Ministri Kurz: Lufta kundër radikalizimit, prioritet kryesor i Austrisë gjatë kryesisë së OSBE-së

July 14, 2016 19:16

Ministri Kurz: Lufta kundër radikalizimit, prioritet kryesor i Austrisë gjatë kryesisë së OSBE-së

Në fjalimin e tij të parë në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, Kryetari i ardhshëm i Radhës i OSBE-së, ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz, tha se lufta kundër radikalizimit do të jetë përparësia kryesore e Austrisë gjatë kryesisë së OSBE-së në 2017-n.

Në paraqitjen e programit të kryesisë austriake, ministri Kurz nënvizoi tri kërcënime madhore ndaj sigurisë dhe stabilitetit, me të cilat përballen sot të gjitha Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së dhe Partnerët për Bashkëpunim: shtimi i vazhdueshëm i konflikteve ushtarake; rritja e kërcënimit ndaj sigurisë së brendshme përmes radikalizimit dhe terrorizmit; thellimi i mungesës së besimit ndërmjet shteteve dhe ndërmjet qytetarëve, nga njëra anë, si edhe institucioneve shtetërore dhe organizatave që kanë nevojë të mbrojnë të drejtat dhe vlerat e tyre, nga ana tjetër.

“Përhapja e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm është një nga sfidat më të mëdha të kohërave tona“, theksoi ministri.

“OSBE-ja duhet të përdorë të gjitha instrumentet në dispozicion dhe të fokusohet në parandalimin e radikalizimit. Vendimtarë në këtë drejtim janë bashkëpunimi rajonal dhe shkëmbimi i informacionit, përfshi edhe me Partnerët për Bashkëpunim. Të drejtat e njeriut dhe demokracia, si edhe përfshirja e të gjitha grupeve të shoqërisë, bashkë me një shoqëri civile të gjallë, janë baza e stabilitetit të brendshëm. Prandaj, OSBE-ja duhet të kontribuojë për të forcuar institucionet dhe perspektivat ekonomike në rajonin e OSBE-së”, u shoreh ai.

Ministri i Jashtëm Kurz shtoi më tej se “në një kohë ndryshimesh të mëdha dhe rritjeje të pasigurisë, organizatat ndërkombëtare dhe rajonale duhet të marrin përgjegjësi politike“, tha ministri i Jashtëm austriak, duke nënvizuar se kriza në Ukrainë dhe rreth saj e ka shkërmoqur besimin ndërmjet shteteve dhe ka vërtetuar, në të njëjtën kohë, rëndësinë e OSBE-së dhe të ekspertizës së saj për menaxhimin e krizave. “Gjatë kryesisë sonë, Austria do të konsolidojë rolin e vet si një ndërmjetësuese e sinqertë dhe do të nxitë dialogun dhe bashkëpunimin në rajonin e OSBE-së“.

Duke iu referuar pozicionit gjeografik të Austrisë, në zemër të Evropës, Kurz tha se vendi i tij gjithmonë ka pasur kontakte të mira me Perëndimin dhe me Lindjen.

“Ky funksion ndërlidhës gjeografik është një shtysë për ne që të ndërtojmë edhe ura politike“, tha Kurz.

Teksa shpalli qëllimin e tij për të vizituar rajonin e OSBE-së përgjatë vitit, me qëllim që të krijojë personalisht një panoramë të qartë të sfidave të ndryshme, ministri Kurz e përfundoi fjalën duke thënë: “Ne duam të angazhohemi në OSBE, me qëllim që të kontribuojnë në përmirësimin e sigurisë për shoqëritë tona, duke ndihmuar që të ngushtojmë konfliktet aktuale, duke luftuar radikalizmin dhe ekstremizmin, si dhe duke punuar për të rikthyer besimin ndërmjet Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së. OSBE-ja ka një rol jetik për të luajtur, sepse mund të kontribuojë në zgjidhjen e konflikteve dhe rikthimin e besimit, për të cilat ka në dorë një sërë mjetesh të fuqishme. Strukturat dhe institucionet e OSBE-së, zyrat e saj në terren, janë shtylla të rëndësishme për të rritur bashkëpunimin ndërmjet 57 Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së“.

Kurz tha se, së bashku me ekipin e tij të kryesuar nga Përfaqësuesi i Përhershëm, Clemens Koja, si dhe me kryetarin e Task Forcës së OSBE-së, Florian Raunig dhe Këshilltarin e Posaçëm, Christian Strohal, presin me kënaqësi të punojnë bashkë me të gjitha Shtetet pjesëmarrëse në Këshillin e Përhershëm dhe me Sekretariatin e OSBE-së.

July 14, 2016 19:16
Komento

1 Koment

  1. Arben July 15, 08:06

    PERENDIMI ME AMERIKEN NE KRYE I KANE KTHYER NE GERMADHA GJITHE AFRIKEN E VERIUT DHE LINDJEN E MESME.

    KJO ESHTE RRENJA E PROBLEMEVE QE KA SOT EUROPA ME TERRORRIZMIN.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim