Mirëkuptim!

January 6, 2018 10:16

Mirëkuptim!

Prof.As.Dr. Artan Xh. Duka  

Ministri i Jashtëm i Greqisë Kotzias në një intervistë për mediat citohet se ka deklaruar që “… Ligji i luftës duhet hequr, pasi është i pakuptimtë…” , një deklaratë kjo që duhet përshëndetur për një pushtetar grek. I cilësuar budallallëk nga vetë pala greke, ligji atavik i luftës po “bezdis” me sa duket edhe ata vetë ndonëse si ligj “shejtan-budalla” mori peng me dekada pronat e shqiptarëve në Greqi.

Ndonse arriti të fshehë gjërat gjatë nën rrogoz, ky ligj sot po ekspozon jo për mirë Greqinë dhe është pengesë për bashkëpunimin e duhur mes nesh. Ai vërtet është hall i madh, por jo vetëm për ne por dhe për vetë Greqinë e marrë peng nga e shkuara e saj. Pa lënë mënjanë budallallëqet, kot që ule në tryezë pastaj.

Greqia fiton respekt e dinjitet më tej në rajon nëse rishikon me kurajo të shkuarën e saj. Se ndërsa minoriteti grek tek ne gëzon të njëjtat të drejta, në mos më shumë se popullsia shqiptare, shqiptarët autoktonë apo të shkuar në Greqi mbeten ende anonim dhe kjo nuk e nderon vendin që e prezantoi botën me demokracinë.

Tryeza e bisedimeve është e vetmja rrugë dhe që ajo të jetë “fair” (korrekte) duhet të aplikohet parimi i reciprocitetit dhe ekuivalencës për gjëra reale. Nuk ka rëndësi kush e ka listën e kërkesave më të gjatë (ndonëse historia i ka hyrë në hise më shumë shqiptarëve). Boll të jenë të vërteta historike dhe jo trillime e të paqëna.  Të drejta, për të cilat edhe mund të lëshohet pe, pa kompromentuar thelbin e saj, sa kohë pala tjetër nuk lan duart me lëshime për budallallëqe sipas saj! Në një “thes” nuk shkon e vërteta e budallallëku bashkë!

Për palën greke kërkesa reale që duhet të vlerësohen janë psh. konsolidimi i mëtejshëm i statusit të minoritetit grek, kufiri detar, menaxhimi i kufirit ndaj emigracionit ilegal, kontrabandës e trafiqeve, gjetja e trupave të të rënëve të luftës etj.

Sa për kërkesat e tjera (nga vëndprehja e ushtarëve, nënshtetësia e kryepriftit, ligji urbanistik në Himarë etj) ato nuk burojnë nga të drejta historike dhe si absurde provokojnë tensione artificiale që mund të qorrollepsin çdo tryezë dialogu më pas (e nëse pala jonë lëshon pe disi, nuk është lëshim në budallallëqe por lëshim real).

Mbi bazën e respektit reciprok e ekuivalencës, një memorial përkujtimor i të rënëve të luftës italo-greke tek ne do të mund të mirëkuptohet nga shqiptarët sa kohë respektohen viktimat dhe martirët e gjenocidit grek në Çamëri. Ku ne lëshojmë më shumë sepse popullsia çame ishte në tokën e të parëve.

Mbi bazën e respektit reciprok e ekuivalencës, tapia e minoritarëve sipas 7501 duhet të shoqërohet me njohjen dhe rikthimin e pronave historike shqiptare në Greqi. Ku ne lëshojmë më shumë sepse 7501 u mori tokën pronarëve shqiptarë.

Mbi bazën e reciprocitetit dhe ekuivalencës, kërkesat legjitime greke ndaj mirëqenies së minoritetit grek në jug të vendit, duhet të shoqërohen me njohjen e respektimin e të drejtave të emigrantëve shqiptarë, minoritetit arvanitas e atij autokton shqiptar çam epirot që u kategorizua si minoritet jo se i çoi rruga atje por se 1913 i la jashtë shtetit amë. Ku ne lëshojmë më shumë se një pjesë e tanëve janë minoritet në tokën e të parëve.

Deklarata e ministrit është një ogur i mirë. Stabiliteti, harmonia dhe mirëqenia afatgjatë në rajon është përgjegjësia e dy kombeve më të hershme në të. Lëshimet reciproke që respektojnë historinë, janë “kurbani” për të ardhmen e përbashkët. Dhe nëse duhen bërë, duhen bërë në emër të saj dhe jo të argumentit “se zhbllokuam vendimet e qeverisë së mëparshme”. Se i bie që dhe kufiri detar të zbatohet ndonëse antikushtetues.

Rajoni vetëm fiton nga një Greqi e Shqipëri e fortë që bëhen bashkë për sfidat e së ardhmes. Fundja, jemi binjak! Arvanitasit, epirotët… plus, mijra vjet që hamë e pijmë nga e njëjta tokë!

Dita

January 6, 2018 10:16
Komento

5 Komente

  1. Drini January 6, 17:22

    Po mor po.
    Por mos haro se prej dy mije vjetesh ka dale shprehja:
    “:Ruaju grekeve edhe kur te bejne dhurata”
    Edi Rama dhe Bushati te mos pandehin se ajo shprehje ka dale kot ose se nuk ka kuptim sot ne epoken e BEse.
    Boll leshime i jane bere nga te gjitha qeverite pa perjashtim per asocime e ku di une.
    Asnje leshim, ABSOLUTISHT ASNJE, ne ceshtjet e integritetit dhe dinjitetit tone kombetar!

    Reply to this comment
  2. Print January 6, 17:24

    Kjo buzeqeshja e Bushatit mund te tregoje pafajesi e cdo gje tjeter, por jo zgjuarsi.

    Reply to this comment
  3. Alberti January 7, 09:09

    Prof. As. Dr. Xhaxhi Duka, mos u mundo te sheqerosesh nje servilizem te tille te Bushatlies me Mirkuptim.
    Eshte vetem nje Nenshtrim i plote i c’do kerkese te Greqise nga qeveria Rama.
    Jo me kot greket e vune Bushatlien te kerceje ne Krete sipas valles tyre.

    Reply to this comment
  4. te lumte bushati January 7, 23:49

    Ditmir Bushati me aftesi diplomatike mundesoi tryeze te barabarte bisedimesh me greket megallomane te avantazhuar nga prania ne BE.
    Me imazhin famekeq qe kemi ne bote s’ka burre nene ne perendim te pranoje ti jemi perballe ne nje tavolin

    Reply to this comment
  5. Stefan Cole Vlore January 9, 06:00

    Buzeqeshja e Bushatit tregon nje hajdar, koke bole pa tru,servil i rames dhe grekut.Servil dhe pusht

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*