Mikeli nga Vlora – Piktori i madh shqiptar i shekujve XV-XVI

June 23, 2017 13:15

Mikeli nga Vlora – Piktori i madh shqiptar i shekujve XV-XVI

 

Nga Moikom Zeqo

I jam mirënjohës dr. Dora Katalanos, e cila në një letër të datës 26.10.1992 më kujton një zbulim të madh e tronditës. Në Itali janë të ruajtura pikturat e një artisti me origjinë shqiptare i mbiquajtur shkurt MIKELE NGA VLORA.

Kjo historiane italiane e artit më shkruan në letër se është e bindur se ky artist, përveç veprave që gjenden në Itali, duhet të ketë vepra që mund të zbulohen në Shqipëri, ndoshta në trevën jugore të Shqipërisë.

Dr. Dora më ka dërguar disa riprodhime bardhezi të tri veprave koloristike të piktor Mikelit.

Veprat janë ikona të madhësive të ndryshme të përcaktuara për mjediset kultike të kishave apo kapelave, ose dhe pallateve.

  1. Ikona e parë (ruhet në kishën “Madonadelle Grazie” në qytetin Xhulionezi (Guglionezi) paraqet Shën Marinë me Krishtin fëmijë në prehër.

Dy figurat janë futur në një sfond të kornizuar, si një brendësi dritareje, që kulmohet me tre gjysmërrathë të kompozuar të lidhur njëri me tjetrin në formën e një rozete (më saktë gjysmërozete).

Krishti i ulur në prehër të nënës majtas mban në dorën e majtë një libër të hapur me mbishkrime latinisht të karakterit psalmik, kurse dorën e djathtë e ka ngritur lart.

Moikom Zeqo

Fytyra e tij është sa e një fëmije aq dhe e një adoleshenti, pra, me një moshë që parakupton një rritje të shpejtë të profetit-piktori i largohet skemës së infantilizmit të shprehjes, duke na dhënë një metaforë pikturore të veçantë.

Maria nuk ka fytyrën e një ovali të zgjatur si në skemat e mirëfillta bizantine.

Ajo është një grua e bukur dhe ka një pikëllim të parakohshëm për kryqëzimin e ardhshëm të fëmijës së vet të shenjtë.

Dora e saj e majtë është e ngritur, si për të sinjalizuar botën për lindjen profetike, kurse me dorën e majtë ka kapur gjirin e zbuluar nga del si reze e një drite misterioze qumështi mëmësor prespektivisht.

Aureolat në kokat e të dyve janë të dekoruara, kurse drapëria e rrobave është plot lëvizje. Yjet tetëcepash spikatin në mbulesën e kokës së Marisë e në pjesën e poshtme të kompozimit.

  1. Ikona e dytë (ruhet në kishën “S.Maria Maggiore” – po në qytetin Xhulionezi) është e tipit ikonografik “Assunia”: Mban vitin 1505 dhe emrin e Mikelit të Vlorës. Kompozimi na jep Marinë duke u lutur, e rrethuar nga kerubinët, engjëjt dhe shenjtorët.
  2. Ikona e tretë (mban po vitin 1505 e emrin e Mikelit – ndodhet në muzeun e qytetit Akuila) tregon Marinë me Krishtin duke qëndruar në këmbë, anash saj dy shenjtorë, po në këmbë.

Ikona mbaron kulmuar me një trekëndësh figurativ, ku një kompozim me figura më të vogla subjekton vdekjen e Krishtit, midis dy Marive.

E tërë tabloja është krijuar sipas parimit të simultizmit, i subjekteve në kohë të ndryshme, d.m.th. paraqitet edhe Krishti fëmijë edhe Krishti në moshën e vdekjes kryqëzuese, përfundimtare, mesianike.

Dr. Dora Katalona shënon në letër se përveç ikonës në Akuila që është e publikuar, veprat e tjera të Mikelit janë të panjohura dhe se studiuesja në fjalë po përgatit një studim premierë për Mikelin shqiptar.

Duke i studiuar paraqitjet figurative, të skicuara verbalisht më sipër, le të themi diçka për artin dhe klasifikimin stilistik të krijimtarisë së Mikelit.

Veprat e datuara në vitin 1505 na lejojnë të mendojmë në mënyrë deduktive se Mikeli ka lindur të paktën nga gjysma e shekullit XV në Vlorë, ose në rrethinën vlonjate.

Këtu do të ketë kaluar fëmijërinë e do të ketë thithur konceptet pikturore të traditës bizantine të Shqipërisë së Jugut.

Më pas – nuk mund ta përcaktojmë vitin – Mikeli ka shkuar në Itali.

Arsyeja ka qenë e rëndësishme: pushtimi osman i Shqipërisë, si dhe i vetë Vlorës.Vite më vonë sulltani Sulejman Madhështori, i mbiquajtur edhe Kanunliu, erdhi vetë në Vlorë me shtabin e tij vigan ushtarak, për të vënë në jetë projektin e llahtarshëm të pushtimit të bregut italian duke kërcënuar tërë kulturën europiane rilindëse.

Mundet që Mikeli të ketë krijuar edhe në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XVI e të ketë vdekur në Itali. Duhen vëzhguar qimiteret e kishave italiane të Xhulionezit e të Akuilas, se mbase edhe mund t’i gjendet varri.

Arti i Mikelit është i fuqishëm dhe origjinal

Në të bashkëjetojnë dy tradita: ajo bizantine paleologe dhe arti madhështor rilindës evropian.

Ai ka krijuar një sintezë të veçantë.

Kështu, derisa arti bizantin realizon kompozimin në mënyrë shumë konvencionale e sipas parimit të disa subjekteve në kohë të ndryshme e njëkohësisht në një kohë (pra një ubikuitet pikturor – që buron nga parimi i njëkohësisë, ose i simultizmit, që e ka pasur edhe arti i vjetër egjiptian), arti i Mikelit e respekton këtë traditë vetëm si mendim, po jo si paraqitje materiale pikturore.

Mikeli e njeh parimin tjetër të perspektivës optike, çka mungon në artin bizantin, që realizohet me disa plane.

Vetë qumështi i Marisë i stilizuar si rrezet e dritës na jep perspektivën ashtu siç bën edhe Paolo Uçello, një piktor gjenial italian, bashkëkohës i Mikelit shqiptar.

Te arti i Mikelit gjejmë ndikimin e pikturës së rilindjes së hershme gotiko-italiane (shekulli XV) e konkretisht tipare të artit të Mozacos.

Po ta shikosh me vëmendje ikonën e Marisë, që ka anash dy shenjtorët, të kujton manierën e grafikës së Dyrerit, me realizimin e portreteve, të përmasave antike të trupave, me largimin nga dogmatizmi i figurave të gjata e asketike të pikturës bizantine lindore.

Sinteza artistike e Mikelit është sintezë e qytetërimeve pikturore të Lindjes dhe të Perëndimit.

Vlora ku është lindur Mikeli (me të cilin cilësim të origjinës mburret e jep identitetin e vet piktori), është një qerthull traditash të lashta antike e mesjetare të artit.

Nga Selenica e Vlorës është edhe piktori gjenial shqiptar Davidi, i shekullit XVIII, i cili ka lënë kryevepra të rangut ballkanik në Athos dhe në Voskopojë.

Në shekullin XV-XVI Mikeli si artist shqiptar nuk ka qenë i vetëm

Vite më parë kam shkruar për piktorin shqiptar Mark Bazaiti, i cili ka jetuar rreth viteve 1460-1530.

Ky është një piktor tipik rilindës i artit venecian.

Interesant nga pikëpamja historike apo edhe e artit është se në shekullin XVI në Shqipëri shkëlqen artisti vendës Onufri, i cili bëri një epokë të vërtetë. Po të krahasohet arti i Mikelit me të Onufrit, vihet re lehtë se konceptualisht Mikeli është më i përparuar, është më evropian. Megjithatë, vlera e Onufrit nuk pakësohet nga kjo gjë, sepse brenda një tradite shekullore bizantine shqiptare të artit Onufri krijon vepra të mrekullueshme e të paimitueshme nga askush. Mikeli është një motiv i shkëlqyer i potencialit kulturor e artistik të Shqipërisë në shekujt XV-XVI.

 

June 23, 2017 13:15
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*