Mësuesi i rrezikuar

March 7, 2019 15:45

Mësuesi i rrezikuar

Çapajev Gjokutaj

Sot është dita e mësuesit, them me vete dhe befas më shkon në mend se shumica e mësuesve të mi nuk janë më. Përmbushën ciklin e jetës dhe ikën në…

‘Ikën në amëshim’ bëj të them, por bindjet prej agnostiku përzenë amëshimin, nga që s’e kam provuar dhe dyshoj se ekziston. Më nxisin që pozitivitetin ta mishëroj në diçka tokësore e të njëmendtë. Vërtetë mësuesit ikën, më pëshpërit agnostiku, por gjallojnë në kujtimet e tua dhe të mijra nxënësve të tjerë.

Pak me vonesë pikas që situata është bërë disi komike. Duke iu ruajtur klishesë ‘ikën në amëshim’, vij tek klisheja tjetër, mbase më e çngjyrosur: rrojnë në zemrat tona.

2.

Komizmi i situatës vete e nxjerr nga skutat e kujtesës imazhet groteske të mësuesve tek ‘Amarcord’ i Felinit. Të gjithë, duke nisur nga drejtori i shkollës, aq formal e i fryrë, e duke ardhur tek mësuesi miop i fesë, shfaqen qesharakë e të karikaturizuar.

Si të mos mjaftonte Felini, kujtoj se qasje të përafërt aplikon edhe Kadareja me figurat episodike të disa mësuesve tek ‘Kronikë në gur’ apo ‘Koha e shkrimeve’. Mësuesi Qani psh shfaqet në kufijtë e sipërm të groteskut kur macja ngrihet nga tavolina e eksperimentit dhe, me rropullitë që i varen, ia ther vrapit.

Edhe Felini, edhe Kadareja duket se nuk e kanë aq me mësuesit sa me pedantizmin dhe sidomos me autoritarizmin e epokave përkatëse.

Jo vetëm kaq. Edhe tek Felini, edhe tek Kadareja, komizmi që buron nga këta mësues groteskë, bashkohet me humorin që gjenerojnë shejtanllëqet e nxënësve. Krijohet kështu një rrjedhë komike që sfumon  rrezikun e sentimentalizmit, rrezik që fshihet pas çdo kthese në veprat autobiografike me kujtime nga femijëria.

Të qenët pedant e qesharak është vetëm një nga rreziqet që e ka kanosur imazhin e mësuesit tradicionalisht.

Gjithsesi ky rrezik kishte krijuar natyrshëm antidotin e vet. Sa më shumë kalonin vitet, sa më shumë njeriu largohej nga adoleshenca dhe ngjitej në katet e sipërme të moshës, aq më shumë shtoheshin notat e dashurisë dhe të vlerësimit për mësuesit e dikurshëm.

3.

Sot, në epokën e internetit dhe të masmediave, imazhi i mësuesit përballet me rreziqe të tjera, rreziqe që synojnë ta godasin në dy veprimtaritë më thelbësore: dhenien e dijeve dhe rrezatimin moral.

Dy dekada të shkuara, kur u njoha me videolojën  ‘Civilizimet’, m’u kujtua mësuesi i historisë antike në klasën e pestë. Më pat bërë për vete me emocionet që përcillte, ndërsa rrëfente mitet greke e romake. Gjallonte tek ai mësues edhe njeriu i dijeve, edhe narratori që bënte bashkë gjyshen me aktorin, klasën me skenën dhe vatrën.

Por videoloja bëri që kjo mësuesi i dashur, i zbritur nga mjergullat nostalgjike të adoleshencës, të çvleftësohej dhe të më ngjante modest e i varfër. Videoloja përcillte njohuri solide e sistematike për progresin njerëzor dhe gjithë këtë e arrinte duke të krijuar iluzionin se ishe mbret a strateg.

Funksioni dijedhenës i mësuesit sfidohet sot seriozisht jo vetëm nga videolojrat por nga të gjitha asetet multimediale të internetit. Për më tepër se fëmijët, krahasuar me mësuesit, familjarizohen shumë më shpejtë, shumë më lehtë e më natyrshëm me kompjuterin, tabletin a smartphon-in, duke kaluar minumi një hap para mësuesit.

Është kjo një sfidë trallisëse, por gjithsesi e përballueshme. Mësuesi i sotëm e i nesërm, po bëhet e do të jetë jo aq përcjellës dijesh se sa tutor, që u mëson nxënësve si ta seleksionojnë informacionin dhe si ta shoshisin në filtrat e të menduarit kritik.

4.

Sfida që krijon interneti për mësuesin dhe mësuesinë është globale, por mësuesi shqiptar, mbase më shumë se ai i vendeve të zhvilluara, përballet edhe me një sfidë tjetër, zgjidhjen e së cilës duket se nuk e ka në dorë.

Në shoqërinë tradicionale mësuesi ishte pjesë e elitave lokale. I shkolluar e i ditur, çmohej e respektohej nga bashkësia që, në një pjesë të konsiderueshme ishte me arsim bazik apo edhe analfabete. Figura e mësuesit e vlerësuar nga gjithë bashkësia shtonte vlerat ndikuese dhe synonte të bëhej model.

Modelet e shoqërisë së sotme duket se nuk janë më mësuesit, intelektualët, shkencëtarët etj. por politikanët dhe artistët. Kur thua artistët, nuk ke parasysh kompozitorët, piktorët, skulptorët, regjizorët por kryesisht aktorët dhe këngëtarët, mundësisht këngëtarët e tallavasë.

Është kjo një vendosje kokëposhtë e piramidës së vlerave, po ç’ti bësh, masmediat nuk bëjnë dot pa interes e pa klikime.

Figura e mësuesit, që do të bëhej model e do të rrezatonte tek fëmijët dhe më gjerë, rrezikohet edhe nga një cen tjetër i mediave, cen që përmblidhet në moton ‘lajm i mirë është lajmi i keq’.

Mësuesit, të shtyrë në periferinë e hapësirës mediatike nga politikanët, artistët e tallavasë etj., dalin në lajme dhe tërheqin vemendjen e publikut vetëm kur ndonjëri prej tyre kryen veprime skandaloze. Rrjedhimisht mësuesi që shfaqet rëndom në mediat tona nuk është edukatori, qytetari që punon me pasion paçka se paguhet keq,  por perversi që ngacmon seksualisht nxënëset, xhambazi që kërkon pare në këmbim të notës a të kurseve private etj. etj.

Duke krijuar e popullarizuar një model të tillë delikuent e përdhosës për mësuesin, sfumojmë punën fisnike të një armate të tërë, madje e godasim mësuesin në një vlerë thelbësore. Mbase në vlerën më të rendësishme, rrezatimin moral. Personaliteti i mësuesit, thoshte një psikiatër i famshëm, vlen më shumë se sa dijet që ai jep.

 

March 7, 2019 15:45
Komento

4 Komente

  1. Bubulllimasi March 7, 15:59

    Eshte gabim te quhet festa e mesuesit, ajo eshte festa e perbashket, e mesuesit dhe e nxenesit dhe, per mendimin tim, realisht keshtu eshte, prandaj le ta quajme 7 Marsin Festa e Mesuesit dhe Nxenesit.

    Reply to this comment
  2. Konti Sbalta March 7, 21:00

    Ju thoni te quhet festa e mesusit dhe e nxenesit ;por keta te dy perbejne shkollen atehere te quhet festa e shkolles!

    Reply to this comment
  3. Ismaili March 8, 10:34

    Gjithë nxënëve dhe studentëve, mësimdhënësve të të gjitha niveleve, stafit drejtues e administrativ dhe shërbimit teknik të sistemit arsimor shqiptar, Ju urojmë

    DITEN E MESUESIT DHE SHKOLLES LAIKE SHQIPTARE
    Historiku i shkollës shqipe, është i njëjët me historikun e të kaluares së lavdishme, të popullit shqiptarë, është i njëjtë me të kaluarën rezistues, shpëtim nga fanitja i mallkimit nga okupuesitë të gjuhës shqipe e të librit shqip.

    7 Marsi, është Dita e Mësuesit Shqiptarë, gjegjësisht dita e shkollës laike kombëtare shqiptare. Dita e mësuesit dhe shkollës shqipe, për arsye e rrethana të njohura, shumë vjet nuk është festua në gjithë hapësirat shqiptare, apo është festuar ndaras. Sepse në trevat e okupuara etnike shqiptare ka qenë e ndaluar dhe e denuar të festohet. Në shtetin zyrtar në Shqipërinë londineze, Dita e Mësuesit festohet e kremtohet vetëm nga 1960, ndërsa pas vitit 1968 kjo festë kombëtare, ilegalisht, pjesërisht ose gjysmë zyrtarisht u lejua, kremtohej e festohej edhe në Kosovë e treva tjera etnike shqiptare nën ish-Jugosllavinë e atëhershme. Ndërsa tash, pas 17 shkurtit 2008, Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 7 Marsi, Dita e Mësuesit dhe e shkollës laike shqipe, është vetmja festë e përbashkët kombëtare për të gjitha trevat etnike shqiptare. Dita e Mësuesit, është festë e mësuesit, nxënësit dhe gjithë punëtorëve arsimor, të çdo mjedisi e niveli të shkollës shqipe. Andaj, kjo festë, si edhe festat e ngjarjet të tjera arsimore, historike e kombëtare, si ajo e Alfabetit të Gjuhës Shqipes, Njësimi i Gjuhës Letrare Kombëtare Shqipe, në një të ardhme të afërt Ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovë, por edhe Ministria e Arsimit e Maqedinisë, doemos për hirë të integrimit të shkollës kombëtare shqiptare, duhet të kordinojnë njësimin e planprogrameve, Kurikulave mësimore të të gjitha niveleve, klasave e lëndëve të shkollës shqipe, si dhe teksteve e mjeteve mësimore e çdo të mbërrirë tjetër shpirtërore, materiale arsimore e kombëtare, dhe Diata e Mesuesit të njësohet, festohet e kremtohet për datë e festë e gjithëkombëtare shqiptare. Kështu duhet të jetë e integruar edhe shkolla dhe sistemi i reformuar shkollor kombëtar shqiptar. Shkolla shqipe, pavarësisht gjendjes dhe pozitës aktuale politike e shtetërore, tash e ndarë në njësi shtetërore të ndryshme, paralelisht me reformën arsimore të kryen edhe integrimin kombëtar të shkollë shqipe, dhe pastaj, si një e vetme dhe e pandarë të integrohet në sistemin e reformave arsimore demokratike ndërkombëtare. Sepse shkolla e sistemi arsimor përgjithësisht është veprimtari praktike shoqërore që fisnikëron
    që nga Apolonia e Durrësi para lindjes se Krishtit. Shkolla e mëvonshme laike në hapësirën shqiptare ndër të tjera më shumë njihen Shkolla e Stubllës 1584, shkolla e Janjevës 1665 Akademia e Re e Voskopojës 1750 e shumë të tjera, para e mbas tyre. Mësojtorja shqipe e Korçës dhe të tjerat pas saj, mësimin e shqipës e filluan dhe e zhvillun mësuesit patriotë të mëdhenj shqiptar. Në shkollën e Korçës mësuesit e saj zhvillonin këto lëndë mësimore: Shkrim, Këndim, Gjuhë shqipe, Gramatikë Shqipe, Histori e Shqipërisë, Gjeografi, Aritmetikë, Muzikë, Këngë etj. Nxënësit e saj ishin nga gjitha besimet fetare dhe mjediset e nivelet shqiptare. Mësuesit e saj ishin atdhetarët e Rilindjes sonë Kombëtare, Pandeli Sotiri që ishte edhe drejtori i parë i saj, njëherit mësimdhënësi i parë i gjuhës shqipe në ketë shkollë, Sotiri ishte mësues i popullit, nxënës i Koto Hoxhit, i vrarë në Stamboll nga armiqtë e çështjes shqiptare. Koto Hoxhi veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, mësues në shkollën greke, që fshehurazi jepte edhe mësimet e shqipës në shkollën e Gjirokastrës. Mësimdhënësit tjerë në shkollën e Korçës ishin edhe, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçe, Thoma Avrami, Balil Tahiri etj. Petor Nini Luarasi, një nga figurat kryesore të kohës, veprimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, publicist dhe pegadog, Ai mëtoi mësimin e gjuhës shqipe në fshatra të ndryshëm të Shqipërisë, hapi shkollën e parë shqipe në Ersekë dhe në krahinën e Kolonjës. Shkolla e Korçës punoi e veproi 15 vjet. Kjo shkollë në fillim të shek. 20. kishte 6 klasë, kur Turqia e mbylli më 1902 dhe u rihap më 1908. Këtë shkollë, që kur u hap më 1887, si edhe shkollat të tjera në vazhdimësi, i ndihmonin veprimtarët atdhetarë, shoqatat dhe shoqëritë atdhetare shqiptare dhe kishin ndikim në organizim të procesit mësimor, në sigurimin e mësuesve, teksteve mësimore dhe mjete materiale. Një nga nisimtarët për hapjen e shkollës shqipe është edhe Parashqevi Qiriazi, atdhetare e veprimtare e shquar e cila punoi në arsimin e gruas shqiptare. Ajo ka botuar librin e saj “Abetare për shkollat e para” dhe ka vend meritor në historikun e shkollës shqipe, është e para grua mësuese dhe autore e teksteve shkollore. Për ndihme ne hapjen, mbajtjen dhe shkrimin e teksteve mësimore veçohen vëllezërit Naim e Samiu Frashëri, Vreto, Kristoforidhi e të tjerë nga Shoqëria Shqiptare e Stambollit. Këta arsimdashës shkollës së Korçës i ndihmuan edhe me mjete financiare. Në krah të kësaj veprimtarie arsimore u angazhuan edhe atdhetarët e shoqërive tjera shqiptare, si ajo e Manastirit, Bukureshtit dhe Korçës. Korçarët janë të njohur për ndihmën materiale që i dhënë shkollës se tyre, Diamandi Terpo lëshoi shtëpinë për shkollën, i cili pas vdekjes kësaj shkolle i dhuroi gjithë pasurinë e fituar në Bukuresht. Pas shkollës së Korçës u hapen shkolla edhe në Pogradec 1887, Elbasan, Treskë, Leskovik, Kolonjë, Ohër 1887, Prizren 1889 etj. Ne fund shekullin 19-të, në Korçë më 1891 për herë të parë u hap edhe shkolla e vajzave. Më 1892 u hap shkolla në Luaras, Selenicë e katër të tjera në Gostivishtë, Rahovë, Vodicë dhe Treskë. Më 1900 u hap shkolla në Zadrimë, Durrës, Tirane, Vlorë e të tjera. Që nga fillimi i shekulli 20 shkolla shqipe u hapen edhe në Kosovë, si në Prizren, Pejë, Gjilan, Stubëll, Gjakovë, Pozhoran, Mitrovicë, Zym e vende të tjera. Shumë nga mësuesit patriot në kohëra e rrethana të ndryshme ranë dëshmorë nga armiqtë e shqiptarëve dhe shkollës shqipe, të cilët mësuesit dhe gjuhën shqipe e kishin halë në sy. Vrasjet prapa shpine martirizuan mësuesit tanë kombëtar Petro Nini Luarasin. Pandeli Sotirin, Papa Kristo Negovanin, Naum Veqilhaxhit, At Shtjefen Gjeçovin, e në vazhdimësi të kohës deri në ditët tona, kur okupuesi serb vrau mësuesin Halit Gecit 26 nëntor 1998 në Llaushë dhe më 28 nëntor 1998, ditën e shënuar të varrimit te mësuesit Halit Geci, nga motivohet përshtatshmëria e paraqitjes më të arsyeshme publike e UÇK-së. Në vazhdimësi të rezistencës ushtarake për shkollën shqipe e liri të Kosovës, ranë dëshmorë e u martirizuan shumë mësues, student e nxënës të shkollës shqipe. Këto vrasje serbe synonin që te shqiptarët ta vrisnin ndjenjën e dashurisë ndaj popullit e atdheut. Ta vrisnin dashurinë shqiptare për shkollën, gjuhën dhe librin shqip. Përkundrazi, në vazhdimësi të rrjedhave të kohës e ngjarjeve, veprimet e tilla shqiptare, këtë ndjenjë vetëm sa e rrisnin, e forconin dhe e zgjeronin kah mëvetësia e shkollës, ndarja fizike e shpirtërore e shqiptare, nga dhuna administrative shtetërore serbe. Kjo aspiratë kulmoi Më 17 shkurt 2008, erdhi dita e deshiruar, kur definitivisht Republika e Kosovës shpalli pavarësinë e cila shpejt u njoh nga shtetet të tjera. Republika e Kosovës ka krijuar identitetin e shtetësisë së saj, që në vazhdimësi po ngritet në nivelin politik, shtetëror e kombëtar në qarqet e asociacioneve ndërkombëtare
    .Autori është veteran i arsimit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

MENDONI SE PËR TË ZGJIDHUR KRIZËN POLITIKE DUHET NJË MARRËVESHJE E RE RAMA-BASHA?