populli “Shqipetare” nuk do liri,drejtesi,dinjitet se eshte populli me proamerikan I deklaruar.
    Ku eshte ndryshimi I nje pushtuesi si Anglezet ne Amerike,Osmanet pushtues te qendres tone Kostandinopolit te Kastriotit,Serbet ne Kosovo?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim