Grushti Migjenian ndaj malit qe s’bzan, është ende një kryesimbol

December 4, 2017 09:54

Grushti Migjenian ndaj malit qe s’bzan, është ende një kryesimbol

Nga Moikom Zeqo 

Parabolë Migjeniane

Vite më parë në Shtëpinë Muze të Migjenit (si vallë u shpërbë me një gjakftohtësi kriminale ky monument përkujtimor i Kombit e i Artit? Ajme!) kisha parë një Bibël në greqisht, përdorur nga Migjeni, kur ai studionte teologjinë në Manastir.

Bibla ishte plot nënvizime.

Kjo gjë dëshmonte studimin e thukët, me një seriozitet të pazakontë e kuriozitet përvëlues, të shumëfishtë.

Referencat biblike janë të shumta në krijimet migjeniane, ndonëse autori me një sharm e dyshim niçean shndërrohet në një mendimtar të lirë, të çuditshëm.

Ndoshta më i madhi dhe më i ndershmi mendimtar i lirë, i pafrikshëm dhe prometeik i letrave shqipe në të gjitha kohërat.

Migjeni si dikur Artur Remboja, kryengritjen e tij konceptuale e bën si një kryengritje të pashembullt poetike, ai triumfon mbi Bastijen estetike, duke diellandritur verbueshëm e në amshueshmëri horizontet shqiptare plot hirnosje shkrumbi e mjegulla të neveritshme e rutinore e plogështi vdekësore, paralizuese.

Te Bibla, që përmenda më sipër, te “Libri i profetit Jeremia” (51-25) Migjeni i ri, sa i ri që ishte atëherë! – kishte nënvizuar edhe këtë fragment tronditës poetik: “Ja, ku jam unë kundër teje, o mal i shkatërrimit, thotë zoti, ti që shkatërron tërë tokën.

 Unë do të shtrij dorën time kundër teje, do të rrokullis poshtë nga shkëmbinjtë dhe do të të bëj një mal të djegur.”

Profecitë e Jeremias janë apoteoza metaforike të drejtësisë.

Jeremia është një poet i madh!

Migjenit i është thadruar në mbamendjen e tij të fuqishme ky fragment sintetik sa librat e një biblioteke të tërë.

Fragment si i gdhendur në bronx të lashtë e të përjetshëm.

Pastaj Migjeni është përpëlitur krenar brendapërbrenda vetes.

Asnjëherë me horizonte të gurëzuara, ose të mbyllura përdhunisht.

***

Migjeni ishte shqiptar, bir i një toke klasike malesh.

Simboli i malit është bërë mendësi, metaforë e jetës, në epos, në vuajtje, në vdekje, në urinë legjendare, në ëndërrat enigmatike, në humnerat e kuçedërshme, në ujëvarat e ndritura e pyjet e shfarosura si një apokalips i nëmshëm.

Simboli i malit, përtej kuptimit pozitiv, dmth përtej mitit shqiptar të malit, përjetonte një tjetërsim, dmth, një ç’malëzim.

Migjeni qe i pari që guxoi të çmitizonte atë, që dukej më e qëndrueshme se çdo gjë, simbolin konvencional të malit.

Ky qe një guxim i hatashëm, një përmbysje revolucionare  e konceptit.

Një revolucion ideor!

Migjeni heton trishtueshëm përtej tipit gjeologjik ose gjeografik të dekorit.

Për Migjenin mali i ekzistencës, ose mali ekzistencial, mali si hierarki sunduese, zotëruese, urdhërlënëse, i pakundërshtueshëm, mali si shoqëri e osmozë e përçudnuar, mali si pseudomal, një iluzion i turpshëm, që ka rrëmbyer vendin e realitetit të vërtetë e të vonuar, është mali që hesht e që në heshtje qesh, është mali që “s’bzan”.

Mali që s’bzan.

Mali që s’bzan!!

Mali i vizionit të qëmotshëm të Jeremias.

Mali i vizionit të ri të Migjenit.

***

Kështu, në vetëdijen e paskajshme lindi Recitali i Malësorit migjenian.

Ky malësor jemi të gjithë ne, shqiptarët, kaq shumë të vonuar në histori, kaq të sfilitur dhe tragjikë, po edhe komikë, për marrëzitë tona këlthitëse, shpesh të pakonceptueshme.

“O, si nuk kam një grusht të fortë” – kjo thirrje e apostrofuar e Migjenit është e shumëkuptimshme.

Migjeni flet për një grusht shpirtëror ndaj së keqes shekullore, prapambetje e mendësisë së gurëzuar, për një bashkim të të gjithëve në një grusht, jo të shqiptarit kundër shqiptarit – në asnjë mënyrë jo!

Po te shqiptarit me shqiptarin!

Dhe me integrimin, me boten e qyteteruar dhe progresive.

Migjeni apelon për ekzorcizmin e shqiptarëve si komb dhe si vetvete e secilit.

Pra, për rilindjen e të tërëve.

Migjeni ka shkruar për malësorin e mitizuar, me brekë e këmishë legjendare mbi shtat, që bjerr cilësitë e bëhet frikacak, servil, përpara një nëpunësi, para kokrrës së misrit.

Ky servilizëm i neveritshëm si mënyrë jetese është një shoqëri pa liri, pa ndërgjegje të lirisë.

Sa intelektualë shqiptarë, fatkeqësisht, turpërisht, përsëritën servilizmin ritual, duke përdhosur kështu vetveten.

***

Mali që s’bzan!

Sot ky mal është demokraci e keqpërdorur barbarisht, është korrupsioni i llahtarshëm, shkatërrimi i shtetit, degradimi i shoqërisë, përdhosja e moralit, është mafia shqiptare e përbindshme.

Askush nuk duhet të aspirojë dhunën – në asnjë mënyrë grushti i dhunës – jetojmë në një kohë të ndryshme, kur grushti ndaj malit “që s’bzan” është votimi i lirë, absolutisht i lirë e demokratik, është demokracia e vërtetë dhe jo demokracia apokrife.

Askush s’mund ta akuzojë Migjenin për terrorist, ose për antikombëtar, sepse metaforat poetike nuk janë identike me realitetin konkret, por kanë më tepër simbolika shpirtërore.

Mali që s’bzan do të mbetet edhe mbas votimeve, sepse ai mal është prapambetja jonë e madhe ,që kërkon forca titanike të kapërcehet.

Mali që s’bzan është brenda shpirtit tonë.

Mali që s’bzan janë konceptet antidemokratike, qoftë të totalitarizmit komunist, apo të totalitarizmit antikomunist.

Mali që s’bzan është primitivizmi ynë shqiptar, është përçarja e politizimi absurd.

Mali që s’bzan është kriminalizimi e sadomizimi i realitetit, i popullit, është triumfi i përkohshëm, por shumë i dhunshëm e shkatërrimtar, i një klike të pashembullt në histori.

Mali që s’bzan është ankthi i eksodeve, braktisja e Shqipërisë, e tokës që nuk i mban njerëzit, është puna e vdekur dhe arti i prostituuar, është rrënimi ekonomik e imoraliteti i llahtarshëm.

Përtej malit që s’bzan janë horizontet e mëdha!

***

Skica ime e mesiperme, konceptuale, rebele u botua ne 26 qershor 1997 ne ZP.

Ishte koha e katrahures apokaliptike e regjimit të Berishës.

Në cakun e vitit 2017,pra, mbas 20 vjetësh ( si vallë, kaluan kaq shpejt ?) situata nuk është si në 1997.

Por ende Shqipëria politike është e demonizuar dhe në krizë të  ndjeshme.

Kjo është e pamohueshme dot.

Ndonëse nuk kemi thjesht një tautologji.

***

Grushti Migjenian ndaj malit qe s’bzan, është ende një kryesimbol.

Të plogëtit, le të vegjetojnë, në kalbësirën e tyre morale, kundërmuese, sulfurike, fosilizuese, vetëshkatërruese përfundimisht, fatalisht.

Duket sikur Migjeni nuk shkruan thjesht me fjalë.

Shqyen kohërat.

Koherat e prapambetjes dhe të vonesave  mendore.

Konstrukton Shpresën.

Për një të Ardhme të denjë kombëtare dhe njerëzore.

December 4, 2017 09:54
Komento

3 Komente

  1. DENONCIM December 4, 14:05

    Leter per z.Adrian Thano

    Quhem Bruna Musaj, lindur dhe banuese në Vlore.

    Po u shkruaj sot sepse kam nje problem pune. Aktualisht jam punonjese prane Autoritetiut Kombetare te Ushqimit Vlore (DRAKU Vlore) dhe punoje ne pozicionin e specialistes se laboratorit te mikrobiologjise , duke analizuar produktet me origjine shtazore.

    Me daljen ne pension te Specialistes Kristina Vito, jam emeruar prane drejtorise Rajonale AKU Vlore , ne daten 9 Mars 2017. Laboratori Mikrobiologjik i DRAKU Vlore nuk ka funksionuar qe prej muajit Maj 2016.

    Jam emeruar me urdher Emerimi Nr.1012, date 07.03.2017, deri ne momentin e perfundimit te procedurave per pranimin, levizjen paralele , periudhen e proves dhe emerimin ne kategorine ekzekutive nga DAP. Gjate kesaj periudhe, deri ne diten e sotme, vendi nuk eshte shpallur nga DAP.

    Ne momentin ne te cilin ky pozicion pune do te shpallej isha e gatshme te aplikoja per te qene pjese e institucionit , pasi plotesoj kushtet per te qene pjese e ketij konkurimi. Jam diplomuar ne vitin 2013, Bachelor ne Degen Biologji dhe ne vitin 2015, kam marr Titullin Master i Shkencave ne Biologji Molekulare (Mbrojtje e titullit me noten 9).

    Laboratori ishte ne gjendje shume te keqe dhe cdo dite jam kujdesur per sterilizimin e ambientit te punes si dhe kam vene ne funksionimte vazhdueshem termostatet. Gjate periudhes time te punes kam kryer rreth 125 analiza te dokumentuara ne regjister.

    Ne daten 24.10.2017 me eshte komunikuar permes nje shkrese zyrtare se do te me nderpritet kontrata e punes. Ndersa ne daten 17.11.2017 me vjen nje shkrese zyrtare se mardheniet e punes do me nderpriten brenda dates 30.11.2017. Nderkohe qe shkresa ish protokolluar dhe duhet te me kish ardhur qe ne daten 27.10.2017. Pra shkresen mire qe ma kan ber gati , ma kane firmos e vulosur por ma dergojne ne DRAKU Vlore me 20 dite vonese ,si shefja e personelit JOHANA LACI ashtu edhe Drejtori i Pergjithshem i AKU-se Z. AGIM ISMAILI.

    Duke marr shkas nga shkresa qe me ka ardhur per largim nga puna ndjehem e prekur pasi mendoj se jam e pershtatshme per kete pozicion pune, jo vetem se disponoj nje Diplome Master i Shkencave, por edhe sepse laboratori eshte pasioni im. Ky pozicion pune nuk eshte shpallur asnjehere vakant ne DAP dhe sme eshte dhene mundesi te konkuroj e te fitoj statusin e nenpunesit civil.

    Sipas Ligjit te Ushqimit , si dhe duke u bazuar ne Rregulloren e Kritereve Mikrobiologjike te Produkteve Ushqimore, pozicioni im eshte i rendesishem pasi ndikon drejtpersedrejti te konsumatori, ne aspektin e sigurise se ushqimit, higjenes se ushqimit, si dhe cdo emergjence qe rrezikon jeten e njerezve permes helmimeve, si dhe shperthimeve epidemike.

    Me mbylljen e Laboratorit te Mikrobiologjise, subjektet e Vlores do u duhet qe mostrat per analize mikrobiologjike ti dergojne ne Tirane dhe kjo gje jep probleme, pasi ndodh kontaminimi i produkteve gjate transportit ose sic quhet ndryshe kontaminimi i kryqezuar. Me largimin tim do te pezullohej Monitorimi i Qumeshtit, dhe theksoj se jam e vetmja mikrobiologe e mirefillte nga Vlora ne Sarande e trajnuar ne Tirane per te kryer nje analize te tille.

    Nderkohe Z. Agim Ismaili , Drejtor i Pergjithshem i AKU-se me heq mua nga puna se jam pa Dap e sipas tij ai po zbaton ligjin, mesa di une para ligjit jemi te gjithe te barabarte. Por nuk e ka zbatuar ligjin per te gjithe, pasi ata qe kane miq e shok ,te cilet disponojne te njejten kontrat pune me mua rrine ne pune . Martin Arapi inspektor prane DRAKU VLORE me shkolle pylltarie arrin ta mbaj ne pune edhe pse pa master shkencor, pa shkollen perkatese per kete pozicion pune,pa statusin e nepunesit civil.Gjithashtu mban ne pune Genci Myrto ekonomist e ben rolin e inspektorit ne vlore, pa dap e pa arsimin perkates, ndersa une me pozicion kyc per sigurine ushqimore largohem nga puna. Mikrobiologia pergjegjese ne Sarande Zj.Aurora Caushaj, qe kryhen te njejtat analiza si une jo vetem qe nuk ka ber asnje trajnim ne Tirane por eshte edhe veterinere.

    Ju lutem me ndihmoni sepse po hiqen nga puna njerezit e afte me arsimin perkates.
    Jam ne pritje te pergjigjes tuaj

    Reply to this comment
  2. L.H December 4, 20:37

    Jo vetem duhet ndihmuar nepermjet nje gazetari investigativ qe tu nxjere tere te palarat ketyre palaçove apo ‘maleve’ te Migjenit apo si thpote populli.’Nuk i bihet murit me koke’ por duhet falnderuar qe e kerkon ndihmen te informacioni e jo tek ‘ambasadoret’ si kjo klase krriminale me imunitet!Respekt per kete femer ,grua shqipetare si mijera te tjera qe vuajne mjerimin migjenian!

    Reply to this comment
  3. Zani Burimi December 5, 20:46

    Profesor, ju falemnderit per esene e bukur dhe kuptimplote.Bukur shkruan: “Për një të Ardhme të denjë kombëtare dhe njerëzore.”. Si te flasegoja jote,ashtu u befte!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*