Minoriteti grek në Shqipëri

Elmaz Puto October 12, 2015 22:58

Minoriteti grek në Shqipëri

Shqiptarët dhe grekët janë popuj më të lashtë të Ballkanit dhe si të tillë kanë bashkëjetuar gjatë gjithë historisë së tyre. Duke filluar qysh në kohërat më të vjetra kur shtetet nuk ishin krijuar dhe nocioni kombëtar për to ishte i dobët, lidhjet midis nesh kanë qenë shumë intensive, të pakufizuara në kohë dhe hapësirë, me dhënie-marrje ekonomike nga më të mirat, me gërshetime kulturash e vlerash të pasosura, me shtretër legjendash të përbashkëta, me zakone e veshje gati të njëjta për krahinat jugore të Shqipërisë, por edhe me ndihmë të çmuar në ngjarjet historike të njeri-tjetrit, siç kanë qenë kohërat e Revolucionit Grek të vitit 1821 apo të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër të njëjtit armik. Midis popullit shqiptar dhe atij grek, minoriteti grek në Shqipëri ka qenë kurdoherë një vlerë e madhe miqësie.

Miq të lashtë dhe të sinqertë

Miqësia midis shqiptarëve e minoritarëve greke ka rrënjë të thella dhe asnjëherë nuk është tronditur dhe lëkundur. Po nënvizoj disa fakte: Dervicianin me popullsi greke, por edhe fshatin më të madh të minoritetit në Shqipëri, e ndan vetëm një përrua i cekët nga Lazarati, që është gjithashtu fshati më i madh i Gjirokastrës dhe me popullsi krejtësisht shqiptare. Por ajo që i ndan këto dy vendbanime është gjithashtu edhe besimi fetar. Dervicaniotët të krishterë ortodoksë, me ndjenja të zhvilluara fetare, siç janë përgjithësisht grekët, kurse lazaratasit myslimanë, bektashianë të devotshëm, sikundër nuk janë përgjithësisht shqiptarët. Me gjithë këto, ata nuk patën kurrë armiqësi midis tyre. Jo vetëm në kohën e regjimit komunist, kur pronat u kolektivizuan dhe ligjin për kontradiktat e sheshonte shteti, por edhe në kohët më të vjetra ku tokat, bagëtitë dhe kullotat ishin private, mirëkuptimi dhe zgjidhjet vëllazërore të problemeve ishin nga më të përkryerat, ndoshta më të mira se sa edhe në mes të vet fshatrave minoritare apo shqiptare. Lidhjet miqësore qenë krejtësisht normale, ndonëse nuk patën martesa me njeri-tjetrin.

Të qartë në rrjedhat historike

Në ndërtesën ku kalova fëmijërinë jetonin gjithsej gjashtë familje, tre nga të cilat ishin minoritarë nga Dropulli apo Pogoni. Kurrë nuk mbaj mend të jemi grindur me njeri-tjetrin, aq sa kur qanim hallet e jetës së përditshme nuk të shkonte aspak ndër mend se bisedoje me një njeri të një kombësie tjetër. Dhe jo vetëm ne të rinjtë, por edhe prindërit tanë të cilët kishin jetuar disa ngjarje historike drithëruese, siç qenë ato të ndërhyrjes ushtarake greke në Gjirokastër në Luftën Ballkanike të viteve 1912-1914, por edhe në kohën e Luftës Italo-Greke të vitit 1940, dinin të bënin dallimin midis gjendjes së luftës me atë të paqes. Natyrisht lufta ishte luftë dhe kish patur edhe episode tragjike, por nuk ngatërruan popullin grek me monarko-fashistët e asaj kohe, siç nuk mund të identifikohej populli shqiptar me qeverinë fashiste të Tiranës në kohën e okupacionit fashist italian; populli grek dhe qeveria e tij, sot me fashistët e “Agimit të Artë”. Edhe në kohërat më të vështira raporti i konsoliduar midis shumicës shqiptare dhe pakicës greke nuk u prish. Kur në 1914 Qarku i Gjirokastrës ishte i pushtuar nga forcat ushtarake greke, populli i minoritetit tregoi një sjellje shumë korrekte e solide me shqiptarët. Nuk pati asnjë konflikt, asnjë tension midis tyre, asnjë rast hakmarrje, përkundrazi, siç na tregonin të parët tanë, kishte raste që minoritarët me autoritetin e të njëjtës kombësi me pushtuesit, ndërhynin pranë autoriteteve greke ushtarake për tolerancë e sjellje më të mirë ndaj shqiptarëve, pra u dilnin atyre në mbrojtje. Ndërsa banorë të zonës së Kurveleshit gjatë Luftës Italo-Greke strehuan në shtëpitë e tyre, i ushqyen dhe u mjekonin plagët e marra në luftë shumë ushtarëve grekë të plagosur.

Janë bërë dhe gabime, por jo të vijës zyrtare!...

Por e vërteta është që edhe gabime e veprime në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet në fuqi janë bërë, pavarësisht se këto nuk përfaqësonin politikën zyrtare të shtetit dhe janë korrigjuar në kohë. Këtë po e ilustroj me një shembull. Për popullin e minoritetit grek ishte befasues dhe kategorikisht e papranueshme ajo që ndodhi në vitin 1966. Ndodhesha në Vrisera, që ishte qendra e Dropullit të Sipërm, dhe vura re që jashtë zyrës së gjendjes civile ishte afishuar një listë me emra të rinj shqiptarë. Nënkuptimi ishte që minoritarëve grekë u rekomandohej që fëmijëve të porsalindur t’u viheshin të atillë emra. E përkthyer në shqip, veprimi në fjalë ishte një dhunë shtetërore mbi minoritarët. Më vonë do të mësoja se “rekomandime” të tilla me lista të afishuara kishte edhe në zona të tjera të banuara nga minoritare greke si në Sofratikë të Dropullit të Poshtëm, në Poliçan të Pogonit si dhe në disa zona me popullatë minoritare greke në rrethin e Sarandës. Nuk mund të pretendoj se atëherë e kuptova plotësisht rrezikun e këtij veprimi, gjithsesi kjo gjë nuk më pëlqeu. I shtyrë edhe nga kureshtja, pyeta nëpunësin e gjendjes civile dhe kryetarin e Këshillit Popullor të zonës, nëse ishte iniciativa e tyre apo orientim nga lart. Nuk dinin ç’të thoshin. Më pas do të më qartësohej që Komitetet e Partisë të Gjirokastrës e Sarandës nuk ishin të pa implikuar. Nuk përjashtohej edhe ndonjë porosi nga ndonjë organizëm shtetëror. Është mëse e vërtetë që KQ i Partisë e dënoi këtë veprim. Jam dëshmitar i faktit që aty nga fillimi i vitit 1967 sekretarët e parë të rretheve Gjirokastër e Sarandë u thirrën nga sekretari i KQ Hysni Kapo, i cili ju bëri kritika të rrepta dhe iu dha porosi të bëheshin menjëherë korrigjimet e nevojshme. Për atë takim më ka folur mua dhe disa punonjësve te redaksisë të gazetës “Llaiko Vima”, gazetë në gjuhën greke që botohej ne Gjirokastër, kryeredaktori e asaj gazete i ndjeri Vasil Çami që ishte prezent i thirrur në atë takim. Ato që nuk u korrigjuan gjer në 1990 ishin lufta e klasave, dënimet e internimet për politikë, mungesa e lirisë për pronën private, eliminimi i institucioneve fetare dhe ndalimi i saj, ndalimi i lëvizjes jashtë vendit etj., por këto ishin padrejtësi si për të gjithë popullin shqiptar dhe jo vetëm për minoritarët grekë.

Paragjykime që u ka ikur koha

Gjendjen dhe trajtimin e minoritetit grek në Shqipëri në kohën e sistemit njëpartiak e kanë njohur dhe qeveritarët grekë. Këtë e dinte ish-ministri i Jashtëm e më vonë Presidenti Grek Karlos Papuljas, i cili e vizitonte shpesh zonën e minoritetit në vendin tonë, sidomos fshatin Sotirë ku shpesh merrte pjesë në festat e atij fshati. E dinte dhe e njihte dhe Andrea Papandreu, një nga udhëheqësit e mëdhenj të popullit grek, si dhe shumë personalitete të tjerë grekë. Por propaganda e disa qarqeve reaksionare sikundër edhe partia fashiste “Agimi i Artë”, kanë vazhduar të llomotisin për përkatësinë e vorio-epirit dhe gjoja për persekutimin e popullatës së minoritetit grek nga qeveria shqiptare. Nuk kanë munguar edhe disa elementë nga minoriteti që gënjejnë pa pikë turpi edhe duke vënë në pozitë të vështirë vëllezërit e tyre minoritarë grekë. Është e habitshme, por ka patur edhe të tillë që duke u paraqitur si të persekutuar në një kanal të dyshimtë televiziv, shpifin ndyrazi se “në kohën e sistemit komunist minoritarët grekë ndaloheshin të flisnin gjuhën e tyre greke dhe se nuk kishin as letër-njoftim (karta e identitetit e sotme) si gjithë shqiptarët, por vetëm një copë letër”. Këto shpifje e kanë marrë përgjigjen. Njerëz të atillë ndoshta shpresonin të dekoroheshin për “meritat” e tyre, por logjika e fakteve, e realitetit dhe fqinjësisë së mirë nuk mund të ndryshojnë për qefin dhe urrejtjen e ca tipave të tillë.

Ambasadori grek për mikpritjen shqiptare

Në bisedën që bëmë, ambasadori grek që përmenda pak më parë, u shpreh se kudo që kishte patur rastin të shkonte, për të ishte mbresëlënëse mikpritja shqiptare. Lidhur me këtë premtoi që pasi të mbaronte misionin në Shqipëri, do të shkruante një libër për këtë cilësi të vyer tonën. Më tregoi një episod. Në një udhëtim që kishte bërë nga Vlora në Sarandë, diku në mes të rrugës ndaloi makinën i detyruar sepse disa punëtorë po nxitonin të kalonin përmes xhadesë një tub uji për vaditje. Më i moshuari prej tyre iu afrua makinës dhe kërkoi falje për ndalesën. Kur ambasadori doli nga makina iu afrua përsëri me një kokërr portokalle në dorë dhe i thotë: “Zotëri desha t’Ju qeras me këtë që na u ndodh”. Vite më vonë kur isha në Athinë u kujtova për këtë bisedë dhe shkova në Ministrinë e Jashtme Greke me mendimin dhe dëshirën se mund të takoja ambasadorin. Shpresoja të merrja dhe librin e premtuar, por më thanë se ndodhej i emëruar në një vend afrikan.

Elmaz Puto October 12, 2015 22:58
Komento

4 Komente

  1. Ili October 12, 23:21

    C’fare mendimi ka minoriteti grek per Camerin? Po per pazaret qe Greqia ka bere me Turqin per shkembim popullatash? Po per “greket” a Qimares qe nuk flasin shqip se sduan?

    Ka minoritar njerez fisnik plot. Por kur te shkruash nje artikull te till, tregoju i drejt dhe fol per te dyja anet. Ngrije zerin per Camet si sic a ngre per zoterote.

    Jam shum i sigurt qe minoriteti grek po te kishte mundesi ta kthente jugun greqi neser, ja fillonte punes sonte mbrema.

    Reply to this comment
  2. Asllani October 12, 23:50

    O tope , po ku i gjete “greket” ti more ? Kush t’i beri sateme ? Ne Gadishillin Ilirik as ka pasur dhe as ka per te pasur ndonjehere greke !
    O topeksaan , ata jane shqiptare safi , duke perjashtuar ca pakica sllavo-vllehe dhe ato afrikane !

    Do veje haka tek i zoti ka bere premtim perendia , kur u largua nga Shqipo-Pellazgjia !

    Reply to this comment
    • Zenuni April 28, 00:49

      O Asllan osman…ku i ke ti shqipot?
      Ne Apolloni? Apo ne finiq e antigone?
      Camet ishin dhe jan si ti turqqqqq…
      Apolloni (themeluar nfa greket)…Epidamnos;lysos..te duken emra shqipo… Dhe nuk ke asgje as me Ilirine qe ishte ne kroacine e sotme dhe ne slloveni…
      Por ju turqit jeni mesuar te merrni qytete e ti nderroni vec emrin. Kostantinopol -stamboll..te merrni kisha e ti beni xhamute…shen Sofia ne xhami,?..Turp te keni o e keqja e shqiperise..

      Reply to this comment
  3. lato October 13, 00:13

    Me fal po ti qenke jo vetem hipokrit,por edhe maskara.Kete qe po boton ketu e ke shkruar tek Laiko Vima ne kohen e vizites se shokut Enver ne Dropull.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*