Milionerët politikë qajnë e vajtojnë hallet e të varfërve

June 16, 2018 14:12

Milionerët politikë qajnë e vajtojnë hallet e të varfërve

Rexhep Qosja

Kosova e Re, shtet i lirë e i pavarur, por me sovranitet ende të gjymtuar, ka mjaft risi. Njëra prej këtyre risive të Kosovës së Re janë edhe milionerët e saj. Në mendjen time është krijuar pamja e dy lloj milionerëve të Kosovës së sotme: pamja e milionerit, të milionuar, domethënë të pasuruar, me djersë, me mund, me aftësi punuese e menaxhuese, në njërën anë, dhe pamja e milionerit të milionuar, të pasuruar turr, vrap, me punë politike, domethënë në sajë të pozitave politike, në të vërtetë duke shfrytëzuar e duke shpërdoruar pozitat politike e shtetërore!

Milionerët e llojit të dytë, të pasuruar në sajë të pozitave politike, janë temë çdo ditë e më e shpeshtë e bisedave, në të vërtetë ende më shpesh e pëshpëritjeve sesa e bisedave të hapëta të qytetarëve.

Dua të them disa fjalë për këtë milionerin tonë politik sjelljeharlisur, të pasuruar në mënyrë tragjikomike, në sajë të posteve politike e shtetërore!

Po i dëgjoj çdo ditë milionerët politikë duke qarë e vajtuar hallet e të varfërve.

Vajet e këtyre “humanistëve”, këtyre “shpirtmirëve “ politikë për të varfërit sot janë më të shpeshta dhe më të zëshme se para një viti!

Nuk e kuptoj plotësisht arsyen e këtij “njerëzillëku” të tyre!

Në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeverinë e Kosovës është shtuar numri i milionerëve politikë që qajnë hallet e të varfërve, kurse në Kosovë po shtohet çdo ditë e më shumë numri i të varfërve.

Në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës është shtuar numri i milionerëve politikë, që qajnë e vajtojnë hallet e të varfërve, kurse në Kosovë është shtuar numri i të rinjve e të rejave, që bëjnë çmos për të ikur prej atdheut të vet e për të gjetur shpëtim nga skamja në Evropë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, në Australi, në Zelandë të Re, në Turqi, në Japoni apo, madje, edhe në Korenë e Jugut.

Çfarë cinizmi tragjikomik përmban ai vajtim i milionerëve politikë e shtetërorë!

Milionerët tonë politikë, të pasuruar, krijuesit e fjalëve të reja do të mund të thoshin edhe të milionuar, në sajë të pozitave politike, që u janë dhuruar gjatë votimeve vendore a të përgjithshme, kur e kur edhe vendore dhe të përgjithshme, po i vajtojnë hallet e shtuara të të varfërve jo vetëm shpesh, jo vetëm me shumëkënd, por edhe shumëkund: në mbledhje partiake, në mbledhje jopartiake, në takime e konferenca të ndryshme, në biseda me gazetarët e televizioneve e të gazetave, me vendorë e të huaj, e, sidomos, në kuvendet komunale dhe në Kuvendin e Kosovës, por numri i të varfërve po shtohet me gjithë sasinë e madhe të lotëve të milionerëve!

Çfarë ironie përmban kjo shumësi tragjikomike lotësh!

Milionerët tanë politikë po ua qajnë hallet jo vetëm të varfërve të rinj po edhe të varfërve të vjetër, kurse vaji i tyre për varfërinë e të vjetërve e të vjetrave është më i lotpaktë. E kuptueshme: e dinë se s’do të vajtojnë gjatë për varfërinë e tyre!

Milionerët tanë politikë kohëve të fundit po qajnë hallin jo vetëm të të varfërve të të gjitha moshave, po edhe të të varfërve të të gjitha gjinive – të gjinisë mashkullore e të gjinisë femërore

Sa i gjithanshëm na është bërë “njerëzillëku” i milionerëve tanë politikë!

Milionerët tanë politikë po qajnë e vajtojnë hallet e të varfërve të të gjitha gjinive dhe të të gjitha moshave më së shpeshti duke qëruar hesape politike e partiake me kundërshtarët qoftë kur janë në opozitë, qoftë kur janë në pozitë! Dhe këta të opozitës na mësojnë se numri i të varfërve është shtuar, kurse vetë varfëria është thelluar prejse kjo, pozita, e ka marrë pushtetin, ndërsa këta të pozitës na mësojnë se numri i të varfërve është shtuar e varfëria në përgjithësi është thelluar në kohën kur kjo, opozita e tashme, ishte në pushtet!

Sa mirë e njohin, “historinë” e këtyre ditëve dhe sa shumë e duan të drejtën milionerët tanë politikë të pasuruar në mënyrë komike për ta, por gjithnjë tragjikomike për shtetin e Kosovës!

Milionerët tanë politikë, të milionuar në sajë të pozitave politike e shtetërore, që kishin dhe që vazhdojnë të kenë, po qajnë hallet e të varfërve të të gjitha gjinive e të të gjitha moshave, kurse, pa shikuar djathtas a majtas, po punësojnë të vetët: familjarët e vet, shokët e vet, miqtë e vet, puthadorësit dhe puthakëmbësit e vet pa marrë parasysh sa e meritojnë atë punësim ata!

Çfarë “njerëzillëku” duçe-ist përmbajnë vajtimet e milionerëve tanë politikë për të varfërit!

Milionerët tanë politikë po e vajtojnë gjendjen e të varfërve të Kosovës, kurse pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të familjarëve, të të afërmëve dhe të miqve të tyre po shtohen gjithnjë e më shumë dhe po shtohen në sajë të posteve dhe marifeteve të milionerëve tanë politikë!

Sa demokratike është politika familjare dhe farefisnore e milionerëve tanë politikë!

Milionerët tanë politikë vazhdojnë të qajnë hallet e të varfërve tanë, numri i të cilëve sado vjen e shtohet, kurse privilegjet e ndryshme, të shumëllojshme e të gjithkohshme të milionerëve po ashtu po shtohen dhe po shtohen në përpjesëtim të drejtë me shtimin e numrit të të varfërve!

Sa shumë i duan të drejtat e punëtorëve dhe sa shumë e duan shtetin social këta milionerët tanë politikë e shtetërorë!

Milionerët tanë politikë po qajnë zëshëm, gjithnjë e më zëshëm, hallet e të varfërve tanë, kurse shkëlqesitë e tyre dhe lartmadhëritë e tyre janë gjithnjë e më të shkëlqesishme dhe më të lartmadhërishme jo vetëm në Kosovë, jo vetëm në Kosovë e në Shqipëri, jo vetëm në Kosovë e në Maqedoni, jo vetëm në Kosovë e në Luginë të Preshevës, jo vetëm në Kosovë e në Mal të Zi, por edhe në një varg shtetesh të Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Sa tragjikomikisht përshtypjebërës është ky vajtim i milionerëve tanë politikë për të varfërit!

Milionerët tanë politikë, të milionuar në sajë të pozitave politike të cilat u janë dhuruar prej votuesve e ndonjëherë janë përvetësuar pa votime, po e qajnë hallin e të varfërve në njërën anë, kurse në anën tjetër po u shtohen punët e llojeve të ndryshme jo vetëm partiake, politike e shtetërore, por edhe arsimore, shkencore, turistike, me shkuarje e ardhje të shpeshta, kombëtare e ndërkombëtare, që u sjellin rroga, honorare, mëditje, çmime, përfitime ditore e gjatëkohore, që s’harrohen!

Sa tragjikomike, ironike, cinike, më shumë tragjike sesa komike, është demagogjia e milionerëve tanë politikë!

Deri kur të varfërit e Kosovës do të durojnë lotët e krokodilta të milionerëve politikë për gjendjen e tyre të mjeruar; deri kur do të durojnë lotët e krokodilta të milionerëve politikë të cilët postet politike e shtetërore i kanë përdorur e shpërdorur e kriminalizuar për t’u bërë vrap me miliona, me toka të reja, me shtëpi e pallate, me nga tri, katër, pesë banesa, me restorante, me pompa të benzinës, me vila ne bjeshkë e në bregdet, me lokale afariste, me vetura të shtrenjta, e me prona të tjera të ndryshme ende të paemërtuara! Nuk e di! Por, e di se shpejt, më shpejt se ç’ e mendoja, po bëhemi shoqëri politike në të cilën asgjë nuk është e turpshme përpos që të jesh i varfër, i varfër, dhe për shkak të varfërisë, i shpërfillur dhe i nënçmuar prej milionerëve politikë të pasuruar, të shumëmilionuar, në sajë të pozitave politike e shtetërore zhvatëse!

E interesi i qytetarëve të Kosovës, i të gjithë shqiptarëve, kudo qofshin ata, është që Kosova sa më parë të bëhet shtet demokratik, pa autoritarizmin që e mundon shumë sot, shtet demokratik me administratë publike të papartisuar, me gjyqësor vërtet të pavarur, që, përpos të tjerash, i mbron firmat private prej reketimeve e shantazhimeve nga njerëzit e pushtetit, që, përpos të tjerash, mbron statusin e pambrojtur të punëtorëve në këto firma, që me vendimet e veta komprometon lotët e rrejshëm të milionerëve politikë për të varfërit, që merr masa ligjore ndaj të zhyturve në konflikt interesi, që merr masa ndaj abuzuesve të tenderëve. E të tjera.

Është interes i qytetarëve të Kosovës, i shqiptarëve kudo qofshin ata, që edhe Kosova, si vendet vërtet demokratike, të ketë Ligj për prejardhjen e pasurisë, në sajë të të cilit do të hulumtohet sidomos pasuria e funksionarëve të lartë shtetërorë, duke përfshirë këtu, natyrisht, edhe kryetarin dhe kryeministrin. Dhe, si shtet me korrupsion pandemik, si e kanë theksuar sa e sa herë autoritetet e BE-së, të ketë edhe prokurorin e pavarur, i cili do të hulumtojë prejardhjen e asaj pasurie të funksionarëve të lartë, të “peshqve të mëdhenj” si i quajnë të varfërit dhe ndërkombëtarët oligarkët politikë të pasuruar, të milionuar, me poste të larta politike e shtetërore duke rjepur Kosovën!

Është interes i qytetarëve të Kosovës, i shqiptarëve kudo qofshin ata, që Kosova të bëhet shtet demokratik e sovran, në të cilin nuk do të ketë poltronizëm politik e shtetëror me pasoja kombëtare: shtet në të cilin nuk do t’u bëhet e mundshme atyre që po derdhin lotë të rrejshëm për të varfërit sot, që me poltronizmin e dëshmuar në vazhdimësi, dhe duke flijuar interesa kombëtare, të përfitojnë përkrahje ndërkombëtare për të vazhduar karrierën e tyre pushtetore tragjikomike eksploatuese!

Deri atëherë intelektualët që kanë mendjen për mendim të pavarur do të duhej të jenë me të varfërit e të varfër, të varfër për të cilët nuk vajtojnë milionerët politikë!

Ashtu intelektualët do të varfëroheshin materialisht, por do të ngriteshin shpirtërisht dhe moralisht!

Dhe, këtë ngritje shpirtërore e morale do ta shquanin e do ta dëshmonin edhe më shumë po të shkruanin romane, drama, monodrama me personazhe milionerë politikë e të varfër, përmes të cilëve do të paraqiteshin gjithë kundërshtitë tragjikomike në Kosovë sot.

Edhe milionerët politikë edhe të varfërit e Kosovës e dinë, besoj, se romane, drama, monodrama e vepra të tjera mos sot nesër për ta do të shkruhen.

June 16, 2018 14:12
Komento

14 Komente

  1. L.H June 16, 17:21

    SI NUK THE NJE FJALE PER FONDAMENTALIZMIN ISLAMIKO XHIDAHIST QE NE EMER TE ALLAHUT SHTYP POULLIN E KOSOVES E SHQIPERISE NGA PERDHUNUESIT E POLITIKES E KòLERIT TE 10 KOMANDAMENTEVE TE PERENDISE???????

    Reply to this comment
    • Mjerimi June 17, 11:46

      Burimi i te gjitha ketyre te keqiave eshte vetem sistemi politik qe u instalua ne Shiperi gjoja si me demokratik.
      Eshte shkrimi me konstatues dhe jo analitik qe ka bere i nderuaro Qosja deri me sot.
      Nuk duam ato qe i shohim vete,por pse ndodhin,kush eshte shkaku,fajtoret dhe si mund te rregullohen.
      Per mua as per 500 vjet nuk ndryshon gje per mire sa te jete ky sistem politik kriminal.

      Reply to this comment
  2. Po shtohet skamja dhe varferia e qytetareve shqiptar me injorancen e politikaneve oligark shqiptar. June 16, 17:58

    Duhet te shkatrohet sitemi i vjeteruar ekonomiko socia i bajraktareve politikane shqiptare, qe kane privatizuar te gjithe Shqiperine dhe bejn ligjin vetem per veten e tyre !
    Bajraktaret politikane shqiptre, po shkatrojne shqiptaret dhe Shqiperine ! Cdo mjerim krim korrupsion,vrasje, vetvrasje vjedhje prone, pasurie, publike dhe private, pra cdo e keqe, qe ndodh ne Republiken e Shqierise ka lidhje me Bajraktaret dhe cifligaret politikane shqiptar ! Keta jane dhe mafioz, dmth sundimi i tyre eshte NEPOTIK me lidhje te padukeshme me njeri tjeterin ! Pra nese nuk shkatrohet kjo kaste politike nuk arrihet asgje asnji prosperitet asnji integritet europian ! Bajraktaret politikane shqiptar kane krijuar nje kulture mashtrimi qe riciklohet ne cdo 4 vjet ! Premtojne dhe nuk realizojne asgje ! Per 27 vjet riciklohen te njetat probleme sociale shikoni median ne cdo sekond vetem leajme negative qe lidhen me njerzit e thjeshte qe kekrojne zgjidhje por zgjidhje nuk marrin ! Sepse bajraktaret politikane shqiptar vetem genjejne! 100 ra shqiptar kekojne ndihme tek gazetaret !!!! ankohen tek gazetaret !!! si ka mundesi qe eshte krijuar nje psikologji e tille qe te krijohet nje lloj sitemi ku gazetari eshte kthyer ne nje shenjtor qe shkon ne administrate dhe zgjidh problemin, ?!!! pse jo vet qytetari nuk degjohet ?!! Cpo ndodh ?!! mjerimi nuk kerkon meshire !

    Reply to this comment
  3. info analitike June 16, 18:11

    Po per mikun tend kriepsiko nuk kishe ndonje llaf? E pe show-un e tij te peshtire bashke me Samir Manen tek Fevziu? Po te kishin per zemer familjet e varfra keta nuk vidhnin si te babezitur qe me pas te shiteshin si bamires duke shperndare ndonje therrime nga megavjedhjet e bera. Pafytyresia e ketyra ka arritur kulmin.

    Reply to this comment
  4. Adih June 16, 19:46

    I nderuar Prof Qosja .
    Faleminderit per kete shkrim.Jane me se te verteta cfare shkruani. Me qe jam nga jugu i shqiperise ,me lejoni me gjithe zemer tju falenderoj nga njera ane Prof Qosja per patriotizmin dhe humanizmin tuaj ,dhe nga ana tjeter ,jazek i qofte I. Kadarese qe as edhe nje here nuk shkroi e nuk kritikoi ,per te ndihmuar sado pak ceshtjen mbare Shqiptare .Por me ipni rastin prof ,tju them se ne Shqiperi (jug ) eshte me tragjike gjendja se sa ne kosove dhe sa vjen dhe keqesohet .Ne ketej nga jugu kemi problemin e pronave qe eshte gllaberuar nga keta politikane ,te te gjitha “ngjyrave “Ku si Sali larqofti ashtu dhe Rama sot ,dridhet e perdridhet me gjithe se nuk ka shanc ,do gjoja ,ti cpronesoje me leket qe burojne nga komiteti Qendreor i PPSH ,kur pensioni mesatar kap rreth 80 euro ne muaj.Pse duhet une i nderuar prof te paguaje ne shekuj me taksat e mia , bile dhe niper e sterniper pa grabitur troje , pa shkelur ligjet ,por te paguaje per gangsteret hajdute qe kane vulen ne dore . . ???! Natyrisht nje gje dihet ,jemi edhe ne si popull vetfajtore .Pa pergjegjshmeria ka arritur kulmin Bile pa ironi do thoshja ,po te ronte Balzaku do shkruante romanin tragjiko komik me te bukur ne bote..Besoj i nderuar prof , Kosova pamvaresisht cfare shkruani dhe kritikoni me te drejte ,nuk eshte aq keq sa ne te shqiperise se jugut ,dhe pa frike them , se po tna lepije qeni i rrugeve pa zot ,ngordh .
    Ju lutem prof Qosja ,shkruani me shpesh ,kemi nevoje ne Shqiptaret ,per ekonomine qe po na i grabisin ,por mbi te gjitha te kuptojme e ta provojme te pakten nje here , cfare eshte dinjiteti ..
    Sinqerisht ,faleminderit e respekt pro Qosja .Ju uroj shendet ,per ju dhe per te miren e kombit.

    Reply to this comment
  5. Moisiu June 16, 20:00

    Te ashtuquajturit politikan qe kemi ne ne Shqiperi e Kosove i nderuari Prof.nuk i japin llogari popullit por padroneve te tyre diku tjeter.Ne kemi kohe qe e kemi humbur sovranitetin.

    Reply to this comment
  6. Arben June 16, 21:07

    Vertete jemi te varfer Po ama jemi

    POPULL TRIM DHE HEROIK.

    EDHE BAR HAME POR UDHEHEQJEN NUK E

    TRADHETOJME.

    RROFTE POPULLI SHQIPETAR TRIM DHE HEROIK

    Reply to this comment
  7. NNP June 16, 23:33

    Qosja dhe Kadarja lehin ndonjehere me te rralle sa ti kujtojne popullit se jane gjalle.Nuk e kputoj pse i quajne te medhenj /kur jane miq me maskarenj

    Reply to this comment
  8. Loni June 16, 23:44

    Prof.Rexhep Qosen e ndjejme qe eshte njeriu yne,njeriu,shkrimtari e mendimtari i popullit dhe kombit tone.Kurse per mesje kadarene nuk e kemi kete ndjesi,duket si gje e huaj e ftohte.

    Reply to this comment
  9. h June 17, 09:38

    Profesori është një intelektual i vertete që ka në zemër sinqerisht
    fatin e kombit dhe nuk ka frikë të demaskojë padrejtësitë.
    Jo si Kadareja që pranon çdo gjë pa hapur gojën vetën
    mos bëjë kundërshtarë që nuk blejnë librat e tij.
    INTELEKTUALI KA DETYRIME NDAJ POPULLIT
    MË SHUMË SE CILIDO POLITIKANT.
    Admirim dhe përulësi para kollosit Qosja.

    Reply to this comment
    • Mollosi June 17, 22:07

      Profesori nuk e thot qe edhe ai ishte nje perkrahes i madh i partise e cila me se shumti (sepse nuk ishte e vetmja) e vodhi dhe e shkretoi te mjeren Kosove.

      Reply to this comment
  10. Felix June 17, 11:19

    Kadareja ne France jeton me pensionin qe i ka lidhur sherbimi i fshehte francez si spiun ne kohen e Enver Hoxhes ne Shqiperi.

    Reply to this comment
  11. Mjerimi June 17, 11:49

    Burimi i te gjitha ketyre te keqiave eshte vetem sistemi politik qe u instalua ne Shiperi gjoja si me demokratik.
    Eshte shkrimi me konstatues dhe jo analitik qe ka bere i nderuaro Qosja deri me sot.
    Nuk duam ato qe i shohim vete,por pse ndodhin,kush eshte shkaku,fajtoret dhe si mund te rregullohen.
    Per mua as per 500 vjet nuk ndryshon gje per mire sa te jete ky sistem politik kriminal.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*