Mirënjohje Grigor Përliçevit të madh

Zylyftar Hoxha March 9, 2014 12:44

Mirënjohje Grigor Përliçevit të madh

 Ai që jep një farë kontributi sado modest dhe zbut disi marrëdhëniet tejet të tendosura midis Maqedonisë dhe Greqisë, edhe pse ka një shekull e ca që ka vdekur, është poeti i madh maqedonas, Grigor Perliçev. Perliçevi konsiderohet si babai i poezisë maqedonëse, por që këtë poezi ai e ka shkruar në greqisht. Dhe, bash për këtë arsye, grekët e konsiderojnë poet të tyre, “Homerin e kohëve të reja”. Perliçev është një lidhje e trupit me shpirtin që natyrshëm troket butë në zemra të ndjeshme njerëzore të të dy vendeve, duke sjellë njëkohësisht edhe një erë të ngrohtë paqëtimi. Se të tillë janë poetët, ata nuk punojnë e mendojnë vetëm në gjallje, por edhe në vdekje, ata nuk mendojnë vetëm për ditët, por edhe për shekujt. Për ta s’ka kufinj. Po të kishte kufinj, nuk do të ekzaltohej e frymëzohej aq shumë Perliçevi, sa të shkruante një poemë të tërë me 3000 vargje për Heroin tonë Kombëtar Skënderbeun. Se ai e dinte që Skënderbeu ishte një figurë e tillë universale, që në thelb të saj ka bashkimin, jo ndarjen. Fryma internacionaliste, kozmopolite është karakteristikë e poetëve, por veçanërisht e poetëve të mëdhenj.

Duke i kënduar heroit kombëtar të shqiptarëve, epiku Perliçev nuk kishte qëllim në vetvete ta paraqiste thjeshtë si një figurë simpatike luftëtari, por si një burim frymëzimi për popullin e vetë për të mbrojtur vendin dhe trojet e veta.

 

Sa dhe si e njohim ne Perliçevin dhe poemën e tij

Ky poet i madh, edhe pse kaq pranë nesh, edhe pse i ka kënduar Skënderbeut me një vepër me gati po ato përmasa dhe me atë forcë ideo-artistike sa ajo e poetit tonë kombëtar, Naim Frashërit, për arsye të njohura historike, njihet pak nga shqiptarët. Dikur kanë shkruar artikuj në revista të specializuara akademike në shqip, por meë shumë në gjuhë të huaj, Spiro Çomora, Androkli Kostallari, Koço Bihiku, Petraq Pepo etj., por ato kanë ngelur në rrethe të ngushta shkencore, pa u përhapur në publikun e gjerë. Poema “Skenderbeu” është përkthyer në shqip nga Spiro Çomora dhe është botuar dy herë, në fillim në ish-Jugosllavi dhe në Maqedoni, në vitet 1970 dhe në vitin 1998, por jo në Shqipëri. Diçka është bërë këto kohët e fundit, por edhe më shumë duhet të bëhet. Psh, ka shkruar diçka për të me rastin e 100- vjetorit të lindjes së Skënderbeut, dr. Fatmir Zanaj, si dhe një ese Xhevahir Spahiu, të cilën e ka botuar në maqedonisht, ndërsa në shqip, eseja ka ardhur për një numër shumë të kufizuar lexuesish, vetëm për ata të  revistës “Perla” të Fondacionit “Saadi Shirazi”, nga e cila kemi shkëputur një pjesë që po e botojmë në këtë numur. Ne nuk e njohim fare as poemën e as poetin Perliçev, ndërsa ai mund të rrinte shumë mirë me veprën e tij, krahas autorëve të tjerë të huaj apo shqiptarë, në memorien kulturore të kombit tonë, madje të njihej që në klasat e ulëta të shkollave tona.

 

Poema “Skënderbeu”

 Në poemën “Skënderbeu”, me gati 3000 vargje, tema kryesore është ballafaqimi i ushtrisë së Skënderbeut, i historisë, vlerave, moralit dhe fesë, që ai përfaqesonte si Gjergj Kastriot dhe i krishterë, me Ballaban Pashën dhe çfarë përfaqësonte ky pasha turk, me origjinë shqiptare. Si dhe Naimi, në “histori e Skënderbeut”, që i dhemb si shqiptar, edhe Perlicevi e ka shkruar këtë poemë si të ishte një shqiptar, duke folur me shumë simpati për Shqipërinë, malet dhe njerëzit e saj, fatosin e saj Skënderbe etj. Ndoshta në këtë atë e ka ndihmuar edhe ajo që ai e ka njohur Shqipërinë dhe gjuhën shqipe (ardhja në Tiranë, por edhe bashkëjetesa me shqiptarët e Ohrit)). Poema “Skënderbeu” e Perliçevit vazhdon të mbetet në greqisht, bullgarisht dhe maqedonisht (ndoshta edhe në gjuhë të tjera), por jo në shqip (Të më falë lexuesi, në qoftë se unë nuk kam informacionin e plotë), por edhe në qoftë se është botuar, asaj i duhej bërë një jehonë e tillë që ta njihte i madh e i vogël në Shqipëri, sepse, në të fundit, do t’i shërbente rritjes e forcimit të miqësisë mes dy popujve tanë, të cilët po punojnë e bashkëveprojnë sot për integrimin e tyre në strukturat europiane dhe euro-atlantike.

 

Kush është Perliçev

 Maqedonësit si etni dhe komb e konsiderojnë sot me të drejtë Grigor Perliçevin si figurën më të shquar të tyre që hodhi themelet e poezisë moderne maqedonase. Perliçev ka lindur në Ohër në vitin 1830 ose 1831, është njohur për herë të parë në Athinë si poet universitar grek. Në periudhën që studionte për mjekësi në Universitetin e Athinës, Grigor Përliçev mori pjesë dy vjet rresht në konkursin tradicional letrar që zhvillohej në atë vend, nën kujdesin e mbretit Otto. Vitin e parë të pjesëmarrjes së tij në atë konkurs, në vitin 1860, Grigor Përliçev fitoi çmimin e parë, me poemën e tij “Armatollos” (“Sirdari” përkthyer në maqedonisht). Një vit më pas, si poet tashmë i njohur në qarqet letrare greke, ai u paraqit në konkurs me poemën “Skënderbeu”.

Pasi kthehet në vendlindje në Ohër, ai bën përpjekje që të shkruajë jo më në gjuhën greke, por në “gjuhën pan-sllavonike”, një lloj gjuhe e shpikur prej tij si Eksperantoja e sotme, duke menduar se ajo do të shërbente si një gjuhë letrare që do të bashkonte sllavët. Në “gjuhën pansllavonike” ai përktheu “Iliadën” e Homerit si dhe dy poemat e tij epike “Armatollos” (Sirdari) dhe “Skënderbeu”. Ai u përpoq të hartonte edhe një gramatikë për këtë gjuhë. Por me gjuhën e krijuar prej tij, e cila ende nuk kishte një normë të përcaktuar letrare dhe nuk njihej nga populli, ai nuk arriti dot të shprehej artistikisht në atë nivel të lartë poetik, siç kishte bërë kur kishte shkruar në greqisht. I vetëdijshëm për këtë, vetë Përliçevi e kishte pranuar njëherë, se ai që kishte kënduar si bilbil në gjuhën greke, tani po çirrej si një buf në gjuhën “pansllavonike”.

Ai u mundua të sh shkruajë në dialektin shqipo-sllav të Ohrit, ndaj dhe adhurohej nga populli i

thjeshtë.  Në poemën “Armatollos”, një nga veprat e tij më të fuqishme, ka episode interesante të konflikteve, por edhe të respektit mes njerëzve të fiseve shqiptare dhe maqedonase, që jetonin së bashku në të njëjta treva.

Vdiq në Ohër në vitin 1893.

 

 * * *

 

Ç’thotë poeti, për poetin

Një vepër e shkruar në ditët njerëzore të Ballkanit*

Xhevahir SPAHIU

Udhëtoj nëpër Ohër. Dua të pi një kafe në shtëpinë e Grigor Përliçevit. E, në shqipen time të hershme t’i them:

-Tungjatjeta, poet!

Ai do të dalë te pragu e me një buzëqeshje të gjerë sa liqeni aty pranë, do të ma kthejë:

-Mirëseven, o mik!

E gjitha kjo a nuk i njgan një ëndrre? Se këtu në Ballkanin tonë të trazuar ka patur dhe ditë njerëzore, kohë të urta ku ai njeriu i thjeshtë i tokës, sa zgjohej në mëngjes, i thoshte të birit: Pa shih, or bir, a del tym nga oxhakui i fqinjit?

Në Qafthanë, njeriu mban frymën; para syve një tjetër përngjasim i shumëfishuar i vetevetes; syri qiellor, pa të dytë, i liqenit, zbritur aty qysh ditën e parë të krijimit të botës.

Qarkuar me male, me kodrina, rrafshulta, – aty zymtanë e të xhveshur, aty të veshur me lisa e blirë mitikë, – liqeni magjeps. Një tempull i hapur, i gjithkohshëm, një ndjesi përjetësie, gjithë mister.

Në katund kërcet një portë…Në liqer hesht një lopatë…

Një shqiponjë – e arratisur  fluturon në Mal – të – Thatë…

Në skajet e kësaj hapësire blu Ohër – Pogradec, kanë rrojtur, kanë dashuruar dhe kanë mbyllur sytë dy poetë sipëranë: liriku i liqenit, Laskushi dhe epiku i engjëllit mbrojtës të liqenit – Skënderbeut, Perliçevi. Të dy, si marrësi dhe pritësi në një këngë polifonike, sundojnë si patriarkë dy shekujt e sprasmë: të 20-in i pari, të 19-in i dyti. Fryma liriko – epike, jeta dhe vdekja, një bashkëjetesë e bioshpirtit ballkanas.

Valët e liqenit, valët e rrëqëthura të drurëve, klithmat e guzave dhe pulbardhave ngjan se thotë ritmikisht Perliçev –Lasgush, Lasgush – Perliçev. Shqiptojnë kumte, –  edhe në mosqenie, – si në mitin e Orfeut, koka e të cilit, – edhe pse e prerë! –vazhdonte të këndonte në valët e lumit.

Në këto vise të thinjura të pellazgëve hyjnorë, thithet ajër poetik: atmosfera vibron. Me sytë e përhumbur në syrin e stërmadh të liqenit, prej 47 vitesh mblidhen poetë nga pesë kontinentet. E, këtu, bash këtu, pra, kujtesa pritet të ngjallë porosinë e Aleksandrit të Madh; teksa urdhëronte të rrafshohej Teba me gjithësej, Leka ndali hapat dhe tha:

Tempujt e perëndive dhe shtëpinë e Poetit, mos i prekni!

Poetët e botës do të dëshironin të kishin fatin e Pindarit, jo të Tebës.

Vij t’i kthej vizitën e t’i shpreh mirënjohjen poetit që i ka kënduar prijësit të vendit tim.

Paksa e çuditshme kjo ardhje: 164 vjet më parë, pra më 1847, poeti shkonte drejt Tiranës. Mëuses i greqishtes në një shkollë të sapoçelur prej bashkisë orthodokse tiranase. Ishte një shkollë dollmallie me katër salla të mëdha, me korridor në mes dhe me një oborr të madh përqark, atje ku ishte baçja e kishës së re...Pas përçapjeve, arrita të përcaktoj se kisha Vangjelizmoi ndodhej atje ku lartësohet ngrehina e 15- katëshit, shkolla – atje ku sot gjelbërojnë tri pisha, me një palmë e një manjolë anash, – buzë sheshit Skënderbej.

Çfarë parandjenje! Poeti paskësh qenë pikërisht tek ky shesh që pas 100 vjetësh do të mbante emrin e heroit të kënduar prej tij! Syri i kalimtarit e vendos në një pamje të vetme prijësin hijerëndë të derdhur në bronx, hipur mbi kalë e me shpatë në dorë dhe kujtimin e djaloshit të hajthëm, 18-vjeçar nga Maqedonia që ligjëronte në gjuhën e Homerit, në klasat e një shkolle që tani s’është më…

Hapësira para Qafthanës – një këmbanë madhështore, gjithë drithma e farfuritje marramendëse. Pa zërate poetëve do të idhte pa gjuhëz. Një këmbanë pa zë.

Përtej shtëpisë së Perliçevit, nën diell, lëkundet një mëngë liqeni, ujërat shfletohen nga gishtërinj të padukshëm, si fletë pergameni.

Rreth e përqark enden shpirtra të moçëm.

Skënderbeu është libër i Kujtesës kolektive. Kujtesë e së kaluarës për të shpëtuar të ardhmen. Vetë poeti e quan muzën armike të harresës dhe bindshëm na kujton një mendësi moderne se vdekjen nuk e sjell pleqëria po harresa. Me dëshmi të tilla të fuqishme kultura shfaq prirjen e saj si forcë lëvizëse. Përmes krijimit artistik arrijmë të bëhemi pjesë e njerëzimit.

Ndërsa përmbyll këtë përsiatje të lirë dhe pi një kafe me pak në shtëpinë e poetit të madh, këtu në Ohër të Maqedonisë, përfytyroj çastin kur Monumenti i Skënderbeut, pasi kishte zënë vend në sheshet e kryeqyteteve kryesore evropiane, mori udhën drejt Shkupit: aty kishte luftuar, aty e njihnin të gjithë. Dolën ta prisnin zemërhapur; në krye të shqiptarëve dhe maqedonasve, – nuk e patë? – printe vetë Grigor Perliçevi, Poeti…

Faleminderit, Poet, për artin tënd që vjen të trimërojë shpirtrat tanë të tronditur, për artin tënd si urë dhe si urti!

*Kjo pjesë shkrimi është shkëputur nga eseja e gjatë e poetit Xhevahir Spahiu, e botuar në formën e një libërthi në Maqedoni për Perliçevin.

 

 

Zylyftar Hoxha March 9, 2014 12:44
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin