Ministri Gjiknuri: Masa nxitëse për zhvillimin e industrisë minerare

January 18, 2016 15:12

Ministri Gjiknuri: Masa nxitëse për zhvillimin e industrisë minerare

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri zhvilloi sot një takim me përfaqësues të kompanive që veprojnë në industrinë minerare. Ministri njoftoi hapjen e një procesi dialogu, përfshirë edhe Ministrinë e Financave, që synon të adresojë disa prej problematikave të ngritura nga sipërmarrësit.

“Qëllimi ministrisë është që të hapë një diskutim me ju, pasi ne duam të ndërmarrim disa iniciativa që t’iu vijmë në ndihmë, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Financave. z. Cani ka qenë edhe në Bulqizë, ka pasur diskutime me subjektet minerare, në mënyrë që të bëjmë çka është e mundur si qeveri, pa dëmtuar edhe interesat e shtetit. Gjithmonë ka pasur një tendencë që të shikojmë edhe pjesën e të ardhurave për publikun, pra të ardhurat fiskale, të ardhurat për shtetin, por njëkohësisht ne nuk duam që kjo të vërë në diskutim në vetvete industrinë minerare. Në fund të fundit, pa prodhim minerar nuk do të ketë edhe të ardhura”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Sipas tij, qëllimi dhe roli i ministrisë është që të nxisë industrinë minerare, brenda standardeve që përcakton ligji, standarde që respektojnë jetën e punëtorëve dhe mjedisin.

Gjatë takimit, operatorët e prodhimit dhe përpunimit të mineraleve paraqitën disa kërkesa për institucionet shtetërore me synim adresimin e problematikave me të cilat ndeshen.

Sipas tyre, renta është problem kryesor që ka ndikuar negativisht në çmimin e shitjes. Sipërmarrësit pretendojnë se në ligjin minerar deri në vitin 2007 niveli i rentës ishte 2% dhe pas kësaj periudhe ajo është ndryshuar, sipas mineraleve të ndryshme nga 6% deri 10%.

Ndër çështje të tjera që ata ngritën është ndryshimi i referencave doganore për mineralin e kromit, lagështira e mineralit, vlera e transportit dhe problemet e llogaritjes së rentës.

Përfaqësuesit e kompanive kërkuan ndërhyrje edhe për çështjen e servitutit duke pretenduar se zbatimi i të drejtës së shfrytëzimit, bashkë me nevojën për leje territori nga pushteti vendor janë ende larg zbatimit në kohë. Sipërmarrësit u ndalën edhe tek çështja e garancive të investimit dhe të mjedisit. /Dita/

January 18, 2016 15:12
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*