Ministri i Bashës del kundër Ramës, pezullon dorëheqjet në hipoteka

August 4, 2017 12:15

Ministri i Bashës del kundër Ramës, pezullon dorëheqjet në hipoteka

 

Ministri i Drejtësisë Gazment Bardhi ka dalë kundër kryeministrit Edi Rama, duke vendosur të pezullojë procedurat e dorëheqjeve të regjistruesve të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Referuar njoftimit zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë, ministri Bardhi ka urdhëruar Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që nën mbikëqyrjen e inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, të ushtrojnë kontroll dhe inspektim të punës së Regjistruesve në 6 muajt e fundit, dhe të evidentojnë të gjitha shkeljet e kryera prej tyre.

Ministri Gazment Bardhi vlerëson se zyrtarët publikë që shkelin ligjin dhe të drejtat e qytetarëve, duhet të largohen me masë disiplinore “shkarkim nga detyra” dhe jo me dorëheqje”, shkruhet në njoftim.

Më tej theksohet se “ministri i Drejtësisë z. Gazment Bardhi, është njohur sot me kërkesën për dorëheqje të Regjistruesve të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Tiranës, Vlorës, Kukës, Dibër, Elbasan, Tropojë, Has, Mat, Kuçovë, Bulqizë, Lezhë, Kurbin, etj.

Duke vlerësuar se dorëheqjet vijnë në vijim të konstatimit publik të Kryeministrit të Shqipërisë, se këta funksionarë publikë kanë shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e qytetarëve, duke konsumuar një tallje kolektive dhe individuale me njerëzit, Ministri i Drejtësisë ka marrë një vendim të ndërmjetëm, për pezullimin e procedurave të miratimit të dorëheqjes së tyre, deri në përfundimin e një hetimi të plotë administrativ mbi veprimtarinë e këtyre funksionarëve publikë. Kjo masë vjen në kuadër të detyrimit moral dhe ligjorë që kanë autoritetet publike, që kur konstatojnë shkelje të të drejtave të qytetarëve, të mos pranojnë dorëheqjen e zyrtarëve, por t’i bëjnë ato t’i nënshtrohen pasojave që parashikon ligji”.

Për këtë qëllim, Ministri Bardhi, ka urdhëruar Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që nën mbikëqyrjen e inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, të ngrejë 3 grupe kontrolli, me qëllim inspektimin e veprimtarisë së Regjistruesve në ZVRPP përkatëse.

Afati i ushtrimit të kontrollit është 10 ditë nga hyrja në fuqi e urdhrit.

Gjatë kësaj periudhe, me qëllim mos pengimin e veprimtarisë së grupeve të kontrollit dhe vijimin normal të punës në ZVRPP, Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar pezullimin nga detyra të Regjistruesve përkatës, deri në përfundimin e hetimit administrativ.

“Ministri i Drejtësisë shpreh vendosmërinë e tij se të gjithë Regjistruesit e ZVRPP që kanë kryer shkelje gjatë ushtrimit të detyrës, si dhe kanë cenuar të drejtat e ligjshme të qytetarëve shqiptar, do të largohen nga detyra me masë disiplinore “Shkarkim nga detyra”, me qëllim shmangien e ushtrimit të funksioneve publike në të ardhmen. Që nga data e fillimit të detyrës së tij dhe deri më sot, Ministri Bardhi ka urdhëruar shkarkimin nga detyra të rreth 1/4 së të gjithë Regjistruesve të ZVRPP dhe garanton se nuk do të hezitojë ta bëjë këtë në asnjë rast kur konstatohet cenimi i interesave të qytetarëve apo abuzimi me detyrën”, përfundon njoftimi.

August 4, 2017 12:15
Komento

3 Komente

  1. Drejtesia do te behet doni apo nuke doni ju o mije kenetash e avoketer te djallit. August 4, 13:14

    Zoti,apo shoku minister,nuke eshte e ligjeshme dhe e ndershme qe rregjistruesit e pasurise, keto zyrtare te rendomte te zyrave hipotekore qe per abuzim me detyren te mjaftohen vetem me nje doreheqje,kur dihet se korrupsioni i tyre ka kapur shifra maramendese ne dem te popullit, dhe eshte i denueshem,pra me pushim nga puna dhe ndjekje penale.Ne te kunderten do te thote bashkefajesi.Me shperblime te tipit meta-kriemadhja nuke mund te vazhdohet me.Mjaft me.Drejtesia do te behet,me ju apo pa ju ne bangen e akuzes,o minister i “drejtesise”.Beso.

    Reply to this comment
  2. MH August 4, 14:05

    Shume e drejt vendimi i ministrit.
    Jo doreheqje po shkarkime te bazuara ne shkelje te detyres.

    Reply to this comment
  3. petrit August 4, 17:09

    Kryeministri nuk i ka shkarkuar , por u ka kerkuar DOREHEQE , dhe ata jane dorehequr , tani del vartesi dhe kunershton Eprorin , kesaj i thone ” I Zoti do – Tellalli nuk do “.Per fat te keq kete rol e ka marre ………..!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*