MINISTRIA JEP LAJMIN E MIRË: Falas ilaçi për pacientët që vuajnë nga optimizmi kronik

April 21, 2018 17:08

MINISTRIA JEP LAJMIN E MIRË: Falas ilaçi për pacientët që vuajnë nga optimizmi kronik

 

Përmes një njoftimi, më në fund Ministria e Shëndetësisë miratoi marrjen falas për të gjithë pacientët, të medikamentit depresiv Proprex. Siç dihet, ky ilaç i bekuar është zgjidhja ideale për mijëra e mijëra shqiptarë që vuajnë nga hareja dhe optimizmi i vazhdueshëm. Lajmi mori duartrokitjen e hareshme, e me gjasë, të fundit, të shtresave të gjera të popullsisë.

Sipas njoftimit të ministrisë, “ky vendim u mor për t’u ardhur në ndihmë gjithë shqiptarëve që prej vitesh kanë shfaqur simptoma të padurueshme gëzimi të pakuptueshëm, ndjesi madhështore për veten, lumturi kronike, vetëvlerësim pa asnjë bazë logjike, tepri buzëqeshjesh e përqafimesh vend e pa vend etj.”

Siç dihet, deri tani për këto probleme zgjidhja vinte vetëm nga mjekësia popullore, e cila për luftimin e alegrisë idiote propozonte: Hedhjen një sy të faturave për të paguar, ndjekjen e rregullt e lajmeve, vizitën në ndonjë azil pleqsh etj. Por jo më.

Ja ç’tha për Gojët e Liga mjeku i njohur depresolog, dr. Myfit Zdromsi: “Sa herë keni parë targa makine të personalizuara; njerëz që të japin muhabet në rradhën e supermarketit pa i njohur fare; prindër qesharakë që shkojnë në shfaqjen teatrale të fëmijës së tyre në kopsht; shokë apo shoqe që qeshin pa shkak, përqafojnë pa një pa dy; rob që ftojnë miq e të njohur të dalin për shëtitje në vende të gjelbëruara, të bëjnë alpinizëm etj. Të gjitha këto dhe të tjera, janë shenja të qarta të optimizmit kronik, një gjendje që po kërcënon seriozisht shoqërinë sonë”.

Dr. Zdromsi sqaroi se ai nuk ka asgjë kundër gdhirjes një mëngjes me humor të mirë, apo tregimit herë pas here të ndonjë barcolete me policë.

“Por hareja permanente është diçka krejt tjetër; është zgërdhirja e vazhdueshme e komshiut përballë, Sytkiut; është përqafimi dhe puthjet e pandalshme të tezes sime Mushide, kur isha i vogël dhe m’i spërkaste faqkat me pështymë etj. Unë e di ç’kam hequr. Prandaj Proprex ka dalë në kohën e duhur”, thotë mjeku.

Në fakt, Proprex i ka dhënë provat se mund të ulë ndjeshëm sjelljen gallatoze, dëshirën për piknik, shtysën e brendshme të dikujt për të mbetur në kontakt me shoqërinë, apo më keq akoma, dëshirën e vajzave të sapomartuara për të lidhur mikeshat e tyre beqare me ndonjë shok të burrit.

Gjithashtu Proprex ka dhënë rezultate të mira tek edukatoret e kopshteve, animatorët e rezorteve turistike dhe guidat e grupeve të turizmit kulturor.

“Unë kam një propozim edhe më të guximshëm”, shtoi në përfundim dr. Myfit Zdromsi, “nëse Proprex u jepet edhe gjimnazistëve të vitit të fundit, jam i bindur se numri i mbrëmjeve të maturës do të ulet me 70% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.

Shënim: Gojët e Liga është një rubrikë anti-depresive. Merret vetëm me recetën e mjekut ose veterinerit. E pakëshillueshme për moshat nën 12 vjeç. Ose për këdo që s’e ka kaluar kurrë këtë stad. Lexoni me kujdes tekstin lart, para se të lexoni shënimin poshtë. Ose jo. Si të doni. E kush do ju kontrollojë mor aman?

April 21, 2018 17:08
Komento

1 Koment

  1. Mark .U.K April 21, 22:56

    Po cfar lajm i mire.Kjo duhet tu kerkoj te falur qe jua ka ndaluar.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*