Miqësia ushtarake, pedagog!

February 6, 2019 14:46

Miqësia ushtarake, pedagog!

Requiem, 6 shkurt 1981-6 shkurt 2019

 Prolog

Pedagogu i planifikimit ekonomik, një burrë i shkurtër dhe pak rondokop, i ardhur nga Universiteti i Tiranës, kishte në kujdestari  klasën e prapavijës. Kishte ndodhur që njëri nga studentët, duke shëtitur në një nga lulishtet e shkollës i kishte futur krahun miqësisht. Reagimi i ashpër i pedagogut i kishte lënë shije të hidhur studentit, por edhe e kishte befasuar dhe, ashtu në lëvizje e sipër i ishte përgjigjur; – më fal, por ne kështu e kemi, kjo është miqësia e veçantë ushtarake pedagog. – Ç’është kjo miqësi, njëlloj jemi, kishte vazhduar ai me të njëjtën ashpërsi. Studenti pasi i kishte kërkuar edhe një herë falje ishte larguar.

Ky episod interesant rrëfehej nga të gjithë studentët e prapavijës si diçka e veçantë për ne studentët ushtarakë. Të miqësuar me njëri-tjetrin, me komanduesit dhe pedagogët edhe për shkak të vështirësive të jetës ushtarake, të jetesës 24 në 24 orë së bashku, ku asnjëherë nuk konfondonim miqësinë me detyrat dhe detyrimet, asnjëherë nuk harronim të respektonim komandues dhe mësimdhënës, kjo sjellje edhe na habiste pak, por si një rast i rrallë dhe i veçantë e kaluam me shaka.

Dhe unë sot mund të shtoj:- Jetonim bashkë pedagog,  flinim dhe zgjoheshim  bashkë, luanim e argëtoheshim bashkë, grindeshim  dhe pajtoheshim  bashkë, pra ishim  më shumë se shokë, ishim  si vëllezër.

5 shkurt, në majën e  Mecekut – 1827 metër e lartë

Ishte një ditë  plot diell. Ngjiteshim shpatit verior të Malit me Gropa në njësh- kolonë, ngadalë, sepse dëbora e vjetër ishte e rrëshqitshme dhe në atë shpat mali, mjaft të pjerrët rreziku ishte i pranishëm në çdo çast. Por, sidoqoftë bisedat dhe shakatë vazhdonin. Pas rreth një ore marshim arritëm në majën  e Mecekut. Para nesh u shfaq me tërë madhështinë e saj pllaja me gropa, e mbuluar me dëborë, bardhësia  lëbyrëse e të cilës na verbonte sytë. Kush e di sa gropa janë? 1,2,3….eh. Me siguri ato fshehin diçka nën vete. Nuk e di pse më shkon mendja tek mitologjia greke. Mos vallë titanët  janë kallur këtu dhë jo në Tartar. Po po, këto gropa duhet të jenë varret e tyre.  Duhet ndrequr  në këtë pasazh mitologjia greke, sepse  Zeusi e kishte më të lehtë që nga Olimpi t’i vërviste e t’i kallte në Malin me Gropa.  Eh, është vetë madhështia që të shfaqet përpara syve që të zgjon fantazinë.

U ngjitëm dhe pedagogu kujdestar, zoti Dino Ahmeti na thirri t’i afroheshim. Maja e Mecekut, na thotë ai ka edhe një veçori. E ndodhur në qendër të vendit është e vetmja majë nga ku, në kohë të kthjellët dhe me shikueshmëri të lartë si sot,  mund të shohësh  gjithë malet e Shqipërisë, nga Jezerca deri në Gramoz. Dhe me të vërtetë koha e bukur  na mundësoi të shihnim tërë ato masive malesh, në çdo anë të horizontit. Ata  ngriheshin  madhështorë nën bardhësinë e dëborës, me një bukuri mahnitëse. Ne e patëm fatin e mirë atë ditë të shohim këtë mrekulli me sytë tanë. Po për fatin tonë të keq asnjë nuk kishte një aparat fotografik që të fiksonim në celuloid këto pamje.

Vite më pas duke e rikujtuar këtë çast lus të gjej edhe njëherë rastin e të ngjitem në Mecek, por tani i pajisur me të gjithë mjetet moderne që i mundëson koha. Pse jo. Mali me Gropa dhe maja e Mecekut besoj se shumë shpejt do të  kthehen në një atraksion turistik.  Pasditen e datës 5 shkurt, moti u prish, reshjet e shumta të dëborës  era e fortë i hidhte në faqen veriore të malit, temperatura ra ndjeshëm.

6 shkurt …

Kishim përgatitje alpinistike (grupi mësimor ku bëja pjesë kishte në program zbritje dhe rrëshqitje me litar tek shkëmbinjtë e Selitës), ndërsa  8 grupe mësimore iu ngjitën faqes veriore aq të  thepisur të Malit me Gropa. Dëbora e një nate më parë për shkak edhe të erës kishte veshur faqen e malit me një shtresë që shkonte edhe një metër. Ajo flinte mbi dëborën e vjetër si mbi një shtrat të lëvizshëm, gati për të rrëshqitur në çdo moment. Dhe ashtu ndodhi. Ndërkohë që kreu i kolonës ishte në dy të tretat e lartësisë dëbora rrëshqiti në një gjerësi rreth 200 metra. Forca vigane e natyrës i vuri përpara të gjithë ata djelmoshë të mirëstërvitur dhe të fuqishëm duke shkaktuar 11 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.

Ndërsa vazhdonim stërvitjen tek shkëmbinjtë e Selitës një helikopter Mi-4 u shfaq mbi kokat tona. Ndalëm për pak kohë duke kundruar lëvizjet e tij. Era e fuqishme e vështirësonte shumë fluturimin, por piloti arriti me mjaft mjeshtëri ta shmangte dhe helika mori rrugën për lart, drejt Qafës së Patates.

-E po, do të ketë ndodhur diçka në Bizë,- tha dikush nga ne. Por në çast helika qëndroi pak mbi fushën e pjerrët dhe të ngushtë të qafës dhe filloi të ulej. Nuk e di por vetvetishën pa na urdhëruar kush, u nisëm me vrap drejt fushimit. Atje do të mësonim gjithçka kishte ndodhur.

 Eh, Bilbil mirësia

Ishim dy tiranas në grupin tim mësimor, unë dhe i urti e paqësori Nikollaq Pano (sot i emigruar në Amerikë). Komandant Sazan Matllia na nisi të dyve për në shtëpi. – Shkoni, na tha, t’u shohin prindërit dhe gjithë të afërmit që jeni mirë. U tregoni për ngjarjen dhe u thoni që po e përballojmë me kurajo të madhe; merruni adresat të gjithë shokëve dhe u dërgoni nga një telegram  familjeve të tyre, për tu thënë që janë shëndoshë e mirë. U nisëm dhe pas një ore e gjysmë rrugëtim u gjenda në Selitë të Vogël. Njerëzit më përqafonin dhe më uronin që isha mirë. E gjithë rrugica ku banonte familja ime, me të më parë dolën dhe m’u hodhën në krahë. Isha i përlotur jo vetëm nga pritja, por para se të mbërrija tek rrugica ime kisha vështruar rrugicën ku banonte motra e të ndjerit Bilbil Pasha. M’u duk e shkretë si e zhytur në vaj për humbjen e Bilbil mirësisë. Shpesh të dielave e bënim rrugën bashkë, unë për tek familja dhe ai tek motra e tij në Selitë. Mbaj mend se një ditë një fqinja e jonë, një vajzë simpatike dhe e shkathët i tha:- do të bëjmë dhëndër të lagjes. Unë që menjëherë iu ktheva:- nuk e ka keq, kemi shumë vajza të mira këtu. Bilbili u skuq pak, uli kokën, pastaj e ngriti duke buzëqeshur dhe mu duk sikur i tha:- po ja, të gjeta ty.

Ishim në një moshë kur zemra fillon të rrahë fort në kërkim të shoqes së jetës, ku dashuria dhe poezia flenë së bashku në  një simbiozë  të rrallë dhe herë- herë të çuditshme, aq të çuditshme saqë të bën shpesh të duket sikur je në një fluturim, nga ku si në një film me metrazh të gjerë të shfaqen ëndrra hyjnore.

Po Bujari…?!

Me Bujar Agën në shkollën Skënderbej kishim qenë shokë të një  klase dhe miqësinë e ruanim të fortë edhe në shkollën e lartë. Bujari  studionte për prapavijë, ndërsa  unë për AKA. Në përshtatje më studimet që vazhdonte, komanduesit e kishin caktuar ca ditë të merrej me administrimin dhe furnizimin e fushimit. Ndodhi që atë ditë të ishte e para dhe e fundit ditë stërvitje për Bujarin. Ashtu të angazhuar siç ishim ato ditë rastis të takoj Xhavit Dervishin, një bashkëfshatar i Bujarit dhe menjëherë i them:- po Bujari? Ai më pa një çast dhe mes ngashërimit më thotë, – Bujari më duket na la. – E mora në krahë, vazhdoi ai dhe e çova tek helikopteri, por m’u duk kallkan, i ngrirë i tëri. Të nesërmen do të merrnim lajmin e hidhur.

Më pas do të më shfaqej shpesh në ëndërr  i buzëqeshur. Dhe ndërsa ditët që hidhja këto rreshta në letër, mu rishfaq sërish ashtu buzëgaz. Unë i gëzuar i them,- Jam bërë gjysh. Ai pa e ndërprerë buzëqeshjen u largua në amshim, në përjetësinë, që fati ia zgjodhi aq shpejt dhe nuk e la të vinte në lartësinë ku u ngjitëm  ne.  Aty nën dëborën e ftohtë mbetën për të mos u harruar kurrë edhe komandant Dushan Shameti, shefi i planifikimit Çlirim Pulaj, pedagog Nikollaq Bero, studentët, Qemal Lika, Nexhip Çoba, Besnik Shehu, Ilir Gramatikoi, Aleko Gjoni dhe Pëllumb Rrapo. Pesë studentë ishin të klasës së prapavijës nën kujdestarinë e pedagogut të planifikimit ekonomik.

Epilog

Të gjithë për të gjithë. Kjo ishte motoja e atyre ditëve të vështira që po kalonim. Në udhën këmbësore që lidhte fushimin me Qafën e Patateve lëviznin pa reshtur me dhjetëra studentë, pedagogë, komandues  për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve. Pedagogu i planifikimit pasi kishte rendur në ndihmë të studentëve të tij, i lodhur ishte ulur mbi një gur dhe lotët i rridhnin pa reshtur nëpër faqe. Iu afruan menjëherë disa studentë, të cilët duke përjetuar si dhe ai dhimbjen e madhe për shokët e humbur, e ngritën ngadalë dhe si për të ngushëlluar edhe veten i thanë: -jo kështu pedagog! Duhet ta kthejmë dhimbjen në forcë për të vazhduar përpara. Mes dënesave pedagogu filloi të shqiptojë pa u kuptuar në fillim disa fjalë, deri sa arriti të thotë disa herë me zërin që i dridhej:- më falni djema, më falni, më falni, tani e kuptova se ç’është miqësia ushtarake, më falni, më falni…

 

Mersin Kurti

 

February 6, 2019 14:46
Komento

3 Komente

  1. lexuesi i DITES February 6, 20:56

    Kur lexova kete tregim, ndjeva se ngjarja sapo ka ndodhur…e shumta dje ose pardje.
    Falenderim per Ju, z. Mresin Kurti!
    Miqesia ushtarake ishte dhe mbeti e larte, e paster, e sinqerte, e nevojshme dhe mbi shoqerine e thjeshte ne sektore te tjere te jetes se atyre koherave…
    Te paharruar per jete studentet ushtarake dhe kuadrot, qe dhane jeten ne ate stervitje!

    Reply to this comment
  2. Guri Naimit D(Dh Xhoga) February 6, 22:13

    Faleminderit i nderuar Mersin Kurti.
    me bere te jetoj vite ne ato zona-si mesues(1964-73).
    Dhimbjet s’duhe harruar.

    Ju pershendes,i nderuari Mesin Kurti,(mos jeni nga Seliata apa Bastari Mesem?),per kete shkrin si “Nekrologji”, per ate humbie te atyre 11 studenteve dhe petagogeve,ne ate stervitien ne malin me gropa,lene dhimbie tek te gjithe ne,jetuar e njohur ato me pellembe dhe na cuditi.E them kete se duhet,ani se ka kaluar kaqe kohe,duhet kerkuar llogari drejtuesve te asaj stervitie per sa ndodhi.natyrisht,nuk jam specialist i asaj fushe.po thjesht si nje ish mesues njohur me pellembe ato male,nuk duhet te kishte ndodhur nje ngjarie e tille..Po ndiese pacin ata dhe, pa tjeter,mesim nxire per te ardhmen.
    Une i nderuar Mesin Kurti,(pa tjeter duhet te njihemi ), nje jete ne ato zona,me qender ne shkollen e Zall-Dajti t,nisur nga Shenmeria e Shengjergj kaluar deri ne Vakumone,ate Marsin e 1996.per te zv Nje mesues te pa paraqitur ne detyre.Pjeserisht mes malit siper lagjes Ure e Vakumone shkuar,ne ate qafe mali me debore i vetem.Nje bukuri e rralle mes stalakmiteve dhe stalaktiteve mes skembijve,Po kenaqesine e kam ndiere ne Maje te malit Dajtit,qe ne viti 1962,eskurision me nxense studente te Tiranes,atje vene dhe nje gjyle topi si etalon i lartesise 1612m. Kujtim une me Pr.Mina Naqe e studenti Xhorxhi Cama,ruajtur dhe nje foto.
    Me gezuat me ate nenvizimin se ajo zona e malit me gropa eshte piketuar per tu bere pike turistike,vertet eshte e rralle dhe me Bizen komshi. Duhet nxitur.mali me gropa,eshte si nje amfiteater madheshtor me ne mes nje liqen i bukur,veror se dimrin mbulohet me akull.Sa si thoni ju aty si te shohish ne pasqyre tere shqiperine deri tej kufijte,malat e malave,qe ne vere ato me debore,marin nje bukuri te ralla.
    Faleminderit i nderuar mik,ndoshta ish nxenes ne ato zona,per sa me sillni,me nxitet te shkruaj per ate zone jo vetem per fshatrat.Dy zonat Shengjergj-Shupal e deri ne Qaf shtambe,jane me bukuri te rall nisur me nga tre luginar:e rjedhies se siperme te Lumejve:”Skorran me shpellen e Pellumbasit, Lumi Tiranes me “shkallen e Tujanit” sa lumiTerkuzes, mes M.Bieshit dhe Krujes, pas te cilit sot liqeni Bovilles.Perfshi rreth malit Krujes.
    U befte realite enderra e disa ushtarakeve madheore ,qe ne mes te viteve 60-70 mendoninte beni UNAZE rugen rreth ketyre maleve mes luginave te lumejve…
    Me prifte kjo vere,qe mendoj te kthehem ne atdhe,ani 83 vjecar,te bej nje shetitie lamtumire,ne ato male..te jetes sime,plot kujtime mes tyre.Me kryefjale ato te femijnise ne”Dangelline Naimjane”me Golikun,Kokojke ,deri Radomin perballe Gramozin..
    83 vjecari- ish mesues-:
    Pasuesi Veteran.
    Toronto06-02-2019 Guri Naimit D..

    Reply to this comment
  3. Orteku i Fekenit February 7, 08:47

    Lidhjet mes nesh kuptohen me mire kur lexon komentet edhe pa e njohur njeri tjetrin e dime kush eshte i JONI

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*