Misioni i (pa)mundur i Eduard Selamit

July 1, 2017 13:00 Updated

Misioni i (pa)mundur i Eduard Selamit

Nga Xhevdet Shehu

Pas humbjes katastrofike të PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit në kampin opozitar ka plasur një zallamahi e paparë. Duke ndjekur situatën aktuale në partinë më të madhe të opozitës, është pak të thuash se ajo është e paqartë. Ajo është konfuze dhe e rrëmujshme si në një mejhane ku nuk funksionon asnjë rregull. Kjo përshtypje të krijohet menjëherë sapo dëgjon deklaratat e Lulzim Bashës apo Jozefina Topallit, Arben Ristanit e Astrit Patozit, kur lexon statuset në FB të Berishës, djalit apo dhëndrrit të tij, apo deklaratat e Edi Palokës e Edmond Spahos… Pa le më të analistëve të ekranit, ku njëri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit dhe që duket se kanë për mision vetëm çoroditjen e mendjeve normale… Mjegullnajë dhe situatë më të trishtuar në kampin opozitar nuk ke si ta gjesh.

Nga përgjegjësit realë të humbjes, askush nuk e pranon përgjegjësinë. Faji është bërë qyrk dhe nuk e vesh askush. Pas termit eufemik se “nuk ka përgjegjësi vetëm Basha, por të gjithë nga pak” fshihet përpjekja hileqare për të mos treguar përgjegjësin. Po përsëritet e njëjta skemë ashtu sikurse ka ndodhur edhe herë të tjera të në parti, sidomos pas humbjes traumatike që pësoi ajo parti në zgjedhjet vendore dy vite më parë…

Rishfaqja e Eduard Selamit

Ende të ngrohtë nga dhimbja e humbjes, ku askush në kampin humbës nuk është i vetëdijshëm tërësisht për atë që ka ndodhur, ka filluar menjëherë lufta për të ardhmen e kësaj partie. Pasi thuajse të gjithë kanë pranuar rënien e saj, por njëherësh të gjithë flasin për ringritjen e shpejtë. Në kushtet aktuale për një të mundur, padyshim ringritja është një aspiratë e bukur dhe e mirëpritur, pavarësisht se kjo “shpejt” në garat politike zgjat me vite, domethënë mund të ndodhë pas katër vjetësh, ndoshta dhe më shumë. Dhe ringritja aktualisht shikohet tek zgjedhja e një kryetari “Mesi” që do të dijë ta shndërrojë PD-në në një alternativë të besueshme për ta çuar në qeverisje një ditë… Është një ëndërr e bukur, pavarësisht se në ditë vere të nxehta.

Astrit Patozi, një figurë e respektuar midis demokratëve, por që u la jashtë listës së kandidimit në zgjedhjet e fundit, shkruante dje se “Me urgjencë u shpik “vetëngrirja” e kryetarit, një normë e padëgjuar për të kamufluar mosmarrjen e asnjë përgjegjësie dhe, siç ndodh gjithmonë në farsa të tilla, u prodhua me shpejtësi një kandidat false, për të legjitimuar “fitoren”. Patozi e kishte fjalën për kandidaturën e Selamit, për të cilin, pavarësisht se nuk i përmend emrin, nuk e fsheh mosbesimin.

Ish-kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli është edhe më e ashpër ndaj Bashës. Ajo, pasi u la jashtë nga lista e kandidimit në zgjedhjet e 25 qershorit, e akuzon kryetarin se po mban peng PD-në, ndërsa kërkon largimin urgjent të tij. Por armiqësia e saj me Bashën është shumë më e thellë, madje para zgjedhjes së tij për herë të parë si kryetar i PD-së. Arsyet e mospëlqimit të saj ndaj Bashës i di ajo, disa nga të cilat edhe i ka thënë ditët e fundit.

Pra kjo është situata aktuale në kampin opozitar. Alarmante. Që i ka hutuar të gjithë brenda atij kampi. Po kërkohet një rrugëdalje, një shpresë, një dritë në horizont.

Por mënyra se si po operohet lë shumë për të dyshuar në mundësinë e ndryshimit të situatës së krijuar. PD është në ditën më të zezë të saj që nga themelimi rreth 27 vite më parë. Aktualisht, të traumatizuar nga humbja, në atë kamp mungon qartësia dhe largpamësia. Në PD aktualisht nuk ka analizë për shkaqet e humbjes dhe për katandisjen në këtë pikë. Sepse PD nuk humbi në një ditë, në 25 qershor. Humbja e saj ishte parandier e paralajmëruar me kohë. Është një listë shumë e gjatë gabimesh dhe krimesh të kësaj partie, për të cilat elektorati shqiptar vendosi ta lerë në opozitë. Strategjia që ajo ndoqi tani duket shumë qartë se ka qenë e gabuar.

Fjala vjen, ngritja e çadrës për tre muaj në bulevard ishte mbase kulmi i gabimeve të opozitës në strategjinë për të ardhur në pushtet. Mirëpo kur kritikoheshin për këtë gjest rruge pa kauzë, ata që hynë në çadër ashpërsonin tonet dhe bëheshin më të nervozuar e më të vendosur në strategjinë e tyre, duke menduar e duke u shprehur se ata që na kritikojnë janë armiq të PD-së. Kjo strategji e tyre nuk ndryshoi as kur ndërhynë partnerët perëndimorë, edhe aleatë të PD-së. Madje edhe ata u shndërruan në “armiq” të PD-së dhe të blerë nga oligarkia e drogës në pushtet.

Menjëherë pas “ngrirjes” që i bëri vetes kryetari Basha, i pari që shpalli kandidaturën për garën e kryetarit ishte Eduard Selami, një figurë e njohur në atë parti, një nga themeluesit dhe një nga ish-kryetarët e parë të saj. Selami, sipas shumë analistëve, shihet si personi i duhur dhe më i përgjegjshmi që mund të ndryshojë situatën.

Dje Eduardi hodhi një status në Facebook, ku ndër të tjera, shkruante:

“Është për të ardhur keq që forcën e parë politike ku unë kam patur kënaqësinë të jem ndër themeluesit e saj, koha e ka lënë pas. Dhe këto zgjedhje treguan pikërisht këtë. Prandaj PD-ja dhe demokratët duhet të ecin me hapin e kohës dhe duhet t’i paraprijnë. Unë jam shumë i sigurt që kjo do të vijë, dhe ky do të jetë dhe kontributi im në këto zgjedhje për kryetar të PD-së”.

Gjithsesi, unë jam skeptik në këtë optimizëm të përmbajtur të Eduardit.

E them këtë duke njohur Eduardin si politikan dhe intelektual, duke njohur gjendjen e asaj partie, ecurinë e saj në 27 vite, frymën mbizotëruese në të dhe sidomos nuklin e pandryshueshëm të saj, shumicën e atyre që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë ligjin në atë parti. E ky nukël është e keqja e madhe e asaj partie. Disa e shprehin këtë të vërtetë, disa jo. Prandaj dhe e konsideroj një mision të pamundur të Eduard Selamit nismën e tij për ta ngjallur “së vdekurish” partinë e tij të dashur. Ai ka dëshirë, do me mish e me shpirt që ta përmbushë këtë mision, por kush e lë atë ta përmbushë?

***

E njoh Eduardin që kur ishte kryetar i asaj partie në gjysmën e parë të viteve ’90 dhe kam përshtypjet më të mira për të si politikan. E them pa mëdyshje se një politikan si ai do t’i bënte nder çdo partie, sidomos tani kur hendeku në dallimet midis partive është ngushtuar së tepërmi, ndërsa trashëgimia komuniste është zbehur gjithashtu së tepërmi.

Shpallja e kandidaturës së Selamit këto ditë është komentuar në dy mënyra të ndryshme.

E para është se Selami është një zgjedhje farsë për të shpëtuar dhe mbështetur zgjedhjen e Bashës sërish në krye të partisë. Ka nga ata që kujtojnë kandidimin e Namik Dokles përballë Ramiz Alisë më 1991.

Por nuk janë të paktë ata që mendojnë se Eduardi është kandidatura e duhur që mund ta ringrejë PD-së, duke pasur parasysh për këtë maturinë dhe formimin e tij, background-in e tij amerikan dhe sidomos qëndrimet e qarta që ai ka mbajtur për reformën në drejtësi, ku së bashku me Majlinda Bregun ishte pro reformës dhe kundër qëndrimit të Bashës dhe të PD-së që u përpoqën deri në fund ta pengonin atë reformë.

Në të dyja rastet e sipërfolura, Eduard Selami duket si një misionar. Në të parin për të shpëtuar Bashën, domethënë edhe Berishën e për të ruajtur statuskuonë aktuale të PD-së. Ky do të ishte një mision i turpshëm dhe unë nuk do të dëshiroja ta shikoja Eduardin kurrë në këtë rol. Në rastin e dytë, në rolin e shpëtimtarit të PD-së, më duket një mision fisnik, por, fatkeqësisht, gati i pamundur për Eduardin aktualisht. Ashtu sikurse e pati të pamundur edhe i ndjeri Sokol Olldashi katër vite më parë… Nuk dua ta dekurajoj Eduardin në këtë iniciativë fisnike, por e them hapur se në analizë të fundit ajo pjesë egërshane në PD, që u ngjajnë atyre kamikazëve të verbër, janë gati të hedhin në erë gjithë partinë, vetëm e vetëm të mos iu ikë nga duart ky aset që ata e konsiderojnë të tyrin dhe të patjetërsueshëm.

 Po jap argumentet e mija për këtë.

Eduard Selami gjithnjë është veçuar si një zë ndryshe në atë parti. Në 7 prill të këtij viti unë kam botuar në ‘DITA’ një shkrim me titull “Pse mungon në çadër Eduard Selami”, ku argumentoja mungesën e tij duke iu drejtuar:

“…. Por ti Eduard nuk flet. As nuk shkon në atë çadër. E kanë vënë re të gjithë këtë, anëtarët e partisë tënde, opozitarët, por edhe vëzhgues si puna ime. Pse nuk shkon në çadër dhe pse nuk flet ti, Eduard? Po mundohem të bëj një arsyetim në distancë dhe pa miratimin tuaj.

Kemi shumë kohë që nuk kemi komunikuar së bashku dhe nuk i di arsyet e vërteta të mospjesëmarrjes tënde në çadër. Qofshin pa zarar arsyet dhe argumentet e tua, por unë dyshoj se që në nisje ti ke qenë kundër kësaj të ashtuquajture protestë pa kauzë brenda saj. Unë dyshoj se ti ke parë një fëlliqësi dhe një lojë të ndyrë dhe aspak të moralshme politike që po luhet nën atë çadër. Ti që ke një tjetër formim dhe një tjetër aspiratë për demokracinë, nuk mund të përziheshe me atë llum dhe me atë degradim që shpërfaqet në emër të opozitës në atë çadër. Ti, i mënjanuar, ndoshta thua: Jo, nuk është kjo opozita që meritojnë shqiptarët…

Miku im Eduard, ti linde si politikan në një parti të vdekur, sikurse e quajti Kasëm Trebeshina partinë tuaj vetëm dy javë pas krijimit. Ndaj dhe pate një karrierë të shkurtër në atë parti. Nuk ishte i mjaftueshëm idealizmi i një 30-vjeçari dhe i disa idealistëve si ti që besuan se mund të ngjallnit një foshnjë të vdekur. Nuk është faji yt. Unë jam dëshmitar konkret se si ti u përpoqe në atë gjysmën e parë të viteve ’90 të zbusje atë pjesën egërshane dhe barbare të asaj partie që çuditërisht ty të zgjodhi kryetar për ca kohë. Por ata treguan se ishin dominues dhe të hoqën qafe. Unë kam qenë në atë sallë ku ty të shkarkuan si kryetar de jure të partisë se ashtu donte kryetari de fakto i asaj partie që vazhdon ta sundojë edhe sot e kësaj dite…”

Le të kthehemi në terrenin konkret, pasi Eduardi shpalli kandidaturën për kryetar të PD-së.

Ata që nuk e duan Eduardin kryetar të kësaj partie “antikomuniste”, i “zbuluan” Eduardit ditët e fundit një histori të vjetër që sipas tyre e dëmton imazhin e kryetari të ardhshëm të PD-së. Është një shkrim i para viteve ’90, ku, Eduardi, në atë kohë pedagog në universitet, fliste për mendimin estetik të Enver Hoxhës. (Se për cilin mendim estetik mund të shkruante Eduardi para vitit 1990 e dinë vetëm ata që e akuzojnë se ka bërë një sakrilegj!) Në të vërtetë nuk kemi të bëjmë me kurrfarë zbulimi në këtë rast. Ky “krim” Eduardit i është kujtuar qindra herë që në hapat e parë të PD-së. Eduardi besoj se nuk ndihet aspak i shqetësuar nga këto sulme… Në një kohë kur shumë pjesëtarëve të kupolës blu u përmenden edhe krime dhe spiunime pa fund në kohën e diktaturës. Ndryshimi qëndron në faktin se sulmet në atë kohë Eduardit i vinin nga komunistët fanatikë, apo ish-komunistët e konvertuar në socialistë. Pas më shumë se 20 vjetësh, goditja për të njëjtin fakt Eduardit, i vjen nga të “vetët”, pra nga demokratët apo të pretenduarit si demokratë intrasigjentë, ata të vijës së ashpër që nuk duan ndryshim të kursit të partisë së tyre, edhe kur ajo humbet në mënyrë katastrofale.

Por Eduard Selami nuk është harbut, ndërsa harbutëria është kthyer në mënyrë sjelljeje dhe mbijetese në atë parti. Selami mund të akuzohet si mjaft i butë dhe tejet i brishtë përballë asaj pjese egërshane të asaj harbutërie që e mbizotëron partinë ku ai ishte ndër themeluesit. Eduardi e di shumë mirë pse PD-ja është katandisur në këtë gjendje të mjeruar. Por, unë dyshoj se, në momentin që ai do të hapë gojën e të rendisë arsyet dhe shkaktarët e vërtetë të disfatës dhe tkurrjes së pandalshme të PD-së, do t’i thonë: “Mbylle gojën” dhe do ta fishkëllejnë dhe do ta nxjerrin nga sallat. Ashtu si bënë në marsin e largët 1995 në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit kur e shkarkuan si kryetar partie vetëm pse deshi që ajo të bëhej paksa demokratike.

E, përderisa bërthama e PD-së është e njëjta, prandaj dhe them se misioni i Eduardit për ta shpëtuar partinë e tij të dashur më duket i pamundur.

July 1, 2017 13:00 Updated
Komento

8 Komente

  1. Bureto July 1, 13:31

    E keqja e PD eshte fryma berishiste qe e ka sunduar ate pre 27 vjetesh. Eduard Selami eshte nje nga viktmat e para te kesaj fryme. Dhe fryma berishiste nuk fillon te çrrenjoset nga ajo parti nese nuk atakohet haptazi Berisha. Dhe kjo do kurajo, qe ate deri me sot aty nuk e ka njeri, as ata pro e as ata kundra Lulzim Bashes. Ky eshte misioni i pamundur per kedo aty padyshim edhe per Eduard Selamin. Berisha, jo vetem fizikisht, por edhe hija e tij, eshte ‘gogoli’ qe ua ka mpire te gjitheve aty mendjne dhe shpirtin. Pergjigjen e pyetjes ‘pse ndodh kjo?’ le ta gjejne vete.Edhe pse krahasimi nuk shkon, qofte ne konteksin kohor apo qofte si aktore, duhet nje ‘hrushov’, qe ne vitin 1956, u ngrit kunder stalinizmit, por edhe ai e pati kurajon vetem kur Stalini kish vdekur prej tre vitesh. Per analogji, PD do kete shprese te ringrihet/ringjallet, vetem kur te vdese Saliu.Mos me thoni se nuk ju thashe.

    Reply to this comment
  2. MH July 1, 15:56

    Po kacin e Zi ku e keni strehu.Ne materiale rikupero.Thirreni urgjent te shpetoj PD.Asht filozofi i vecant jo vetem i partive po i gjithe vendit.Mbasi ka eksperience ne te majte e tashti ne te djatht.

    Reply to this comment
  3. ETHEM July 1, 16:23

    SHKRIM I SAKT E FRYMZUES PER KEDO QE KA 5 PARE MEND NE PD E KO.SELAMI U PRANUA NGA SALIU E U BE DEPUTET NE 2013. SE NGELI PA BUKE E SALIU E MESHIROI.POR TASHME ESHTE RADHA E SELAMIT TA MESHIROI SALINE.SE RENIA E LULIT NENKUPTON RENIEN E SALIUT PASI SALIU KOMANDON LULIN NE ÇDO HAP QE HEDH.PRA SELAMI U THIRR NE EMERGJENCE PER TI BERE FRESKO LULIT,NENKUPTO SALINE.DHE ÇDO KUSH E KUPTON KERE HARBITERI TE SALIUT.DHE ME PAS SELAMIT DO TI SIGUROHET NJE PUNE SA PER TE MARR RROGEN TE USHQEJ GOCEN ME ILVA TAREN.KAQ ESHTE PUNA SELAM.SA TE NET SALIU STT..PD DO SHKOI KEQ E ME KEQ.DHE KUNDERSHTARET E LULIT E DIN SE KAN PERBALL SALIN E JO LULIN POR NUK UA MBAN TE FLASIN TROÇ.SE NE ATE PARTI NUK FLITET KURR TROÇ.DHE LULI DO ZGJIDHET KRYETAR SIÇ..4 VJET ME PARE.DHE PATIZI E DI MIRE NGJARJEN OLLDASHI.POR NUK JA MBAN TE FLASI SE PERFUNDON SI AI.DHE..NJE SHOK ME PAK NJE AMANET ME SHUME.NGUSHELLIME KUNDERSHTAREVE TE LULIT QE U KUJTUAN VON TE ÇIRREN SI BLEDET KUR NE KOSHERE FUTEN GRENXAT.

    Reply to this comment
  4. perkthyesi July 1, 16:35

    Shume e sakte Bureto! Pa eliminimin politik te Berishes, PD do qendroje ne opozite dhe 30 apo 40 vite te tjera! Kjo eshte e sigurte! Cuditem qe, asnje nga politikanet e PD nuk e permend kete fakt kokeforte! Kaq frike te kene nga doktori valle?

    Reply to this comment
  5. Novruz Taip Vishanji July 1, 16:59

    DIKUSH NGRITI ÇADER REALE,

    dikush Çader virtuale, mer Xhevdeti i Lales qe akoma nuk ndryshon ne mentalitetin tend te te lepirit te parapnicave te Elez Serbo-Malazez e Antishqiptar Biberajt, me Shkrele e mutqenefe te çdo lloji e tipologjie te ndyre, qe kane gjetur “MESIA-n” per te rimekembur nje zgerdalle.

    Vetem ti e di se cila na qenka “eksperienca amerikane” e nje te divorcuari e te gjykuari nga drejtesia amerikane per shkelje te ligjeve te saj. Vetem ti e di se “zerat ndryshe” te demokrateve “u blene – siç shkruan me lart – nga oligarkia e krimit dhe droges ne pushtet” !

    Nje plangprishes i familjes se vet, si Selami, si mund te enderrosh te ringjalle nje parti apo levizje te vdekur te ashtuquajtur demokrate?

    Pavaresisht se nuk kam asnje afersi as morale e jo me kulturore apo botekuptimore me Hollandezin fluturues, gabimi i tij ishte qe i besoi genjeshtrave te nje sharlatani nga Surreli, duke nderprere ne kulmin e saj nje levizje vertete populiste, por aspak me e ndyshte se ajo qe beri dy dite me pare thonj-papreri i Surrelit, me ato 6000 kerkesat virtuale te tekanjozeve trushpuar e bythegrisur qe kane mbetur ne Shqiperi.

    Te pakten edhe pse groteske, kerkesat e mjaullitjet e atyre mijera te perzgjedhurve qe gervishen Çadren (reale) me sinfonite e tyre te stonuara, ishin me praktike e me te ndjeshme ne shumicen e tyre, duke i dhene nje lloj lustrimi refleks thyer, nje programi te vertete te “prima dona-s” se operas berishjane.

    Akoma ti me komunizmin e Ramiz Aline, nje tradhetar e vrases i ndyre i te ardhmes se shqiptareve, pikerisht ai i lidhuri me agjenturen serbo-malazezo-boshnjake qe ty te punesoi dikur ne VOA, sot na e merr si shembull te “luftes brenda sojit” ne degjenerimin tre dekador te asaj qe perpiqet me forcen e gati te mbyturit te paraqitet si demokraci !

    Rimekembja e opozites, ashtu si edhe rimarrja e pushtetit te vjedhur te socialisteve te vertete nga grabitesi i saj, do behet vetem ndermjet nje “revolucioni” te brendeshem te masave qe popullojne keto dy realitete, dhe as me Selame e me Alekum te turnit, apo te “krishtere” te batezuar me nje kerkese te gjyshes drejtuar Papes ne Vatikan rreth viteve shtatedhjete (?!).

    Reply to this comment
  6. Mehmet Metaj July 1, 20:33

    Urime Z. Xhevdet ..se keni trajtuar nje teme me semantiken e momentit kur PD-ja ka shkuar ne piken nevralgjike ose duhet te ri-organizohet dhe drejtohet nga nje njeri me mendesi tjerter ose i ka ardhur fundi…por une mendoj se perderisa ka ende’ de facto berishen ne krye s’ka se si te kete vend per Eduard Selamin etj si ai..E. Selami do te perjetoj ate qe thone se historia perseritet dy here njehere ne frome tragjike dhe njehere ne forme komike-kete te dyten dhe asgje me shume..PD-ja mbetet parti i Bershes .sic doli ashiqare se LSI-aj eshte parti e Ilir-Monikes.etj

    Reply to this comment
  7. Bujar Kanapari July 1, 21:45

    Z.Xhevdet, ju ju vjen keq per PD, apo po beni CV e Selamit.
    Selami e ka te veshtire te zgjidhet kryetar i PD-se, po aq sa do ta kisha une qe s’me njeh njeri.
    Kur Selami ka qene kryetar i PD-se para 20 e ca vjeteve, kane qene te tjere drejtues ne kete parti, qe do te thote se gezonte nje mbeshtetje te madhe, ndersa sot, per mua, eshte nje mision i pamundur.
    Sa i takon rezultatit te zgjedhjeve, z. Basha, eshte njeri nga ata qe ka pergjegjesi, por nuk eshte me kryesori.
    Nuk mund te mbaje pergjegjesi z.Basha, kur PD, emeronte drejtore, kandidonte per kryetare komune dhe bashkie, bente edhe deputet, njerez qe s’kishin lidhje me PD.
    Nuk mjafton vetem te qeverisesh mire, qe te ruash forcen elektorale.
    Antaresia reagon ndaj ketyre fenomeneve.
    A e dini ju qe disa nga keta drejtore, shefa etj, rrine gjithe diten duke share Berishen neper kafene, dhe e heqin veten si viktime ne PD’, sikur ka qene partia qe nuk i lejonte te punonin me mire, kuptohet pasi i kane punesuar familjaret e tyre.
    30% e elektoratit te PD-se, ka kaluar tek PS dhe LSI; te pakten 100000 ishmilitante votojne majtas.
    Partia Demokratike, keto 20 vitet e fundit, nuk e ka kaluar 35% voten popullore, keshtu qe z. Basha, i mungojne vetem 6% te votes popullore, qe jane me shume te pakenaqurit.
    Me mire nje parti me 29% te votes popullore, se sa nje parti me 50 apo 60 % force elektorale me servila dhe te korruptuar.

    Reply to this comment
  8. demo July 1, 22:32

    Kjo parti ra ne duart e Berishes pa u formesuar si parti.Nga njera ane ishte maloku i shpelles se Lugut te zi,qe hyri ne levizjen studentore i armatosur me experiencen 25 vjecare te komunistit intrigant,karrierist,.nga ana tjeter keta studente e profesore ,qe provuan te merrnin fate te medha mbi supe.Sali Berisha hyri i armatosur me rrugacerine Tropojane ne levizjen studentore.Kur Gramoz Pashko,Alexander Mexi,Genc Ruli,Arben Demeti e dhjetra te tjere mbylleshin ne salla dhe studio per te hartuar programin ekon-pol te Partise se re,Sali Berisha me mashen e tij Hajdarin formonte seksione,grupe sulmi,qindshe rrugacesh ne cdo qytet gjoja per te luftuar komunizmin,por ne fakt per te sfiduar rivalet brenda Partise.Dhe ja arriti qwellimit.Nje nga manaret e tij te pare ka qene Eduart Selami,qe nga qingj manar qe pi ne dy tufa u gdhi nje dite ujk,bishe shpelle kur ne konferencen e jashtzakonshme te PD ne veren e vitit 1992,u gerthiste mocionisteve:-Jashte nga partia ime!
    Imagjinoni../ky lamash i therriste Gramoz Pashkos;jashte nga partia ime! Sot PD eshte si Sodoma dhe Gomorra.Ne ate shpelle ka vetem bisha,gjerperinj,ujq dhe derra.Ajo parti nuk duhet mesuar si te ringrihet ,mor Xhevdet,por duhet djegur me benxine si Sodoma dhe Gomorra e te mos i ngelet nam e nishan.PD eshte mitra e gjithe te zezave ne qweverisjet shqiptare,.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*