Meta: Me rëndësi realizimi me sukses i projektit TAP

May 28, 2016 15:26

Meta: Me rëndësi realizimi me sukses i projektit TAP

Në kuadër të punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATOs që po zhvillohet këto ditë në Tiranë, Kryeparlamentari Ilir Meta priti Zv. Kryetarin e Parë të Asamblesë Kombëtare të Azerbajxhanit, Ziyafat Asgarov në një takim dypalësh.

Meta vlerësoi intensifikimin gjatë viteve të fundit të bashkëpunimit politik mes dy vendeve. Në këtë kuadër, ai u shpreh se mirëpriten shkëmbime të tjera të nivelit të lartë si dhe rritja e përfaqësimit diplomatik në të dy vendet.

Duke ndarë bindjen e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, Meta dhe Asgarov nënvizuan rëndësinë e realizimit me sukses të projektit TAP, si një projekt me rëndësi strategjike për të dy vendet dhe për gjithë Evropën.

Në këtë kontekst, Meta vuri në dukje se shtrirja e rrjetit të gazifikimit të Shqipërisë si dhe zgjerimi përmes IAP i korridorit transadriatik pas përfundimit të TAP, do t’i shërbejë të gjithë rajonit të Ballkanit.

Duke biseduar mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Nagorno-Karabakh, Kryetari i Kuvendit Meta theksoi se Shqipëria mbështet zgjidhjen e konfliktit në formatin e Grupit të Minskut dhe vazhdimin e dialogut për një zgjidhje paqësore, duke shmangur përdorimin e dhunës.

“Republika e Shqipërisë – u shpreh z. Meta – ndan qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare se Nagorno-Karabakh është pjesë integrale e Republikës së Azerbajxhanit dhe se konfliktet e panevojshme nuk i shërbejnë asnjë populli në rajonin e Kaukazit”.

May 28, 2016 15:26
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*