Metaforat e luftës dhe shurdhëria e barkut

May 22, 2020 10:55

Metaforat e luftës dhe shurdhëria e barkut

Çapajev Gjokutaj

Nga ballkoni shoh fqinjin e tri kateve më poshtë. Ka dalë të ujisë lulet. Flokët e zgjatur së paqethuri i mbulojnë zverkun dhe synojnë t’i bien mbi supe.

Në mend më vijnë fotot e komitëve që kishim në librat e shkollës. Komshiu kalon nga një vazo tek tjetra dhe unë mërmërij: flokët të binin mbi supe/ as u trembe as u tute.
Pak çaste më vonë ironia sjell në kujtesë variantin tjetër, më epik: plumbat të binin mbi supe/ fustanin mbi gju hajdutçe/ as u trëmbe, as u tute.

Të janë dobësuar nervat së qëndruari mbyllur si Osoja, i them vetes dhe aty për aty zë e ngërdheshem: komit zeza, jo maleve me maliher, po mbyllur në shtëpi me telekomandë në dorë.

Kujtesa nxjerr nga qilarët e fëmijërisë përqeshjen e gjyshit ‘komit në tumanet e gruas’. Vetëm një pakënaqësi e madhe, nga ato që s’thuhen dot me fjalë, mund të të shtyjë të zëvendësosh malet e limeret me tumanet dhe shalët.

Luftë e muharrebe po bëjmë nga guzhina në ballkon e pastaj në dhomën e gjumit, ironizoj por përnjëherë më kujtohen pagat e luftës, armiku i padukshëm e të tjera metafora që s’lodhet së përsërituri kryeministri.

Në fak nuk është i vetëm, gjithë liderët botërorë nga Parisi në Washington, nga Moska në Pekin, nga Londra në Madrid flasin për luftë, beteja, viktima, heronj të vijës së parë etj. etj.

Edhe unë si ata flas për luftë, por vetëm me një ndryshim. Përsiatjet e mia për komshiun komit kanë ngjyrime komike, fjalimet e liderëve botërorë, përfshi dhe këtë tonin, janë kokë e këmbë epike.

Dhe nis e vras mëndjen: kush e ka më drejtë unë apo ata, kemi të bëjmë vërtetë me një luftë epiko-heroike apo me një mishmash tragjiko – komik?

Po një mik virtual më shkruan e thotë se çështja nuk është kush e ka drejtë e kush gabim. Edhe ti edhe ata, thotë miku, jeni në të drejtën tuaj dhe kjo shpjegohet me faktin se të dyja palët nuk niseni aq nga realiteti sesa nga e brendshmja juaj.

Ti, i lodhur e i mërzitur nga karantina shfryn e bën humor se s’ke ç’bën tjetër, liderët politikë ndodhen para një emergjence të paparë, kanë marrë masa dragoniane, nuk e dinë me saktësi si do mbarojë gjithë kjo histori, ndaj përdorin tone epiko heroike, mbase për t’i dhenë zemër vetes, por sidomos për të ndikuar publikun.

2.

Në realitet lufta është përleshje e armatosur mes shtetesh a forcash kundërshtare, presupozon ushtri, armë, front, beteja, të rënë etj. Por në ligjërim lufta mund t’i lejë mënjanë ushtrinë, armët, llogoret etj. dhe të jetë thjesht ose ndeshje mes dukurish të kundërta, ose përpjekje për të shmangur diçka të dëmshme. Kur në ligjërimin sportiv psh lojën mes dy skuadrash e quajmë ‘luftë për titullin’ askujt s’i shkon mendja tek ushtarët, llogoret etj. E njëjta gjë ndodh edhe kur themi ‘lufta kundër varfërisë’, ‘lufa kundër obezitetit’ etj.

Parë keshtu perqasjet me luftën përdoren për një varg aktivitetesh që mbulojnë thuajse të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzor. Në ligjërimin tonë publik psh lufta që s’është luftë safi mund të haset në një varg të gjatë rastesh si: luftë kundër korrupsionit, krimit, varfërisë, pasojave të tërmetit, luftë me thatsirën, kundër terrorizmit, krimit të organizuar, mafias, kundër alkolizmit, kanabizimit, gjakmarrjes, trafikimit etj. etj.

Por prirja aktuale e liderve botërorë për ta përqasur pandeminë me luftë, apo virusin me armik të padukshëm etj, etj, nuk synon një emërtim rutinë a, thenë ndryshe, një metaforë të shuar, një lloj të theni që nga perdorimi i tepërt ka humbur ngjyrimet ekspresive si në shembujt që porsa përmendëm.

Qoftë liderët politikë, qoftë mjekët, gazetarët etj. e shfrytëzuan dhe po e shfrytëzojnë analogjinë ‘pandemi – luftë’ jo si metaforë të shuar, por si thëngjill të ndezur nga ata që jo vetëm digjen por synojnë të marrin flakë e t’i japin ligjërimit ngarkesë të shtuar metaforike. Madje disa liderë nuk u kufizuan vetëm tek ligjërimi verbal por thirrën në ndihmë edhe imazhe pamore, madje edhe veprime me ngarkesë metaforike. Si rezultat analogjitë me luftën, më shumë se si menyrë të foluri, erdhën si kuaj beteje.

3.

Rastin më tipik për një perdorim të tillë të fortë dhe shumëdimensional e shenoi presidenti Macron që, siç thoshte ‘Politico’, e përqafoi konceptin e luftës shumë më dukshëm se liderët e tjerë europianë. Qysh në krye të herës Macron i deklaroi popullit frances se ‘jemi në luftë me një armik të padukshëm e të pakapshëm’.

Për ta bërë më të perceptueshëm e më ekspresiv imazhin e luftës, nuk u mjaftua vetëm me metaforat ‘pandemi – luftë’, ‘virus – armik’ etj., por u kujdes që të shtontë se ushtria do të transportonte të sëmurët nga rajonet e mbipopulluara e të infektuara rendë nëpër spitale province me kapcitete të lira.

Në ditët që pasuan imazhet që publikoheshin nga pallati Elysee e paraqesnin Sallen e Gjelbër si zyrë shtabi. Mandej presidenti shkoi në një spital ushtarak fushor ku, i rrethuar nga ushtarakë dhe me gojë e hundë të mbuluar nga maska, falenderoi mjekët që luftonin në vijën e parë të frontit dhe deklaroi se në perspektivë do të shtonte fondet për sistemin shëndetësor.

Parë nga jashtë të gjitha këto mund të duken si spektakle që mund t’u vijnë për shtat njerëzve të ekranit, por kurrsesi një shtetari. Vështirë të thuash se përdorimi kaq i gjerë i metaforave të luftës u shkaktua vetëm nga pëlqime personale të Macronit.

Edhe presidenti Trump po i përdor gjerë analogjitë me luftën. Ka folur psh për virusin si një armik i padukshëm, e ka quajtur veten president në kohë lufte, kurse shpërthimin e pandemisë e ka quajtur sulmin më të egër që i është bërë ndonjëherë Amerikës, më të egër madje edhe se Pearl Harbour. Koronavirusi në ligjërimin e Trump shfaqt si mikrobi kinez, madje nuk ka mënuar të flasë edhe për fajësi të Kinës si dhe për dëmshpërblim.

Nuk është vështirë që në gjithë këtë retorikë të dallosh përpjekjen për të zhvendosur vemendjen tek një armik i jashtëm. Kjo zhvendosje do të sfumonte sadokudo faktin se superfuqia e botës u gjend e papërgatitur përballë emergjencës aktuale, se sistemi i saj shëndetësor është shumë shkallë më ulët sesa forca ushtarake dhe ekonomike. Natyrisht, përqendrimi i vemendjes tek një armik i jashtëm do të ishte përparësi për çdo shtetar që pas disa muajsh pret të hyjë në zgjedhje, ndaj e ka jetik mobilizimin e kompaktësimin e elektoratit të vet.

4.

Përqasjen ‘pandemi – luftë’ mund ta shohësh si një farë mode, ndryshe s’e ke lehtë të shpjegosh pse u perdor e po përdoret nga kaq shumë shtetarë, në Perëndim e në Lindje, në demokraci të konsoliduara, por edhe në regjime autoritariste.

Vetëm se, kur e sheh më në thellësi, kupton që përdorimi kaq i shpeshtë i këtyre metaforave buron natyrshëm nga e brendshmja e pandemisë dhe nuk vjen si ndikim nga jashtë apo si imitim i një modeli ligjërimor të importuar.

Për një lider është shumë më komode ta krahasojë pandeminë me luftën dhe, në vend që të flasë në detaje për infektim, spitale, vdekje etj., të luajë me imazhe betejash. Kështu jo vetëm që rrit mundësitë e ndikimit emocional mbi dëgjuesit, por njëkohësisht shmang edhe një patate të nxehetë, faktin që të gjitha sistemet shëndetësorese, edhe ato më të zhvilluarat, u gjeten të papërgatitura në përballimin e pandemisë. Eshtë shumë më lehtë të flasësh për luftra të përfytyruara se sa t’u thuash taksapaguesve se paret e tyre të hedhura në shërbimin shëndetësor nuk kanë arritur atë që kërkohet.

Studiuesit venë në dukje se metaforat e luftës vërtetë që theksojnë dimensionet politike të sëmundjeve, por fshehin e minimizojnë anën mjeksore, madje shpesh rrezikojnë të zbehin edhe anën humane, të sëmurët mund të shihen si ushtarë apo thjeshtë si harxhe lufte, duke shpurë kështu në qendrime dehumanizuese, siç do ta vinte re edhe Susan Sontag.

Gjatë dy muajve të fundit metaforat e luftës hynë në punë duke aktivizuar edhe një shtresë tjetër kuptimore, atë që lidhet me rrezikun, pasigurinë, frikën. Nuk ishte e lehtë t’i bindje njerëzit të braktisnin jetën normale dhe të mbylleshin nëpër shtëpi për javë të tëra.

Herë më hapur e herë më fshehur, herë në sipërfaqe dhe herë më në thellësi analogjitë me luftën synuan të theksonin domosdonë e disiplinës, bindjes, bashkëpunimit, madje edhe nevojën e sakrificave, aq të zakonshme të gjitha këto në çdo atmosferë lufte. Është ky një terren delikat sepse në analizë të fundit synon që qytetarin ta zëvendësojë me ushtarin, vetëdijen me bindje mekanike, kurse solidaritetin njerëzor me një nacionalizëm trullosës. Metaforat, vërejnë Lakoff & Johnson, më shumë se trajta të thëni, janë menyra të menduari dhe jo rrallë formësojnë pa vetdije edhe konceptet dhe sjelljet tona.

5.

Edhe kryeministri Rama i përdori dhe po i përdor jo pak metaforat e luftës, duke aktivizuar të gjitha shtresat kuptimore që porsa permendëm, natyrisht disa më shumë e disa më pak, por pas gjasash me një renditje të menduar: në fazën e parë mbizotëroi sintagma ‘kohë lufte’ që nxirrte në sipërfaqe ngarkesa të tilla kuptimore si disiplinë, bindje, rregull etj; kurse në një fazë të mëvonshme u bë emblematike sintagma ‘paga lufte’ që thërriste në plan të parë ngarkesa kuptimore të lidhura me sakrificën, shtrëngesën etj.

Madje sintagma ‘paga lufte’, e marrë dhe rimarrë nga mediat, erdhi duke forcuar funksionin shenjues denotativ dhe duke shuar deri në zhdukje ngarkesat konotative e emocionale, derisa sot po përdoret si emërtim rutinë i trajtës ’paga e luftës’ në raportime të tipit: si aplikohet për pagën e luftës, protestojnë se s’kanë marrë pagën e luftës etj.

Studjuesët thonë se perdorimi i metaforave të luftës varet shumë edhe nga konteksti kulturor i çdo vendi. Në ligjërimet shqiptare, të djeshme e të sotme, të rrafsheve bisedor, letrar etj. metaforat e luftës kanë qenë dhe mbeten të përdorura gjerë, madhe edhe të tejpërdorura. Ky fakt i ngjan një thike me dy presa. Më njerën anë lexuesit dhe dëgjuesit janë të përgatitur t’i perceptojnë e pranojnë këto metafora, më anë tjetër përdorimi i shpeshtë dhe i shtrirë nëpër dekada bën që njerëzia të mërzitet shpejtë e t’i percjellë me indiferencë në rritje.

Ashtu si vetë lufta, edhe analogjitë me të krijojnë shpejt lodhje e tëhuajësim, per më tepër në kushtet kur lufta e luftrave, ajo për rimëkëmbjen e ekonomisë, pritet të shfaqet me gjithë dramaticitetin e vet javët e muajt në vijim. Dhe populli e di më mirë se kushdo që barku nuk ka veshë.

May 22, 2020 10:55
Komento

2 Komente

  1. Gzim Kulufi May 22, 14:02

    Keto thirrje patetike dhe psikoze lufte vijne sepse Makronet, Edi Ramat, e te tjere kryetare shtetesh sot nuk i njohin viruset, nuk e dijne c’jane, c’ndryshim kane nga bacilet, c’masa duhen marre. Ndaj ata, pyesin specialistet. Keta -vetvetiu- e shtojne pakez rrezikun, se nuk duan te mbajne pergjegjsi nga shefi po te ndodhe gje. Shefi nga an e tij e shton edhe ca me teper, po njelloj si tek tregimi i Nonda Bulkes me kontrollin ushtarak te Min. ne repartin ushtarak. Kjo panorame plotesohet me injorancen e shtuar sot ne te gjitha popullatat, keshtu kemi filma te bukur lufte.

    Reply to this comment
  2. z May 22, 15:41

    O kuluf! Shkruan kunder injorances dhe mediokritetit kur ti je i pari tille! Urime!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

mersin escort mersin bayan escort konya escort eskişehir escort

Njoftim

Njoftim