Mihallaq Ziçishti: Si i mbrojti Mehmet Shehu, Fadil Paçramin e Todi Lubonjën, ‘krerët e grupit armiqësor në kulturë’

Kujtim Boriçi February 3, 2013 10:11

Mihallaq Ziçishti: Si i mbrojti Mehmet Shehu, Fadil Paçramin e Todi  Lubonjën, ‘krerët e grupit armiqësor në kulturë’

Gjyqi i Kadri Hazbiut. Seanca e 24

 

‘Me porosi të Mehmetit, unë si sekretar i Parë i PPSH në Korçë, i mbajta afër dhe i inkurajova në punën antiparti në fushën e teatrit’

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Në deponimet e tij në seancën e 24 të gjyqit ndaj Kadri Hazbiut, një nga anëtarët drejtues të këtij grupi, Mihallaq Ziçishti, deponon aktivitetin e tij armiqësor gjatë kohës që ishte Sekretar i Parë i Partisë në rrethin e Korçës, krahas të tjerave, edhe në fushën e artit e të kulturës. “Emërimi im në detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë në rrethin e Korçës, u bë me ndërhyrjen e Mehmet Shehut, në mënyrë që të shtrihej në një spektër sa më të gjerë veprimtaria e ‘grupit tonë agjenturor në shërbim të zbulimeve të huaja’. Detyrat e mia përfshinin dobësimin e punës dhe rolit të Partisë, sabotimet në ekonomi, sabotimet në fushën e mbrojtjes, sabotimet në fushën e kulturës dhe aspekte të tjera. Në atë kohë, pas dënimit nga Enver Hoxha të dramës ‘Njollat e murrme’, vënë në skenë në Tiranë, në Korçë erdhën autorët e kësaj drame. Kështu, me porosi të Mehmet Shehut që ishte kryetari i grupit tonë, unë i mbajta afër dhe i ndihmova Fadil Paçramin, Todi Lubonjën e Minush Jeron. Qëllimi ishte t’u krijoja mundësi të vazhdonin më tej aktivitetin e tyre në këtë fushë, që ndihmonte dukshëm dhe objektivat që kishte grupi jonë i drejtuar nga Mehmet Shehu…” – deponoi mes të tjerave në këtë seancë Mihallaq Ziçishti…

Seanca e 24-t

Kryetari(Aranit Çela): –Bëjmë 30 minuta pushim. Pastaj vazhdojmë me sabotimet e punën armiqësore në fushën e kulturës, vazhdojmë me të pandehurin Mihallaq Ziçishti…

Mihallaq Ziçishti: –Një drejtim tjetër është për sa i përket çështjes së sabotimit në fushën ideologjike. Atje, në Korçë më dërguan Todi Lubonjën. Todi Lubonja ishte i njohur edhe dihej pozicioni i tij nga Mehmet Shehu dhe nga anëtarët e tjerë të grupit siç ka qenë edhe Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Fadil Paçrami, etj…

Tani, përsa i përket sabotimit në fushën ideologjike është që kjo puna ideologjike, la boshllëk në punën organizative. Puna organizative i la gjithashtu boshllëk të madh punës ideologjike. Çështja kryesore që desha të përmend në fushën ideologjike, është vënia në skenë e “Njollave të murrme”. Është zgjedhur nga Todi Lubonja, Fadil Paçrami, etj… Dhe u vu në skenë nga Mihallaq Luarasi. Kjo godiste vijën e Partisë. Me këtë konkurruan në Festivalin e 11-të, pra me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Atdheut dhe fituan çmimin e parë. Autori i kësaj drame ishte Minush Jera. Në mbrëmjen që u bë pasi morën çmimin e parë, midis të tjerave ishte Fadil Paçrami, Thoma Deliana, etj… Atje Mehmet Shehu e ngriti në qiell këtë dramë, e ngriti lart dramën “Njollat e murrme”.  Në atë mbrëmje që u bë, Mehmet Shehu tha:”Të merret shembull nga Thimio Shqerro, edhe nga regjisori! Me një fjalë, të merrej shembull nga puna armiqësore dhe sabotuese që ishte bërë në këtë drejtim.

Mirëpo, këtë dramë, pasi e pa Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë(Enver Hoxha), e hodhi poshtë. Kështu që, mes të tjerave, Mehmet Shehu që e ngriti në qiell këtë dramë, që e vlerësoi shumë atë, mbeti me gisht në gojë. Tani është ana tjetër, ç’duhet të bënim për të kompensuar këtë dështim që pësuam dhe që është bërë në mënyrë të organizuar. E theksoj, kurdoherë në kuadrin e grupit kundër revolucionar armiqësor, të kryesuar nga Mehmet Shehu, me rekomandim dhe të Todi Lubonjës. E theksoj, edhe këtu, kur ma rekomanduan Todi Lubonjën, më thanë se kush ishte. Por i thashë unë se nuk do të hapem me Todi Lubonjën. Domethënë, nuk do t’i hap pozicionin tim. Edhe nuk e hapa pozicionin tim para tij. Por unë e kam ndihmuar atë e shokët e tij. Me këtë, pra se e kam ndihmuar në veprimtarinë e tij, nuk dua të shfajësohem. Kështu që të vazhdoj dhe me punën në të ardhmen të grupit tonë.

Pas dështimit të dramës “Njollat e murrme”, me insistimin edhe nga lart të personave që thashë, që përmenda dhe me iniciativën e Todi Lubonjës, u vu në skenë një dramë tjetër e Minush Jeros. Sigurisht, kjo u bë dhe me ndihmën time. Mirëpo ky titulli që ju dha dramës (titulli nga autori), binte në sy. Kështu që u ndryshua titulli. U ndryshua titulli i dramës dhe ju vu “Të pamposhturit”. Edhe kjo ishte në kundërshtim me vijën e Partisë. Dhe me ndërhyrjen e Komitetit Qendror, u anulua pa u vënë në skenë. U vu në skenë në fakt në Korçë, por ata donin ta shpinin në Tiranë për bujë. Kështu qe kjo puna e këtyre që thashë më lart, në fushën e kulturës…

Për sa i përket çështjeve të tjera, atje në ekspertizë që është bërë për punën time në rrethin e Korçës, mua më duket se çështjet janë sqaruar drejt. Thuhen drejt, e unë jam dakord me ‘to. Në fushën ideologjike, për shembull është shkelja e kolegjialitetit, shkuarja i papërgatitur në mbledhje, krijimi i shtabeve në rrugë, që këtë rol ua ngarkonim organizatave bazë të Partisë, mos zbërthimi i direktivave, etj… Unë jam plotësisht dakord me to.

Për sa i takon mbrojtjes, edhe në këtë fushë, kam sabotuar. Por këtu, dua të theksoj një gjë. Siç dihet, ne ishim të parët që organizuam shkollat e lira ushtarake. Kjo shkoi në favor të ngritjes së personalitetit të Mehmet Shehut sepse në bazë të zbërthimit të tij, u bënë shkollat e lira. Dhe ne nuk e dinim se ai nuk kishte shkruar as një të tretën e udhëzimeve që kishte marrë nga Udhëheqësi i Partisë.

Kështu, edhe në këtë drejtim, me porosi të Mehmet Shehut i kam lënë dorë të lirë Bako Dervishit dhe Sadik Bekteshit për të vepruar në fusha të ndryshme.

Desha të theksoj se për të kontrolluar këtë punë, në zbatimin e detyrave që më ishin ngarkuar, erdhi Fiqret Shehu me studentët e shkollës “Vladimir Iliç Lenin”. Në bazë të porosive që kishte marrë nga Mehmet Shehu, ajo kontrolloi veprimtarinë time, bisedoi edhe me Todi Lubonjën. Mirëpo, meqenëse ajo e kishte lëshuar frerin, i thashë Fiqretit që të bisedonte me Todi Lubonjën se i thashë asaj që ‘unë nuk ju hapa’. I thashë Fiqretit që unë e kam ndihmuar Todin, por ajo t’i jepte porositë tona të grupit. I thashë gjithashtu Fiqretit që Todi Lubonja po e tepron zullumin, prandaj thërrite dhe këshilloje.

Pas ca kohe, Todi Lubonja u hoq nga Korça dhe u vendos në një detyrë tjetër të rëndësishme, u vendos drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit në Tiranë.

Dua të theksoj këtu që edhe shkolla e Partisë “Vladimir Iliç Lenin”  është përdorur për këtë rast që po flasim. Nuk di raste të tjera. Me sa kam dëgjuar, në shkollë është futur dhe broshura e Mehmet Shehut “Mbi Luftën Popullore”. Pra, në këtë kuadër, dua të theksoj atë që Fiqret Shehu, si armike dhe si anëtare e grupit tonë puçist të kryesuar nga Mehmet Shehu, në këtë rast, e ka përdorur edhe shkollën për qëllimet e organizatës…

Kryetari: –Ndonjë gjë lidhur me Durrësin?

Mihallaqi: –Tani lidhur me Durrësin. Në përgjithësi, edhe veprimtaria ime armiqësore në Durrës, në përgjithësi, është analog me atë të Korçës. Para se të dalë emërimi im për në Durrës më thërret Mehmet Shehu dhe më thotë se do të të çojmë në Durrës. I thashë se jam në moshë të madhe, ka probleme shumë ai rreth dhe është mirë që të çonin ndonjë tjetër. Por ai më tha se për detyrat tona si grup, unë duhet të shkoja në Durrës. Dhe pranova. “Çfarë kërkoj nga ti në Durrës! Unë kërkoj në Durrës fortifikimin, që Durrësi të luftojë në rrethim. E di ti”- më tha Mehmeti. E unë me të vajtur, këtë detyrë kisha të parën. Në kundërshtim me të gjitha rregullat, lashë të gjitha punët dhe u mora me këtë direktivë të Mehmet Shehut. Krijuam një ndërmarrje të veçantë, duke përdorur në përgjithësi materiale që i takonin shërbimit të popullit, për ndërtesat e banimit, e furnizimin e fshatit.

Kështu, vazhdoi në Durrës puna ime armiqësore në kuadër të detyrave të organizatës kundër revolucionare të kryesuar nga Mehmet Shehu, ku bënin pjesë dhe Kadri Hazbiu e këta të tjerët që janë sot këtu në gjyq. Kështu, në Durrës, unë isha një Mehmet Shehu në miniaturë. E kam vënë veten mbi Plenumin, mbi Byronë, mbi sekretariatin, kam ndryshuar orientime, kam ndërhyrë nëpër mbledhje për të organizuar ç’orientim, kam bërë mbledhje vend e pa vend, ditën e natën, nuk kam shkuar në mbledhjet e organizatës bazë të Partisë… Pas porosisë së Mehmet Shehut në 1981, objekt pune pata shmangien e drejtimit nga Partia në shumë fusha. Kam sabotuar gjithashtu dhe në industri, ku prodhonim vetëm 50% të mjeteve bujqësore, ndërsa prodhimet e tjera ishin jashtë planit e nevojës…

Tani, çështja e sabotimit që kam bërë në drejtim të Sigurimit të Shtetit… Unë jam plotësisht dakord me ekspertizën që është bërë. Ajo i vë pikat mbi ‘i’ në të gjitha drejtimet. Për shembull, në politikën e goditjes. Kemi shtrembëruar politikën e goditjes, ku në vend që të godisnim elementin armik, kemi goditur njerëz për agjitacion e propagandë dhe njerëz të cilët mund të shpëtoheshin…

Në këtë veprimtari, domethënë të poshtër që kemi bërë, është mbyllja e shkollës së Ministrisë së Punëve të Brendshme… Gjatë gjithë kohës që kam qenë unë, në saj të veprimtarisë sonë armiqësore si anëtarë të grupit puçist kundër revolucionar të kryesuar nga Mehmet Shehu, si unë dhe Kadri Hazbiu, kemi luftuar që të sabotohej puna e Sigurimit. Puna e Sigurimit nuk eci përpara, mbeti në atë kuadrat që ishte. Bile, edhe tani, ka bashkëpunëtorë të rekrutuar që në kohën për të cilën po flas unë…

Kryetari: –Keni ndonjë pyetje?

Llambi Peçini: –Kam.

Kryetari: –Hajde…

Llambi: –Për sabotim të vijës së Partisë, tha midis të tjerave edhe emrin tim. Si lidhet kjo, çfarë më atribuohet mua?

Mihallaqi:- Ua shpjegova, keni bërë ato që ua thashë… Një çështje tjetër që dua të theksoj. Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu dhe me Beqir Ballukun, kishin biseduar për kalimin e bregdetit, për sa i takon ruajtjes së kufirit, Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Këtë e keni bërë të tre në shtëpinë time. Nga ana tjetër Beqir Balluku thirri dhe përpunoi disa kuadro për këtë çështje, thirri Ndreko Rinon, Llambi Premtin e Halim Xhelon… Ramë dakord. Njoftuam Kadri Hazbiun që ishte në Sarandë. I shkrova Komandantit të Përgjithshëm për këtë. Ai (Enveri) mori në telefon Kadri Hazbiun në zyrë, ku isha dhe unë dhe i tha që jam dakord me propozimin e Mihallaqit, dokumenti është në Komitetin Qendror, po të doni shiheni…

Kryetari: –Ka pyetje?

Kadri Hazbiu: –Prapë lind pyetja, edhe armik ky Mihallaqi, e vjen e ankohet në zyrë… Qëndron kjo?

Mihallaqi: –Qëndron. Unë nuk jam armik i shkëputur nga ti. Unë jam armik ashtu siç je edhe ti. Kam vajtur dhe në kuadër pse bëhej fjalë, kishte bisedime. Prandaj kam vajtur, për të marrë masa. Kam vajtur në kuadër dhe për të mos u zbuluar puna e grupit tonë armiqësor, ku bënte pjesë edhe Kadri Hazbiu…

Kadriu: –Si ky armik e shpjegon që edhe armik e kolaborator me Mehmet Shehun dhe Beqir Ballukun, edhe ishte kundër për çështjen e organizimit të kufirit që e bëri problem edhe tek Komandanti i Përgjithshëm?

Mihallaqi: –Unë kam bërë edhe të tjera… Kemi pasur dhe kundërshtime, por këto gjithmonë në kuadër të detyrave që kishte grupi armiqësor dhe ruajtjes së tij, të mos binte në sy…

 

SOM 1

“Pasi e pa Enver Hoxha dramën ‘Njollat e murrme’, e hodhi poshtë. Kështu që, Mehmet Shehu që e ngriti në qiell këtë dramë, mbeti me gisht në gojë. Tani është ana tjetër, ç’duhet të bënim për të kompensuar këtë dështim që pësuam dhe që është bërë në mënyrë të organizuar. E theksoj, kurdoherë në kuadrin e grupit kundër revolucionar armiqësor, të kryesuar nga Mehmet Shehu, me rekomandim, dhe të Todi Lubonjës. Kur ma rekomanduan Todi Lubonjën, më thanë se kush ishte. Por i thashë unë se nuk do të hapem me Todi Lubonjën. Domethënë, nuk do t’i hap pozicionin tim armiqësor. Por unë e kam ndihmuar atë dhe shokët e tij. Kështu kontribuoja që të vazhdojë punën dhe grupi jonë armiqësor”

 

SOM 2

“Pasi dështoi drama ‘Njollat e murrme” me insistimin edhe nga lart të personave që përmenda dhe me iniciativën e Todi Lubonjës, u vu në skenë një dramë tjetër e Minush Jeros. Sigurisht, kjo u bë dhe me ndihmën time. Mirëpo ky titulli që ju dha dramës (titulli nga autori), binte në sy. Kështu që u ndryshua titulli dhe ju vu ‘Të pamposhturit’. Edhe kjo ishte në kundërshtim me vijën e Partisë. Dhe me ndërhyrjen e Komitetit Qendror, u anulua pa u vënë në skenë. U vu në skenë në fakt në Korçë, por ata donin ta shpinin në Tiranë për bujë. Kështu qe kjo puna armiqësore e këtyre që thashë më lart, në fushën e kulturës”

 

SOM 3

Për të kontrolluar si punoja unë për grupin armiqësor në Korçë, në zbatimin e detyrave që më ishin ngarkuar, erdhi Fiqret Shehu me studentët e shkollës ‘Vladimir Iliç Lenin’. Në bazë të porosive që kishte marrë nga Mehmet Shehu, ajo kontrolloi veprimtarinë time, bisedoi edhe me Todi Lubonjën. Mirëpo, meqenëse ajo e kishte lëshuar frerin, i thashë Fiqretit që të bisedonte me Todi Lubonjën dhe i thashë asaj që ‘unë nuk ju hapa’. I thashë Fiqretit që unë e kam ndihmuar Todin, por ajo t’i jepte porositë tona të grupit. I thashë Fiqretit që Todi Lubonja po e tepron zullumin, prandaj thërrite dhe këshilloje. Pas ca kohe, Todi Lubonja u hoq nga Korça dhe u vendos në një detyrë tjetër të rëndësishme, u vendos drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit në Tiranë”

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Akuzat ndaj të pandehurve Kadri Hazbiu, Llambi Peçini e Feçor Shehu lidhur me vrasjet pa gjyq dhe mbrojtjen e kriminelëve të lirë apo të dënuar nga drejtësia dhe mbrojtja e të pandehurve.

-Presionet e të akuzuarve Peçini ndaj familjeve të internuara. Rastet e Vera Ngjelës e Kozara Katit.

-Si i fshihte Llambi Peçini raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit për të fshehur gjurmët e aktivitetit armiqësor të ‘grupit agjenturor të vënë në shërbim të agjenturave të huaja’, kryesuar nga Mehmet Shehu.

Kujtim Boriçi February 3, 2013 10:11
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*