Miltoni, Migjeni, Bahu dhe Faik Konica

July 28, 2018 09:13

Miltoni, Migjeni, Bahu dhe Faik Konica

Moikom Zeqo

 

Heshtja e muzave

Pak kohë (e pra koha është e pamatshme) para vdekjes së tij epifonike Migjeni shkroi një titull marramendës “I fundmi Skënderbe”, evokim kumbues i një epike ambikuide kalorsiake, u përzihet, përleshet vesku homerik dhe dilema servantesiane, ndoshta edhe floberiane.

Nën titullin e rëndë shënon rreshtat e shkurtër plot sarkazëm përjashtuese: “Ku janë sot orat dhe muzat? Shtojzovallet e zanat ku janë? S’po flitet ma për vallet e tyne që të shitojnë dhe të bajnë fatbardhë. S’po flitet ma…”

Retiçenca të ngjeth, t’i ngre flokët përpjetë për shkak të boshllëkut të frikshëm.

Askush s’mund ta dijë më në jetë të jetëve se ç’ka dashur të shkruajë Migjeni mbas këtyre rreshtave të trishtë dhe profetikë.

Vite më vonë (sa vite ? Kush dreqin e kronometron vrapin e Akilit me breshkën ?), George Steiner, erudit i frikshëm, dyshimtar i përjetshëm e shkroi essen « Lamtumira e Muzave » ku skalit në mbamëndje një ide të njëjtë me Migjenin, pa e njohur sigurisht Migjenin.

Ja ç’thotë Steiner : « Cili është vargu më i trishtë në poezinë angleze ? Ndofta është Nimfat e najadat nuk vallëzojnë më nga Arkadia e Miltonit.

Ai e shkroi këtë varg rreth viteve 1630/1632. Sa për ne, këto data përkojnë me kulmin e gjuhës dhe letërsisë angleze. Gjenitë Elisabetianë dhe Jakobinas qenë ende gjallë.

Çfarë mrekullish preheshin në pëllëmbët e poetëve metafizikë; Dryedeni sapo kish lindur.

Porse për Miltonin e ri, ndjesia e muzgut qe mëse e dukshme.

Më vonë, në parathënien lapidare të poemës së vet Samson Agonistes, Miltoni, përmjet një përfundimi të shëndoshë, do ta gjykonte Shekspirin se i qe afruar shumë madhështisë “së paafrueshme”, “të pashembullt” të tragjedisë greke.

Thelbi është mëse i qartë.

Nuk mund të gjendet as edhe një hop i vetëm në historinë e artit dhe letërsisë, ku ushtruesit dhe kritikët e këtyre arteve të mos kenë pikasur shenja të rënies, shpërbërjes dhe farën e vulgaritetit.

Kohë më kohë, prej Pindarit tek Valèry, prej zemërimit elegjiak të profetëve hebrenj tek Roja i natës i Spengler-it, çdo epokë është përpjekur të mbajë vesh lamtumirën e muzave, muzikën e trishtuar dhe të qetë të largimit të Herkulit tek Antoni dhe Kleopatra apo daljen e përbashkët të zotave dhe të hyjnores, të cilët bëhen Leitmotiv tek Holderlini.

Duket sikur një puls i memento mori rreh te çdokush dhe te çdo estetikë, tek secili dhe njëherësh te çdo brezni sado të dukshme të jenë arritjet e atypëratyshme të tyre.

Skllavi i pëshpërit në vesh pushtuesit romak, mu në orën e lavdishme të triumfit, “kujtohu, ti je i vdekshëm”.

Në çaste të ndërlikuara aluzionet e dekadencës, tëhuajsimit, të asaj dritës së vonë të perëndimit, janë bërë strategjike. Latinishtja e Argjendtë, letërsia dhe arti i fin de siecle, retrospektiva sarkastike e Dadasë, celebroi dhe trajtësoi parandjenjat e rënies prej së cilës ato vetë ngrihen.

Vargu i Emily Dickinson-it, “Ato mbrëmje të trurit”, sipas gjendjeve të ndryshme, ka përndjekur ndjeshmërinë perëndimore shumë kohë përpara zbulimit të vonë të Valery-së, se “të gjithë qytetërimet janë të vdekshme”.

Dhe vërtet, mundet që vajtime të tilla bëhen më bindëse, janë shprehur edhe më pa ngarkesë veçanërisht kur një kulturë, poetika e saj dhe dekretimet letrare janë në zenitet e veta.

Prej këtu, lutja obsesive u shpreh qartas që herët tek Jean Paul dhe Hajne, shumë kohë përpara vdekjes së Zotit tek Niçe apo dhe triumfalit dinak, sidomos të një Gotterdammerungu tek Vagneri.”

***

Vargu paramigjenian i Miltonit “Nimfat e najadat nuk vallëzojnë më”. është gati sibilin në shekullin XVII, por tërësisht cinik në shekullin XX. Migjeni padyshim nuk e ka lexuar kurrë këtë varg të ftillëzuar.

Nuk kishte arsye fare që ta lexonte.

Migjeni ndërkaq kishte shpallur për veten përvujtërisht (krenarisht) “se dhe pashë më pashë t’i bij Ferrit”, pra që luçiferriani i poezisë, pra me përputhje frymëzuese miltoniane. Përputhjet në të vërtetë janë hipotetike, pra virtuale.

Të tre: Miltoni, Migjeni, Steineri nuk e kanë njohur, as nuk kanë kontaktuar me njëri-tjetrin.

Në këtë ekuacion të çuditshëm koha dhe hapësira kanë krijuar përjashtime dhe ndarje të pamëshirshme.

Miltoni s’e ka lexuar as Steinerin, as Migjenin.

Steineri ka lexuar Miltonin, por jo Migjenin.

Migjeni s’ka lexuar as Miltonin, as Steinerin.

Si ka mundësi që simbolet e panjohura pa u përballuar vizualisht të mbartin megjithatë të njëjtin kumt misterioz (në fakt një apokalips ndaj misteriozes)?

Miltoni dhe Migjeni veç e veç dëshmojnë.

Steineri artikulon shpjegime të hajthme dhe paradoksale.

Steineri shfryn kaq shumë detaje mendore.

Ai shton pa shpoti apo hove hedoniste: “Mendimi dhe ndjenja europiane tanimë duhet të përballet lakuriq me një kushtëzim të paprecedent të vetmimit njerëzor.

***

Një kushtëzim ky që është përmbledhur shkurtazi në fjalët e Giorgio Agamben-it: “Mendimi bashkëkohor i është afruar atij kufiri, ku përtej të cilit një paveshje e re epokale-religjioze duket si e pamundur… asnjë figurë e re hyjnore, asnjë paracaktim historik nuk mund ta shmangë veten e vet prej gjuhës.

Në pikën ku ajo e shfaq veten absolutisht si në zanafillë të vet, gjuha përtërin poashtu edhe anonimatin e saj absolut.

Nuk ka më emër për emrin, nuk ka metagjuhë, as madje dhe në trajtën e një zëri të parëndësishëm.

Në qoftë se Zoti qe emri i gjuhës, “Zoti vdiq” mund të kuptojë vetëm se tanimë nuk ka një emër për gjuhën.

Ripërtëritja e plotë e gjuhës është një fjalë tërësisht e braktisur nga Zoti… Dhe kështu e gjejmë veten të vetëm mes fjalëve tona; për herë të parë ne gjendemi të veçuar me gjuhën tonë, të braktisur pa një taban përfundimtar… Veli që teologjia, ontologjia dhe psikologjia mbanin mbi fytyrën njerëzore tanimë është flakur tej…

Apo siç vëren Duchamp-i në vigjilje të atyre masakrave të Luftës së Parë Botërore: “C’est fini la peinture”.

Ne e shohim veten të vetëm me fjalët tona dhe ndër-determinimin e tyre postteologjik.

Marrëveshja e lashtë hebraiko-helenike midis fjalës dhe botës, midis Logosit dhe logjikës ka rënë.

Epoka jonë mund të jetë Rënia e Njeriut, edhe më drastike në pasoja se mëkati zanafillor.

Por edhe njëherë, kujtojmë Miltonin dhe “gëzimin e tij tragjik”, shumë kohë para Niçes, në një felix culpa, në një “gëzim të hidhur apo katastrofë.”

Formula sqimatare e Trinitetit e ka një ngjizje surreale me tre emrat: Milton, Migjen, Steiner, por kjo nuk shkakton as habitje, por as përkushtim, veç përkorje të kuptimshmërisë. Amen!

MITOLOGJI MUZIKORE

M.Z. – I dashur Konica, e kam zbuluar dikur në Durrës një mozaik të shekullit III me figurën e Orfeut, muzikantit mitologjik.

Një Orfe?

Muzika antike quhej hyjnore.

Megjithatë shqiptarët, populli i polifonisë së hatashme dhe të mbijetëshme nuk patën kompozitorë të mëdhenj.

As filozofë të mëdhenj.

Mbase muzika është forma akustike, tingullore e filozofisë.

Dëshmi fragmentare kemi patur.

Por vetëm kaq?

Ti ke shkruar për muzikën.

I ke rënë edhe veglave muzikore.

Je njohës i shkëlqyer i qytetërimit muzikor.

Sot shqiptarët nuk e kanë një të ngjashëm me ty, ndonëse kanë edhe muzikantë, instrumentistë dhe këngëtarë të shquar.

Ç’është për ju muzika?

Faik Konica: – Për ata që e kuptojnë dhe e duan me thellësi, muzika nuk është një qejf; është një fe.

Dëgjoni me kujdes dhe përmbledhje Preludin e parë të Sebastian Bachut, dhe do t’ju tronditet shpirti si prej një seri nga bota tjetër, nga një botë ideale dhe të panjohur, shumë të largme, po dhe shumë të afërme.

Janë tri nota që duket sikur përsëriten pa fund, po kanë kurdoherë një dritare të re.

Në ato të tri nota Bachu i ka lënë njerëzisë një mesazh të pavdekur.

Ç’kuptim ka? a na këshillon përuljen përpara fatit, dashurinë shpëtimtare nëpër ferrat e jetës, apo një qetësi fisnike në mes të furtunës?

Ndofta të gjitha bashkë.

Për ne, besnikët e muzikës, Preludi i parë i Bachut është lutja më e madhe e fesë sonë, që na lartëson dhe na forcon në luftët dhe në shëmtimet e jetës, ashtu si ju ndihin juve të krishterë dhe muhamedanë lutjet më të shenjtëruara të feve tuaja.

Po lutja jonë ka një fuqi bindëse që s’e kanë lutjet e tjera.

Kur dëgjon Preludin e Parë të Bachut të reveluar nga një dorë devote dhe të ditur nuk është punë një besnik i thellë i Muzikës të bëjë të keqen, – nuk është i zoti ta bëjë!

Beethoveni në tempo të parë të Sonatës që i ka dedikuar Gjulietta Guiccardit duket sikur i përgjigjet Preludit të Parë të Bachut: të dy themat kanë njëfarë prindësie.

Ndofta Beethoveni ka dashur të zgjidhë kuptimin e message-it të Bachut: në e ka dëshifruar, zbulimin e misterit e ka mbajtur për vete të tij.

Po duket se shpirti i tij ka marrë një ngushëllim të madh nga message-i: se në tempo të dytë të Sonatës përmentme, këndon me liri po jo pa mall, një shpresë plot dritë dhe bukuri.

Bach, Mozart, Beethoven, Schubert, Chopin, janë emrat e perëndishëm të atyre njerëzve të çuditshëm që flasin gjuhën e shpirtit dhe të qiellit, një gjuhë e përgjithshme që kuptohet prej të gjithëve, me pak durim dhe dashuri.

Palestrina flet një dialekt tepër të vjetruar që të merret vesh lehtë, edhe Haendel – është si pak larg prej nesh.

Wagneri është i theatres, jo i muzikës së kulluar, e cila s’ka nevojë për fjalë dhe shfaqet vetëm me anë instrumenteve.

Në Bryksel, në London, në Vjenë, në Romë, asnjeri s’ka qenë më besnik, më i rregullshëm se unë në koncertet sinfonike.

Mbaj mend njëherë në Vjenë, ku lufta kish pushuar dhe uria, influenca spanjolle, kryengritja, tri mallkime përnjëherësh, kishin mbuluar qytetin e Moxartit, të Bethovenit e të Schubertit: s’u mbajta dot, po u ngrita dhe shkova me një koncert ku jipjin Sinfoninë Heroike.

Hyra në sallë me atë të qëlluar të zemrës më të shpejtme, me atë nderim të frikësuar dhe të përulur, që ndiej kurdoherë kur hyj në një tempull të muzikës.

Salla ish e pangrohur, era akull, fort pak njerëz brenda dhe me kollë.

Mbase bëra një marrëzi që vajta.

Po jo, se kur dolla andej, isha më i ngushëlluar dhe më i fortë për të duruar.

The slings and arrows of outrageous fortune.

M.Z.: – Shakespeare në veprën e tij “Vuajtje të kota dashurie” e ka një temë muzikore prej 6 notash, ndoshta ndikuar nga muzika e një mikut të tij kompozitor të kohës.

Faik Konica: – Më i madhi poet i gjithë kohërave, Shakespeare-i, ka folur për muzikën dendur, dhe në një mënyrë që shfaq adhurimin e tij për artin e perëndishmë. Music of hath such a charm. To make bad good and good provoke to harm, – thotë Frati në “Measure for Measure” (IV.1): Muzika shpesh ka një tërheqje magjike që të ligën e bën të mirë, dhe të mirën e shtyn tek e keqja”.

Ne “Tuwlfth Night or what you will” posa ngrihet perdja, na tregon Dukën e Ilirisë që dëgjon një muzikë të ëmbël, i dalldisur në mejtime dhe kërkon përsëri avazin që dëgjoi dhe ia do shpirti: “Më erdhi në vesh”, – thotë, – “posi zëri i ëmbël që merr frymë në një shesh manushaqesh”:

That strain again! it had a dying fall:

O! it came o’er my ear like the sweet sound

That breathes upon a bank of violets.

Po gjërat më të bukura për muzikën, Shakespeare-i i ka shkruar në “Merchant of Venice” (Akt V skena 1):

… I am never merry when I hear sweet music, – thotë Jessika. “Sjam kurrë e gëzuar kur dëgjoj muzikë të ëmbël.”

I dashuri i saj shpjegon këtë vrojtësi që sjell muzika me thellësinë e ndjenjave që zgjon në fund të shpirtit.

Shiko, thotë, një tufë kuajsh të rinj e të egër, që lozin, hidhen: “Në rastistë të dëgjojnë zërin e një trumbete a në u ngaftë veshët një erë muzike, do t’i shohësh të qëndrojnë të gjithë bashkë, sytë e egër të tyre do të ndërrohen e do të zbuten nga fuqia e ëmbël e muzikës:

If they but perchánce a trumpet sound

Or any air of music touch their ears

You shall perceive them make e mutuel stand,

Their savage eyes turn ‘dto a modest gaze

By the sweet power of music.

Këtu pastaj vijnë vjershat klasike të pavdekura, që janë në buzë dhe në shpirt të çdo njeriu që do Shakespeare-in dhe muzikën:

The man that hath no music in himself,

No is not mov’d with concord of sweet sound

Is fit for treasons, stratagems, and spoils,

The motions of his spirit are dull as night,

And his affections dark as Erebus:

Let no such man be trusted.

Dale të përpiqemi se mos gjejmë një përkthim shqip të rithmuar afro si në tekst për këto bukurira:

Ai njeri që s’ka muzikë mu në shpirt

Dhe që bashkim i ëmbël’i i zërave nuk e trondit

Ësht’ i pabesë dhe gati për gracka dhe plaçkitje

Lëvizj’ e mendjes tij si nata ësht’ e ngrysur

Edhe ndjenjat i ka t’errëta si Erebi :

Të mos i zini besë një t’atilli.

M.Z.: – Ah, Shakespeare!

Çudi e çudirave!

Po lexoj një libër të anglezit H.N.Breilsford, mik i kombit shqiptar.

Ai shkruan për ty Konica: “një dijetar dhe studiues, njohuritë e të cilit në filologji janë po aq të shënuara sa dhe toleranca dhe qartësia e tij në politikë.”

 Faik Konica: – Po e kam njohur.

M.Z.: – Ja ç’shton më tej ky H.N.Breilsfordi: “mendoj për një burrë të zbehtë, me pamje studiuesi, i cili menjëherë m’u prezantua.

 Pas një bisede të shkurtër, të bërë prej tij në një frëngjishte të përsosur në imtësi, ai befas më pyeti: “A mos jeni nga pasardhësit e Jozef Breilsfordit, i cili ka kompozuar muzikë dhome në fillim të shekullit XVIII?”

 Në të vërtetë unë jam ndër ata, që madje ndër studiuesit profesionistë të muzikës në Angli, që nuk kisha takuar absolutisht asnjë njeri tjetër që të kishte dëgjuar dhe folur për këtë kompozitor të vjetër dhe të harruar.

 Këtë shqiptar njohës të muzikës, madje dhe muzikant me pasion për vepra të shekullit XVIII, filolog gjithashtu i shquar, që dinte gotishten dhe sanskrishten, ashtu siç dinte frëngjishten, gjermanishten, italishten dhe gjithë gjuhët e Ballkanit, studiues të historisë, që prej kohësh po nxirrte prej dheut një thesar të tërë zbulimesh rreth historisë së papërpunuar të Shqipërisë së vjetër, këtë shqiptar të lindur në një fshat të egër të Pindit e çmova dhe e vura në rradhët e njeriut më të ditur nga të gjithë miqtë e mi.”

Faik Konica: – Më duket se e ka tepruar pak.

M.Z.: – Aspak!

July 28, 2018 09:13
Komento

5 Komente

  1. Je Unik Moikom Zeqo ,gjithmon i nderuar qofshe ... July 28, 11:03

    Rrespekt ,
    i nderuar Moikom ,

    shpesh her kemi rene ne trishtim ,
    perball asaj gjendje te mjere te Letersise Shqiptare ,
    sidomos mbas Apokalispit Demokratike , ku gjithcka
    pothuaj se pushoj se jetuari ,cdo lule ne Kopeshtin
    e bukur te Letersise ,pothuaj u venit ,u tha ,si edhe jeta e asaj shoqerie ,se ciles i mungonte gjithecka edhe pse , ne ate shkretetire te Letersise kishte edhe
    Oaze te vetmuar (forume Web.site-sh) ,ku mundet te gjeje vehen ,preheshe dhe enderroje , te merrje frym dhe frymezoheshe deri diku me ate shfaqje te Muze-s ne ate Mirazhe te nxhete te Shkretetires e cila te ngjante me nji ender ; por qe na mbanin ne Jete !
    Dhe Brenda asaj endre ne ate Oaze , mendoje ;

    Oh Zot :
    Kur do vij ai Shperthim i merituar ,

    ne kte shoqeri ,ne Boten time ,

    nga ai terr/erresire rrethuar ?!

    Por ja, ata qe e kan shpirt pasionin mbi Letersine ,
    kujdesen qe trendafilat ne ate Kopesht Magjike te lulezojne e mos thahen kurre edhe ne kohe thatesirash te medha qe jorrall here ,pllakosin shoqerite njerezore , njerezimin .

    Goja ushqehet me buke , shqisat me ate terheqe mbas te bukures ,kenaqsise ,aromes se asaj qe na rrethon ,e shpirti me Artin ,Letersine ,Muziken ,pa te cilen jeta eshte nji torture ,e padrejt ,e trishtushme .
    Perse e duam ne Njerezit Arti-n / Letersine ,tregimin
    Poezine , dashurin ?

    Jo vetem te qetesojme ate zjarre qe thell ne shpirtin
    njerezore djeg ,por per ti bere te dukeshme njeriut ,
    ato ndjenja te bukura fisnike ,qe fshihen Brenda tij …

    Jeni duke bere nji pune shume te cmuar ne ndihme
    te Letersise Shqiptare ,qe padyshime do leri gjurme ne Historine e Letersise Shqiptare , duke mbajtur gjalle ate flake te saj ,per gjithe artedashesit ,letersise ,per qytetaret e vertete te atij vendi ,shoqerise shqiptare ,pa te cilen
    s’mundet te exzistoje nji Kulture e vertete ,s’mundet
    te exzistoje me Shoqeri Qytetare .

    Edhe njiher rrespekt i Nderuari Moikom .

    Reply to this comment
  2. Arben July 28, 17:00

    E keni parasysh te qeshuren e Kocit, tek teto Ollga.

    Mua, mua, mua, muaaahahahhahahahhah.

    Reply to this comment
  3. Plaku Xhuxhumaku July 29, 18:12

    Supe me zarzavate.

    Reply to this comment
  4. kondi July 30, 09:11

    Zoti ju bekofte i nderuar Moikom,

    ju falenderoj nga zemra per artikujt tuaj me vlera shpirterore qe na mbushin zemren me shprese ne emigranteve se vendi yne ka shprese dhe Zoti nuk e ka braktisur . shendet e jete tegjate. respekte, kondi.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*