Milto Sotir-Gurra dhe proza e tij (1884-1972)

July 7, 2019 16:26

Milto Sotir-Gurra dhe proza e tij (1884-1972)

 Prof: Nasho Jorgaqi

Më 1908 24-vjeçari Milto Sotiri botoi në gazetën “Kombi” të shqiptarëve të Amerikës tregimin e tij të parë “Fyelli i fabrikës”. Ky ishte një tregim i thjeshtë , që bënte fjalë për jetën e punëtorëve shqiptarë në Amerikë, por që ka rëndësi, sepse shënon fillimin e një veprimtarie të gjatë patriotike-letrare prej më shumë se gjysmë shekulli të shkrimtarit veteran Milto-Sotir Gurra.

Shkrimtari Milto Sotir Gurra, hyri në letërsi në fillim të shekullit tonë, në prag të përpjekjeve të mëdha që bënte populli ynë për çlirimin e tij kombëtar. Në këto përpjekje fisnike, ai dha kontributin e tij si shkrimtar dhe publicist i palodhur. I brumosur në idetë patriotike të rilindasve, duke jetuar pranë interesave të popullit, pa u shkëputur nga problemet e kohës dhe ngjarjet e ditës, i ushqyer nga idealet humanitare të letërsisë së madhe ruse, ai u bë një militant i çështjes shqiptare dhe u njoh si njeri i pendës në shtypin dhe botimet e kohës. Milto Sotiri, ose Milto Sotir Gurra, siç njihet në letërsi lindi më 28 maj të vitit 1884 në fshatin Marjan të krahinës së Oparit. I ati, Ligori i shtyrë nga vështirësitë ekonomike, kish emigruar prej kohësh në Odesë të Rusisë. Kur Miltoja ish në moshën 5 vjeçare, familja u mbart nga fshati në Korçë. Këtu, ai mbaroi shkollën plotore të qytetit, ndërsa më vonë e tërhoqi i ati në Odesë, ku kreu shkollën e mesme. Në këtë kohë, nëpër kolonitë shqiptare, dhe veçanërisht në koloninë e shqiptarëve të Amerikës kish marr hov lëvizja patriotike e cila drejtohej, jo vetëm kundër turqve, që e mbanin vendin tonë prej shekujsh në robëri por edhe kundër shovinstëve grekë, që nën maska të ndryshme punonin në dëm të Shqipërisë. Për t’i ardhur në ndihmë lëvizjes për liri të popullit shqiptar filluan të ngrihen shoqëri patriotike dhe të dalin gazeta. Milto Sotiri, që sapo mbaroi  shkollën në Odesë, hidhet në Amerikë dhe bie në kontakt me këto përpjekje. Hyn punëtor në një fabrikë dhe, nga ana tjetër, vazhdon të punojë për çështjen e çlirimit të atdheut të largët. Së bashku me Fan Nolin e patriotë të tjerë lufton për shkëputjen e kishës shqiptare nga kisha greke.

Kur më 1908, në Amerikë shpërtheu një krizë e rëndë ekonomike dhe u mbyllën shumë fabrika, Milto Sotiri u kthye prapë në Rusi. Kësaj here nuk qëndroi këtu, sepse ishte koha kur u shpall Hyrjeti. Edhe ai, si shumë patriotë të tjerë, i shtyrë nga shpresa të vakta, shkon në Stamboll e pastaj në Korçë. Pikërisht në këtë kohë, ai nis aktivitetin letraro-publicistik: boton në kalendarin “Afërdita”, që drejtonte Cile Vretua artikullin e tij të parë “Kur do të kemi opera në Shqipëri?”, shkruan dramën “Nderi” që mbeti e pabotuar, boton tregimin e parë që përmendëm më lart, dhe nis të përkthejë vepra të vogla nga letërsia ruse. Më vonë ai e zgjeron aktivitetin e tij letrar duke botuar tregime të ndryshme nëpër gazeta dhe kalendare dhe vëllime më vete. Para shpalljes së pavarësisë, M.S. Gurra ishte redaktor i gazetës “Liria e Shqipërisë” në Sofie. Më vonë është një nga redaktorët e gazetës “Atdheu” në Shkodër.

Më 1914, kur fuqitë e mëdha vendosën të sjellin si mbret të Shqipërisë prinç Vidin, Milto Sotir-Gurra zgjidhet si delegat i kolonisë shqiptare të Odesës dhe dërgohet në Shqipëri. Por pas largimit të princ Vidit dhe me fillimin e Luftës së parë botërore ai kthehet për të fundit herë në Rusi. Këtu tashti shkruan tregimet dhe novelat e tij më të mira.

Kur triumfoi Revolucioni i Tetorit, ai ndodhet në Peterburg dhe bëhet dëshmitar i ngjarjeve të mëdha.

Me të mbaruar Lufta e parë botërore ai vjen në atdhe. Në Shqipëri, në këtë kohë ziente një luftë e madhe politike. Milto Sotir-Gurra merr pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe zgjidhet si sekretar i delegacionit shqiptar që mori pjesë në Konferencën e Paqes të Versajës.

Në vitin 1921, ai kthehet përfundimisht në Shqipëri. Vendoset në Korçë dhe vazhdon të merret me aktivitet letrar publicistik. Fillon e nxjerr revistën letrare-kulturale “Shkëndija”, revistën satirike “Zekthi” dhe bashkëpunon me organet e shtypit të kohës.

Ardhja në fuqi e mbretit Zog, pas luftës së ashpër politike që u zhvillua në vitet 20-të ishte një goditje e rëndë për forcat demokratike në Shqipëri. Ishte dhe një goditje për shkrimtarin patriot Milto Sotir-Gurra, që kish luftuar për një Shqipëri të përparuar.

Më vonë, me luftën nacional çlirimtare, të cilën e aprovoi dhe e përkrahu plotësisht. Në vitet nga çlirimi e këndej shkrimtari patriot, megjithëse në një moshë të thyer, i entuziazmuar nga transformimet e përparimet e Shqipërisë së re, punoi me zjarrin e një të riu i bindur se si po realizoheshin aspiratat për të çilat ëndërroi dhe luftoi gjatë gjithë jetës së tij.

F.S. Noli këtë gjë, do ta quajë privilegji që do t’i shkruajë shokut të tij të vjetër, më 1964. Ndërmjet tjerave, ai do t’i thotë:

“Që atëherë kohët kanë ndryshuar dhe kjo do të thotë se lufta juaj e gjatë ka pasur sukses. ajo ka patur më shumë suksese nga se e prisnim. Ne që të dy kemi patur fatin se kemi rrojtur gjatë sa për ta parë këtë. Sa shumë të tjerë nuk e gezuan këtë privilegj. Kështu, sidoqoftë, ne i përkasim grupit të fatlumëve… ”

Shkrimtari Milto Sotir Gurra ka një veprimtari letrare prej më shumë se gjysmë shekulli, krijimet e tij të para janë disa vjersha patriotike të shkruara në vitet 1901-1903, nëpërmjet të cilave ai bënte thirrje për luftë të armatosur kundër turqve dhe radhitej kështu me krahun e përparuar të rilindësve, më pas duke filluar nga viti 1908, shkrimtari patriot nis ë shkruan tregime dhe artikuj, të çilat i boton në shtypin shqiptar të kohës, si në gazetat “Kombi” “Dielli”, “Kalendari kombiar”, “Atdheu”, “Lira e Shqipërisë” etj. Në prag të shpalljes së pavarësisë dhe veçanërisht në vitet 1912-1920, i frymëzuar nga ngjarjet e kohës, ai zhvilloi një punë të frutshme letrare. Të kësaj periudhe janë dy vëllimet me tregime që boton në vitin 1911: “Goca e Malësisë” dhe “Rrëfenja”. Veç këtyre dy librave që ai shtyp në kolonin shqiptare të Sofies, boton edhe mjaft tregime me tematikë patriotike dhe shoqërore, të çilat i gjejmë nëpër revistat, gazetat e kalendarët, që dilnin brenda ose jashtë vendit. Duke filluar nga vitit 1921, shkrimtari ynë drejton në Korçë, për 3 vjet rresht revistën “Shkendija”, në të cilën boton shumë nga krijimet e veta. Bie në sy veçanërisht vëllimi i tij poetik që ai publikon në këtë revistë. Këtu, përveç krijimeve origjinale të autorit do të gjejmë edhe mjaft krijime nga letërsia ruse, si tregime të Gorkit, të Turgenjevit, vjersha të Pushkinit, Nikitinit. Puna e tij si përkthyes i parë dhe popullarizues i letërsisë së madhe ruse, shihet më mirë në vitin 1924,n kur përkthen tri dramat e A.S. Pushkinit, “Mocanti dhe Salieri”, “Kalorësi dorështrënguar” dhe ‘Rusalka”. Në këto vite Milto Sotir Gurra do të shkruajë në “Gazetën e Korçës” me dhjetëra skica letrare, nëpërmjet të cilave jepen mjaft aspekte të jetës shqiptare të asaj kohe. Në vitin 1925, ai përktheu komedinë “Fshatari zotni” të shkrimtarit danez L. Holberg. Punën e dobishme si përkthyes e zgjeron më shumë në vitin 1928, kur themelon “Bibliotekën e të Rinjve” dhe boton 6 broshura me tregime të Gorkit, Çehovit, Tolstoit etj.

Gjatë kësaj kohe, ai nuk lë pas krijimet origjinale dhe në vitin 1938, boton vëllimin me tregime “Plagët e Kurbetit” që u mirëprit nga lexuesit dhe shtypi. Disa vjet më vonë, në 1944, boton një vëllim tjetër me tregime: “Goca e Kaçanikut”. po në këtë vit drejton edhe revistën tërheqëse për fëmijë “Mituria”. Nuk po përmendim këtu shkrimet e tij për të vegjlit, artikujt publicistik, disa studime me karakter informativ mbi rilindasit tanë dhe veprat e përkthyera si: “Fajtorët pa faj” të A. Ostrovskit, tregime të M. Siberjakut etj.

Siç shihet edhe nga sa përshkruam më lart Milto Sotir Gurra ka një aktiv të gjerë letrar, aktiv ky që i ka sjellë dobi zhvillimit të letërsisë dhe kulturës sonë. Tregimet e tij të botuara në librat dhe në shtyp janë një pjesë  e krijimtarisë shumëvjeçare të shkrimtarit tonë. këto tregime të shkruara shumica në kohën kur vendosej fati i Shqipërisë, kur në sajë të një lufte të madhe atdheu ynë po rilindej pas 5 shekujsh robërie, janë një dëshmi e gjallë, që rrëfejnë për patriotizmin e shkrimtarit dhe ekzistencën e një letërsie që militonte në atë kohë për luftën e popullit. Tregimet megjithëse janë me tema të ndryshme prapësepranë ata i bashkon një ide e përbashkët  dhe kjo ide është dashuria për Shqipërinë  robëruar dhe urrejtja kundër shtypjes së huaj.

Në mes tyre ka tregime me tema patriotike, që pasqyrojnë pamje të ndryshme të luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve turq në fillim të shekullit të XX. Në pjesën e dytë “Plagët e kurbetit” hyjnë tregimet që flasin për të këqijat e mëdha që i ka sjellë kurbeti popullit tonë, kurse në pjesën e tretë “Plagët e zemrës” përmblidhen tregime me motive dashurie, të gërshetuara me ide patriotike dhe në pjesën e fundit “Të ndryshme” hyjnë tregime me subjekte të marra në përgjithësi nga jeta e rëndë e vegjëlisë shqiptare, pas shpalljes së pavarësisë.

Gjëja kryesore në këto tregime është fryma e shëndoshë që i përshkon. Kjo frymë e ka burimin në zjarrin patriotik, që kish ndezur lufta për çlirim në zemrat e popullit tonë. Atdheu dhe fati i tij-ja tema qendrore që kushtëzon fatin e heronjve dhe drejtimin e ngjarjeve pothuajse në të gjitha këto tregime.

Heronjtë e tregimeve të Milto Sotir Gurrës janë njerëz të thjeshtë, të dalë nga vegjëlia e fshatit dhe e qytetit, janë ata që i kanë kthyer krahët parësisë dhe kanë marrë përsipër , janë ata që i kanë kthyer krahët parësisë dhe kanë marrë përsipër çlirimin e vendit nga sundimi i huaj. Këta janë luftëtarët trima që mbushin çetat e lirisë, njerëzit që përhapin idetë e luftës për çlirim, që shpërndajnë ilegalisht libra dhe gazeta patriotike, që bëjnë sakrifica të panumërta, njerëz me zemër të madhe, që japin edhe jetën për kauzën e lirisë. Kështu p.sh, në tregimin “Ustai dhe çiraku” tregohet se si një çirak jep rrogën e tij të vogël për t’u pajtuar me një gazetë patriotike, kurse ustai i tij, një tregtar i pasur refuzon të ndihmoj dhe të pajtohet në gazetë. Por për një çirak patriot që punon fshehurazi në qytet për çetat e lirisë bën fjalë edhe tregimi “Dy mendimet”.

Tregimet mbi kurbetin janë faqe të dhimbshme të jetës sonë të kaluar, faqe që zbulojnë dramën e shumë familjeve shqiptare në të kaluarën.  Ato flasin për lotët e nënave e të nuseve të braktisura, për ndarjet pa shpresë, për rrugët e gjata që marrin kurbetllinjtë, për varfërinë e tyre, për mallin dhe pendesën, për kthimin e tyre pranë vatrës së gjymtuar fizikisht e shpirtërisht. Shkrimtari tregoi se realiteti i korruptuar i mërgimit i prishte jetën  e kurbetlinjve, i varfëronte e i damkonte shpirtërisht. Tregimet e kurbetit janë shkruar me ndjenjë sepse autori e ka marrë vetë disa herë rrugën e rëndë të mërgimit.

Tregimet që i përmblidhen në këtë vëllim, mund të tingëllojnë në kohën tonë pak si naive, sentimentalë dhe me tone didaktike. Është e natyrshme se, duke i parë këto tregime të shkruara shumë vjet përpara, me syrin e sotëm, do të gjejmë dobësi artistike, të çilat në përgjithësi i takojnë edhe prozës sonë të asaj kohe. Por kjo nuk na pengon të konstatojmë talentin e autorit, frymën patriotike dhe prirjen demokratike, vërtetësinë e disa figurave te goditura e mbi të gjitha fiksimin e jetës së vegjëlisë, mendimet dhe aspiratat e saj.

Shkrimtari M.S.-Gurra është një autor që zë vend të merituar në historinë e letërsisë sonë gjatë viteve të fundit të rilindjes dhe të pas rilindjes. Duke qenë bashkëkohës dhe shok ideje e pende i Nolit e i Gramenos, ai u përpoq që, nëpërmjet veprave të veta, të përhapë idetë e luftës për çlirim, të forcojë në popullin tonë ndërgjegjen kombëtare dhe të kontribuojë në lëvrimin e letërsisë shqipe.

Tregimet e Gurrës i japin lexuesit, sidomos të rinjve të njohë disa nga faqet e prozës sonë të kaluar që i pasqyroi përpjekjet kur rilindej Shqipëria, pas pesë shekujsh robërie.

July 7, 2019 16:26
Komento

2 Komente

  1. demo July 7, 21:36

    E kam takuar Milto Sotir Gurren ne 1964 ne Voskopoje,he pamvaresisht se isha gati femije,nuk me eshte dukur aq entusiast per transformimet dhe perparimet e Shqiperise socialiste,Tregonte histori te lezetcme per jeten e tij ne Amerike dhe ne Rusi..Per here te pare nga goja e ketij shkrimtari pa maske kam njohur portretin e vertete te Maxim Gorkit,qe xha Milto e kish njohur ne Odese.Nuk dua te prish atmosferen skematike,sterile prej dogmes te ketij artikulli te shkruar ne vitet 80,per textin e Historise se Letersise shqipe.

    Reply to this comment
  2. Buzuku July 8, 09:40

    ….me gjithese te birin e kishte edhe zv. Minister te lnd. e minierave, ishte nje nga njerezit ” madheshtor me shpirt te gjore .” Kur do mbarojne zhgenjimet tona shekullore?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*