Milionat e mjerimit!

Habjon Hasani August 17, 2013 12:10

Milionat e mjerimit!

3 milionë euro për …ndërgjegjësim, trajnim dhe…(?!)

 

Të drejtat e romëve, ishin kryefjala e medies dhe disa institucioneve në vend në dy javët e fundit. Çështja përfshiu shumë aktorë dhe ndezi shumë polemika e debate. Më pas, më datën 13 Gusht, Kreu i Delegacionit të BE-së në Tiranë Ettore Sequi, bëri një deklaratë, ku ndër të tjera, tha se institucioni që ai drejton, që prej vitit 2008 kishte financuar në një total prej 3 milionë eurosh, disa projekte për mbështetjen e komunitetit rom. Kjo ishte një deklaratë e rëndësishme. Duke marrë shkas, gazeta “DITA ”, iu drejtua në të njëjtën ditë Delegacionit duke kërkuar informacion në lidhje me këto fonde. Shuma prej 3 milionë euro ishte e konsiderueshme, një shifër ndaj së cilës nuk mund të qëndrosh indiferent. Në kërkesë gazeta këmbënguli që të kishte në dispozicion, sidomos detyrimet që OJF-të kishin marrë ndaj Delegacionit dhe ofertën e bërë nga OJF-të që kishin përfituar fondet, për të kuptuar se mbi çfarë prioritetesh konkrete dhe për çfarë synimesh konkrete ishin dhënë këto fonde. Pra gazeta në thelb kërkoi Auditin që Delegacioni i BE-së, u kishte bërë OJF-ve që kishin menaxhuar këtë fond prej 3 milionë euro. Në kërkesën e “DITA ”-s, synohej gjithashtu dhe lista emërore e drejtuesve të OJF-ve si dhe shuma përkatëse që këto OJF, kishin thithur. Përgjigja nga zyra e Delegacionit të BE-së, mbërriti dje në redaksi, në faqen përbri këtij shkrimi, kjo përgjigje botohet e plotë, në respekt të transparencës dhe informimit të publikut.

Auditi

Përgjigja e dhënë nga Delegacioni i BE-së, ofron objektivat kryesorë që kanë synuar projektet e financuara me një gjuhë të përgjithshme, mungonin ofertat financiare të bëra nga OJF-të në mënyrë rendore, konkrete dhe të specifikuar, pra mungonte shpjegimi financiar i kostos për njësi. Ndaj dhe gazeta ri-kontaktoi Delegacionin, duke u shprehur se kërkonte më tepër informacion në lidhje me produktin e punës që kishin bërë OJF-të, por nga zyra e Delegacionit përgjigja ishte se nuk kishte një Audit apo një monitorim të hollësishëm të punës së bërë nga këto OJF dhe se gjithë sa mund të kishim ishin të dhënat e dërguara. Është pak e çuditshme që një fond projektesh në shifrën e 3 milionë eurove nuk shoqërohet me një audit. Çfarë mund ta justifikojë këtë “besim” kaq të madh të BE-së në këto OJF , apo këtë indiferencë të këtij institucioni ndaj matjes së efiçencës dhe produktivitetit në shpenzimin e 3 milionë eurove? Mungesa e Auditit nga vetë institucioni që ka lëvruar fondet është rrethana e parë, le të themi “e çuditshme” në këtë histori. Por ka dhe më tej, nga 12 OJF që kanë përfituar këtë fond, PNUD-i ka marrë thelën e luanit, 1.5 milionë euro. PNUD-i i ka përfituar këto para për “Mbështetje për përfshirjen sociale të komunitetit rom dhe egjiptian”. Është e paqartë se si është konvertuar kjo mbështetje në terren dhe se çfarë rezultatesh konkrete ka dhënë por nuk kemi të drejtë ta paragjykojmë në kushtet kur ky mision i PNUD-it nuk është i audituar dhe në kushtet kur nuk kemi ende një evidentim të produktit nga vetë PNUD-i. Ajo çka të bie në sy është fakti se shumica e OJF-ve kanë përfituar fondet për projekte që synojnë ndërgjegjësim dhe trajnime. Po si matet ndërgjegjësimi? Me çfarë kuti? Me çfarë rezultatesh konkrete? Duhen vërtetë disa qindra mijëra euro për të bërë trajnime për rrobaqepës apo për zanate të tjera për këtë komunitet? Sa romë janë trajnuar dhe sa kushton trajnimi për njësi, ose trajnimi për një rom? Këto pyetje ende nuk kanë një përgjigje konkrete.

Dëbimet

Komuniteti rom herë pas here ka ardhur me urgjencë në vëmendjen e opinionit publik në tre vitet e fundit. Ka të paktën 4 raste vetëm në Tiranë, kur pronarë apo investitorë të ligjshëm, zhvillojnë dhe urbanizojnë terrene ku janë të vendosur romët dhe i zhvendosin ata duke i lënë në mes të diellit, shiut apo breshrit. Tirana po zgjerohet dhe po urbanizohet çdo ditë e më shumë, ndaj dhe zhvendosja e romëve nuk po na ofrohet më si një ngjarje e veçuar por po kthehet në fenomen. Në një fenomen alarmant mjerimi madje, pasi të mitur dhe familje të tëra nuk dinë ku të fusin kokën për javë apo muaj të tërë. Ky fenomen ka tri vite që konsumohet në mënyrë të përsëritur në Tiranë. Ndaj dhe duke qenë se ka gjasa që të ripërsëritet dhe në të tjera terrene që mund të urbanizohen, a nuk do ishte e udhës që të ndërtohej një qendër modeste e pritjes transitore të këtij komuniteti? Një qendër e thjeshtë me kapanone ose strehëza modeste sa për të siguruar që ky komunitet të fuste kokën disa muaj deri sa shteti të gjente një zgjidhje më afatgjatë. Kontaktuam ekspertë të vlerësimit të pasurive dhe të ndërtimit, për të kuptuar se sa do të kushtonte ndërtimi i strehëzave të tilla të afta për të pritur 80 familje rome, si qëndrim transitor. Kostoja që dhanë ekspertët për 80 strehëza ishte diku te 120 mijë deri në 150 mijë euro. Nëse marrim një mesatare kostoje prej 130 mijë euro për ndërtimin e një qendre pritëse të tillë, me 3 milionë euro do ishte mundësuar ndërtimi i të paktën 23 qendrave, që do të thotë se do të krijoheshin kapacitete të strehimit transitor për plot 1 mijë e 840 familje rome. Ishte thjesht një krahasim, meqenëse jemi tek tema e milionave, romëve dhe mjerimit.

 

 

 Pergjigja nga zyra e Komisionit Europian ne Tirane:

 

Informacion mbi mbështetjen e BE-së për komunitetin rom dhe egjiptian në Shqipëri

1. Një përmbledhje e projekteve dhe fondeve

Vitet e fundit Bashkimi Evropian i ka kushtuar vëmendje të veçantë integrimit social të komunitetit rom dhe egjiptian në të gjitha vendet e ndryshme të Ballkanit Perëndimor.

Përveç veprimtarive në nivel rajonal, Delegacioni i BE-së në Shqipëri ka mbështetur disa projekte me synimin e përgjithshëm të arritjes së progresit drejt përfshirjes sociale të këtyre komuniteteve.

Me një total prej 12 projektesh të zbatuara nga viti 2008 e në vazhdim, në Shqipëri janë investuar mbi 3 milion Euro. Dy nga këto projekte janë financuar përmes programit CARDS (Asistenca Komunitare për Rindërtim, Zhvillim dhe Stabilizim), tre projekte me fonde nga IPA (Instrumenti për Para-Aderimin) 2009, njëri përmes IPA 2011 dhe gjashtë projekte janë zbatuar përmes EIDHR (Instrumenti Evropian për Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut).

Përfituesit e fondeve zakonisht kanë qenë OJQ kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa në një rast projekti është zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

2. Synimi dhe Objektivat

Synimi i përgjithshëm i projekteve është përfshirja e romëve dhe egjiptianëve në jetën sociale të komuniteteve përmes shërbimeve arsimore, trajnimit profesional, rritjes së ndërgjegjësimit mbi të drejtat e njeriut, regjistrimit në gjendjen civile, aksesit në shërbimet sociale dhe përkujdesjes për fëmijët.

Objektivat specifike lidhen me fuqizimin social dhe ekonomik të komunitetit rom dhe egjiptian, nxitjen e barazisë gjinore në familje, nxitjen e punësimit për gratë, ngritjen e kapacitetit për mësuesit mbi arsimin përfshirës, integrimin e fëmijëve të rrugës, rritjen e pjesëmarrjes së komunitetit rom dhe egjiptian planifikimin vendor dhe projektet për zhvillimin e komunitetit.

Shpërndarja gjeografike e këtyre projekteve mbulon rajonet e Beratit, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Gjirokastrës, Korçës, Pogradecit, Sarandës, Shkodrës, Tiranës, Vlorës.

Lutemi gjeni më poshtë një tabelë që jep një përmbledhje të projekteve, përfituesve të granteve, afateve kohore të projekteve dhe fondeve.

3. Procedura për dhënien e granteve

Procedura për dhënien e granteve kryhet përmes Thirrjes për Propozime që njoftohet publikisht dhe rregullisht nga Komisioni Evropian (KE) dhe/ose Delegacioni i BE-së për përparësi të ndryshme që lidhen me përparësitë e vendit, përfshirë përfshirjen sociale të minoriteteve.

Propozimet përzgjidhen nga një Komision Vlerësimi i përbërë nga ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë si nga Komisioni, ashtu dhe të rekrutuar nga jashtë.

Përzgjedhja e propozimit bazohet në kritere specifike të përcaktuara në thirrje, ku përfshihen:

– Kapaciteti financiar dhe operativ i organizatës;

– Rëndësia e propozimit për objektivat e Thirrjes për Propozime;

– Prova se veprimtaritë e propozuara janë të përshtatshme, praktike dhe përputhen me objektivat dhe rezultatet e pritshme;

– Prova se rezultatet e projektit janë të qëndrueshme dhe buxheti i propozuar është me kosto efektive.

4. Përfundime dhe Rezultate

Përfundimet dhe rezultatet e ndërhyrjeve të shpjeguara më lart janë të një natyre komplekse dhe reflektojnë synimet e ndërhyrjeve, që janë ndërsektoriale dhe trajtojnë një gamë të nevojave të komunitetit rom dhe egjiptian. Ja një listë e rezultateve:

 Rritja e ndërgjegjësimit dhe informacionit mbi regjistrimin në gjendjen civile të fëmijëve romë dhe egjiptianë dhe mbi të drejtat e njeriut;

 Rritja e ndërgjegjësimit dhe përmirësimi i arsimimit të komunitetit rom dhe egjiptian me parimet themelore të barazisë gjinore në familje dhe shoqëri;

 

  • · Vlerësimi i gjendjes së të drejtave të njeriut në sistemin e paraburgimit në vend dhe paraqitje e rekomandimeve specifike për përmirësime për institucionet shtetërore.

Më poshtë jepen disa rezultate sasiore:

 131 fëmijë romë të moshës 5-6 vjeç kanë marrë pjesë në kurse alternative parashkollore përgatitore dhe cilësore para fillimit të shkollës;

 153 fëmijë romë të moshës 7-9 vjeç janë regjistruar në katër klasat e para të nivelit të shkollës fillore dhe ndihmohen për detyrat e shtëpisë;

 15 drejtorë shkollash, zëvendësdrejtorë dhe inspektorë arsimi kanë përmirësuar kapacitetet e tyre përmes Trajnimit të Trajnerëve në “Arsimi i bazuar në Përqasjen e Bazuar në të Drejtat e Njeriut dhe Arsimi Multikulturor”;

 120 mësues të shkollës fillore kanë forcuar kapacitetet e tyre në njohjen e arsimimit si e drejtë bazë e njeriut dhe janë të aftë të trajtojnë stereotipat;

 124 mësues të 7 shkollave në Tiranë, Fier dhe Pogradec kanë forcuar kapacitetet e tyre mbi arsimin ndërkulturor dhe përfshirës;

 Rreth 500 prindër romë janë ndërgjegjësuar për rëndësinë e arsimimit të fëmijëve të tyre dhe kanë përmirësuar qëndrimin kundrejt arsimimit të fëmijëve të tyre;

 Drejtoritë Arsimore, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe aktorët romë dhe jo-romë në fushën e arsimimit dhe integrimit të romëve kanë rënë dakord mbi idenë e krijimit të grupeve këshillimore për Drejtoritë Arsimore në çdo vendndodhje të projektit;

 103 fëmijë të rrezikuar janë regjistruar në klasa përgatitore dhe ndihmëse për shkrim e këndim në qendrën EDEN dhe në shkollën “Kol Jakova”;

 35 fëmijëve të rrezikuar dhe pjesëtarëve të tjerë të komunitetit në zonën e Bregut të Lumit u është siguruar asistencë në qendrën EDEN dhe asistencë referuese nga sigurues publikë dhe të shërbimeve, ndërsa 44 familje të pafavorizuara në zonën e projektit janë forcuar dhe janë bërë të aftë të mbrojnë dhe të kujdesen për fëmijët e tyre;

 738 fëmijë (366 vajza, 372 djem) të kontaktuar përmes punës në komunitet kanë përfituar nga dhënia e informacionit për aksesin në shërbimet publike, referimin, regjistrimin e lindjeve dhe asistencën shëndetësore;

 417 fëmijë (125 vajza, 292 djem) kanë përfituar drejtpërdrejt nga shërbimet dhe veprimtaritë e mbështetura nga qendra pr fëmijët e rrugës;

 433 prindër (255 gra, 178 burra) kanë përfituar nga sigurimi i shërbimeve dhe referimi;

 

  • · Janë trajnuar dhe kanë marrë njohuri mbi të drejtat e fëmijëve 40 profesionistë të institucioneve të shërbimit publik, sistemit arsimor, shërbimeve sociale dhe policisë;

 Romët dhe individë të mbajtur në burgje në 5 qarqe janë mbështetur me asistencë ligjore: janë trajtuar 275 çështje gjyqësore; 75 çështje administrative janë regjistruar dhe kanë përfunduar me sukses;

 150 punonjës/anëtarë të organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësues të OJQ-ve/shoqatave vendore dhe 184 administratorë vendorë janë trajnuar mbi metodat për rritjen e ndërgjegjësimit dhe aksesin e individëve në nevojë dhe komuniteteve në të drejtat e tyre ligjore;

 Janë organizuar 116 veprimtari për rritjen e ndërgjegjësimit për çështje si aksesi në shërbimet e ndihmës ekonomike dhe sociale, procedurat e regjistrimit të lindjeve, masat kundër dhunës në familje apo të drejtat e të miturve në procedimet penale.

 

 

(Tabela dhe informacione të detajuara i gjeni ne DITA print)

Habjon Hasani August 17, 2013 12:10
Komento

2 Komente

  1. theodor drajzer August 17, 12:36

    po vilen e ministrit te rinise dhe te gruas se tij qe u ben me parate e romeve pse se keni vendosur, po leket e lindes se edit , etj etj

    Reply to this comment
  2. TUSHI August 17, 14:04

    Duhen hetime prej tek kryekastravec berisha e deri tek punojsi ma i vogel i komunave te tan nen hetim

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*