Meta: Reforma territoriale do mbyllet këtë sesion

April 12, 2014 13:11

Meta: Reforma territoriale do mbyllet këtë sesion

I ftuar në “Debat+” të Eduard Zaloshnjës, në “Vizion Plus”, Kryetari i Kuvendit dhe i LSI-së deklaroi se reforma territoriale-administrative do të mbyllet brenda këtij sesioni parlamentar, i cili mbyllet në mes të korrikut. Kjo, për të mundësuar zhvillimin e zgjedhjeve lokale me ndarjen e re të njësive vendore. Këtë deklaratë Meta e bëri në përgjigje të pyetjes rreth kërkesës së Gramoz Ruçit për të proceduar me reformën edhe pa konsensusin e opozitës. Në lidhje me gjuhën jo-etike të përdorur në parlament, kryeparlamentari Meta tha se do të tregohet më strikt në zbatimin e kodit etik të Kuvendit. Ai gjithashtu i sugjeroi publikisht Berishës që të tregohet më i përmbajtur, si në ndërhyrjet e shpeshta të tij në seancat plenare, ashtu edhe në gjuhën e përdorur.

Deklaratat e Metës

Meta tha se, “ne jemi një forcë politike realiste së pari, dhe së dyti, mjaft konstruktive dhe kur them konstruktive, nuk e kam thjesht në kuptimin të etikës dhe të formës, por të karakterit të një partie e cila synon që të zgjidhë problemet. Që synon jo të shtojë problemet e Shqipërisë, por synon të zgjidhë ato probleme që janë dhe të zgjidhë problemet në interes të qytetarëve. Edhe në zgjedhjet e fundit nëse e vumë re LSI-ja kishte një mesazh shumë të qartë dhe të gjitha politikat e saj shkonin vetëm në një drejtim, të rritjes së punësimit”. Ai tha se LSI u konfirmua si forcë konstruktive pa paragjykime. Meta vuri në dukje se edhe kandidatët kanë ndikuar shumë në rritjen e rezultatit që sot LSI ka, por shtoi ai, “përveç aspektit organizativ,  ka shumë rëndësi edhe mesazhi që një forcë politike jep. Mesazhi i LSI-së  ka qenë për stabilitet të vendit kundër konflikteve dhe për t’u përqendruar  te reformat ekonomike”. I pyetur nëse PS dhe LSI do të kenë kandidat të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme vendore, Meta  deklaroi se, “nuk kemi bërë asnjë marrëveshje paraprake konkrete duke qenë të bindur dhe duke pasur vullnetin për bashkëpunim dhe për  konsensus gjithmonë  me qëllimin e mirë që në krye të bashkive dhe komunave të kemi mundësinë që të përzgjedhim ata kandidatë që i shërbejnë më mirë qytetarëve. Kjo është kryesorja”. Lidhur me reformën administrative-territoriale, Meta uroi që, “opozita të reflektojë dhe të bashkohen në këtë reformë sepse i kanë mundësitë të kontribuojnë, po aq sa mazhoranca, në mos më shumë. Në këtë proces, kemi edhe partnerët ndërkombëtarë dhe në fund fare është e rëndësishme që çdo gjë të bëhet me transparencë dhe sipas standardeve evropiane” . Ai shtoi se ne jemi të detyruar që këtë reformë ta përmbyllim brenda muajit korrik, kur përfundon edhe ky sesion, në mënyrë që të kapë afatet kushtetuese lidhur me zgjedhjet e ardhshme vendore .

April 12, 2014 13:11
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*