Minxhozi: Nga 8 janari, vizita pune të ministrave të dy qeverive

January 3, 2015 10:17

Minxhozi: Nga 8 janari, vizita pune të ministrave të dy qeverive

Marrëveshja e Prizrenit mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, ka intensifikuar  marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në një intervistë për Top Channel bën bilancin e një viti me aktivitete dhe jep vlerësimin e tij për marrëdhëniet mes Tiranes dhe Prishtinës zyrtare.

Minxhozi tha se para mbledhjes së dy qeverive në muajin mars, do të shikohet cfarë nuk është realizuar deri tani. Ai bëri të ditur se nga 8 janari do të nisin vizita pune të ministrave të të dy qeverive.

“Duhet të kemi parasysh që ka qenë një pengesë serioze edhe mos pasja e një qeverie nga zgjedhjet e qershorit. Kjo ka ndikuar në një farë mase, nuk mund të themi se ka qenë gjithëcka. Tani që qeveria është krijuar, dmth  ministrat do të lëvizin me një program në të dy anët e kufirit. Fillojnë vizitat e para që në 8 janar, vjen ministrja e kulturës këtu, më 12 janar shkon ministri I punëve të jashtme, zv kryeministri Thaci në Tiranë dhe kështu me radhë. Pra do të ketë vizita të planifikuara me tematikë të planifikuar. Nuk do të jenë vizita kortezie, por do të jenë vizita pune, që ministrat kur të vijnë këtu ose shkojnë në Shqipëri të shkojnë me grupe pune, duke pasë parasyshë elemente që janë fiksuar në mbledhjen e dy qeverive në janar në Prizren”, tha ambasadori.

Minxhozi tha se edhe pse ka rritje ekonomike midis dy vendeve, ajo ende është e pakënaqshme.

“Midis Kosovës dhe Shqipërisë nga viti në vit ka një rritje ekonomike, por ende është e paknaqshme. Është diku te 150 milion euro në dy kahjet e kufirit shkëmbim mallrash, ku raporti është 1 me 3 për sa I përket përfitimit dmth 75% janë eksportet shqiptare dhe 25% janë eksportet e Kosovës. Megjithatë ne nuk na knaqin përqindjet, do të na knaqte rritja e nivelit të shkëmbimeve dhe potencialet janë sidomos në fushën e bujqësisë, por edhe në fushën e ndërtimeve, në aspektin turistik etj”, theksoi Minxhozi.

Ambasadori shqiptar tha se nuk ka njohje të plotë të dy tregjeve dhe se ajo cfarë duhet bërë në mënyrë urgjente është standardizimi i produkteve, i cili sipas tij do t’i jepte hov të madh zhvillimit të artikujve industrial, bujqësor, blegtoral, etj. Ai tha se duhet të ketë vetëm një certifikim malli për dy vendet në mënyrë që të fashiteshin kriza të produkteve të ndryshme.

Ndërsa pengesa më e madhe për bashkëpunim ekonomik, sipas Minxhozit mbetet barriera doganore, problem për të cilin tashmë janë planifikuar angazhime të ministrave përkatës.

“Ne po shikojmë mundësinë që këto të ulen dhe për të arritur këtë kemi menduar nga mesi i muajit shkurt, ministrat e ekonomisë dhe financave të të dy vendeve të kenë një dëgjesë publike me biznesmen të Kosovës dhe Shqipërisë për të dhënë mendimet e tyre, si këto barriera mund të ulen”, tha Minxhozi.

Përpjekje po bëhen edhe në fushën e arsimit lidhur me unifikimin e diplomave dhe  njohjen e tyre reciproke.

Ndërsa si aktivitet të rëndësishme të ambasadës shqiptare, Minxhozi vlerësoi promovimin turistik, përmes udhëtimeve që ambasada ka organizuar me trupin diplomatik në Luginën e Valbonës dhe grykën e Komarit e në vende tjera me potencial për zhvillimin e turizmit./tch

January 3, 2015 10:17
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*