Mirupafshim, unë po iki…

April 14, 2018 09:42

Mirupafshim, unë po iki…

I nderuar Adrian,

Deshiroj te jeni mire e suksese ne detyren Tuaj, fisnike e te veshtire per kohen qe kalojme. Sic e dini, po na largohen nga kjo jete shume figura e personalitete te shquara te te gjitha fushave, qe kane dhene nje kontribut te çmuar ne vendin tone. Kemi qindra Parti, po ashtu shoqata, deri edhe ato te Gruas, apo te Komitetit te Helsinkit per Te drejtat e Njeriut. Por veç njoftimit ne gazeta, nuk pashe  ne to ndonje shkrim kushtuar Dr. Rushen Golemit, qe jeten ia kushtoi Jetes se Njeriut . E ndjej si obligim dhe shkrova nje dedikim kushtuar Asaj, edhe per faktin qe  eshte e bija e birit te Golemit. Kur te keni mundesi, e po a pate te arsyeshme, deshiroj te botohet ne gazeten “DITA”.

 

*****

Në fund marsin që lamë pas, u nda nga jeta ikona e mjekësisë, kirurgia e parë shqiptare, duararta Dr. Rushen Golemi. Atë ditë dhe bora, qetësisht, shtroi qilimin e bardhë në Tiranë, siç ish ajo vetë, së jashtmi e së brendshmi, jo thjesht nga bardhësia e flokëve të bukur, pa ndryshuar në gjithë jetën, por e bardhë deri në madhështi në shpirtin e saj. Pas një sëmundje të rëndë, duke u shuar si qiriri, në shënjë lamtumire, mërmëriti, “Mirupafshim! Unë po iki…!”

Njohja e parë

Ishte e diel shtatori plot diell e vitit ’65, adhur nga Golemi në Tiranë, si student, në pallatin e Shallvareve, kur takova për herë të parë Rushenin. Erdhi për të vizituar xhaxhain e vet, Ahmet Idrizin, bashkëshorti i time hallë, Aishesë. Erdhi si Hënë, me dy xixëllonjat përdore, binjaket Inis e Iris. Shfaqi dukshëm dashurinë e respektin për xhaxhain e të tjerët, sillej jo si një doktoreshë e rendë, a e kapardisur, por si bijë shtëpie, e do t’u shërbente të gjithëve. Me fytyrë që i ndriste, e qeshur, si një lule natyrale qëndisur me nge nga Natyra-Nënë. E ëmbël dhe e ngrohtë në bisedë, të ngjallte respekt. Modeste, e thjeshtë, me flokët lidhur topuz, me një fustan basme me pika, që i rrinte aq bukur, kishte shtatë nure. Po aq të bukura, të qeshura e mirësjellje të bijat e saj, veshur ngjyra-ngjyra e ngjanin si dy flutura. E takoja shpesh ngaqë banonim në Tiranë, herë rastësisht, herë në evenimentet e farefiseve Idrizi dhe Banushaj, me të cilët na lidhte sa gjaku, miqësia dhe vendlindja, Golemi i Kurveleshit.

Rrjedh nga fis, si gur i rrallë nga madem i çmuar

Rushen Golemi, lindi në ditë të ngrohta të korrikut 1935, në qytetin bregdetar te Durrësit, bijë e Mahmut Idriz Idrizi, nga Golemi i Kurveleshit dhe Melivqe Haki Xheljani nga Kosova, nga dy familje atdhetare të njohura në ato kohë. Në shtepinë e Ahmet Idrizit, pata fatin që të njihem me prindërit e saj. E ëma, që Rusheni i ngjante aq shumë, qysh në takimin e parë të ngjallte admirim. Shtatlartë, fisnike, me buzëqeshje e sjellje plot hijeshi. E qetë, me fjalët e ngohta, gjithë ëmbëlsi  që i delnin nga shpirti, të jepnin të kuptoje se rridhte nga një familje që kish parë e mësuar dhe tej mureve të shtëpisë e tej gardhit shtetëror. Ardhur posaçërisht të takonte kunatin, në fund të jetës, që vuante nga një sëmundje e rëndë.

Për të atin, Mahmudin, kisha dëgjuar nga prindërit dhe burra të mënçur të Golemit, që vlerësonin figurën dhe personalitetin e tij, jo thjesht për pozitat që kishte në xhandarmëri, a prefetktura, por për karakterin dhe virtytet që manifestonte kudo, me të gjithë shqiptarët. Ngjanin me Ahmetin, siç thuhet, bërë një nënë e një babë. Sa hyra, më përqafoi fort, sikur të njiheshim e më uli pranë vetes. Pas një copë here, për ta lënë të vëllanë të qetësohej, më bëri me shënjë të dilnim. Më hodhi dorën në qafë e duke ecur ndaluam në pastiçerinë pranë Bankës Qendrore. Porositi një kafe për vete, një pastë e aranxhatë për mua. Më pyeti, për të gjithë nga fshati, kryesisht për më të moshuarit, fëmijët e tyre, punët, jetesën. Më pyeti, si i thonë fjalës, deri dhe për gurët e udhës. Ikur nga Golëmi që para viteve ‘30, ardhur vetëm dy net në vitin 1950, ndaj kish mall përvëlues për fshatin e njerëzinë. Përthithte çdo fjalë timen, ndonjëherë edhe të çalë, e nuk kish “të ngopur”.

Mallin e zjarrtë po shuante si të pinte pa prehur nga ujët e burimit shekullor të Kalbaqit a të Rehovës. Në fund, u muar dhe me mua, student 20 vjeçar, ende pa vënë brisk në faqe. Si Profesor i shkëlqyer i Akademisë së Jetës, më hetoi e më  dha “leksionet” e para të jetës, të pathëna nga askush deri atëhere. Pyeti se ç’ëndërra e dëshira kisha, fejuar a martuar, si e projektoja të ardhmen. S’kisha dëgjuar kurrë të tilla pyetje e këshilla. ”Sidoqoftë,-  më mësoi- më e mira është të martohesh me bijë nga Golëmi, vend i sertë, aty rriten e kaliten në vështirësi, ndaj thonë:”Vajzë vëndi e mushkë Golëmi”! Në mos nga fshati, nga ato fqinjë, nga Kurveleshi a Labëria, se ato u rezistojnë çdo rrethane. Jetës nuk i dihet. Vajzat e qytetit, nuk e bëjnë dot “vezën” e atyre në fshat”. Këto m’u ngulitën në mendje e në kujtim të tij shënova atë në librin “Golemi i Labërisë në ujëvarën e jetës”. E veçanta e këtij takimi aq mbresëlënës është se ai më “gozhdoi”, si me magji, ku më dha këshilla për jetën, që askush nuk qe ulur këmbëkryq si ai.

Dy orë, si dy minuta. Tani e tutje, dëshëroja t’a takoja përsëri, por për fat të keq, nuk do të mund ta takoja më fizikisht! Do ta “takoja” ndryshe, do të na e sillnin, ashtu, “të gjallë”, jo vetëm mua, por gjithë atyre bij e bija golemas, që patën fatin të punojnë në krahina të ndryshme të vendit, ku do takonin njerëz që e njohnin nga afër dhe flisnin me respekt të jashtëzakonshëm për Mahmudin, zyrtar i lartë, i drejtë, i ndershëm, i thjeshtë, i gjendur në nevojë, i besës, i mikut, atdhetar i vendosur! E “takoja” në dokumente, në shyp, në libra apo në arkiva, që me firmën e tij, shprehte interesim të veçantë e të drejtpërdrejtë në organet më të larta të kohës, që të liroheshin nga burgjet qindra të arrestuar të pafajshëm. Të tilla ishin ato në shtetrrethimin e nëtorit 1943 në Durrës,  ku nga nazistët u arrestuan mbi 500 vetë; Ndërkohë që kolegë të tjerë, dërgonin porosi, që për X-in a Y-in, komunist a të ri aktivist të lëvizjes çlirimtare  “…të torturohet, të tregojë komunistët, bazat e luftës, në mos tregoftë, të pushkatohet!”

Njolla në biografi, si hijet në mushkëri

Kush i ka sytë të qëruar, vëren se dhe Dielli edhe Hëna kanë ca njolla, por ndriçojnë më së miri. Njeriu ka njollat e veta, në sjellje e veprime. Por njolla të rrezikshme janë ato që “të ngjitin” në kohë të trazuar të politikës së kohës. Dhe “njolla në biografi”, përdorur  me vend e pavend nga kushdo, për Rushenin, në fakt, ishte “ njolla” e të atit, për pozitën që pati në kohën e pushtimit të vendit nga të huajt. Ai kish patur pozita të larta në xhandarmëri në rrethinat e Jugut, me të cilën e kish lidhur jetën që nga krijimi i saj. Pati pozitë si prefekt në disa qytete të vendit, në Berat, Durrës, Tiranë, Dibër dhe Korçë. Arriti dhe Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, u dorëhoq, pas 4 shkurtit ‘44, emërohet Qarkomandant në Korçë.

Si gjithmonë, “njollat” a “kleçkat” varen nga ata që kanë tagrin t’i cilësojnë si të tilla. Por, te ne, shqiptarët, etiketimi për këdo e për çdo gjë, është si një sëmundje ngjitëse, e përhershme, gati e pashërueshme. Për interesa vetjake të çastit, i vëmë “bisht” atij që s’ka, dhe ia presim atij që ka! Pikërisht në kohën delikate të luftës, “faji” i të atit, ishte se u ndodh në atë pozicion, që shumëkush e cilësonte në anën e kundërt të barrikadës.  Kjo në dukje, sepse në fakt, Mahmudi në këto poste dha një kontribut të çmuar në Lëvizjen Çlirimtare, si dhe i gjithë familja e farefisi. Ishte kurdoherë paqësor dhe kurrë gjakësor. Ishte kontributi i njohur e i dokumentuar kudo ku shërbeu, që Mahmudi nuk pësoi fatin tragjik të shumë të tjerëve, që kishin bërë zullume në kohën e pushtimit fashist.

Denimi me pak vite, si figurë me poste të larta në atë kohë, kurrsesi nuk mund të keqpërdoret për kredibilitet politik për etiketim si të persekutuar apo me demek antikomunistë. Instalimi i regjimit të më vonshëm komunist, është çështje tjetër. Shumë shqiptarë u përfshinë në erërat e ftohta, ngricat e acarta politike, që herë krijoheshin artificalisht nga njerëz me pushtet për ligësi e hakmarrje, të cilat krijuan “njolla”, herë kishin shkaqet që diktonin rrethanat e kohës. Sidoqoftë “njolla” do të ndikonte mbi punën e jetën e Rushenit e të familjes së vet, apo edhe të bashkëshortit të saj të nderuar, juristit Alfred Kazanxhi, veteran, plagosur në Luftën e II Botërore, nga familje e dëgjuar atdhetare durrsake.

Operacioni i parë dhe mbi 1500 të tjera të kirurges së parë shqiptare

Rinia e Rushenit ish si e gjithë vajzave shqiptare të kohës, e thjeshtë, e pastër, plot ëndërra, por edhe pengesa. E shkëlqyer në mësime, e sjellshme e dashur me djem, vajza dhe mësuesit, gjithnjë e qeshur, e shkathët, e kudogjendur në aktivitete shoqërore e sportive, e shquar në not, atletikë dhe në volejboll. Pasioni e ëndrra e saj ishte mjekësia; Ndryshe nga vajzat, që pas gjimnazit, fejoheshin e martoheshin, Rusheni kërkon të ndjekë studimet e larta dhe fiton të drejtën e studimit në Fakultetin e Mjekësisë, i sapo hapur në vendin tonë, ku zgjedh degën më të vështirë, të pa preferuar për femrat, atë të kirurgjisë.

Tepër e vëmendshme në leksione e në asistimin në operacione,do regjistronte me përpikmëri veprimet e mjeshtërve kirurgë, “ustallarë”, Profesorët Llambi Ziçishi e Petrit Gaçe. Fitoi shpejt respekt e besim e tyre, sa që një ditë, ende studente e vitit të katërt, tek po fillonin operacion e pacientit me apendisit, Profesor Petriti i drejtohet: ”Sot jam asistenti yt!”, dhe i vendos në dorë veglat e operacionit. Përfshihet nga emocione të forta, por mjeshtri ia heq ato shpejt. E udhëzon në fillim e ajo i kryen me përpikmëri e siguri. E përfundoi me sukses! Sa i madh ishte sadisfaksioni, aq i tillë dhe ankthi, se si do shkonte gjendja e të sëmurit.

Çdo 5 munuta i shkon tek koka e pacientit, dy ditë rresht, deri sa doli nga spitali, shëndoshë e mirë. Në korrik 1957 diplomohet mjeke kirurge dhe fillon punë në Spitalin Civil në Tiranë. Puna e saj kaloi plot vështirësi. Pacientët hezitonin të vizitoheshin e të operoheshin prej saj, se ishte femër. E kaloi me kurajo, guxim e me punë këmbëngulëse, fitoi emër e simpati, ndaj më pas do ta kërkonin “si me qiri”. Punoi 7 vjet në Tiranë dhe papritur trasferohet në spitalin e Peshkopisë. E vetme midis maleve, me plot vështirësi në atë spital modest. Salla e operacionit u bë edhe dhoma e fjetjes, për 6 muaj. Me kurajo e guxim ia doli e vetme për gjithçka. Mjeshtri regjizurës kinematografike, Dhimitër Anagnosti, aty realizoi filmin e mirënjohur “Plagë të vjetra”.

Janë duart e sigurta të Rushen Golemit, që operojnë  në atë sallë. Kinostudio “Shqipëri e Re” realizoi dokumentarin “Kirurgia e parë” kushtuar po asaj. Do të rikthehej sërish në spitalin e Tiranës. Natyrshëm, do fejohej e martohej, me juristin Alfred Kazanxhiu, vëllai i shoqes së ngushtë, Krisafigjisë, edhe ajo mjeke. U bë modeli i perkushtimit ndaj profesionit human të mjekut. Janë mbi 1500 operacione që mbajnë vetëm firmën e dorës së saj të artë, pa llogaritur mijëra të tjerë në ndihmë të kolegëve. Kreu të gjitha llojet e operacioneve  deri dhe në zemër. Netët roje në spital të barabarta me vite. Ishte syri i pagjumë për pacientin, në spital e në shtëpi. I ka rënë vendit kryq e tërthor, në borë, në shi dhe në diell, për të qenë aty ku ish në nevojë i sëmuri. Nuk ka cep të Shqipërisë që ajo nuk është ulur me helikopter, a shkuar me ambulancë me ekipin e saj.

Shumë herë operoi në kondita të pabesueshme. Kryetare e ekipeve me javë e muaj për emancipimin e gruas dhe përmirësimin e shërbimit shëndetësor në shumë fshatra të thella të vendit. Janë disa qindra studentët dhe mjekët e rinj, që u ka dhënë mësim, si pedagoge. Është e para femër që theu mitin se mjekë kirurgë me emër bëhen vetëm meshkujt. U bë idhull i vajzave e grave të  mjekësisë. U shqua si mbretëreshë e auditorit, Shefe e Kirurgjisë së Përgjithshme e Spitalit Civil të Tiranës.  Dr.Rushen Golemi është nderuar me disa medalje, ku spikat ajo më e larta, “Mjeshtër i Madh i Punës”,  si dhe e zgjedhur si ndër 2000 personazhet e shquar botërorë të shekullit XX, përfshihet në një enciklopedi të Britanisë së Madhe.

Kur të thërret Partia dhe të mënjanon “Paria”

Mbeta pa fjalë, nga dedikimi i mjekëve Tritan Shehu e Sali Berisha, ku veç vlerësimeve për Dr. Rushen Golemit, të merituara, jo thjesht prej tyre, por nga mbarë shqiptarët që e njohin në punë e në jet\, shenohej: “Me themelimin e PD, në vitin 1992 u zgjodh deputete që përfaqësonte PD, atëherë kur duhej përmbysja e të linde liria, dhe zemra e saj rrahu për demokraci e perëndim.”

Dy “liderët” mbahen si “kujtesa e gjallë”, e historisë së PD.  Por dhe në ditën e zezë të qametit, këta “korifej” e konsiderojnë historinë dhe veprën e kësaj partie si “tokë e xanun”, mohojnë kontributin e shquar që fillim të Rushen Golemit, apo dhe të tjerëve! PD u krijua në rrethanat e diktuara të kohës, ku regjimi i mëparshëm, pas një “lufte” nga jashtë e nga brenda, ish në agoni jo në vitet ’90, por një dekadë më parë. U krijua me idealin dhe shpresën e shqiptarëve, për të bërë diçka më mirë se paraardhësja,PP. Ndaj brenda e rreth saj u afruan e u aktivizuan intelektualë e personalitete të shquara të çdo fushe dhe mijëra individë të thjeshtë të të gjitha shtresave shoqërore. Natyrshëm, pa zhurmë e bujë u aktivizua si intelektuale me emër dhe Rusheni, madje familjarisht.

Në fakt, PD kish nevojë për Rushenin dhe të tjerë si ajo, ndaj e vuri kandidate për deputete dhe fitoi në zemër të kryeqytetit më 31 mars 1991, ishte e para deputete femër e tyre në Tiranë në parlamentin e parë pluralist. Në Durrës, për PD konkuron në zgjedhjet vendore vëllai i saj, Tomor Golemi, për kryetar Bashkie dhe fiton bindshëm. Më tej, Rusheni kandidon e fiton dhe në legjistaturën 1992-1996. Po pse e “harruan” kaq shpejt dy “liderët” kontributin e pedagoges, tashmë të moshuar? Nuk është një harresë e rastit. Rusheni nuk ishte deputete një grua dosido. Si pedagoge qe kockë e fortë dhe e kishte fare të lehtë të kundërshtonte studentët e saj. Ishte ky kundërshtim që i kushtoi, me mënjanimin e saj. Këta ‘liderë”, kishin marrë në dorë jo bisturinë, po gërshërët dhe krasitën “demokratikisht”, me “konsensus të plotë”, të gjithë pinjollët e familjeve të mëdha shqiptare, me emër e histori, e sidomos të Jugut, dhe futën në parti e në Kuvend, “yje në ngjitje”  e “zoçka”, pa asnjë meritë e me shumë vese, që “zaptuan”  e përbënin “elitën”  e PD në betejat e vjedhjes e plaçkitjes së popullit e të pasurisë kombëtare. Ajo e pa se këtyre e të tjerë u kish hyrë në tru virusi kanceros i antishtetit, antinjeriut. Bisturia e saj nuk i hynte në punë, nuk kish ç’i bënte zgafellës së tyre.

Kjo qe atmosfera ogurzezë që e nxorri nga Kuvendit, Rushen Golemin. PD u shëndrrua në të kundërtën e idealeve të para të saj. Rusheni falë zgjuarsisë, e nuhati shpejt se aty nuk ishte më vendi i saj. E zhgënjyer, përsëri me mirësjellje u tha ish sudentve: “Mirupafshim! Unë po iki…!” Ngjarjet e mëvonshme do t’i tregonin se vendimi i largimit ishte më i drejti. E kish mësuar dhe provuar në jetë se puna është ajo që transformoi majmunin në njeri. Puna të jep nder e lavdi! Keq-Politika, ushqehet me koka njerëzish dhe të zhyt në krimin e zi. Mësoi se Keq-Politika bën të kundërtën, e transformon njeriun, madje dhe mjekun, jo në majmun, por më keq, e rikthehen te instiktet më të egëra kafshërore.

Me thënien ”Mirupafshim! Unë po iki…!” ajo i kish përmbledhur të gjitha. Dhe kjo ndodhi se ajo ishte përherë besnike e Betimit të Hipokratit, në shërbim të njeriut, ndërsa të tjerë, deri dhe mjekë,mbetën besnik të Betimit të Hipokritit, që për interesat e tyre, në errësirën e natës, nxorën të vdekurit nga varri, grabitën e shiten det e stere, shkretuan fshat e qytet, torturuan e lanë deri pa varr njeriun pa faj! Oh, sa larg e lart ishte Dr. Rushen Golemi! Ajo shkonte në Kuvend me këmbë e ndonjëherë me biçikletë, e këta të sotmit nuk ecin as 100 metra pa makinë të tipit të fundit! Rusheni, në çdo cep të Shqipërisë, me respekt e dashuri, pritej si princeshë, këta me antiplumb, me eskortë e  me makina të blinduarara. Kjo është “Elita” së sotme që na udhëheq, dhe duhet të ulërasim deri në kupë të qiellit: Mjerë Ti o Popull ç’heq, që për shkak të tyre, punët venë për keq e për dreq, na kthyen shumë vite mbrapa, në epokën e mjerimit migjenian!

Eh, Dr. Rushen Golemi, ç’na panë sytë! Ti, si shqiponjë, në lartësitë e maleve, që puthin qiellin e retë, kjo “elita “ e sotme, zhytur në gjolin kutërbim kënetë! Ti, kirurgia duarartë, që shpëtoje jetë, banoje në apartamentin e thjeshtë, dikur me qira, “elita” e sotme, me gradaçela e shtëpi-kala. Ti, si gjithë shqiptarët, në rresht-kollonë për të shkretën tollonë, “paria” e sotme u gdhi me prona e pasuri qindra milionë! Ti, në sistemin që shajmë vend e pa vend çdo ditë, për të madhen arritje të shërbimit shëndetësor falas, kreve mijëra opracione e shpëtove jetë dhe dhuratë pate vetëm mijëra urime, dashuri, respekt, e mirënjohje për jetë. E për “kasapët” e sotëm, duhet të shesësh gjithçka, nder, shtëpi e katandi, dhe s’e shpëtojnë, po lënë çyryk një jetë. “Nuk arrij ta kuptoj babëzinë dhe korrupsionin e mjekëve sot- deklaron  në mars 2011- që bëjnë pazare me jetën e njerëzve. Maksimumi i mirënjohjës në atë kohë ishte një karamele a një çokollatë”. Rusheni nuk ish politikane, por më lart se ata.

E larguar nga politika, po e vëmendshme ndaj saj, do shprehte hapur mendimin se “Politika është bashkim e jo ndarje, është garë e jo luftë. Çfarë s’dëgjon në Kuvend: fyrje, sharje personale e familjare, sherre. Interesi futur thellë, deklaratat përveçse janë të turpshme, largojnë vëmendjen nga problemet e vërteta. Klima politike tepër e ashpër, në sherre çuditërisht, jashtë natyrës së tyre, janë përfshirë edhe gratë.” Dhe mileti e pa në Kuvend, degradimin e skajshëm të deputeteve, gra e burra! “Elita”, e sotme, kokëbosh e cipëplasur, në Parti, në Kuvend e kudo, na e bëri të shkretën Shqipëri gazin e turpin e botës!

Model i besnikërisë ndaj Betimit solemn të Hipokratit

Si rrallëkush Dr. Rushen Golemi ishte e mbeti model besnikërie i Betimit solemn të Hipokratit, doktorit të mirënjohur në Greqinë e Vjetër, që dhe sot në botë është Ligji Moral i profesionit të mjekut. Falë kësaj besnikërie ajo arriti në majat e më të larta të personaliteteve mjekësore në vend e sidomos asaj të kirurgjisë shqiptare, jo thjesht si profesioniste e klasit të parë, por edhe për ndjenjat dhe virtytet më të arrira të humanizmit, në shërbim të njeriut, për t’i shpëtuar jetën. E ushtroi profesionit me ndërgjegje e dinjitet të lartë. Pacienti ishte brenga, ankthi e shqetësimi i përhershëm, po ish dhe forca që i jepte besim, kurajo për të shpëtuar nga thonjtë e vdekjes jetë njerëzish të sëmurë. Kurrë nuk vuri sinore krahinore, partie, biografie, fetare, klasore a pasurore. “Tek i jepnin narkozë xhaxhait- tregon Vili, – kryeinfermieri i thotë: “Doktoreshë, babanë këtij ia ka pushkatuar Partia!”.

Rusheni, sikurse priste të keqen me bisturi, i përgjigjet: “Ashtu? Po si t’ia bëjmë, ta therim?!”. Për këto qëndrime e për aftësitë e saj të rralla ajo meritoi si askush tjetër mirënjohjen, respektin dhe dashurinë e thellë njerëzve nga e gjithë Shqipëria. Kurrë nuk u vetëlëvdua, kurrë nuk u ankua, kurrë nuk kërkoi poste. Me aq vendosmëri, guxim, kurajo, me syrin pishë, mendjen e kthjellët, me duart e holla, të thanta e të arta, dhe me majën e mprehtë të bisturisë, në kufij të dhjetave të milimetrit, do ndante të mirën nga e keqja, jetën nga vdekja. Si me magji do rrëmbente nga thonjtë e egër të vdekjes, jetë njerëzish, nga foshnjat e deri tek të moshuarit. Dhe kjo qe një mrekulli! Ja pse themi se Dr. Rushen Golemi, ishte jo vetëm si gjithë nënat, që dhuroi tre fëmijëe e saj të mrekullueshëm, Inisin, Irisin e Konstandinin, të cilët, mrekullisht, i dhuruan asaj 7 mbesat e nipat, i dhanë emrin e lartë, të Gojëmlatës Gjyshe. Por Dr. Rusheni ishte dhe shumëfish Nënë, ngaqë shpëtoi mijëra jetë.

Njëherazi ishte dhe shumëfish motër, bijë, prind, gjyshe e mijëra shqiptarëve. Ja pse për të tillë njerëz kaibri si Dr. Rusheni që bëjnë mrekullira, dhurojnë e shpëtojnë jetë njeriu, s’duhet të kish vdekje! Po ligjësitë e Natyrës Krijuese nuk i ndryshojmë dot. Dhe kemi njëmijë arsye të shprehemi se ndarja nga jeta e Dr. Rushen Golemi është sa dhimbje, edhe humbje e madhe si për familjen, farefisin, dashamirësit, po për të gjithë shqiptarët. Humbëm një kirurge të rrallë, e kalibrit të lartë, që nuk di kur mund t’i vijë Shqipërisë ndonjë e tillë, për disa apo në mos më shumë dekada. Me përkushtimin e rrallë Dr.Rusheni ia doli të bënte gjithçka e në çdo gjë në jetë në mënyrën më të përkryer: si vajzë, si studente, si grua, si nënë, si bashkëshorte, si mjeke e shquar humaniste. Ja pse themi se ajo ishte dhe mbetet model frymëzimi për vajzat dhe gratë shqiptare që duan të arrijnë diçka në jetë.

E madhe humbja, por më e madhe mbetet Pavdekësia e saj! Dr.Rushen Golemi, me emrin dhe veprën e vet madhështore e të ndritur, hyri dhe mbeti në historinë e artë të Shqipërisë në jetë të jetëve, si personalitet i shquar i gruas shqiptare në fushën e mjekësisë kirurgjikale.

Le te jete ky dedikim, një buqetë me lule nga Golemi në kujtim e nderim të saj, për veprën e ndritur  e madhështore, që u dhuroi bijve e bijave të Golemit medaljen e artë që të krenohemi në për jetë me nderin dhe emrin e lartë që i dha familjes, farefisit, Golemit, Kurveleshit, Labërisë dhe anë e mbanë Shqiprisë, si Grua e Madhe e Shqipërisë, Kirurge e Parë duarartë shqiptare e shekullit të XX, ikonë e mjekësisë, “Mjeshtre e Madhe e Punës”, Dr. RUSHEN GOLEMI!

Ismet Isufi

 

 

April 14, 2018 09:42
Komento

17 Komente

  1. Lisi April 14, 16:20

    Doktorresha gjysma gegë e gjysma toskë , për të mjelë lopën komuniste , hidhte vallen komuniste . Kur lopa ngordhi , doktorresha nga Golëmi , besnike e babës u bashkua me Saliun !
    Mirë që i kujtojmë të vdekurit , por, jo ti kthejmë në shënjëtorë !

    Reply to this comment
    • vatra April 17, 00:10

      te vjen apo jo keq…per popullin eshte SHEJTORE !

      Reply to this comment
    • Fisi April 17, 08:33

      Ti Lisi apo Trapi cfare e ke emrin sdi asgje….
      E ndjera Doktoreshe Golemi skishte nevoje as per politiken as per tu bere politikane.Ishte PD ajo qe pati nevoje per nje intelektuale te fuqishme si ajo te ndershme deri ne kocke, more vesh dhe mos ja fol idiotesira. Ajo ishte per ndryshimin dhe profesionin e fitoi me perkushtimin qe kishte, talent e zotesi o xheloza te ndyre!

      Reply to this comment
  2. Dona April 14, 19:00

    Shprehje e bukur, kush ka tru e sy , dielli e hena Kane njolla por ngrohin e ndricojne.
    E nderuara dr Rushen Golemi. Nderime per sakrificat qe ka bere. Mirenjohje.

    Reply to this comment
  3. gjermani i fundit April 14, 20:25

    qofte e paharruar! Kam respekt per golemasit, jane te zgjuar dhe punetore.

    Reply to this comment
  4. rip April 14, 22:50

    Fillimisht ngushellime familjareve.i lehte qofte dheu !

    E lexova me vemendje kete artikull per te ndjeren Golemi se me ka terhequr profili i saj por nuk kisha idene pergjithe jeten e kesaj super-mjeke (politikane e keqe) dhe me kete rast falenderoj 2 IS-in.
    .
    Mesa kam pare ne vitet 1992-1996 ,e ndjera Rusheni ka qene njeriu me i fuqishem (moral) ne Shqiperi qe mund ta frenonte Salibishen ne krimet e tij te pabesueshme.
    .
    Ikja e saj kur Berisha ishte kthyer ne perbindesh 96-97
    ka qene jo e lavderueshme e qortueshme biles me veprimet dhe mos veprimet e saj ajo eshte bashkfajtore me berishizmin tribal antikomunist ..

    .
    Jam me ato qe thote kometuesi Lisi…

    jemi lodhur duke i bere shenjttore te sapo-vdekurit ne kete vend te vdekur gjithashtu..

    sidoqofte

    RIP

    Reply to this comment
  5. I.Troplini April 15, 11:34

    Njollat ne biografi, si hijet ne mushkeri.!!!

    Boll me keto turqizma qe ngjallin vetem humbje respekti per personin qe i shkruan.
    Cfare eshte kjo perpjekje infantile, per te ngritur lapidare te rreme, ky sharlatanizem fshataresk, per te shtremberuar faktet dhe per te bere “te perndjekur”, nje Rushen Golemi?
    Eshte mizore dhe shenje debiliteti, te vesh shenjen e barazimit, midis atyre qe vertete vuajten si te perndjekur te sistemit dhe atyre, qe jo vetem nuk jane perndjekur por qe kane shijuar te gjithe mbeshtetjen e asaj kohe?
    Rushen Golemi, ishte nje mjeke ne spitalin civil ne kryeqytet. Ajo nuk ishte e perndjekur kurre, sepse po te kishte qene e tille, nuk do kishte mundur te vishte uniformen e mjekut.
    Ajo u nda nga jeta, ashtu sic mund te jete ndare ne te njejten dite, edhe nje grua tjeter shqiptare, nje nene apo moter qe nuk paskesh qene mjeke.
    Eshte mungese serioziteti, cdo perpjekje per te fryre pa nevoje, jeten e cdokujt ne komunitet.
    Hiquani nga duart, furcet e bojaxhiut, atyre qe kerkojne te bejne politike, aty ku duhet heshtur.

    Reply to this comment
  6. MH April 16, 02:34

    Une e njoh si deputete e PD dhe nepermjet PD rrufati disa hektare toke ne fillimet e demokracise e ma von nuk undigjue fare.Vdiq para pak javev.Sot kerkojne te nderohet.Gje njerezore.Po ama nuk asht dhe aq sa tjerrni ne shkrimin gazetaresk ma lart.Bie ndesh me rrufatjen e hektarve te tokes.

    Reply to this comment
    • Hammerhaituri April 16, 20:31

      Bravo MH

      Reply to this comment
    • I.J. April 17, 00:08

      nuk ka rrufat asgje me ckishte ne dore. I jae kthyer toka qe i kishte i jati dhe ketto i ka marre si doktoresah edhe vellezerit e motrat.I jati e kishte token ne durres (edhe pse nga laberia) sepse aty e ka blere derkohe qe ka qene prefekt i durresit. Ajo me emrin dhe pozizioin qe kishte mund te ishte pasuruar aq sa sta pret mendja..por sihte e asaj udhe…ndaj mos flisni ju lutem pa editur e vec me biseda kafenesh.Ajo i sherbeu me emrine saj te mire demokracise , ne vend qe mudn te kishte hapur nje klinike private e ti bente parate me kate….Patjeter qe do shkruje media e do plase TV per kete figure…..padiskutim…sepse ishte e shkelqyer!

      Reply to this comment
  7. Fatmir Lohja April 16, 09:16

    Bukur,Me shume ndjenje.Te lumte dora!

    Reply to this comment
  8. Veli Stafa April 16, 12:05

    Dr.Rushen Golemi, nji specialiste teper e afte,e kulturuar, humaniste.Kirurge me fame,ka operuar nji mikun tim me disa ulcera stomakale dhe njikohsisht me nji stenoze ezofagale.Ishte viti 1979,viti i operacionit dhe sot nuk ndjen asnjelloj problemi.Kjo femer shqiptare e persosur,kjo “amazone” e kirurgjise dhe shoqerise shqiptare ishte nje njeri modest (te tille jane personalitetet) e mbaj mend edhe bicikleten,ishte marka “Rodister” me te cilen levizte neper Tirane.
    Une i shpreha mirnjohjen para disa vitesh per punen e shkelqyer dhe per duart e saj te arta.Ajo u kenaq shume,dukej se fluturoi,ju be zemra mal qe dikush,nje i panjohur i saj i shprehu respekt qe sic duket i mungonte.I perjetshem kujtimi i saj !
    P.S Nuk e di a arriti te nxjerre ndonje kirurg apo kirurge duke i lene trashegim pervojen e saj te vyer ?

    Reply to this comment
    • jo lapidare te rreme April 16, 16:31

      I nderuari Veli Stafa
      .
      Nuk i heq asnje germe dhe asnje shenje pikesimi komentit tuaj per te ndjeren por me lejo te bej disa sqarime:
      .
      Bashkohem me komentuesin “troplini” qe thote se nuk duhet te NGREME LAPIDARE TE RREME te pakten kur behet fjale per persekutim ne kohen e Enverit per ato qe i shijuan jo vetem nga meritat ne zanatin e tyre por dhe miqsine e ngushte me titullare si I.Reka sekretar i pare i Durrsit.
      .
      Pra e ndjera kur kaloi me PD duhet te ishte me e ekuilibruar sepse rridhte nga nje familje armike me sistemin e Enverit dhe pas 1992 mesuam se ishte pronare e stermadhe tokash bashke me Kazanxhiun..Pra a nuk duhet ti japim nje dekorate Enverit qe paska toleruar kaq shume” armiq te rrezikshem” I njejti fenomen me Pellumb Kullen qe edhe pse kishte nje brigade me ballista & kriminele u ngrit si “shqiponjat qe fluturojne lart”
      .
      Kerkoj ndjese per keto rrjeshta per ato qe nuk e kuptojne qellimin e komentit

      Ngushellime familjareve !

      Reply to this comment
  9. BARDHYL MYFTIU April 16, 19:28

    TI ISMET DUHET TIN PERGJIGJESH REALITETIT DHE JO EMOCIONEVE.RRUGEN RUSHEN GOLEMIT JA HAPI SHEFQET PECI QE E KISHTE NGA ANET E VETA.SHEFQETI MORI DHE VREJTJEN NGA ENVERI PER RUSHENEN QE I HAPI RRUGE TE PA SHKELURA BIJES SE KOMANDANTIT TE BALLIT QE TI NA E PARAQET SHUME TE MIRE DHE PASKA NDIHMUAR PARTIXANET.MEGJITHATE PO TE THOJE REALITETIN DUHEJ TE NGRIJE LARTE FIGUREN E SHEFQETIT DHE AJO PA BUKE TE NGELEJ DHE BESEN PER TE MOS TI SHKONTE NE MEND PER TA SHKELUR E JO TE BEHEJ DEPUTETE E PD .E KETE E BERI PER TE MARRE PRONAT ISMET DHE JO SI NJE ZONJE NGA KURVELESHI.TE GJITHA ANET E PROFESIONIT TE JA DINTE PER NDER SHEFQET PECIT TE TILLR KANE QENE KOMUNISTET ME IDEALE
    BARDI

    Reply to this comment
    • Boro Golemi April 17, 08:50

      Zoti Bardhyl, je jashte realitetit, jashte te vertetes. Ato qe ka shkruar Ismeti jane te sakta e te verteta. Nuk besoj se neve golemasve do na e thone te tgjeret, kush na ka ndihmuar apo te kunderten. Nga sa shkruan, ngaterron te atgin e saj me ndonje tjeter, qe ka qene Komandat I Ballit, dhe qe realisht Shefqeti e ka ndihmuar femijet e tij,sepse i ka pasur edhe te afert, Ndersa Mahmudi s’ka qene as me Ballin e as Komandant. Sa per Levizjen nese e ka n dihmuar apo jo edhe kjo eshte e dokumentuar, nga puna e kontributi I tij, por edhe nga te afermit qe nuk eshte nevoja t’i permend. Shefqeti s’ka nevoje ta ngrere Ismeti, por nuk mund te marre merite edhe aty ku nuk I takon!

      Reply to this comment
    • naim shtylla June 7, 23:09

      O Bardhyl Myftiu ! Akoma me Shefqet Pecin ti ? KIRURGE ME DUAR TE ARTA E BERI PUNA E SAJ per dekada te tera.Lerini keto brockulla se nuk ju nderojne.

      Reply to this comment
  10. demo April 16, 22:13

    Ngushellime familjes.Ka qene nje kirurge duararte.Kam degjuar per te kur operoi prof.Vullnetin nga ulcera ne vitet 70.Professioni ishte dashuria e saj me e madhe,ndryshe nga disa kolege te saj,qe mjeksine e perdoren per te bere kariere ne Partine e Punes dhe per te formuar BANDA POLITIKE.Ne ate bande politike ku hyri ndoshta prej entusiazmit te fillimit,i duhej te dorzonte EMRIN E NDERUAR,per ti sherbyer banditeve.Prandaj beri mire qe iku.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*