Ministri fiksohet pas proshutave; dyqanet apel ambasadorëve

May 20, 2016 18:08

Ministri fiksohet pas proshutave; dyqanet apel ambasadorëve

 

Gojët e Liga kanë mësuar një fakt tronditës: Ministri Vendor për Shtetin e Çështjeve, Gledi Guçi, është i detyruar të marrë pjesë personalisht në shumë panaire ushqimore brenda dhe jashtë shtetit, për shkak se dikasteri i tij përbëhet vetëm prej tij dhe shoferit. Për shkak të kësaj mbingarkese, thonë Gojët e Liga, ministri Guçi ka zhvilluar një afrimitet të pazakontë me proshutat cilësore. Aq shumë, sa ai është në gjendje të flasë për to, me më tepër pasion se një somelier i sprovuar për llojet e verërave.

Historia nisi në një panair para dy vitesh, kur Guçi, i cili u prezantua gabim si Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, ra në dashuri me shikim të parë me një kofshë proshute nga Toskana.

Pasi e provoi, Guçi deklaroi: “Qenka e këndshme, por me shenja kokëfortësie pas përtypjes së parë. Pastaj ta mbush qiellzën me aromën e tymit nga druri i akacies së stazhionuar për dy muaj në bodrumet e Arrezos. Kur e kalon poshtë, çliron gjithë poezinë e gicit të rritur në livadhet e Folinjos, sa merr rruga në të majtë që të çon drejt Firences!”

Ky bagazh i befasishëm njohurish të holla i shastisi të pranishmit, ndërsa pronari i proshutës pranoi çiltërsisht se kofsha në fjalë ishte rritur fiks siç e përshkroi ministri. Por këtu fillon edhe pjesa problematike e çështjes. Ministri kërkoi që ta merrte gjithë proshutën me vete, për një ekzaminim të mëtejshëm.

“Jo jo, mos harxho letër”, u ofrua me bujari Guçi, “ma mbështill kofshën me këtë hartën e ndarjes së re territoriale, se kam kopje të tjera”.

Që nga ajo ditë, Gledi Guçi ka shpalosur në shumë raste finesën dhe shijen e hollë për proshutat, duke përshkruar kohe pas kohe të dhënat gjeografiko-klimatike të kullotave malore të Bolzanos e Zvicrës, ashpërsinë e dashur të pyjeve baske, karakterin e rrëmbyer dhe sanguin të proshutave siçiliane etj, teksa në fund ka kërkuar për ekzaminim copa të tëra mishi të çmuar. “Jemi duke kryer reformën e decentralizimit”, thoshte ai, “dhe më duhet të punoj deri vonë sonte”.

Ministri duke i treguar një copë proshutë kryebashkiakut të Durrësit Dako

Ministri duke i treguar një copë proshutë kryebashkiakut të Durrësit Dako

Sipas Gojëve të Liga, fjala ka marrë dhenë. Në panairet e fundit të ushqimit, stendat e proshutave paraqiten vetëm me dhjeta feta të prera hollë. Por nga ana tjetër, ato që kanë marrë lemerinë janë supermarketet dhe ushqimoret e lagjes që frekuenton Gledi Guçi. Me sindromin e panairit tashmë të ngulitur, Guçi ka kërkuar herë pas here t’i mbështillen llokma të tëra proshutash, për t’i marrë me vete pa paguar.

“Mirë kjo”, u rrëfye në kushte anonimati shitësja Mukadez Pafillja, “por nis e më tregon sesa muaj apo vite është stazhionuar proshuta, në ç’lartësi nga niveli i detit dhe sa thellë nga shpati i malit ka qenë qilari ku është ruajtur… Si me e pas të fejume proshutën! Or çun, i thashë, shpejt se ka rradhë! Zot i madh”.

Në fund, Mukadez Pafillja, po në kushte anonimati, bëri këtë apel: “I lutemi shtetit, u lutemi ndërkombëtarëve, ambasadorit Lu dhe asaj kokëkuqes: Aman, na sillni tatimorë, kontrolle të higjienës, doganat, po deshët na sillni edhe SHISH-in dhe Komisionin e Venecias për kontroll, vetëm zotin Guçi jo! Mëshirë!”

 

***

Gojët e Liga është rubrikë satirike. Çdo përkim me ngjarje e persona realë është e rastësishme 🙂

May 20, 2016 18:08
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*