VETËVRASJA E TRUMCAKUT

Moikom Zeqo April 20, 2018 03:25

VETËVRASJA E TRUMCAKUT

Nga Moikom Zeqo*

Në vend që të shkruante një roman ciklik, ose një epos modern të parodizuar, Migjeni, – ndoshta jo pa pikëllim, po pa mëshirë për vehten shkroi skicën fabulore të jashtëzakonshme të një trumcaku melankolik e inteligjent, që vret vehten.

Natyrisht kjo gjë është jashtë traditës shekullore ezopike. La Fonteni i ditur do të skandalizohej po ta lexonte këtë shpërdorim subjekti, kurse animalistët, e këtij fundshekulli kibernetik e plot smog vetëvrasjen e trumcakut mund ta kuptojnë simbolikisht si një protestë ndaj vdekjes ekologjike në përgjithësi të planetit tonë tragjik e vetëshkatërrues.

Po ta kishte lexuar Albert Kamyja skicën migjeniane do t’ja kushtonte – me siguri – një kapitull në traktatin e vet “Miti i Sizifit”, që zbulon pa asnjë mëdyshje, se problemi i vetëm i filozofisë është “vetëm vetëvrasja”, gjë, që Migjeni – po të kishte mundësi, që ta lexonte këtë kapitull (që nuk u shkrua kurrë) nuk do ta aprovonte me modesti e jo thjesht për një ves, ose virtut kundërshtimi, ose debati.

Migjeni trillin e imagjinatës e shndron në një realitet të vrazhdë, të pangjashëm, jo identik me pejsazhet e përçudnuara të ferrit dantesk. Trumcaku u gjend befas në një natyrë (më saktë antinatyrë), ku në vend të barit kishin mbirë qimet e derrit e në vend të drurëve degëzoheshin brirët e një kafshe prehistorike – (gjë që e kapërcen edhe përfytyrimin plot truke të Shpilbergut për filmat e tij të famshëm hollivudianë për dinozaurët e dikurshëm!).

Në këtë botë ndërruese e butaforike është njësoj si ta sjellësh epokën dinozaurike në fund të shekullit të XX-të, jo me anë të imazheve filmikë, që janë fantazma, por në formën e një realiteti konkret të padukshëm, (duke e zhdukur njëkohësisht realitetin e urbanizuar, qytetërimet, elektrikun, teorinë e kuanteve, sekretin e kobshëm të shpërthimit atomik, transplantimin e zemrës, apo trurit etj, etj.)

Franc Kafka, më i kursyer, me një fantazi më pak të bujshme me subjektin marramendës të “Metamorfozës” bën fjalë për shndrimin e njeriut të vetëm në zvaranik. Migjeni më i paturpshëm, me krenari e shndron – as më pak e as më shumë – tërë natyrën e planetit në një shumësi të frikëshme brirësh, duke nënkuptuar se vetë toka është koka e shtazës prehistorike, që tmerron e tkurr me tërsëllimë të humnershme hapësirat, galaktikat, vetë infinitin e pakonceptueshëm nga askush. Migjeni përfytyron një Meduzë me brirë në vend të gjarpërinjve hakmarrës e dogmatikë të mitit. Ndoshta kjo është një ardhmëri e gabuar e njerëzimit, një pasion evangjelik i apokalipsave që nuk i dimë, por që i parandjejmë.

Interesant është ndër të tjera, se përfytyrimi surrealist i Migjenit është shkruar në të njëjtin vit, kur Pikasoja bëri kompozimin e frikshëm e rrëngjethës të “Guernikës”, që është një shfytyrim antimistik i gjymtyrëve të copëtuar në erë të Tezeut dhe Minotaurit në një labirint formash e ëndërrash të shkatërruara nga fashizmi i përkushtuar doktrinor, pa ndërdyshje, pa ndërgjegje.

I dimë pasionet e Kitsit në odën e tij për bilbilin, ose lejlekun alpin të Mjedës, që lan pendët e motshme në lumin Drin, ose albatrosin e Bodlerit, ose akoma më në zanafillë kultin e zogut feniks të faraonëve, ose hyjnitë me koka shpendi.

Po nuk dimë saktësisht, pse trumcaku i Migjenit na ndikon e na turbullon më në thellësi – në thellësirat e padukshme e të shenjta të gjakut, që shpërdorohet marrëzisht, fare i pakushtueshëm e pa çmim në Shqipëri.

Nëse realiteti i tjetërsuar si një “nightmare” bën të vetëvriten zogjtë, ahere kjo duhet të zgjojë urtinë e njerëzve, ta bëjë shpërthimin e mendimit të tyre të vërtetë.

Fabula tronditëse e Migjenit nuk i përmend njerëzit, por brenda trumcakut është vetë poeti, njeriu par exellence i së ardhmes.

POST SCRIPTUM : Skica intelektuale migjeniane citon thënien biblike të krijimit “… të bahet dritë! Dhe drita u ba!” – A shihni? Një fjalë magjike! Hokus – pokus! Sa bukur!”

Antibiblizmi i Migjenit është i dyfishtë. Këtu është e habitëshme e vulgare të spjegosh formulën magjike Hokus – Pokus!

Në fakt kjo formulë është kuptimi i latinishtes jeronimase “hoc est corpus meum” d.m.th. “ky është trupi im”, që shpreh sekramentin e ngrënies së bukës, të eukaristisë (- fjalë të Jezusit për dishepujt e tij.)

Në të vërtetë roli i shkrimtarit është një rol mesianik – Migjeni shumë shpejt, 27 vjeç, ja dha krejt trupin e vet vdekjes ritualiste – duke bashkuar e njësuar vehten me trumcakun filozof e kryengritës, që është për artin e Migjenit si bufi fluturues i Minervës së diturisë së lashtë, simbol i rrugëtimit në infinit, i mosndaljes!

Dita

Moikom Zeqo April 20, 2018 03:25
Komento

2 Komente

  1. gjinika January 9, 22:13

    Te pershendest Moikom!
    Gjithemone ke folur e shkruar gjera te mencura. K.Gj.

    Reply to this comment
  2. Zani Burimi January 10, 17:58

    Nje ese filozofike-letrare e papare!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*