e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Meta-Arvizu: Mundësi të mëdha bashkëpunimi ekonomik Shqipëri-SHBA

0
Redaksia Online
Postuar më: 18 Korrik, 2013 tek Aktualitet
2

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim , Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një takim me dhomën amerikane të tregëtisë dhe Ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu.

Në fund të këtij takimi të zhvilluar kryesisht për bashkëpunimin ekonomik midis Shqipërisë dhe Shteteve të bashkuara të Amerikës, kreu i LSI-së është shprehur se tërheqja e investimeve të huaja ndihmon në rritjen ekonomike të vendit dhe mirëqënies.

“Falenderoj SHBA dhe ambasadorin Arvizu së bashku me përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregëtisë. Ne ndajmë qëllime të përbashkëta për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë, e cila duhet të bazohet në një situatë ekonomike më të mirë, në një klimë biznesi më të mirë dhe në mundësi të reja për investitorët e huaj dhe në mënyrë të veçantë ata amerikanë për të zgjeruar prezencën e tyre në vendin tonë. Për të qënë shembuj pozitiv për tërheqjen e investimeve të tjera nga Amerika dhe Europa në Shqipëri, sepse kjo do të ndihmojë në rritjen ekonomike të vendit, në rritjen e punësimit të qytetarëve tanë si dhe do të përmirësojë edhe imazhin e Shqipërisë akoma edhe më tej. Falenderoj Dhomën Amerikane të Tregëtisë për idetë e saj për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet dhe qeverinë e ardhëshme, në mënyrë që kjo klimë biznesi të përmirësohet në mënyrë thelbësore, që ligjet të zbatohen dhe hapsirat dhe mundësitë për investimet e huaja në Shqipëri të shtohen me shpejtësi”, u shpreh Meta.

Po kështu edhe ambasadori amerikan, Alexander Arvizu, është shprehur për mikrofonin e RTV “Ora Neës”, se Amerikanët janë në kërkim të oportuniteteve dhe mundësive të reja dhe se në Shqipëri ka mundësi të mëdha investimi.

“ Falenderoj kreun e LSI-së, Ilir Meta, që gjeti kohën të zhvillonte këtë takim, pavarësisht axhendës së tij të ngjeshur në këtë periudhë tranzicioni. Ne folëm për punësimin dhe ekonominë. Si amerikanë jemi realist për sa i përketë historisë dhe arsyeve gjeografike të Shqipërisë në rajon. Ka disa arsye që disa nga partnerët strategjikë të Shqipërisë si Italia, Greqia, Austria, Turqia etj, kanë disa avantazhe gjeografike dhe historike  për sa i përket klimës së biznesit. Amerikanët janë në kërkim të oportuniteteve dhe mundësive të reja. Ajo që unë kuptoj qartë sa herë që flas me investitorë amerikanë, është se në Shqipëri ka mundësi të mëdha investimi. Cilësia e forcës së punës, cilësia e edukimit dhe arsimit të forcës së punës është shumë e lartë. Ne kemi biseduar për sa i përket përmirësimit të klimës së biznesit. Na duhet më shumë qartësi, më shumë transparencë, më shumë prashikueshmëri. I urojmë gjithë të mirat qeverisë së re dhe jemi të bindur që Ilir Meta dhe LSI kanë një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur. Fokusi ka qënë tek punësimi dhe ekonomia e vendit dhe kur kemi folur për ligjin ka qënë më tepër në funksion të ekonomisë, të rritjes ekonomike dhe të funksionimit të biznesit në Shqipëri”, u shpreh Ambasadori Arvizu.

Gjithashtu pas takimit ka folur edhe Kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë, i cili u shpreh:

“Falenderoj Z.Meta për pritjen që na bëri në selinë e LSI-së dhe që na dha mundësinë për të prezantuar disa nga prioritetet e Dhomës Amerikane të Tregëtisë. Punësim, punësim, punësim, është një tematikë kryesore në Amerikë, në Botë dhe është një tematikë tek e cila ne duam të fokusohemi edhe në Shqipëri. Sektori privat nuk pret që të jetë qeveria ajo që i krijon këto vende pune. Sektori privat dhe në veçanti Dhoma e Tregëtisë Amerikane pret një strukturë sa më konkrete, më konçize dhe sa më konsistente dhe të qartë nga qeveria për sa i përket funksionimit të biznesit në Shqipëri. Biznesi amerikan ka qënë aktiv dhe i angazhuar në Shqipëri dhe do të vazhdojë të jetë. Falenderoj Ilir Metën dhe LSI-në për mbështetjen e tyre për sa i përket angazhimit të mëtejshëm si Dhomë e Tregëtisë por edhe e biznesit amerikan këtu në Shqipëri.”


0 Komente



Ji i pari te lesh nje koment!


Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)