Një qipriot i mrekullueshëm

June 15, 2018 11:11

Një qipriot i mrekullueshëm

Moikom Zeqo

Kam nderin të përshëndes, – nga një qytet i pashkruar ende , dmth nga Tirana e Shqiperise, -(ende e pa futur në gjeografinë e tij planetare dhe poetike të qyteteve të shkruara,) – poetin e madh grek , Mihailis Pieris, nga Qiproja.

Kam rastin, sot, të flas, për librin e tij “Metamorfoze qytetesh “, te perkthyer ne shume gjuhe te botes.

Mihali, i cili, kuptohet vetvetiu, ndodhet në një vëllazëri poetike, me takimin  tone te  pare,ketu ne Tirane, ka  bërë intimisht , që Koha dhe Hapësira të na duket dhe  te  jenë thjeshte  konvencionale.

Eshtë meritë e Shtëpisë Botuese NEREIDA dhe e  mikut tim , botuesit Jani Malo, i cili ka botuar disa libra, me interes per publikun shqiptar, kryesisht perkethime nga letersia moderne greke. Po  permend ,në mënyrë të veçantë, librat e fundit, siç është libri i Mihalis Pieris, përkthyer nga Petro Çerkezi, poet e përkthyes i shquar, si dhe libri poetik  i Jorgos Molesqit, përkthyer nga Niko Kacalidha ,  gjithashtu poet dhe përkthyes i shquar.

***

Unë do të flas për librin “Metamorfoze qytetesh “ te Mihalit.

Jam  njeri skeptik, përgjithësisht, ne rrafshin e librave, si dhe nuk entuziasmohem shumë, sidomos nga poetët, se poezia është zhanri më elitar, por dhe zhanri, më i spekulluar.

Miliona njerëz shkruajnë poezi, miliona epigoniste shkruajnë, madje, epigonët marrin edhe çmime.

E kam të vështirë të habitem nga cdo lloj   poeti.

Por poezia e Mihalit ishte  per mua, një gjë e papritur.

Në konstelacionin e poezisë greke të shekujve  e kam një  njohjeje,- se jam marrë një jetë të tërë.

Që të flas për poezinë e Mihalit do përmend atë që quhet  mjedisi, ose si të thuash klima e poezisë greke modern, që nga fundi i shekullit të 19 dhe sidomos në shekullin e 20-të.

Në krye të vendit do të vija Kostandin Kavafin, i cili shumë më përpara Kafkës , Beketit dhe Borhesit projektoi një gjeometri të Absurdit.

Eshtë një poet që ka ndryshuar poezinë Evropiane, siç thuhet për simetrinë dhe Kafka ka ndryshuar prozën.

Një poet tjetër Siqelianosi, i cili kundër tjetërsimit të shoqërive teknologjike, vuri një hermetikë abstrakte dhe një limit universal. Fatkeqësisht, ky poet nuk është shumë i njohur. Poezitë që shkroi në moshën 23 vjeç Siqelianosi nën hijen dhe shkretëtirën e Libisë ishin një çudi e sinkretizmit, paganizmit dhe të krishtërimit dhe të dilemave të kohës moderne.

Poeti më i preferuar  per mua ka qenë gjithmonë Odisea Elitis, për shkak të ndikimit të simbolizmit freng, europian si dhe të krijimit të një bote  poetike ,  elitare, imagjinative, ndonese më hermetike.

Libri i tij, “Klepsidrat e të panjohurës” (Οι κλεψιδρες του αγνώστου)  për mua ka qënë një çudi.

Poeti  tjeter Nobelist, Jorgo Seferi, qe ka jetuar si diplomat ne vitet 30 te shekullit XX ne Korcen e Shqiperise eshte patjeter nje monade poetike.Librin e tij poetik “Ditari i Anijes “ ja kushton botes  qipriote.

Nuk duhet harruar as poeti i jashtezakonshem Jani Ricos, nga me te cuditeshmit dhe figurativet.

Nga letërsia Qipriote mund të përmend pararendësit Vasilis Mihailidhis, Dhimitris Libertis Nikos Nikolaidhis, Lluqis Akritas, Theodhosis Pieridhis etj.

Mendoj që poeti më i shquar i kësaj treve, i një ishulli marramendës siç është ishulli i Qipros, një nga ishujt më të rëndësishëm dhe të kulturave më të lashta mesdhetare për mua është Mihalis Pieris.

Mihali ka lindur më 1952.

Eshtë një njeri që u sinkretizua midis dijes, shkencës dhe poezisë.

Eshtë një traditë e vjetër kjo,por sui generis per Mihalin.

Ka studjuar në në Sidnei , ne Australine e larget, dhe paraqitet nga kjo pike optike edhe me këtë libër, që ka një subjekt të shumëfishtë,  konceptualisht është një lloj mozaiku, që ka gurë të shumëngjyrtë, për të treguar një Koleksion Qytetesh.

Kjo vepër poetike të kujton veprën gjeniale në prozë “Qytetet e Padukshëm” të Italo Kalvinos.

Kalvino ka qytete fantazmagorikë, që egzistojnë në art, pra , qytete onirike, kurse përgjithësisht qytetet që përshkruan Mihali janë qytete që egzistojnë. Te vertete, -jo te shpikur !

Unë pothuajse në të gjitha qytetet që ai ka përshkruar kam qënë, në të gjitha vendet që lidhen me Europën ,përveç Australisë , që nuk kam pasur mundësi të udhëtoj.

Bile edhe lagjet dhe rrugët e shumices e qyteteve te ketij libri marramendes, që përshkruan poeti i njoh.

Vepra e Mihalit: “Metamorfozë qytetesh” është një vepër e shquar që e pasuron bibliotekën e letërsisë ,  në shqip.

Shkrimtari i vërtetë, madje  e sfidon gjuhën native , te lindjes , e “mohon” shkrimin e tij etnik per shkak te univeralitetit, se ka” shkrimin mbietnik te  mendjes”, që përkthen gjithë gjuhët e botës.

Ky “rrefuzim i gjuhes” eshte krejt i sakte ,-ndryshe Shekspiri do të lexohej detyrimisht  vetëm  ne anglisht, dhe jo ne qindra gjuhe te kultivuara te njerezimit.

Nga kjo pikepamje unë mendoj, se Pieris ka bërë një libër që është kulturalisht universal, global, sepse lidhet me të gjitha nocione dhe  makinen kozmike te mendimit, përtej gjuhëve, përtej gjuhës së origjinës, po me kredencialet  e pazhbeshme dot te origjines, padyshim.

Emri i tij i vërtetë është Mihal Eftagonia, emri i vendit ku ka lindur, ku ka lindur dhe nëna e tij, te ciles i ka kushtuar nje poezi  monumentale.

Ka studjuar filozofi, teatër, ka jetuar në Selanik, ku , në një varg thotë, se” i ka ngrënë 10 vjetët e trupit të tij më të mirë.”

Ka qënë per studime te larta  në Sidnei. Ka themeluar Greek Theatrical Workshop në Universitetin e Sidneit  dhe Studion Teatrore në Qipro që janë qendra të rëndësishme mesdhetare të Kulturës Europiane.

Mendoj se poezia e këtij poeti ka një poetike dhe strategji mendore.

Ai mendon se morali poetik duhet të stimulojë moralin shoqëror, duhet të jetë kundër mekanizmit të tjetërsimit.

Ai shkruan në dialektin qipriot dhe dhimotikinë dhe është përkthyer në shumë gjuhë të botës.

Eshtë poet bashkekohor, thellesisht  modern. Ndihet tek ai për mendimin tim narativa dialektike e Kavafit.

Poeti më i vështirë për t’u kuptuar dhe  dukshem  më i njohuri në botë, nga kultura moderne greke,  është sigurisht, Kostandin  Kavafi.

Kjo ndihet sidomos në Amerikë, se të gjithë poetët e shquar amerikane  kanë shkruar ese dhe studime  për të.

Ai është një poet me  “stil te bardhe “, nuk është si parnasianët, por ai ka logjikën konceptuale të tjetërsimit, niset nga kultura e madhe, ekumenike, e helenizmit dhe krijon ndoshta, paradigmat më të çuditëshme të kulturës së sotme moderne edhe të dekadente, madje dhe post-moderniste , edhe të dilemave, edhe të pasigurisë së botës se brishte , njerëzore, po pa humbur asnjehere Shpresen, ose Utopine Pozitiviste Njerezore.

Në një pikpamje të përgjithëshme poezia e  Mihail Pieris ka diçka nga argonautët, nga udhëtimi i infinitshme , i pafund.

Do dalim te koncepti universal i poetit, që udhëton, poeti që është Odise, poeti që është kërkimtar, poeti që kërkon diçka që nuk e gjen dhe ku udhëtimi nis nga fshati i tij ku ka lindur deri në Had.

Sepse libri përfundon me një poezi në Had, si qytet i vdekjes, qytet final.

Shpesh të kujton vargjet e famëshme të vitit 1922 të Tomas Eliotit tek “Toka e shkretë” për thënien e qytetit ireal, një concept që është shumë  ndikues tek poetët e shek. të 20-të, madje dhe tek poetët modernë greke.

Dihet dhe miqësia e Seferisit me Eliotin ka qënë proverbiale.

Ky udhëtim argonautik, ose Anabas Shpirteror, është pothuajse  planetare përfshi Greqinë, Amerikën, Europën, Austrlinë, ndoshta përveç  pertej Atllantikut.

***

Eshtë intersante që ky njeri është nga njerëzit më të ditur të kulturës greke sot.

Ai ka studjuar kronikën mesjetare të Qipros të një njeriu shumë të veçantë, të paharruar, sic quhet dhe  është Leontios Maheras dhe më pas ka shkruar për të një vepër të shquar dhe për veprën “Erotokritos” të Viçenco Kornaros.

Si dijetar Mihalis Pieris është një dijetar me fame ndërkombëtare.

Ai ka botuar vepra studimore, eseistike për Kavafin dhe Seferin dhe me librin e tij  emblematik “Metamorfozë qytetesh” ai paraqitet me dinjitet.

Jo të gjithë poetët kanë fat që me librin e pare ne perkethimin e nje gjuhe tjeter, konkretisht tani , ne shqip, të paraqiten me kaq sukses te denje,  kështu.

Ne jemi shpesh lojë e rastësive. Mirëpo në rastin konkret rastësitë qenë fatlume, sepse e përktheu këtë libër një nga poetët më të mirë shqiptarë që e njeh jashtëzakonisht mire shqipen, miku im i shtrënjtë dhe i paharruar gjithmonë, -që kisha vite pa e takuar- Petro Çerkezi.

Libri fillon me një  ” Letër nga Rethimno” dhe ka një shprehje të çuditëshme që thotë: dua një qytet që të më fshehë!

Diçka del nga ëndërra dhe në ëndërra zhduket. Sigurisht ka diçka onirike gjithnjë në përshkrimin e qyteteve.

Poezia “Dhoma në Mets”, është një poezi tipike se si shkruan Mihali.

Një narrativë me një pjesë të fshehtë metafore dhe natyrisht me dhimbje, sepse dhimbja është në natyrën e poetëve të mëdhenj.

Qyteti si metaforë është përshkruar nga poetët botërorë, po edhe nga poetët grekë.

Një poezi të tillë për shëmbull e ka edhe Ricosi: një poezi të famëshme për qytetin.

Qyteti është gjithmonë stimulus, qyteti është një kurm gruaje pjellore, i krijuar me art dhe fat, ose një boshësi, një humbje.

Në ciklin e dytë poeti ka poezi për Sidnein. Në këtë cikël bën një ngatërim gjeografik, flet për Netët e Lublanës, që s’di ku futen ne baze te rendit gjoografik , apo imagjinativ.

Por të rëndësishme janë poezitë “Odiseu i lidhur”, që të kujton pak a shumë titullin e veprës së famëshme të Eskilit “Prometheu i lidhur”. Odiseu lidhet te direku i anijes, mbushte veshët me dyll, sepse s’donte të dëgjonte këngën e Sirenave. E bëjnë këtë poetët, por sirenat janë më dinake dhe i hanë nganjëherë poetët para kohe.

Aty citon Herman Hessen, poet dhe shkrimtar i jashtëzakonshëm, gjerman ,dhe thotë: “Dashuri dhe vetmi, dashuri dhe dëshirë e paplotësuar, këto janë mëmat e artit.”

Në këtë poezi Mihali thekson: “lotin unë nuk e shes, për çdo lloj arti, për ty sharlatan që më pret me ankth dhe për ty lexues dinak,”-ne kete rast poeti i mrekullueshem i Qipros,- gati sa nuk përmend vargun e famshëm të Bodlerit “Lecter hipocrit”, (“Lexues hipokrit”) ,se nganjëherë nuk është lexuesi që ne presim, ndoshta lexuesit e vërtetë janë ata që do vine në kohë.

Tek “Odiseu i lidhur” flet për njohjen monstruoze të botës, por dhe për tredhjen e truve të shokëve. Bashkohem me kete ide!

Të gjithë janë të vetedijshëm për kohën.

Nje  pjese  e madhe e njerezve  jane  jetuese, por jo përjetuese te jetës.

Shpesh jemi në  mekanizmin  e  jetës, por jo në vetëdijën e saj.

Në këtë vepër te Mihalit, qartesisht dhe poetikisht, e sidomos në këtë poezi, e thotë shumë ne menyrë te eperme, estetike.

Ky është stili i skalitur, praksitelian  i poetit, kjo e shpalos filozofine e tij shpirterore.

Vdekja gjithmonë është  Mbritja  e Mijevjecareve në Itakë.

Në ciklin e tretë janë poezi për Selanikun, qytetin e rinisë së tij, që siç thashë, më ka tronditur shumë vargu, që” më ka ngrënë 10 vjet të jetës sime më të mire.” Në një fare mënyre poetët janë “kanibalë”, por edhe qytetet janë “kanibalë “ se hanë , ushqehen dhe keshtu mbijetojne mbi vete Vdekjen asgjesuese me “mishin” e historive,kulturave, fjaleve, dhe epokave, por jo në kuptimin makabër, po në kuptimin e rimishërimit, ose në kuptimin e totemit, që kishin njerëzit e vjetër.

Flet për Palermon, Katanjën, Monpeljenë, Amstardamin, Kajron, për Ravenën ku përmend të diturin Leontios Maheras qe e kërkon të jetë bashkëkohës i rrojtjes, i shkrimit me të dhe thotë pastaj le të jetë një idhull i rëndësishëm, i përmendur nga  Kujtesa e Harrimit, kudo ne hapesira, në Romë, në Paris, në Vuçernë të Palermos, në Ferrara.

Poeti kujton Helenën, çuditërisht Mbretëreshën e Fundit të Qipros, e cila ka qënë ne Venedik, pak  para, se ishulli i Qipros t’i dorëzohej Venedikut,ndja pikerisht kjo Mbretereshe Vetmirare , si hije shekspiriane e koherave e ka  tani varrin monumental në Venedik.

Unë e përshëndes vellazerisht dhe me nderim poetin e shquar Mihalin në këtë tubim, në një qendër, ne Book Hause, te Tiranes  ku gjithmonë janë bërë diskutime poetësh dhe shkrimtarësh dhe ka krijuar një traditë.

Shpresoj që ky takim i pare në Tiranë me poetin Mihal, të jetë nisma  edhe për takime të tjera.

Si arkeolog mund të them se pasuria arkeologjike dhe në mënyrë të veçantë  forma sinkretike e arkeologjisë , që ka Qiproja  eshtë nga çuditë e mëdha të kohërave.

Ishulli i Qipros eshtë një qendër kaq e madhe dhe ndoshta jo rastësisht edhe miti grek ka bërë që atje të jetë vendlindja mitike e perëndeshës së bukurisë, Afërditës.

Ose, ndoshta, ne nuk e dimë mirë këtë ekuacion, se ekuacionet etimologjike janë bërë shpesh edhe  spekullim. Ky është një ishull i madh, është pjesë e vetvetes, është pjesë e kulturës së botës dhe eshte padyshim i Aferdites.

Eshtë një gjë e shkëlqyer që në koherat e sotme te   demonizuara nga politika,- poetët të jenë të ndryshëm nga politikanët.

Por ka një ligjesi,  ne lloj rendi  simetrik, poetik, se triumfon perhere një e  Vërtetë Ekumenike, në këtë mes.

Njeriu më i formuar për kulturën përgjithësisht ka një prirje të mire, jo se është më i zgjuar apo  edhe më dinak, por se  humanizon mrekullisht per tere njerezit dhe popujt  dmth  gjithcka.

Shkrimtarët shqiptarë, jo të gjithë, natyrisht kanë një prirje  jetike per t’u  informuar për kulturën dhe veçanarisht për kulturën greke, që nga antikiteti deri në kohrat moderne.

Unë mendoj që njohja e kulturës moderne shqiptare  nga popujt fqinje habiterisht është shumë e mangët.

Unë kam njohur disa shkrimtarë të njohur , greke, i kam  miq të mi.

Antonis Samaraqis ka qënë një nga miqtë e mi personale. Kam dhe letërkëmbim me të.

Ose shkrimtarin Nasos Vajenas.

Ja përmënda Mihalit, i cili e njihte gjithashtu.

Mua  më ka habitur universaliteti dhe humanizmi i shkrimtarëve grekë-.

Por e theksoj perseri por shumë pak shkrimtarë grekë njohin shkrimtarët shqiptarë.

Nuk e di çfarë arsyesh egzistojnë, por përkthimet e ndersjellta do të ishin një zgjidhje.

Këto përkthime nuk do të ishin humbje kohe, por një vlerësim, parimi i universalitetit human  eshte njohja e Tjetrit.

I dashur Mihal të uroj gjithë të mirat.

Petrua ka bërë një punë të shkëlqyer, një përkthim dinjitoz.

Dihet ,se përkthimi shpesh të shkatëron. Shumë përkthime që botojnë shtëpitë botuese në përgjithësi, janë shkatëruese, sidomos perkethimet dilettante dhe pa pergjegjesi  per  klasikët e mëdhenj.

Kurse ky përkthim është një përkthim i gjuhës moderne, i gjuhës që ka tendencat e kuptimshmërive, të thellësive të mendimit dhe të metaforës.

Vetëm Petrua, me ndjeshmerin kulturen linguistike dhe talentin e tij, mund ta arrinte këtë sukses.

Faleminderit për vëmendjen !

 

 

 

June 15, 2018 11:11
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*