Mihallaq Ziçishti: Kompromisi me Liri Gegën e Dali ndreun, të mos depononin emrin e organizatës që tu falej jeta

Kujtim Boriçi January 23, 2013 12:02

Mihallaq Ziçishti: Kompromisi me Liri Gegën e Dali ndreun, të mos depononin emrin e organizatës që tu falej jeta

Gjyqi i Kadri Hazbiut. Seanca e 18

 

“Urdhërin e dha  Mehmet Shehu, planin e bëri Kadriu. Lirinë e takova unë, kurse Daliun, Kadriu. Takimet pas arrestimit, para hetuesisë dhe para gjykimit”

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Në fund të seancës së 18-të të gjyqit të Kadri Hazbiut, deponimet e Mihallaq Ziçishtit, zbardhin plotësisht hierarkinë e “organizatës armiqësore të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja, kryesuar nga Mehmet Shehu”, drejtuesit kryesor, aktivitetin e grupit dhe çdo pjesëtari të tij si dhe manipulimet me djegie dokumentesh, kërcënime e kompromise, për të mbuluar fijet dhe aktivitetin e organizatës…..

Kryetari(Aranit Çela):- Vazhdojmë me deponimet e të pandehurve lidhur me akuzën e krimit të organizatës kundër revolucionare dhe të aktit të terrorit. I pandehur Mihallaq Ziçishti. Ju akuzoheni si organizatë dhe si anëtarë të organizatës, për arsye se keni krijuar dhe keni marrë pjesë në një organizatë kundër revolucionare me qëllim të përmbysni pushtetin popullor. Dhe nga ana e organizatës, janë bërë përgatitje për tortura terrori për likuidimin fizik, konkretisht të Udhëheqësit të Partisë e të popullit(Enver Hoxha). Jep shpjegime, e mos qëndro në ato çështje që u prekën… Vazhdo.

Mihallaq Ziçishti:- Siç kam thënë gjatë proceseve të mia në hetuesi e siç deponova dhe para këtij gjyqi, e pohoj dhe një herë që unë jam pjesëtar i kësaj organizate të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu, dhe gjatë kohës së veprimtarisë së kësaj organizate që ka pasur si qëllim përmbysjen e diktaturës së proletariatit në Shqipëri dhe vendosjen e rendit borgjezo-revizionist.Në ‘të, përveç meje, Mehmet Shehut si kryetar, ishin Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, Llambi Ziçishti, Nesti Nase, Panajot Plaku, Maqo Çomo, Gani Kodra, etj

Gjithashtu, gjatë shpjegimeve të mia, , siç doli edhe para këtij gjyqi, pjesëtarët e kësaj organizate janë agjentë, jo vetëm të lidhur me Mehmet Shehun por dhe me zbulimet e huaja, i cili na ka mbledhur si kokrra misri (Mehmet Shehu) dhe na vuri në shërbim të tij.  Duke qenë të tillë ne, nuk e di a përmenda emrin e  Feçor Shehut në përbërjen e organizatës apo jo, që ka qenë nga më aktivët. Gjatë veprimtarisë sonë në këtë organizatë kundër revolucionare, ka patur faza të ndryshme. Siç thashë dhe në hetuesi e deponimet e mia, ato ishin Konferenca e Tiranës, arratisja e Panajot Plakut, e Xhelo Koçiut, etj, etj… Të gjitha këto veprime janë bërë në mënyrë të vetëdijshme nga pjesëtarët e organizatës nën udhëheqjen e poliagjentit Mehmet Shehu…

Në këtë kuadër, e theksoj edhe një herë, një rol të rëndësishëm ka luajtur Kadri Hazbiu, si krahu i djathtë i Mehmet Shehut. Tani, sipas situatës, jo vetëm që kemi bërë veprime, por i kemi shërbyer herë njërës e herë tjetrës agjenturë. Për shembull, ne i erdhëm në ndihmë zbulimit amerikan me Xhelo Koçinë e me të tjerë, i erdhëm në ndihmë edhe në rrugë të tjera duke liruar nga burgu, me vetëdije dhe ën mënyrë të organizuar me Kadri Hazbiun, agjentët e zbulimeve të huaja që përbënin rrezik për Mehmet Shehun.  Me ardhjen e Mehmet Shehut në krye të organeve të brendshme, kjo detyrë ka qenë nga më kryesoret. Me ardhjen e Mehmet Shehut në Ministrinë e Brendshme, ku krahu i djathtë ishte Kadri Hazbiu, u forcua më shumë puna jonë.  Natyrisht, gjatë veprimtarisë, gjatë luftës, Partia ka punuar, janë bërë ndryshime, janë goditur agjentë të zbulimeve të huaja.

Dua të theksoj, se ne si anëtarë të organizatës, këtu e kam fjalën për Kadri Hazbiun, për Feçor Shehun, për Beqir Ballukun, dhe për të tjerët, e kisha fjalën për goditjet që janë bërë ne kemi bërë manipulime për të fshehur para Partisë  veprimtarinë e tyre, para se të goditeshin. Gjithashtu, në mënyrë të vetëdijshme, e me plan të caktuar, e përsëris në bazë të një plani të caktuar, të studiuar mirë nga Mehmet Shehu, unë, nga Kadri Hazbiu, nga Feçor Shehu, etj… Ne jo vetëm që kemi mbuluar veprimtarinë e tyre përpara Partisë para se ata të goditeshin, por ne kemi mbuluar veprimtarinë e tyre edhe pasi janë goditur.

Këtu, do të përmend për shembull manipulimin e të dhënave shumë interesante unë dhe  Kadri Hazbiu nga Myftar Memija, i cili, që në atë kohë, nxirrte figurën e Tuk Jakovës e Bedri Spahiut. Këtu ka dy anë. Ne, jo vetëm e mbuluam këtë denoncim ose këtë informacion të marrë, por ne, Kadri Hazbiu që e ka marrë, më vonë, kemi bërë veprime për të mbuluar veprimtarinë armiqësore të njeri-tjetrit. E sqaroj, atë informatë e mora unë, pastaj në vitin 1974 e mori dhe Kadri Hazbiu. Kadriu e manipuloi atë, që të më mbulonte dhe mua si pjesëtar të organizatës.  Prandaj, e përsëris edhe një herë, të gjithë ne, në kuadrin e kësaj organizate, ku bëjnë pjesë personat që thashë e që janë këtu përpara gjyqit, janë vënë edhe ën shërbim të agjenturave të huaja. Domethënë, jemi çerdhe spiunësh, agjentësh të vënë në shërbim të agjencive të huaja….

Kryetari:- Lidhur me këtë, ky grupi juaj, kjo organizata, ka patur lidhje me Liri Gegën?

Mihallaqi:- tani, lidhjet nuk mbaheshin kështu, se nuk bëheshin mbledhje të organizuara….

Kryetari:- po di të që ndonjë anëtar….

Mihallaqi:- Me Liri Gegën, ka pasur lidhje Fiqret Shehu, me Dali Ndreun ka pasur lidhje Mehmet Shehu. Dinte për këto dhe ka pasur lidhje edhe Kadri Hazbiu, le të hidhet përpjetë sa të dojë…..

Kryetari:- Po në dijeni, ti e the atë, po një çikë më saktë desha unë, në dijeni të arratisjes së kësaj Liri Gegës, kush ishte?

Mihallaqi:- Në dijeni të arratisjes së Liri gegës ka qenë dhe është bërë në bazë të një plani të organizuar, vetë Mehmet Shehu. Ka qenë Kadri hazbiu, Feçor Shehu dhe unë. Ne kemi qenë në dijeni të Liri Gegës…..

Kryetari:- Pasi u arrestua Liri Gega, çfarë masash morët ju?

Mihallaqi:- Pasi u arrestua Liri Gega dhe më vonë Dali Ndreu, ne morëm masa që të mbulonim veprimtarinë e tyre të vërtetë se ata ishin në dijeni të veprimtarisë sonë armiqësore.  Ata dinin për Mehmet Shehun, dinin për Kadri Hazbiun, ata dinin për mua, për Feçor Shehun që ishin në shërbim të zbulimeve të huaja.  Kështu që, qëllim tejtër ishte për të mbuluar figurën tonë… Qëllim tjetër ishte dhe ana politike e çështjes, domethënë, arratisja e një personi të tillë do të bënte përshtypje….

Kryetari:-Pas arratisjes së Liri gegës ti ke thënë që ke shkuar ke marrë kontakt me ‘të. Vetëm ke marrë kontakt apo në prezencë të njerëzve?

Mihallaqi:-  Po kam marrë. Dhe vetëm kam qenë pa hetues.  Edhe Kadri Hazbiu, në takimin që ka marrë me Dali Ndreun, ka marrë pjesë vetëm me ‘të….

Kryetari:- Çfarë i the Liri Gegës ti, dhe çafër biseduar me lirui Gegën?

Mihallaqi:- Atje me Liri Gegën biseduam që ajo të mos depononte ne në hetuesi, as në gjyq, për çfarë dinte mbi organizatën. Domethënë, mbi personat e ndryshëm që bënin pjesë  në organizatën kundër revolucionare…

Kryetari:- I premtuar gjë Liri Gegës ju?

Mihallaqi:- I kemi premtuar se do ti shpëtonim jetën edhe Liri Gegës, edhe Dali Ndreut. Liri Gegës unë, Dali Ndreut i ka premtuar Kadriu…

Kryetari:- Në lidhje me atë që the, domethënë , kjo organizatë u krijua me njerëz të lidhur me zbulimet e huaja siç the ti. Por përpara kësaj, e kam fjalën me marrjen e pushtetit, ti ke dhënë deponime e ke thënë që kjo çështje e planit ka ekzistuar që në kohën e Koçi Xoxes dhe ka qenë një plan që atëherë për eliminimin e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror(Enver Hoxhës)?

Mihallaqi:- Po, udhëheqjen e Partisë dhe sidomos Sekretarin e Parë…

Kryetari:- Nga e mësove në atë kohë ti?

Mihallaqi:- Në Plenumin e 8-të e mësova nga Koçi Xoxe, e kam mësuar nga Kadri Hazbiu, e kam mësuar nga Panajot Plaku se ky plan ishte…

Kryetari:- U vendosën edhe njerëz për të bërë këtë punë.

Mihallaqi:- U vendosën edhe njerëz… Në Plenum e bëri këtë punë Koçi Xoxe me të tjerë, ndërsa në aktiv, rol të rënd, të ngarkuar nga zbulimi jugosllav, kanë luajtur Panajot Plaku dhe Kadri Hazbiu. Pas aktiveve  të plenumit të 8-të të Komitetit Qendror ….

Kryetari:- Domethënë, qëllim i ka qenë për marrjen e pushtetit.  Ky qëllim nuk u ndryshua dhe ën organizatën tuaj?

Mihallaqi:- I tërë qëllimi i organizatës ishte ky, marrja e pushtetit, rrëzimi i diktaturës së proletariatit, vendosja e pushtetit borgjezo-revizionist në Shqipëri. Natyrisht, në plan të parë ishte eliminimi i udhëheqjes së Partisë e cila ishte në krye…..

Kryetari:- Po, qëllimi ka qenë, domethënë, që gjëja e parë ka qenë për të përmbysur pushtetin dhe për të likuiduar udhëheqjen…

Mihallaqi:- Qëllimi ishte të likuidohej udhëheqja e Partisë dhe në radhë të parë, Udhëheqësi i Parisë (Enver Hoxha)…

Kryetari:- Edhe kjo ka qenë në planin e Mehmet Shehut?

Mihallaqi:- Tani, ne këto plane, nuk i kemi diskutuar së bashku, por për këto plane kemi ardhur në dijeni  sipas rasteve dhe sektorëve që mbulonim dhe detyrave që rridhnin nga realizimi i këtij plani…

Kryetari:- Keni ndonjë pyetje shoku prokuror?

Prokurori(Rrapi Mino):- Ç’dini Mihallaq, që kur e ka zanafillën kjo organizatë. Kjo ishte një organizatë kundër revolucionare, por të tërë nuk u futën në një kohë. Si e di ti?

Mihallaqi:- Zanafillën, kjo organizatë, e ka pas ardhjes së Mehmet Sehhut në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Po pas ardhjes së Mehmet Shehut në Ministrinë e Punëve të Brendshme , është vazhdimi i tërë kësaj veprimtarie që ka pasur për këto qëllime në Berat, si dhe gjatë luftës….

Prokurori:- Domethënë, zanafillën kjo organizatë e paska që gjatë luftës dhe në vazhdimësi?

Mihallaqi:- Kjo ka qenë në etapa të ndryshme, që gjatë luftës, në mbledhjen e Beratit, në Plenumin e 8-të, në Konferencën e Tiranës, dhe me radhë. Po e kam fjalën edhe një herë, ne jemi pjesëtarë të organizatës, ne personat që përmenda dhe dua të theksoj edhe një herë  se Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu kanë qenë nga anëtarët më aktivë të organizatës.  Kadri Hazbiu ka qenë krahu i djathtë i Mehmet Shehut, i përkëdheluri i tij. Le të hidhet sa të dojë përpjetë.  Dhe nuk është bërë asnjë veprim pa dijeninë e tij. Përkundrazi, ai ka qenë ën kuzhinën ku gatuheshin të gjithë këto plane kundër revolucionare….

Kryetari:- Mirë, ndonjë pyetje tjetër keni ju… I pandehur Feçor Shehu, ke pyetje lidhur me këtë çështje?

Feçori:- Kam.

Kryetari:- Hajde.

Feçori:- Na jep ndonjë rast Mihallaqi kur unë bashkë me Kadriun të kem marr pjesë në ndonjë bisedë ose ndonjë plan për të mbuluar  a zgjeruar agjentë të ndryshëm nga rreziku që i kanosej pushtetit popullor?

Mihallaqi:- Unë nuk e kuptoj pyetjen. Unë gjatë kohës që deponova këtu, shpjegova për veprimet e përbashkëta. E para, e shpjegova vënien e tij(Feçorit) si agjent në shërbim të jugosllavëve e të sovjetikëve, pranova veprimtarinë e përbashkët,  e pranova këtu që kemi kryer së bashku me Feçor Shehun  veprime siç është arratisja e Panajot Plakut, Liri Gegës,  siç është Konferenca e Tiranës ku ky vajto drejtor i Punëve të Brendshme dhe anëtar i byrosë së Komitetit të Partisë…

Feçori:- Unë kam një pyetje tjetër, ka mundësi ta bëj. Kur unë paskam dijeni apo kam marrë pjesë në planet për arratisjen e Liri Gegës e Dali Ndreut, si nuk paskam marr pjesë asnjë herë në hetim, siç ka marr ky me Kadri Hazbiun ose edhe në shikimin e deponimeve!? Se unë as e njoh Liri gegën, as e njoh Dali Ndreun, as njoh deponimet e tyre…

Mihallaqi:- E para, një herë s’ka përse të merrte… Ka marr dijeni mbi faktin e arratisjes edhe ka bashkëvepruar. Nuk është e nevojshme që të merrte pjesë  në hetuesi… Për sa i përket çështjes së Dali Ndreut dhe të Liri Gegës, atë e ka marrë vesh.

Feçori:- Si e mora vesh?

Mihallaqi:- E ka marr vesh nëpërmjet nesh, nëpërmjet meje. Para arratisjes je vënë në dijeni….

Feçori:- Përse duhet të vihesha në dijeni, ka mundësi të na thotë?

Mihallaqi:- Do të viheshe, se ishe pjesëtar i organizatës, një. E dyta, sepse duhej edhe ndihma jote për funksionin që mbuloje për të realizuar këtë qëllim.

Feçori:- Po çfarë ndihme konkrete, ka mundësi?

Mihallaqi:- Survejimi, dhe aty në degën e Punëve të Brendshme të Tiranës… Dua të bëj një vërejtje. Feçor Shehu, gjatë gjithë deponimeve të tij u mundua që ta shkëpusë drejtorinë e Tiranës nga ministria.  Drejtoria e Tiranës dhe ministria kanë pasur lidhje të ngushta dhe bashkëveprim sepse Drejtoria e Tiranës punonte në Tiranë ku objektet që ndiqte ministria lidheshin…

Feçori:- .. Konferenca e Tiranës… Kur ke biseduar me mua për ndonjë qëllim?

Mihallaqi:- Është biseduar me ty gjatë gjithë përgatitjes e para Konferencës së Tiranës.

Prokurori:- Ke çuar ti ndonjë telegram ti me rastyin e ditëlindjes së Mehmet Shehut, së bashku me Idriz Seitin?

Feçori:- Kam qenë në grupin e Ministrisë së Brendshme dhe si të gjithë të tjerët, kanë çuar një dhuratë. Dhurata ka qenë një magnetofon. Unë kaq di, s’di gjë tjetër…

(Vijon nesër)

 

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

 

SOM 1

“Unë i pandehuri Mihallaq Ziçishti, e pohoj dhe një herë që jam pjesëtar aktiv i organizatës armiqësore kundër revolucionare të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu. Gjatë kohës së veprimtarisë së kësaj organizate që ka pasur si qëllim përmbysjen e diktaturës së proletariatit në Shqipëri dhe vendosjen e rendit borgjezo-revizionist, ne kemi bërë një sërë veprimesh. Në këët organizatë të vënë në shërbim të agjenturave të huaja, përveç meje, Mehmet Shehut si kryetar, ishin Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, Llambi Ziçishti, Nesti Nase, Panajot Plaku, Maqo Çomo, Gani Kodra, etj”

 

SOM 2

“I kemi premtuar se do ti shpëtonim jetën edhe Liri Gegës, edhe Dali Ndreut. Liri Gegës unë, Dali Ndreut i ka premtuar Kadriu… Këtë e bëmë se ishin pjesëtar të organizatës sonë të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja dhe me qëllim që të mos depononin në hetuesi emrat e tjerë të organizatës sonë. Kjo u bë me porosi direkt të Mehmet Shehut. I kemi takuar e instruktuar Lirinë e Daliun menjëherë pas arrestimit, para e gjatë hetimit. Kompromisi ishte që në asnjë rast të mos dilte emri i Mehmet Shehut e ne pjesëtarëve të tjerë të grupit”

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Deponimi i Gani Kodrës: në vitin 1979, kryetari i grupit Mehmet Shehu më ngarkoi mua, Llambi Ziçishtit e Kadri Hazbiut misionin për ‘studime’, të Skënder Shehut në Suedi.

-Deponimet e Ali Çenos e Gani Kodrës, ‘kryqëzojnë’ Kadri Hazbiun, Feçor Shehun dhe Llambi Peçinin.

-Përplasja e Llambi Peçinit me akuzën: Ju shpifni, trilloni. Nuk kam dijeni, nuk kam marr pjesë në asnjë organizatë dhe nuk kam bërë asnjë veprimtari armiqësore kundër vendit tim!.

Kujtim Boriçi January 23, 2013 12:02
Komento

2 Komente

  1. Beni January 24, 10:24

    Ky e paska patur hak plumbin! Shpifi, sajoi, nxiu, derdelliti si papagall duke kujtuar se do ti falej jeta.

    Reply to this comment
  2. Dali February 4, 18:42

    Domethene, ky ka qene arsyja qe me kan vrare gjushin dhe ghyshen…nuk ka njeri me i poshtur se spiuni…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*