Meta mbyll vizitën në Kosovë, takon Nexhmije Pagarushën

April 7, 2014 08:30

Meta mbyll vizitën në Kosovë, takon Nexhmije Pagarushën

Kryeparlamentari shqiptar e filloi ditën e fundit të vizitës në Kosovë me një ndalesë emocionale në shtëpinë e këngëtares së madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha në Prishtinë, së cilës z. Meta i shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për kontributin dhe krenarinë që zëri i saj i ka dhuruar kombit shqiptar në vite. Meta u shpreh se nuk mund të largohej nga Prishtina “pa vizituar Divën e muzikës shqiptare së cilës i përulemi me mirënjohje të thellë për të gjitha emocionet që i ka dhuruar publikut mbarëshqiptar në dekada”. Mes emocionesh, Pagarusha, shprehu se sa e vlerësuar është ndjerë nga publiku shqiptar, ndërsa e falenderoi Kryetarin e Kuvendit për këtë nderim që vazhdon t’i dhurohet, jo vetëm nga publiku, por edhe nga shteti shqiptar.

Kryetari i Kuvendit zhvilloi gjithashtu edhe një vizitë në Manastirin e Deçanit. Pas vizitës, Meta u shpreh: “Jam sot këtu për të mbështetur forcimin e klimës së tolerancës fetare dhe të bashkëjetesës etnike. Shqipëria i kushton rëndësi tolerancës fetare dhe bashkëjetesës etnike, duke qenë e vëmendshme ndaj respektimit të të drejtave të njeriut.”, tha Meta. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vijoi vizitën me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan, ku u prit nga Ramush Haradinaj dhe nga përfaqësues të familjeve të dëshmorëve të Gllogjanit. Me këtë rast, Meta dhe delegacioni që e shoqëronte bëri një vizitë në Familjen Haradinaj, ku shprehu mirënjohjen për kontributin dhe sakrificat e kësaj familjeje për Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar. Kryetari i Kuvendit,z. Ilir Meta e përfundoi vizitën e tij në Kosovë me një pritje të ngrohtë në Komunën e Gjakovës, ku u prit nga Kryetarja e re e kësaj komune, Mimoza Lila Kusari. Kryetari i Kuvendit dhe Kryetarja e Komunës së Gjakovës, znj. Mimoza Kusari diskutuan gjithashtu edhe mbi forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar përmes fokusimit në projekte bujqësore, infrastrukturore dhe turistike që do të fusin në përdorim potencialet e panumërta në të dy anët e kufirit. Në përfundim, Meta zhvilloi homazhe në tre varreza dëshmorësh të rënë në Komunën e Gjakovës dhe vizitoi Carshinë e Vjetër të Gjakovës, dyqanet e artizanatit, Kishën Katolike dhe Xhaminë e Hadumit, shoqëruar nga Kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari dhe nga Zv. Kryeministri, Behgjet Pacolli.

 

April 7, 2014 08:30
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*