Meta ngushëllon familjen e qytetarit që u vra për të ndaluar grabitjen

March 4, 2018 13:57

Meta ngushëllon familjen e qytetarit që u vra për të ndaluar grabitjen

 

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nëpërmjet këshilltarit të tij për pushtetin lokal, Ylli Asllani, i ka shprehur këtë të diel ngushëllimet dhe solidaritetin e tij familjes së qytetarit, Agur Vrenozi.

“Në emër të presidentit Meta i përcolla sot ngushëllimet më të thella, solidaritetin dhe mbështetjen e plotë, familjarëve të qytetarit Agur Vrenozi, i cili sakrifikoi jetën për të shpëtuar bashkëqytetarët e tij nga përplasja me kriminelët.

Akti i tij sublim është një gjest i lartë vetëmohimi, një humanizëm i rrallë dhe një shembull i vlerave morale më të arrira të shqiptarëve. Nëpërmjet këtij shembulli, shoqëria shqiptare tregoi se nuk mund të mposhtet nga krimi.

Shteti shqiptar do të mbështesë dhe do t’iu gjendet pranë gjithmonë fëmijëve dhe familjarëve të Agur Vrenozit”, deklaroi këshilltari Asllani, në emër të presidentit Meta.

Ngjarja

Rreth orës 10:55 të së premtes 3 persona të armatosur iu afruan për të grabitur pikën e këmbimit valutor në pronësi të Gëzim Hoxhës.

Ndonëse në një orë dhe një zonë me lëvizje të shumta, 3 grabitësit, Zini Fyraj, Lulëzim Demiraj dhe Dashamir Gergali, nuk nguruan të përdornin armën.

Në momentin që pa grabitësit brenda pikës së këmbimit 54-vjeçari Vrenozi nuk qëndroi duarkryq, por ndërhyri.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, por edhe pamjeve të kapura nga kamerat e sigurisë, me qëllim që të ndalonte grabitësit, Vrenozi fillimisht u mbylli atyre derën.

Në përpjekje për t’i ndaluar ata, ai kapi një karrige dhe i goditi grabitësit me të.

Por pikërisht ky veprim heroik i kushtoi babai të katër fëmijëve jetën.

Grabitësit hapën zjarr duke e lënë të plagosur 54-vjeçarin në kokë.

Në gjendje të rëndë, ai u dërgua fillimisht në spitalin e Fierit dhe më vonë u transportua drejt Tiranës.

Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të mjekëve, Vrenozi ndërroi jetë të shtunën.

March 4, 2018 13:57
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*