Ministri që ngriti armët kundër Zogut!

April 25, 2016 17:43

Ministri që ngriti armët kundër Zogut!

 

Alqi Koçiko / Duke lexuar shtypin e kohës, një sy i vëmendshëm nuk e ka të vështirë të kuptojë se shteti shqiptar i viteve 30-të të shekullit të kaluar, vuante nga simptoma të ngjashme me ato të Shqipërisë… demokratike. Ashtu si ngrehina shtetërore e politike e pas viteve 90-të u pushtua lirshëm nga komunistë të konvertuar në fenë e re demokratike, atëherë një grup intelektualësh nisën të ngrenë zërin se vendi nuk mund të bëjë përpara me “Baballarët e kombit”, ish funksionarët e vjetër të perandorisë osmane të cilët pavarësisht nga shumë trazira që kaloi Shqipëria pas vitit 1912, mbanin vazhdimisht në duar çelësat e shtetit. Ky grup ishin “Të Rinjtë”, disa intelektualë (gazetarë, shkrimtarë, etj) që gjithnjë e më me forcë i bënin thirrje mbretit Ahmet Zogu të shkëputej nga ndikimi i “Të Vjetërve” dhe të promovonte një elitë të re kombëtare që do ta nxirrte vendin nga varfëria dhe feudalizmi, për ta çuar drejt përparimit. Në sfondin e kësaj përplasjeje që mbizotëroi debatet, opinionin publik e mediatik dhe atmosferën politike të gjithë viteve 30-të, mund të kuptohet më qartë pas gati 80 vitesh, e ashtuquajtura “Kryengritje e Delvinës” e 15 majit 1937, që sheh për protagonistë vëllezërit Toto: Et’hem, Ismet dhe Tahsin. Më shumë se vetë ngjarja konkrete, një rebelim që u shtyp brenda pak ditësh nga ushtria e xhandarmëria mbretërore, ha debat këndvështrimi dhe etiketimet që i janë ngjitur kësaj lëvizjeje të harruar e sidomos iniciatorëve të tyre. Mes të cilëve nuk duhet harruar se Et’hem Toto, vetëm disa muaj para se të vritej, kishte qenë ministër i Brendshëm i Zogut.

Një lloj biografie mbi fisin Toto, e jep vëllai i katërt i mbetur gjallë, Selaudini, në numrin 1 të revistës “Shkëndija”, viti 1940. Selaudin Toto jo vetëm që nuk ishte fashist, por më pas doli partizan dhe u kap rob nga italianët, pastaj u internua në ishujt Ventotene në Itali. U kthye në Shqipëri në vitin 1945, dhe deri më 1947-n Enver Hoxha konsultohej me të për mjaft probleme të kohës, si njeri erudit e me kulturë. Kjo nuk e pengoi Hoxhën që në gjyqin e deputetëve të vitit 1947, ta dënonte atë me vdekje. Në rekuiemin që ai i bën lëvizjes së Delvinës tek “Shkëndija”, pohon se Totot ishin ndër familjet e para patriote të Labërisë, “që e ka treguar veten që më 1913 kur ushtritë greke dogjën Progonatin, dhe në gjithë luftërat e tjera atdhetare”.

 

Megjithatë, Et’hem Toto, i madhi i vëllezërve, u njoh personalisht me Zogun vetëm kur ai ishte mbret. Et’hemi e filloi karrierën e tij kur si një nëntoger 24 vjeçar, vendosi të kundërshtojë qeverinë e Fan Nolit në Tiranë. Pse? I acaruar nga anarkia dhe pakënaqësitw e mëdha në popull, ai e mbështeti seriozisht kthimin e Ahmet Zogut. Më pas ai kreu detyra të ndryshme ushtarake si qarkkomandant e pastaj prefekt në krahina të ndryshme. Por ideologu i vërtetë dhe një penë e spikatur e kohës, ishte vëllai i tij Ismet Toto. Ai dhe brezi i “Të Rinjve” ose rryma e “neoshqiptarizmës”, e përfaqësuar nga Nebil Çika, Vangjel Koça (Vangjo Nirvana), Branko Merxhani, Kostë Çekrezi, Mehmet Konica, Odise Paskali, Anton Logoreci, Tajar Zavalani e të tjerë, duke parë ngërçin prej nga Shqipëria nuk po dilte dot megjithëse politikisht vendi ishte stabilizuar prej vitesh, e shihnin zgjidhjen tek reformat radikale sipas modeleve evropiane, duke nënvizuar si fajtorët kryesorë për gjendjen e krijuar, gjithë eksponentët e administratës së vjetër të trashëguar nga Turqia, që në fakt vazhdonin të qeverisnin. Këta të fundit, shumica analfabetë e “anadollakë” në kuptimin pezhorativ, kishin futur frymën e korrupsionit galopant dhe stanjacionit intelektual, duke e katandisur makinën shtetërore, sipas fjalëve të Mehmet Konicës në gazetën “Arbënia” të datës 8 maj 1930: “Në një makinë të bërë me vegla të ndryshme, të shtrembra dhe këtu-atje ndonjë vegël e re”.

 

Sipas Selaudin Totos, “shenjat e para të pakënaqësisë intelektuale, për Shqipërinë e Zogut u shfaqën në vitin 1928. Një grup mendimtarësh të udhëhequr nga Vangjel Koça, po propagandonin neoshqiptarizmën. Në gazetën “Demokratia” e Gjirokastrës, këta kërkonin një bashkim të forcave intelektuale të djalërisë, për realizmin e ndërgjegjshëm të rilindjes shoqërore”.

Dhe në numrin e parë dhe të vetëm që botoi grupi i Gjirokastrës, në vitin 1930, ja disa nocione shumë interesante të Ismet Totos, në artikullin “Feja neoshqiptare e Arbërisë”: “Pas 6 vjetësh qetësie dhe çlodhje, trupi i shtetit tonë është i detyruar nga ligjet e natyrës që të bëjë një lëkundje, të shkundë pluhurin nga supat dhe me një energji të re, të fillojë ecjen më me rrëmbim e me më tepër rëndësi për përfundimin”. Po atë vit, në një tjetër artikull ai sulmon administratën e vjetër: “Bashkatdhetarët që u është dashur të vihen e të përdoren në punët e shtetit janë të plogët, të dobët nga çdo pikëpamje. Skeptikë gjer në palcë. Në brendësirën e tyre, nuk gjejnë asnjë fuqi. Në çdo punë që u është vënë përpara ata përdorin masa gjysmake, për një rregullim provizor në çdo gjë. Janë mësuar të punojnë për të huajt dhe jo kurrë për Shqipërinë. Guxim dhe dinamizëm nuk mund të pretendosh prej tyre, se është një absurditet. As transformim, as përmirësim ka sot, për këto plaçka të vjetra e të grisura në çdo anë”.

Në fakt, “plaçkat e vjetra” nuk mund të rrinin duarkryq. Disa eksponentë kryesorë të administratës si

Abdurrahman Krosi, Fiqiri Rusi, Hiqmet Delvina, Musa Juka etj, me ideolog kryesor Teki Selenicën, formojnë në vitin 1931 grupimin “Besa” me gazetën e vet. që mbronte në emër të Zogut të gjithë administratën e vjetër të trashëguar nga Turqia. Dukej sikur mbreti Zog luante në telin e akrobatit mes njërës rrymë dhe tjetrës, por në fakt “Besaxhinjtë” kishin gjithmonë pushtetin, dhe t’i luftoje haptaz ata, do të thoshte që të vdisje për bukë ose të burgoseshe. Në këtë situatë, guximi i Ismet Totos dukej i çmendur, sepse kishte edhe detyrime familjare të mëdha kurse mbështetja financiare nga i vëllai, Et’hemi, sa vinte e pakësohej. Nebil Çikës ia kishin mbyllur “Arbërinë”, kishte mbetur vetëm Kostë Çekrezi dhe fletorja “Ora”, ku Ismeti polemizon gati i vetëm ndaj kuçedrës së “Besës”, gazeta që akuzon se “Të Rinjtë” e kanë hallin vetëm tek çështja e moshës, një debat ky që herë pas here është bërë edhe në ditët tona.

“Me fjalën njerëz të mplakur”, shkruan Ismet Toto, “na s’kemi ndërmend njerëzit e kaluar nga mosha. Njerëz të mplakur, mund të ketë dhe midis të rinjve dhe mund të ketë pleq, sadopak, që të kenë një shpirt të ri dhe një dinamizëm shembullor. Kriteri i ynë nuk është mosha e një njeriu, por shpirti i sakrificës, karakteri dhe sasia e fuqisë për të vepruar dhe prodhuar në këtë rindërtimin e vendit tonë…”. Pastaj ai i drejtohet publikut me këto fjalë: “Na helmojmë mendjen dhe shpirtin e djalërisë? Na jemi të rrezikshëm për avenirin dhe ekzistencën e kombit? Na jemi ata, për të cilët, qeveria duhet të marrë masa? Në qoftë se njerëzit e “Besës” kërkojnë polemika noteriale, që të na njohin të drejtën të flasim si djalëri, na do t’u themi atë që s’kanë mundur dhe kurrë s’do të munden të kuptojnë: Zemra dhe shpirti është gjithë ç’kemi për ndërgjegjen e kombit arbëror; na kemi vendosur të sakrifikojmë me buzëqeshje të vetmen pasuri: Jetën tonë”.

 

Në këtë kohë Et’hem Toto, si prefekt dhe qarkkomandant në Kosovë u fut në një pozitë të vështirë dhe lajmëroi Ismetin që të pushonte polemikën. Ndryshe i priste papunësia dhe internimi. Zogu gjen “zgjidhjen” duke i dhënë një bursë Ismetit për të studiuar statistikë në universitetin e Romës. Por edhe prej këtej, ai nuk ndalet. Në 15 mars 1933, Borealisti (pseudonimi i Ismetit) boton një dialog energjik me titull “Kështu foli i vjetri”, i cili u vlerësua shumë. Në thelb, shkruhet: “Keni 30 vjet që i shërbeni çdo mbretërie që na ka zaptuar. Ju prishni shqiptarët. E ç’na duhet Shqipëria pa shqiptarë? Për juve shteti është arka, për neve është një shpirt, një ideal…”.

Pas dështimit të kryengritjes së Fierit në vitin 1935 dhe hetimeve e gjyqit që pasoi, të organizuar nga ministria e Brendshme e Musa Jukës, Shqipëria po përjetonte një gjendje shumë të rëndë terrori. Sapo ishin dhënë 120 dënime me vdekje dhe me burg të përjetshëm çka bëri që shumë organizata e shtete të huaja, madje edhe Lidhja e Kombeve nga Gjeneva e Zvicrës, t’i bënin thirrje mbretit Zog për t’i anuluar ato. Sigurisht, mbreti ishte aq inteligjent sa për të mos ekzekutuar dhjetëra vetë, kur ai shquhej për faktin se shpeshherë kundërshtarët i afronte ose i blinte. Ai jo vetëm që i anuloi ekzekutimet (vetëm një u krye), por e nuhati se populli priste një ndryshim. Më 12 tetor 1935 mbreti ngarkoi Mehdi Frashërin të formonte qeverinë e re, atë të “të rinjve”, duke ngjallur me këtë lëvizje një shpresë dhe entuziazëm të ri në vend. Në kabinetin liberal, ministër i Brendshëm u caktua Et’hem Toto. Nga qeveria e re pritej shumë, por shpesh ajo bllokohej nga “të vjetrit”. Pas një viti e pak ditësh jetë, me sebepin e mosaprovimit të një ligji të dorës së dytë në parlament, qeveria e Mehdi Frashërit detyrohet të japë dorëheqjen më 7 nëntor 1936. Gjithçka ishte një iluzion.

 

Et’hem Toto, nga ministër i Brendshëm emërohet nënprefekt në Delvinë, por në fakt mbikëqyrej rreptë nga shërbimi sekret i Zogut. Megjithatë prej këtej, nga Delvina, pas disa muajsh nisi ajo lëvizje që megjithë sukseset fillestare, do të shuhej brenda pak ditësh. Cilat ishin motivet e rebelimit ndaj Zogut? Ato ditë, shtypi (që nuk mund të ishte veçse proqeveritar) përmendi xhelozinë e Et’hem Totos pse mbreti nuk e mbajti ministër, e quajti aktin çmenduri, haluçinacion, aventurë e dështuar që në krye. Kurse ana tjetër e medaljes është vetë fjala e Ismet Totos në gjyqin e mbajtur në Gjirokastër, në përfundim të të cilit publicisti i ri u dënua me varje në litar:

“Dikush më bëri edhe këtë pyetje: Përse u bë kryengritja e Delvinës? Përgjigja ime ishte kjo: Në çdo ndërmarrje, njeriu mund të futet me bindje ose edhe me gjysmë bindje, por kur është çështja që t’i futesh një pune në të cilën 90% e përfundimit është vdekja, atëherë aty duhet një pasion i fortë, një shtytje idealistike e pazaptueshme. Duhet, me fjalë të tjera, të kesh arritur një gjendje të tillë shpirtërore, sa nuk të durohet më. Dhe nuk mund të bësh ndryshe, veçse t’i futesh rrezikut me gjoks të hapur dhe të sakrifikohesh i gjithi. Ata që janë me tru e mendojnë, ata që kanë zemra të ndjejnë, shpesh vijnë në të tilla gjendje shpirtërore, edhe kur rrinë aty, do ta bëjnë një send, do ta gjejnë një udhë për ta përfunduar. Im vëlla kishte arritur në atë gjendje. Ai besonte se punët e këtij vendi venin si mos më keq, për shkak se janë organizuar në mes të tyre nja 40-50 veta, dhe me intriga për shpifje, kanë mundur të shtinë në dorë një pjesë të madhe të fuqisë shtetërore dhe të bëjnë gjithë ato që kanë bërë e që dihen nga të gjithë. Ai besonte se kjo klikë e organizuar u themelua definitivisht, se shqiptarët arritën në një shkallë të atillë demoralizimi, sa kurrkush nuk guxon më të bëjë zë, dhe kështu gënjeshtra edhe korrupsioni filluan të shtinë rrënjë të thella dhe të rrezikshme… dhe im vëlla, siç dihet ishte nga ata që s’e kishte kursyer kokën e tij dhe në raste të tjera kur ishte me shërbime me rëndësi të shtetit…”.

shtyp

Nga pikëpamja ushtarake, rebelimi nuk ka ndonjë vlerë për ta trajtuar si ngjarje historike, duke mos e justifikuar qoftë zhurmën që është bërë në kohën e Zogut, ashtu edhe komentet në sistemin komunist. Në pasditen e 15 majit 1937, Et’hem Toto nga ballkoni i nënprefekturës së Delvinës u bëri thirrje njerëzve të grumbulluar në shesh që të luftonin me trimëri e besnikëri për të mirën e atdheut. Përveç vëllezërve Ismet e Tahsin, me të ishin edhe Xhevdet e Bejkush Gjonleka, Xhelal Shtupani dhe Ismail Gjylbegaj. Një grupim i armatosur u nis për në Gjirokastër. Institucionet e qytetit u morën pothuajse pa rezistencë. Sipas gazetës “Shtypi” të 17 majit 1937, që hapej me titullin e madh “Një lëvizje tradhtare në Delvinë”, kryengritësit hapën burgun e kalasë, armatosën dhe veshën të burgosurit me uniforma të gjetura në një magazinë dhe të hipur në 11 kamiona u nisën për në Tepelenë. Edhe ky qytet u mor lehtësisht e pastaj rebelët arritën në Vlorë. Në këtë kohë, Zogu ishte vënë në dijeni që më parë dhe kishte nisur në Vlorë forca xhandarmërie të komanduara nga majori Bilal Nivica. Qeveritarët zunë pozicion në qafën strategjike të Plloçës dhe mbas një prite befasuese, rreth orës 20.30 të së hënës së 16 majit, forcat e shkujdesura të Et’hemit u goditën nga trupat e Zogut. Në befasi të plotë e të çoroditur, u shpërndanë në errësirën e natës pa mundur të ribashkoheshin për vazhdimin e rezistencës. Grupi i Et’hem Totos, duke mos patur asnjë rezistencë në Tepelenë, Gjirokastër dhe Vlorë, vijuan pa përgjegjësi rrugën e marshimit, duke kujtuar se fitorja ishte pranë. Por kryengritësit i dhanë mundësi Zogut që të mobilizojë jo më pak se 3000 veta për të bllokuar tërë zonën Vlorë-Tepelenë.

Kështu, lëvizja u tret shumë shpejt. Ministri i Brendshëm Musa Juka shpalli se kush do të kapte ose do të vriste sa më parë Et’hemin, do ta shpërblente me 100 napolona flori. I rrethuar në malin e Golemit, i plagosur dy herë dhe në pamundësi që të çante rrethimin, Et’hem Toto vrau veten. Tahsin Toto u vra në përpjekje e sipër, ndërsa të tjerët u shpërndanë apo u kapën një nga një.

 

Ajo që ra në sy më pas, ishte tentativa e organizuar shtetërore, sigurisht me dëshirën e Zogut, që kjo përpjekje të etiketohej si lëvizje komuniste, ndërsa Et’hem Toto si agjent bolshevik. Në Gjirokastër u instalua një gjykatë speciale ushtarake e përbërë nga major Shan Vila e kapiten Lan Kraja, dhe nga hetuesit civilë Engjëll Çoba, Rasim Kolonja e Vasil Kajno. Në Arkivin e Shtetit ndodhet telegrami i Musa Jukës dërguar prefektit të Gjirokastrës, që e urdhëronte në mënyrë të prerë se: “Gjykata në vendimin e saj, duhej t’i jepte lëvizjes ngjyrën komuniste, siç fliste pretenca e prokurorit”. (A.Q.SH – telegrami i Musa Jukës, dt. 24.6.1937, fondi “Lëvizja e Delvinës”).

Për këtë u instruktuan edhe dëshmitarët. Interesante është edhe ana tjetër e historisë, ajo komuniste (lexo “Studime historike” nr. 4, viti 1977, fq. 129-143) që e dikton kryengritjen si fashiste në emër të një “Diktature të ndritur”, gjoja për të shpejtuar pushtimin e Shqipërisë nga Italia. Por në dokumentet e diplomacisë italiane ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve për vitet 1930-1941, të cilat janë botuar nga Instituti i Historisë së Prishtinës më 1997, nuk qëndrojnë këto “përcaktime”. Është e qartë se Italia e kishte pushtuar ndërkaq Shqipërinë ekonomikisht, politikisht, diplomatikisht, ndërsa në fushën ushtarake, data e pushtimit 7 prill 1939 ishte vetëm një procedure përmbyllëse e një procesi të nisur prej mëse 10 vjetësh. Ta do mendja që nëse Italia e plotfuqishme fashiste do të kishte vërtet gisht në lëvizje, ajo minimalisht do të ushtronte një presion të madh për të mos lejuar varjen në litar të Ismet Totos në kalanë e Gjirokastrës.

 

Lëvizja e Delvinës sigurisht që ishte e keqorganizuar dhe mund të thuhet se në vendimin për nisjen e saj, ka luajtur rol edhe faktori i dëshpërimit. Por sikleti për ta kategorizuar atë, ka bërë që Zogu ta quante bolshevike, ndërsa komunistët duke u nisur nga rehabilitimi i kryengritjes në shtypin e pushtimit italian, si profashiste. Në fakt, ky rebelim ngjan si konkluzion logjik i përpjekjeve të dështuara disavjeçare intelektuale për ta çuar vendin në rrugën e progresit, duke e shkëputur nga fryma asfiksuese korruptive e feudale që mbizotëroi administratën e Zogut. Jo thjesht kundër Zogut, dikur të parë me simpati me shpresën se ky lider i ri do t’i përmbyste burokratët e “Dollma Bahçesë” (pallatit i sulltanit); por vëllezërit Toto ishin kundër klikës që e rrethonte atë, e të cilës mbreti i bëri hyzmetin. Nëse, nën frymën dhe ngjarjet e kohës, ata ishin në favor të një “diktature të ndritur”, për Ismet Toton ky shembull ishte Mustafa Qemali i Turqisë, i cili bëri për atdheun e vet atë që nuk bëri Zogu, dhe jo Hitleri apo Musolini. Pse e themi këtë? Ja një argument i fortë: Libri i tij “Gaziu”për Ataturkun, pati shitje rekord në Shqipëri dhe ngjalli xhelozinë e mbretit, që i dërgoi sinjal Ismet Totos se do të shpërblehej jashtëzakonisht po të shkruante aq bukur “edhe për jetën e ndonjë shqiptari të madh të sotëm”. Por Ismeti nuk e pranoi një ofertë të tillë.

Së fundi, kjo lëvizje ishte shfryrja e dhunshme, qoftë dhe e çuar dëm, e një konflikti të madh social. Vëllezërit Toto zgjodhën rebelimin, por të tjerë eksponentë të “të rinjve” zgjodhën pajtimin me regjimin e Zogut. Kështu, në shtypin e atyre ditëve Nebil Çika e Branko Merxhani thurnin lavde pambarim për mbretin, duke dërrmuar pa mëshirë vëllezërit Toto.

Por ata e kishin zgjedhur rrugën e tyre, edhe pse pa patur asnjë garanci për fitore. Motivin nuk mund ta shprehte më bukur se kaq, Ismet Toto në numrin e fundit të revistës Iliria, që u mbyll në vitin 1935: “Unë jetoj vetëm në çastet e përpjekjes, të luftës, të fitores ose të disfatës… Kush përpiqet, kush lufton, edhe do të thyhet ngandonjëherë. Bukuria është të dish të shijosh edhe disfatën. Të shikosh me sy të qeshur shkaqet e thyerjes, t’i studiosh me ftohtësi gjykimi, të kuptosh nulitetin e fuqisë dhe mjeteve që përdoren për fitoren dhe në fund të realizosh, se nën ato kondita, thyerja ishte e pandaluar. Këtë punë ta bësh po me atë qejf, që do të kesh në kryerjen e fitores. Vetëm njerëzit e këtillë janë të zotë të fillojnë një luftë të re me gaz në buzë, me zjarr në gji, mbas një thyerje të fortë”.

April 25, 2016 17:43
Komento

9 Komente

  1. koloneli April 25, 18:31

    Fjale,flale dhe shume fjale,e verteta dihet por historjanet sduan ta thone qe kjo levizje ishte puc i organizuar nga italia.kaq per sot.

    Reply to this comment
  2. shaqo April 25, 20:09

    Prandaj duhen cvarrosur edhe njehere te ashtuquajturit deshmore. Deshmore jane Totua, Merlika ,Dosti &co. Bravo Koqiko.

    Reply to this comment
    • Haaaaa April 25, 21:33

      Deshmore fare jane Hamit Matjani,Isa Toska,Muharrem Bajraktari,Ahmet Zogolli,etj etj!!
      Keta luftuan kunder……Shqiperise bashke me…..pushtuesit!
      Por ama ishin ANTIKOMUNISTE!!!

      Reply to this comment
  3. Mehmet Metaj April 25, 21:09

    Historia dhe ajo qeverisese perseritet dy here, njehere ne forme tragjike dhe njehere ne forme komike, sot ajo ne qeverisje po manifestohet kjo e dyta ne frome e saje me komeike ala labanesi…

    Reply to this comment
  4. Antikonformisti April 25, 22:37

    Pavarsisht se Ahmet Zogu ishte nje bandit dhe satrap, nje plehurine e historise shqiptare, kjo gje as e ul dhe as e ngren poziten prej dallkaukesh dhe kopukesh, delenxhilere dhe rrufjanesh me 101 flamuj, brashnjaresh dhe kareristesh pa kurrfare vlere si ky biçimi Et’hem Toto dhe gjithe ata qe e ndiqnin nga pas. Kam patur rastin te lexoj per te “famshmen” “kryengritje te Delvines, nga nje pesrsonazh i llojit “do me per Belulin”! Ata nuk ishin gje tjeter veçse ca aventuriere politik dhe karieriste hakmarres dhe asgje tjeter, ndersa sot na shiten si “Baballaret e Kombit”. Keto lloj historish jane te tipi futja pordhes dhe gri sallate sa te gdhihet dhe kjo nate.

    Reply to this comment
  5. Pali April 25, 22:59

    Informacion interesant, nuk e kisha has ma pare. komentin sekush e ban si te don, por faktet nuk i kisha dit. E shkrume rrjedhshem

    Reply to this comment
  6. Fadil April 26, 00:46

    Ky shkrim më kujtoi mishmashin dhe mospajtimet e partive në Rusi gjatë viteve 30-ta, Bolshevikët, Menshevikët e të tjera…

    -Pularizmi, apo i ashtuquajturi pluralzimi feudal-kapitalist, në lindje dhe në perëndim, këto maskrallëqe i kishte dhe i ka,-pra, pa dallime, kudo nëpër botë!’
    Prandaj, për të ruajtur popullin, atdheun dhe për të forcuar unitetin e mbrojtjes së shtetit shqiptar, në Shqipërinë Etnike, por edhe kudo në botë;-më i qëlluar, më i dobishëm , për barazi dhe përparime shoqërore ishte dhe duhet të rikthehet socialzmi me idetë komuniste, anti-fashiste ngadhnjimtare.

    Reply to this comment
  7. Progonati April 26, 15:25

    Or ti Shaqo, or llum i llumrave te mbeturinave te tipit Nebil Cika & Co qe tek “Arbenia” i lepinin bythen Zogut dhe pastaj si bythelepires profesioniste dhe me kat. e 7-te, nisen te lepijne bythen e fashizmit italian dhe Musolinit tek gazeta “Fashizmi”.Deri sa i paguan me koke poshtersite tyre me 1944.
    Tipa si ty dhe ato qe permend ti nuk kane atdhe.Atdheu per juve eshte parja qe ju paguan pruresi me i pare dmth padronet e huaj.

    Reply to this comment
  8. neli April 26, 17:48

    Keta jane protogonistet e historise tone, qe nga Skenderbeu e gjer me sot. Edhe vegla te huaja,edhe politikan, edhe tradhetare, edhe heroi edhe deshtak edhe patriot ne te njejten kohe…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*