Mësimi on line, bukur, po pastaj?

March 30, 2020 16:29

Mësimi on line, bukur, po pastaj?

Nga Jetmir Aliçka

 

Java e katërt që shkolla është mbyllur, por mësimi vazhdon. Vazhdon on line. Ministrja e Arsimit znj. Shahini konfirmoi vazhdimin edhe më tej.

Si në çdo ndryshim skeptikët përballë mbështetësve, apo entuziastëve. Që në këtë rast, janë të shumtë nga të dy krahët.  Bëhet fjalë për edukimin. Dhe edukimi nuk i përket askujt, por absolutisht i përket të gjithëve.

Skeptikët e kundërshtojnë këtë zgjidhje me argumentin se nuk është efektiv, ka mbingarkesë tek nxënësit, është i lodhshëm, stresant për fëmijën, por edhe për prindin, nuk përfitohet asgjë etj.

Mbështetësit e pranojnë këtë si nje zgjidhje në kushtet që po kalojmë edhe për faktin se gjatë këtyre 3 javëve, mësimi on line i ka realizuar pritmëritë.

Le të arsyetojmë pak:

Imagjinoni për një çast, sikur nxënësit të shkëputeshin totalisht nga shkolla dhe mësuesit, çfarë do të ndodhte? Një kohë tejet e gjatë të mbyllur në shtëpi nxënës dhe prindër, pa ndonje angazhim, pa ndonje mësim, pa ndonje detyrë, pa ndonjë kontakt me mësueset, një kohë tepër e vështirë për t’u menaxhuar. Një ngarkesë psikologjike, në vazhdimësi në rritje, jo vetëm tek nxënësit, por edhe tek prindërit e gjyshërit. Një mjedis, ku padurimi dhe nervozizmi do të mbizotëronte. Një çorientim i mundshëm për të ardhmen, në përballje me të mësuarin. Një rrezik jo i vogël në realizimin e programit mësimor. Një perspektivë e dyshimtë e vazhdimësisë së vitit shkollor, në çfarëdo skenari të COVID 19. etj. Pra procesi i nxënies dhe mësimdhënies ndërpritej, por jo vetëm.

Aktualisht me mësimin on line, në mënyrë formale apo informale po të doni, brenda 3 javesh, qindra-mijëra nxënës e prindër, dhjetra-mijëra mësues, mijëra ekspertë, me efektivitet të plotë apo me pak efektivitet po të doni, bënë të mundur që mësimi të mos ndërpritej, por të vazhdonte.

DITA 31 mars 2020

Brenda vetem 3 javësh, një kalim mbresëlënës, nga një nxënie e mësimdhënie 100% reale, konkrete, e prekshme, e gjallë, gjithëpërfshirëse, e drejtpërdrejtë, në një nxënie e mësimdhënie 100% virtuale, tepër individuale.

Nuk ishte e lehtë për mësuesit, pasi pranohet që profesioni i tyre është ndër profesionet më konservatore. Ata duhet të mënjanonin modelet e përvojat e konsoliduara në vite, të ndryshonin metodat  dhe teknologjitë, stilet dhe mënyrat  e komunikimit, organizimin, ngarkesën, kërkesen etj. E vështirë për prindërit dhe më e vështirë për nxënësit. Më e vështirë për nxënësit, pasi ata ishin mësuar që të paktën 60% të ngarkesës  ta ezauronin në shkollë nën monitorimin, drejtimin , motivimin dhe ndihmën e mësueses, ndërsa tani 100% e ngarkesës është në shtëpi, ku mungojnë  ato çka thamë më sipër.

Pritmeritë e deritanishme? Bazuar në testet e zhvilluara ne shkollen “Elitë” që unë drejtoj, 60% e nxënësve ruajtën rezultatet e mëparshme,  rreth 25 % patën rënie, ndërsa rreth 15% nuk morën pjesë. Nga komunikimet me kolegë të tjerë, pritmerite jane plus minus në këto shifra,  përjashto ata me “entuziastët” me pritmëri 100%. (ndoshta inerci, reminishencë, konformizëm.)

Atehere, dilema, mesim on line, apo nderprerje e mësimit, besoj se bie. Më thjeshtë, ndërprerje e mësimit, apo vazhdim i tij, qoftë edhe me probleme? Me mirë asgjë apo dicka? Pra, mësim on line. Duhet të vazhdojmë.  Çfarë mund të përmiresojmë?

Në veçanti, në javën e tretë u konstatua një rënie e entuziazmit nga ana e nxënësve. Nga bisedat me prindërit dhe nxënësit e rritur konstatohej një lodhje, rrjedhojë kjo e një mbingarkese. Lodhje nga mbingarkesa. Kështu pritej të ndodhte, herët a vonë. Ne po zbatonim planet dhe programet, sikur ishim  në kushte normale, pra sikur mësimi zhvillohej në klasë, ku 60% e ngarkesës,  minimalisht,  ezaurohej në shkollë dhe përgjegjësia ishte e shkolles.

Tani 100% ngarkesa i kaloi mësimit në shtëpi, ku mungojnë shumë komponentë lehtësues të procesit të nxënies e mësimdhënies. Nëse do të vazhdojme kështu, kam frike se do të kompromentojmë edhe këto që kemi arritur.

Mendoj se kërkohet një ndërhyrje “elegante”, e shpejte e MARS (qofte ky edhe një udhëzim) për të ngadalësuar me temat e reja mësimore, projektet  e shpeshta, duke shtuar oret e përsëritjes, ushtrimeve e problemeve zbavitëse, punëve praktike etj.

Një udhezim ku vetë MARS ndërhyn në plane dhe programe ose një udhëzim, ku mësuesit , apo shkollës i rriten “gradët e lirisë”për të ndërhyrë ata, në plane e programe, sipas kushteve, specifikave që ka çdo lëndë, çdo klasë, çdo shkollë.

Po pastaj? Vazhdimi i mësimit on line na garanton zgjidhje për të gjithë skenarët që na presin me COVID 19. Po pastaj? Të gjithë së bashku, mbyllje me sukses i vitit shkollor.

 

*****

Botuar në Dita. Ribotimi i plotë ose i pjesshëm mund të bëhet vetëm me citimin e qartë të burimit

 

 

March 30, 2020 16:29
Komento

8 Komente

  1. mali March 30, 16:38

    Po pastaj?Bej kryqin e perendise.Asnje nuk e di “corona pastaj”.Jetmir ka te drejte per mesim online.Nuk perseris anet positive te kesaj kohe me ngujim te detyruar,por I nevojshem.

    Reply to this comment
    • Rigels April 7, 14:33

      Në vitin 2014 qeveria shqiptare mori një kredi prej 3.5 milionë eurosh nga banka austriake, UniCredit, për të blerë tableta duke krijuar 120 klasa “inteligjente” ne 60 gjimnaze.
      Pervec show-t mediatik dhe tenderit nuk ngeli asnje tablet dhe nuk funksionoi asnje klase dixhitale ne 60 gjimnazet e perzgjedhura.
      Nese kjo nisem do te ishte produktive, sot mesimi online do te ishte realisht avantazh pasi nxenesit dhe mesuesit do te ishin aftesuar gjate 6 viteve.

      Reply to this comment
  2. Zysha March 30, 17:31

    Analize profesionale dhe me shume vlere per institucionet arsimore, mesuesit, nxenesit e prindet! Nje arsyetim me shifra e perqindje reale duke e pare te verteten ne sy! Nje shkrim qe propozon alternativa per vazhdimesi! Urime Profesor, je njesh si gjithmone!

    Reply to this comment
  3. Gzim Kulufi March 30, 19:44

    Po pastaj? Autori pyet, por nuk pergjigjet, duke anashkaluar tek thote me ironi: mbyllje me sukses e vitit shkollor! Mirpo nuk eshte puna vetem e ketij viti shkollor! Dhe as e mbilodhjes, qe na thote autori, e qe s’ka fare lodhje, por anashkalim te mesimeve! Covit 19 mund te rikthehet serish, se virus eshte ne fund te fundit! C’do behet me vitet e tjere? Dhe jo vetem me shkollen, por edhe me kopshtet, cerdhet, firmat prodhuese, hotelet, etj. Jane probleme, ku duhet ndalur gjate!

    Reply to this comment
  4. Arjani March 30, 21:32

    Si gjithmon Jetmir shumë i sakte ne gjithcka qe ben dhe gjithcka qe thua.Respekt per punen e pa lodhur qe ke bere dhe ben akoma.

    Reply to this comment
  5. Edlira March 30, 21:50

    Kenaqesi kur lexon shkrimet tuaja profesor.Shume i vertet ne c’do gje qe thoni.

    Reply to this comment
  6. Agroni March 30, 22:28

    Analize shume profesionale.Respekte Jetmir

    Reply to this comment
  7. Gjergj March 31, 00:44

    A e morët vesh? Qeveria paska urdhëru edhe mbylljen e librarive si aktivitet ekonomik jo i domosdoshem. Kush e ka lexuar Farenheit 451 nga Ray Bradbury?

    Çfarë bëhet me librat në këtë roman?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim