Minella Papakostandini, një jetë në shërbim të energjisë

May 13, 2018 10:46

Minella Papakostandini, një jetë në shërbim të energjisë

 

Në qytetin e Usterit të shtetit të Massachusetts në Amerikë, vetëm disa kilometra larg Bostonit i zhytur mes shkrimeve të librit të tij të ri auto-biografik “Një Jetë e Trazuar” dhe pikturave të punuara prej tij jeton njëri nga pionierët dhe inxhinieri i njohur në fushën e ndërtimit të veprave të mëdha energjetike 86 vjeçari, Minella Papakostandini.

Minella lindi në gusht të vitit 1932 në një familje intelektualësh, i ati Pandeliu ishte inxhinieri i pare i pyjeve në Shqipëri dhe krijuesi i plazhit të Divjakës në vitet e qeverisë së Zogut. Martohet në vitin 1961 me të dashurën e zemrës Titina Dhonato (vajza e patriotit dhe atdhetarit të shquar përmetar Llaqi Mandi Dhonato, i famshëm për shkrimin në gazetën Mbrojtja Kombëtare, botuar në Vlorë në vitin 1921 ku thoshte: që nga të pa ngrënët vdesin 20-30 shpirta, por nga padituria vdes një mëmëdhe i gjithi. Unë do të ndihmoj sa të mundem dhe në mos paça do të shes xhaketën time deri sa të ndërtohet dhe çelur shkolla shqipe), që ka pasur një influencë pozitive në jetën e tij dhe që prej 60 vjetësh vazhdojnë të jetojnë së bashku mes dashurisë së fëmijëve, nipërave, mbesave dhe së shpejti stërmbesës së parë.

Minella mbasi mbaroi gjimnazin në qytetin e Durrësit në vitin 1951 dhe Institutin e Lartë Politeknik i porsa hapur, dega elektrike dhe diplomohet në vitin 1955. Minella fillimisht punon në ndërmarrjen  “Hidroelektro” me qendër në fshatin Ulëz me detyrë k/energjetik. Atë kohë punohej në “rrugën e dritës” Milot – Ulëz (deri te shkëmbi i Shkopetit) dhe intensivisht, në pjesën pas shkëmbit të Shkopetit deri në Ulëz dhe në devijimin e lumit Mat, në qendër të Ulzës, për të vazhduar punimet në digën beton-arme të hidrocentralit të parë të këtij lloji në Shqipëri. Në vazhdim të punës në hidrocentral, k/inxhinierit të ri i ngarkohet edhe detyra e përgjegjësit teknik në kantierin e “Ndërtim –montimit të sistemit unik elektrik për Shqipërinë” me qendër në Tiranë, në fushën pranë stacionit të vjetër hekurudhor, emërtuar shkurt më pas Tensioni i Lartë.

Nga fundi i vitit 1955, filloi ndërtim-montimi i nënstacionit elektrik 110/35/6 Kilovolt, pranë qytetit të nxënësve, në krahun e majtë të rrugës Tiranë-Kombinat, si edhe linja elektrike e tensionit të lartë 110 Kv me shtylla metalike, me drejtim dhe destinacion të fundit, në nënstacionin elektrik në qytetin e Cërrikut, pranë rafinerisë së naftës në ndërtim e sipër. Vështirësitë teknike, pothuajse gjatë të gjithë rrugës së Krrabës, me një terren jashtëzakonisht të thyer dhe pa eksperiencë, zgjidheshin vetëm nëpërmjet librave, të cilat Minella i merrte në bibliotekë. Një brigadë tjetër me punëtorë dhe montatorë, punonte në linjën elektrike të tensionit të lartë, në drejtim të qytetit Stalin (Kuçovë) si edhe një brigadë tjetër në nënstacionin 110/35/6 Kv po aty. Afërsisht çdo 10 ditë Minella shkonte në Ulëz dhe raportonte ecurinë e punimeve, ngarkuar kantierit në Tiranë. Punohej me një vrull dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.

Në fillim të vitit 1957, Minella thirret në Ulëz, ku vazhdon të punojë me brigadat e montimit brenda digës, në sallën e komandës, sallën e gjeneratorëve dhe ambientet ku ishin vendosur hidroturbinat. Me montatorët punonte edhe vetë. Jashtë digës, një brigadë punonte në nënstacionin 110/35/6 Kv dhe në linjën elektrike të tensionit të lartë drejt nënstacionit të Tiranës. Në 12 tetor të vitit 1958 mikrosistemi energjetik: Hidrocentrali në Ulëz, nënstacioni elektrik në Tiranë, nënstacioni në Cërrik, nënstacioni në Kuçovë (me hidrocentralin në Selite, termocentralin në Tiranë, termocentralin në Cërrik, dhe termocentralin në Kuçovë, ekzistuese) ishin të gatshme që të punonin në sistem. Në 16 tetor hidrocentrali i Ulzës u lidh me rrjetin elektrik të tensionit të lartë të mikrosistemit. Në fillim të vitit 1959, ndërmarrja hidroelektro transferohet në qytetin e Durrësit dhe me vendim Qeverie,  në fund të po atij viti, shpërbëhet në katër ndërmarrje :

– Ndërmarrja e “Ndërtim-montimit të sistemit unik elektrik të Shqipërisë”.

– Ndërmarrja e hidrocentralit në Shkopet.

– Ndërmarrja e hidrocentralit në Bistricë.

-Ndërmarrja e portit detar në Durrës.

Në ndërmarrjen e Tensionit të Lartë Minella u emërua k/inxhinier (i pari). Menjëherë krahas detyrave të realizimit të planit në lekë dhe objekte, u ndanë detyrat për degët e ndërmarrjes: Riorganizimi i ofiçinës mekanike dhe transportit. Riorganizimi i bazës së montimit dhe saldimit të shtyllave metalike dhe ndarja e re në administratë. Sektorët në Laç, Fier dhe Elbasan u kthyen në kantiere me drejtorë dhe k/inxhinierë, personel tekniko-administrativ dhe specialistë për nënstacionet dhe linjat elektrike të tensioneve të larta. Vështirësitë ishin të mëdha. Montatorët punonin në dimër në shi, erës dhe borës, poshtë dhe sipër në shtyllat metalike me lartësi 25-30 metra, ne verë nën diellin përvëlues dhe prekje të metalit të tejnxehur.

Një rast shumë i veçantë nga shumica e rasteve të veçanta:

Në kalimin e lumit të Drinit, për linjën elektrike të tensionit të larte 110 Kv që do të furnizonte nënstacionin e qytetit të Shkodrës dhe ndërmarrjen e Vaut të Dejës, sipas projektit duhet të ngriheshin dy shtylla metalike të larta 54 metra dhe peshë 18 ton. Literatura për këto lloj shtyllash, të detyruara nga terreni, rekomandonte ngritjen e tyre element pas elementi, me kosto të larte dhe një kohë relativisht të gjatë. Minella i ndihmuar dhe nga kryetari i degës teknike të ndërmarrjes, përgatitën një projekt të hollësishëm për ngritjen e shtyllës së parë të montuar përfundimisht në tokë. Ishte një iniciativë e rrezikshme, por e nevojshme për të respektuar grafikun e përfundimit të linjës. Drejtoria e hidrocentraleve në Ministrinë e Ndërtimit, pas shumë diskutimesh, më në fund e pranuan variantin e propozuar të ngritjes së shtyllës. U bënë me hollësi të gjitha llogaritjet: E tubave ngritëse metalike ndihmëse në forme “V” mbrapsht, u siguruan tre lloje të polispaseve (karukullave), kavot (litarët e çelikut) për tërheqjen dhe mbajtjen në ekuilibër të shtyllës gjatë ngritjes, nëpërmjet dy traktorëve tip stalinec në tërheqje dhe tre traktorëve në mbajtje mbrapa dhe anash dhe çdo gjë tjetër e nevojshme. Ngritja kërkonte një saktësi maksimale në lëvizjen e pesë traktorëve, e cila u realizua nëpërmjet flamurëve me ngjyra, për lëvizjen përpara dhe lëvizjet e traktorëve prapa dhe anash. Gjate montimit dhe ngritjes së shtyllës, morën pjese dhe Ministri i Ndërtimit dhe zv/kryeministri i cili mbulonte sektorin e ndërtimeve. Për kureshtjen e të gjithëve, me një organizim të përsosur në komandimin e pesë traktorëve, shtylla u ngrit pa asnjë incident. Ishte një sukses i merituar, që bëri të mundur në kohë furnizimin e nënstacionit të qytetit të Shkodrës dhe hyrjen e hidrocentralit të Vaut të Dejës në sistemin energjëtik, tashmë të formatizuar. Shokët, kolegët dhe heronjtë e heshtur flasin me respekt dhe admirim per njeri- tjetrin.

Emin Musliu thotë për Minellën: Nga viti 1961 u prodhuan të gjitha shtyllat dhe konstruksionet metalike të nënstacioneve. U ndërtuan të gjitha linjat e tensionit të lartë dhe nënstacionet nga Ndërmarrja e Tensionit të Lartë! Kryeinxhinier i kësaj ndërmarrje që nga fillimi ishte ing. Minella Papakostandini, i cili ka dhënë një kontribut të shkëlqyer në këtë fushë. Gjatë gjithë këtyre viteve deri sot, asnjë nga linjat e tensionit të lartë por dhe nënstacionet nuk kanë pësuar asnjë dëmtim! Është për t’u theksuar që ndërmjet institutit të projektimit dhe ndërmarrjes së montimit drejtuar nga ing. Minella Papakostandini ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer, kjo si pasojë e vlerave të tij të veçanta profesionale dhe njerëzore!

Ing. Leko Hido thotë për Minellën: Figurë e ndritur e inxhinierisë shqiptare. Minella Papakostandinin, kryeinxhinieri i parë të ndërmarrjes së ndërtimit të linjave të Tensionit të Lartë, njoha njeriun e dashur dhe të sjellshëm me të gjithë, inxhinierin e talentuar dhe të respektuar, të cilit iu desh në ato fillime të vështira dhe më vonë për një kohë të gjatë të drejtonte një nga ndërmarrjet më të vështira të ndërtimit që në saj të punës vetëmohuese të mjeshtrave montatore t’i japë vendit me qindra nënstacione elektrike dhe mijëra kilometra linja të tensionit të lartë, duke filluar nga linja dhe nënstacionin e parë 35 Kv HEC Lanabregas-Tiranë, deri në linjën 400 KV Elbasan -Kardhja (Greqi). Minella spikati si një profesionist i klasit të lartë, i palodhur në punë, i aftë për të zgjidhur probleme teknike nga më të vështirat me talentin dhe urtësinë e tij shembullore, i dashur dhe i respektueshëm nga të gjithë. Minella ka dhënë gjithashtu një kontribut të rëndësishëm edhe për hartimin e dokumentacioneve, normave dhe instruksioneve të punës, me rëndësi shumë të madhe në fushën e elektroenergjetikës së vendit.

Pas vitit 1962 ndërmarrja e Tensionit të Lartë u fuqizua kantieret e ngritura te Laçit, Fierit dhe Elbasanit, me një angazhim të plotë, të pa përsëritshëm mbuluan Shqipërinë në të katër anët, si rrjetë merimange, me nënstacione dhe linja elektrike të tensioneve të larta, duke bërë kështu të mundur elektrifikimin e përgjithshëm në vitin 1970, ku Tensionin i Lartë ishte në vijën e parë të kësaj lëvizje. Në vitin 1972 sipas marrëveshjes së bërë me palën jugosllave, filloi ndërtim-montimi i linjës së tensionit të lartë 220 Kv: nënstacioni i Vaut të Dejës, nënstacioni në Titograd (Podgoricë), që do të furnizonte me energji elektrike këtë rajon të Jugosllavisë dhe do të krijonte mundësinë e lidhjes të sistemit energjetik shqiptar me atë të Jugosllavisë dhe të Europës. Për merita të veçanta Minella është nderuar me shumë medalje dhe urdhra punë të klasit të parë dhe të dytë.

Ana tjetër e medaljes se k/inxhinerit Minella:

Që në rininë e hershme ishte i apasionuar pas letërsisë, pikturës dhe skulpturës. Është autor i disa librave teknike dhe temë shoqërore.

Ka përkthyer nga italishtja, rusishtja dhe anglishtja. Pa shkëputje, në moshën 86 vjeçare, punon dhe ka gati për botim 4 libra të rinj: “Dritë-hijet e një jete të trazuar” (autobiografi), “24 kumtesa me këshilla mjekësore”, “Korrupsion zinxhir në sistemin e drejtësisë” dhe albumin “Skica nga Amerika dhe Shqipëria”. Disa nga veprat e botuara gjatë viteve nga Minella janë 17 librat e poshtëshënuara: Pajisje centralesh dhe mbrojtja rele: pajisja e centraleve dhe e nënstacioneve; njësitë matëse dhe konvertimi i tyre, Edwin Huble, njeriu që zbuloi shpërthimet në gjithësi -jeta dhe vepra; Pajisje elektrike 2;  pajisja e centraleve dhe e nënstacioneve elektrike për shkollat e mesme profesionale elektrike;  Ushtarakët, spiunët dhe “Shtegu i minjve” (lufta e padeklaruar e Amerikës kundër Bashkimit Sovjetik) – përkthim; Punimet e montimit në ndërtim; Mendime dhe fjalë të urta; Pajisje centralesh dhe mbrojtja rële (pajisja e centraleve dhe e nënstacioneve); Prodhimi i avullit në termoenergjetikë; Libri i amatorit të radios; Evolucioni i elektronikës; Pajisje centralesh dhe mbrojtja rele 2, për shkollat e mesme profesionale elektrike; Për duart e shkathëta, Montatori elektrik në kantieret e ndërtimit; Pajisje elektrike 3; mbrojtja elektrike; për specialitetin elektrik të shkollave të mesme profesionale; Pajisje elektrike – mbrojtja rele; për specialitetin elektrik të shkollave të mesme profesionale.

May 13, 2018 10:46
Komento

2 Komente

  1. demo May 13, 16:04

    Nderim dhe respekt per Njeriun e Punes.Kam punuar me keta burra qe ngriten nga hici sistemin Energjitik Shqiptar.Inxh Minella,Inxh Dragushi,inxh,Tome Mexi,inxh.Agron Peci,Toto,Nuriu,Jorgji.Ndermarrja e Tensionit te Larte duhet te krenohet me nje fakt UNIK ne Shqipoeri.NE KETE NDERMARRJE NUK KISHTE LUFTE KLASASH,Nga drejtori Agron Peci(i biri Shefqet Pecit),qe i shkerdh,robt spiunave,kalecave,fus-fusave te biografive,i nxirrte me shqelma nga zyra, e deri tek i burgosuri politik Jorgji Mele,qe ishte njeriu me i respektuar ne Kolektiv. Me shume kantjereve,rrugeve,ne maje te shtyllave,ne mes te Linjave gjys miljoni volt,ku vvetem fusha te shkrin ne vend,..Keta jane Heronjt e heshtur jo zagaret e sigurimit te shtetit,qe mbaheshin se terrorizonin miletin dhe nxirrnin te vdekurit nga varri si Hasan Luci.Edhe njehere respekt per Kryeinxh.Minellen!

    Reply to this comment
  2. Krist May 13, 22:24

    Me teper se si specialist,(koleget e tij,gjithmone flasin me superlativa per Minellen),.e njoh Minellen,si njeri.Kam patur rastin,te punoj,ne grupin ,qe projektoi dhe ndertoi linjen e tensionit te larte 220 Kv.me Malin e zi.Me Minellen dhe kolege te tjere te tij,kemi bere porosite dhe realizimin e tyre ne Shqiperi,te gjithe paisjeve,profileve ,llamarinave te celikut dhe kabllot e aluminit ,nga importi.I gjithe grupi i inxhinjereve,ishin sspecialiste te zgjedhur,por edhe njerez te mbrekullueshem,e midis tyre,Minella dallohej,per thjeshtesine,dashurine dhe respektin per shokun.Bile e kam patur edhe ne nje lagje,(per rreth shkolle Jorenim De Rada).Imagjinojeni kete inxhinjer,me nje jete te tere ne detyra te rendesishme,si specialist dhe drejtues,nuk kishte frigorifer,ne shtepi.Dhe me shume mundime,duke kurrsyer ne nje sherbim ne Titograd,mezi,mundi te bleje nje frigorifer,bile pak te deformuar,sepse kishte ulje cmimi.Por edhe me kete paisje,na habiti.Ne nje vizite,nuk ja pame defektin e frigoriferit.E kishte riparuar mbrekullisht,pa i lene asnje gjurme.(Dhe ishte ingj.elektrik-jo llamarinist).Fati deshi qe me pas,te punonim bashke edhe ne tregetine e jashtme,duke fituar edhe ketu,te njenjtin respekt,qe kish edhe ne Ndermarjen e linjave te Tensionit te larte.I uroj Minelles,shendet e jete te gjate e te gezuar,pershendetje Minella,nga Kristaq Puli.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*