Michael Kors blen Versace për 2.1 miliardë dollarë

September 26, 2018 14:05

Michael Kors blen Versace për 2.1 miliardë dollarë

Versace i është shitur grupit amerikan, Michael Kors, kundrejt vlerës prej 2.1 miliardë dollarësh, si një ndër shembujt e fundit ku një brand europian shumë i suksesshëm mode, i krijuar që nga themelet e tij nga anëtarët e një familjeje, i shitet një konglomerati global të modës.

Michael Kors, i cili vitin e kaluar bleu një ndër brandet më të njohura të këpucëve, Jimmy Choo, kundrejt vlerës prej 900 milionë paund, konfirmoi dje blerjen e Versace, duke i bashkuar të tria në një kompani të re të quajtur “Capri Holdings”. Sipas kësaj marrëveshje, suksesi i brandit Versace do të vazhdojë të rritet edhe më shumë.

Kjo kompani, e cila u themelua rreth 40 vite më parë, e ka ndërtuar imazhin e saj me shumë kujdes, gjë që ia ka rritur asaj besimin ndër vite, duke veshur kështu disa prej emrave më të njohur si Princeshë Dianën, Demi Moore, Elizabeth Hurley, etj.

Familja zotëron 80% të biznesit, ku mbesa e Gianni Versaces, Allegra Versace Beck, 32 vjeç, ka 40% të aksioneve në një vlerë prej 732 milionë eurosh, nëna e Allegrës dhe motra e Giannit, Donatella Versace, ka 16%, të aksioneve dhe vëllai më i madh i Gianni, ka 24% të aksioneve.

Familja, e cila trashëgoi kompaninë pas vrasjes së Gianni Versaces jashtë rezidencës së tij në Majami në vitin 1997, do të vazhdojë të ketë aksione më vlerë prej 150 milionë eurosh në “Capri Holdings”.

Firma private e kapitalit amerikan Blackstone, e cila bleu 20% të aksioneve të Versace në 2014, do të shesë të gjitha aksionet e saj. 63-vjeçarja, Donatella Versace, e cila është edhe zëvendëspresidente e Versace dhe drejtoreshë artistike e saj, do të vazhdojë të qëndrojë në Capri Holdings dhe të udhëheqë sektorin kreativ të kompanisë.

“Ky është një moment shumë emocionues për Versace”, tha ajo. Kanë kaluar më shumë se 20 vjet që kur mora drejtimin e kompaninë së bashku me vëllain tim Santo dhe vajzën Allegra. Jam shumë krenare që Versace vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite një prej brandeve më të suksesshme në industrinë e modës dhe kulturës moderne.

Versace nuk është vetëm sinonim i një brandi të suksesshëm dhe të pagabueshëm, por është pasqyrim i diversitetit, si dhe fuqisë që u jep njerzve për ta shprehur veten, ashtu siç ata duan. Ajo tha gjithashtu se familja vendosi që ta shiste atë në mënyrë që kjo markë të arrijë potencialin e saj të plotë.

“Ne besojmë se të qenët pjesë e këtij grupi është thelbësore në suksesin afatgjatë të Versaces, dhe ky ishte pikërisht momenti i duhur”, tha ajo më tej. John Idol, Drejtori Ekzekutiv i Michael Kors, tha se blerja e Versace ishte një moment i rëndësishëm për kompaninë amerikane dhe se krijimi i një “familje të madhe markash luksoze” do t’u jepte aksionerëve të saj “shumë vite të tjera të ardhurash dhe fitimesh të larta”.

Michael Kors tha se do të rrisë numrin e dyqaneve Versace nga 200 në 300, dhe se stili i patjetërsueshëm i Donatella Versaces do të vazhdojë të mbetet në qendër të estetikës së dizajnit të Versace. Kontestimet dhe kritikat kanë qenë të shumta nga fansat e Versaces në rrjetet sociale, duke u shprehur se Versace nuk duhet të pranonte t’i shiste asnjë për qind të aksioneve të saj Michael Cors, duke thënë se ai do ta fundoste këtë kompani shumë shpejt.

Po me anë të një statusi Donatella Versace i është drejtuar të gjithë mbështetësve duke i thënë se shitja e Versaces është besimi që ne kemi në suksesin e saj afatgjatë dhe përkushtimin ndaj këtij grupi të ri global të modës.

Por shitja e Versaces tek Michael Cors nuk është e vetmja e përmasave të tilla. Dior iu shit grupit francez Mowt Hennessy Louis Vuitton (LVMH), i cili zotëron Louis Vuitton, kundrejt vlerës prej 13 miliardë dollarësh gjatë vitit të kaluar.

Grupi shumë i pasur francez Kering, i François-Henri Pinault mori kontrollin e plotë të Guccit në 2004 dhe gjithashtu zotëron Yves Saint Laurent, Balenciaga, Alexander McQueen dhe Bottega Veneta. Këtë verë familja Missoni e Italisë shiti 41% të aksioneve të saj tek një sipërmarrje e kapitalit privat e mbështetur nga shteti italian, kundrejt vlerës prej 70 milionë eurosh. Dizenjuesi belg, Dries Van Noten shiti një shumicë të aksioneve të tij tek grupi luksoz spanjoll, Puig.

Chanel që është një prej markave më të madha luksoze europiane, ndoshta është ndër të vetmet që ende nuk është shitur. Ajo është ende në pronësi të vëllezërve Alain dhe Gérard Wertheimer, nipërit e Pierre Wertheimer një partner biznesi i Gabrielle Bonheur ‘Coco’ Chanel, në fillimet e tij. Michael Kors tha se emri “Capri Holdings” ishte frymëzuar nga ishulli i mrekullueshëm i cili njihet si një prej destinacioneve më luksoze të botës. Ai tha gjithashtu se formacionet tre-shkëmbore Faraglioni të ishullit, ishin simbolika e “Capri Holdings”, duke nënkuptuar trashëgiminë e përjetshme dhe themelet e forta të secilës prej tre markave të këtij grupi të modës.  Burimi: The Guardian. Në shqip nga monitor.al

 

o.j/dita

September 26, 2018 14:05
Komento

1 Koment

  1. Bjeri legenit September 26, 16:06

    “Versaces”, pa Gianni Versaces…… nuk eshte me Versaces.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim