Ministria e Jashtme detyron nëpunësit të deklarojnë dyshtetësinë

March 5, 2013 09:35

Ministria e Jashtme detyron nëpunësit të deklarojnë dyshtetësinë

Marrja e informacioneve se një numër i konsiderueshëm diplomatësh disponojnë edhe një shtetësi tjetër veç asaj shqiptare, ka detyruar Ministrinë e Punëve të Jashtme të fillojë zyrtarisht procedurat administrative për verifikimin e këtij “skandali”, shkruan sot Gazeta Shqiptare.

Sipas gazetës, në 23 janar 2013, drejtori i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në MPJ, Krenar Mema, me anë të një shkrese drejtuar të gjitha përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë në botë ka urdhëruar “plotësimin me përgjegjësi të plotë nga ju dhe stafi i përfaqësisë tuaj e Formularit 1 dhe 2, për disponimin e shtetësisë dhe lejes së qëndrimit të huaj nga punonjësit e MPJ dhe bashkëshortet e tyre. Formularët do të plotësohen individualisht nga secili punonjës i përfaqësisë dhe duhet të dërgohen me shkresë përcjellëse të titullarit nëpërmjet komunikimit qendror në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, brenda datës 28 janar 2013”,  thuhet në letrën me numër protokolli 1024/indeksi I.

Tri ditë më pas, Mema me anë të një tjetër korrespondencës elektronike, ka shprehur shqetësimin se një pjesë e madhe e nëpunësve nuk i kanë dërguar formularët pranë DBN. Prej gati një muaji nuk dihet nëse ky detyrim është përmbushur nga ambasadorët, nëpunësit e ministrisë apo bashkëshortet e tyre. Por “mungesa e korrektësisë”, siç shprehet Mema, dhe fakti se rezultati i këtij “censusi” po ruhet me fanatizëm në zyrat e MPJ, ngre hije të forta dyshimi se diplomacia shqiptare ndodhet në prag të një “skandali” të përmasave të mëdha.

“Skandal” që në rast se do të vërtetohet do përbëjë edhe një shkelje flagrante të “Konventës së Vjenës për marrëdhëniet diplomatike”, në nenin 8, pika 2 e së cilës theksohet se anëtarët e stafit diplomatik të misionit nuk mund të caktohen nga personat që kanë shtetësinë e shtetit pritës, përveçse me pëlqimin e shtetit përkatës, i cili mund ta tërheqë atë pëlqim në çdo kohë. Në “Rregulloren për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, të hartuar nga MPJ-ja për zbatimin dhe rregullimin e veprimtarisë së shërbimit të jashtëm sipas përcaktimeve të ligjit të vitit 2003 “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 18 thuhet se diplomati nuk mund të emërohet në një mision, kur shtetësia e tij apo e bashkëshortes përkojnë me atë të vendit ku ndodhet misioni. Në mënyrë taksative ekziston pengesa ligjore për vetë ambasadorët dhe diplomatët, që të emërohen në shtetin nga i cili kanë shtetësinë e dyfishtë. Gjithashtu në nenin 27 të ligjit “Për shërbimin e jashtëm”, si kërkesë e parë për emërimin e diplomatëve sanksionohet kushti i banimit të përhershëm në Shqipëri, shkruan GSH.

March 5, 2013 09:35
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*