Miss Durhami dhe A. Herberti në mbështetje të Qeverisë së Ismail Qemalit

March 9, 2020 19:17

Miss Durhami dhe A. Herberti në mbështetje të Qeverisë së Ismail Qemalit

Prof. dr. Bardhosh  Gaçe

Fillim shekulli i XX ka qenë një histori komplekse dhe e rëndësishme për Shqipërinë. Edhe pse Lidhja e Prizrenit qe shpërndarë me dhunë nga shteti otoman, ajo në historinë e vendit kishte shënuar një qasje politike të re, një përvojë ndryshe gjithë ngjarjeve të tjera të mëparshme, ku termat politikë kombëtarë ishin shfaqur në forma të ndryshme. Ajo kishte karakter kombëtar dhe gjithëpërfshirës, siç kishte ndodhur shekuj më parë në kohën e Skënderbeut. Ky komunikim i rëndësishëm dhe jetik, kishte një platformë ideologjike dhe politike, të cilën e kishte njoftuar më herët Rilindja shqiptare, ide të cilat kishin mbetur dhe kumtonin akoma në dy dekadat e para të shek. XX..

Praktika e shpalljes së Pavarësisë, në kushtet e një refuzimi të njohur otoman, por edhe të nënvlerësimit të Fuqive të Mëdha, të cilat nuk kishin një qëndrim të qartë lidhur me nacionalizmin shovinist ballkanik, i cili bënte çmos për të zhdukur dhe asimiluar një nga popujt më të vjetër të gadishullit ballkanik, Shqipërinë dhe shqiptarët, i ekspozoi shqiptarët, patriotët e tyre brenda dhe jashtë vendit në një ndërmarrje të vështirë, por të domosdoshme, atë të krijimit të shtetit të pavarur. Koha kishte treguar se vonesa sado e vogël të ishte (në letërkëmbimin e shumtë të Ismail Qemalit me faktorët politik, atdhetarët dhe luftëtarët, herë pas here përmendte sintagmën e njohur “koha nuk pret” apo “është shumë vonë”) Shqipërisë i kushtonte shumë, kështu që kjo periudhë është mjaft e ngjeshur në ngjarje, veprimtari njerëzore, shoqatash dhe organizatash, veprimtarësh, por edhe të një sërë figurash të vendeve evropiane, të cilët dolën në skenën e historisë, si një vlerë e nevojshme për atë çka i duhej Shqipërisë dhe njerëzimit.

Në kushtet në të cilat gjendej Shqipëria, veçmas pas shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, nevoja për mbështetje të saj nga Perëndimi ishte jashtëzakonisht e rëndësishme. Në këtë kohë, vendi i vogël i Ballkanit po përplasej me një indiferentizëm të dhimbshëm, cinik, vrastar dhe të papërgjegjshëm. Shqipëria dhe shqiptarët ishin lënë të vetmuar në misionin e tyre historik. Edhe pse austro- hungarezët dukeshin si mbështetës të tyre, fondamentalisht ata nuk sollën asgjë në rrjedhën e ngjarjeve, veçmas në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, me ç’rast një sëpatë e rëndë ra mbi trungun e atdheut, për të lënë jashtë trojeve amtare gjysmën e viseve shqiptare. Në këtë kohë përplasjesh të mëdha, ngjarjesh të ditë pas dite dhe kohë pas kohe, një veprimtari të çmuar, një imazh përcjellës për Shqipërinë dhe shqiptarët, një zë, i cili arriti të shkonte deri në Londrën e vjetër të diplomacisë, u shfaq Miss Edit’ Durham. Edith Durhami është një nga figurat e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, e cila aftësitë e saja intelektuale i vuri në shërbimin e njohjes perëndimore në vlera jashtëzakonisht të rëndësishme, por edhe të nevojshme për vendin.

Edith Durhami është nga intelektualet e shquara të kohës, të njërit nga shtetet më të civilizuar dhe më me ndikim të Evropën Perëndimore, e cila krijoi një lidhej të fortë, një lidhje të brendshme dhe një komunikim jo të zakonshëm të sajin me shqiptarët, por edhe të Shqipërisë me kohën dhe me Perëndimin. Duke qenë një eksploruese e shquar, Durhami përgjatë periudhës 1906-1914 u lidh shumë me jetën, traditën, konstitucionin shpirtëror dhe fatet e shqiptarëve. Kjo lidhje e fortë, por edhe reciproke, veçanërisht me banorët e Veriut dhe të Kosovës, u transmetua gjatë gjithë jetës së saj, edhe kur ajo nuk ishte më në Shqipëri, duke mbetur një mbështetëse e pakursyer e shqiptarëve në fatet e tyre të vështira.

Ajo depërtoi në brendësi të familjes shqiptare, u pleks me jetën e tyre në mënyrë të pazakontë, siç mund t’i ndodhte një të huaje, e për këtë lidhje të fortë, malësorët e Veriut e kanë quajtur “Mbretëresha e malësorëve”, një vlerësim i shenjtë prej fisnikërie. Këtë lidhje të thellë ajo e dëshmoi deri në moshën 81 vjeçare, kur u shua. Në vitin 1921, edhe pse kishin kaluar shtatë vite, ajo vjen përsëri në Shqipëri, për ta vizituar atë, duke manifestuar një ndjenjë miqësore të thellë dhe mjaft të ngrohtë për Shqipërinë dhe shqiptarët, viset e të cilëve i kishte shkelur me këmbë në Veri dhe në Jug.

Durhami, përveçse kishte profesionin e piktores, pasi kishte mbaruar Akademinë e Arteve të Londrës, një arsim universitar i rëndësishëm dhe domethënës për kohën, ajo kishte një pasion të madh për të eksploruar mjedise familjare, treva, situata të rëndësishme në mjediset shoqërore të kohës, të cilët e kishin ndihmuar mjaft në punën e etnologes, të cilën ajo e bënte me mjaftë kënaqësi. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Veriun e Shqipërisë ajo mblodhi të dhëna dhe dëshmi të jashtëzakonshme mbi doket, zakonet, traditën e këtyre trevave ku shkeli dhe kaloi shumë kohë të rëndësishme për jetën e saj. Ajo shquhej për një marrëdhënie qytetare dhe tolerante, kishte një ndjesi të mprehtë për problemet sociale, historike, duke qenë ndërkohë një humaniste e jashtëzakonshme. Në Veri dhe në Jug, për të tregohet se ka ndihmuar shumë të varfrit, të sëmurët dhe të plagosurit në luftëra.

Kjo natyrë eksploruese, duke qenë edhe piktore, i krijoi asaj mundësinë për të hyrë në ambjetet dhe mjediset shqiptare, duke ndihmuar nga njëra anë në zbulimin  thesareve të jashtëzakonshme të kulturës popullore shqiptare, të etnokulturës shqiptare por edhe duke i shpëtuar ato nga rrënimi, harresa dhe nga nënvlerësimi në jo pak raste. Depërtimi në mjediset e brendshme familjare, e çoi Durhamin që të zbulonte dhe evidentonte njëkohësisht shumë anë të fshehta të jetës shoqërore shqiptare, të familjes, mënyrën e jetesës, të dhëna të nevojshme rrënjore të etnopsikologjisë dhe antropologjisë kulturore së shqiptarëve, si një popull me psihë të veçantë ballkanike, me karakter të spikatur edhe me një lidhje të fortë me historinë e tyre dhe atë të Europës.

Edith Durhami ishte një intelektuale dhe etnologe e spikatur. Ajo kurrë nuk i harroi gjurmët e rrugëtimeve të saja në Shqipëri, përkundrazi, duke kuptuar se sa të rëndësishme do të ishin për kohën, veçmas në Perëndim, por edhe më vonë në kulturën shqiptare, ajo bëri bashkë etnologen me piktoren, humanitetin me eksploruesen dhe i la kulturës shqiptare një pasuri shkrimore të rëndësishme. Gjatë qëndrimit në Shqipëri Durhami ka shkruar dhe botuar disa libra, ndër të cilët duhen shënuar: “Përmes viseve serbe” (1904), “Brenga e Ballkanit” (1905), “Shqipëria e Epërme” (1909), “Lufta për Shkodrën” (1914), “Njëzetë vjet ngatërresa ballkanike” (1920), “Prejardhja e disa fiseve dhe disa dokeve (kanune) të Ballkanit” (1928), libra që përbëjnë një fond të rëndësishëm të qëmtimeve etnografike, riteve, dokeve, zakoneve, etnopsikologjisë dhe rrethanave historike në të cilat është gjendur familja dhe shoqëria ballkanike dhe ajo shqiptare.

Edith Durhami studioi hollësisht dhe interpretoi shfaqje komplekse, të cilat i gjente dhe në bashkësinë njerëzore të kohës veshjet, banesat, orenditë, ushqimin, jetën dhe burimet ekonomike, doket, traditat, vdekjet, lindjen, martesën, punimet artizanale- artistike, argjendarinë, vizatoi mjediset etnografike, duke krijuar një raport studimor dhe evidentues me një bazë të gjerësishme dhe të domosdoshme jetike të mjediseve ku ajo jetoi apo kaloi, por edhe me jetën e njerëzve, e cila ka qenë interesante dhe që reflektonte kohën historike dhe atë bashkëkohore në kompleks. Në vëzhgimet e Durhamit ka një qasje lidhur me elementë të caktuar të psihës së shqiptarëve, duke shfaqur një tendencë tradicionale historike të tyre, pasi ata, pavarësisht dasive, kur vjen puna për çështjen e atdheut dhe interesin kombëtar, bëhen bashkë.

Në librat e Durhamit, të cilët janë shkruar me subjekt nga Shqipëria, veçmas nga ajo e Veriut, por edhe në momente të caktuara historike dhe në atë të Jugut, ajo tregon se shqiptarët shquhen për krenarinë e tyre, ruajtjen e dinjitetit, të cilët edhe pse mund të jenë shumë të varfër (siç janë ata që jetojnë në thellësitë malore), edhe kur lufta i kishte rrënuar apo dobësuar shumë, ata e përmbanin veten dhe sillen si njerëz me sedër dhe dinjitet, ndryshe shumë popujve të tjerë ballkanik.

Interesant është edhe qëndrimi dhe interpretimi bazik, mjedisor, duke qenë se një pjesë të qëndrimit të saj në Shqipërinë e Epërme, siç quhet ndryshe Shqipëria e Veriut, është qëndrimi që Durhami ka për organizimin shoqëror në fise dhe që përfaqësohen me kanun. Siç edhe kuptohet, Durhami e ka njohur mirë mjedisin ku ka vepruar kanuni, i njohur ndryshe si “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, për të cilin ajo mendon se është i mëhershëm, që i kohës pagane. Malësorët e këtyre anëve, pavarësisht ashpërsisë që ka ky kanun, e kanë jetik atë në vendosjen e ekuilibrave, për shkakun  mungesës së rendit shtetëror dhe që ngjan sipas saj si përplasjet e konflikteve ushtarake të popujve të sotëm të qytetëruar. Aty bëhet fjalë për gjakmarrjen, por në opinionin e saj ka diçka interesante, kur flet për një lloj pa-anshmërie që ky kanun ka në veprimin e vet. Në librin ”Brenga e Ballkanit” ajo shënon ndër të tjera: ”Ndoshta atyre ligjeve u janë bindur dikur luftëtarët me armë bronzi, që janë zbuluar në varrezat e lashta….!” ku njëherësh nënkuptohet edhe lashtësia e tij.

Durhami e quan ligj kanunin që vepron në jetën e tyre, një nënprodukt, i cili është pasuruar me kohën dhe përvojën njerëzore. Duke kuptuar mungesën e ligjeve në këto kohë, ajo jep një vlerësim interesant lidhur me tendencën e shqiptarëve për të pasur drejtësi, dhe ndër të tjera shënon: “Shqiptarët pa ligje, por nuk ka ndoshta popull tjetër në Evropë që të rrojë si ata nën tiraninë e ligjeve1., pra të ligjeve kanunore. Vlerë të rëndësishme nga vështrimet e Durhamit, e cila vinte nga një vend të konsoliduar me ligjet dhe konceptet bashkëkohore të shtetit dhe të kulturës, janë perceptimet dhe hulumtimet, kryesisht më malësitë e Veriut, kur flet për gruan malësore. Ajo thotë se gruaja malësore ka një lloj lirie të “çuditshme”, dhe është më e lirë se gruaja në qytetin e Shkodrës. Gruaja malësore u flet lirisht burrave, ajo flet në kuvend dhe mund të ndërhyjë për të ndaluar një grindje, pasi asaj i dëgjohen lutjet nga burrat.

Durhami nuk harron të shkruajë për një fenomen të veçantë në malësi, por edhe në ndonjë vend tjetër të Shqipërisë në përgjithësi, kur trajton çështjen e femrave të virgjëra, me beqari të përjetshme, të cilat marrin një status të veçantë. Ato shpallen të tilla, duke marrë “atributet” e një burri me një vendim pleqsh, me dorëzaninë e 12 betarëve (njerëz që bëjnë be), për ndershmërinë e këtyre femrave për të gjithë jetën, të cilave iu lejohet me u veshë si burrat, me mbajt armë dhe me qëndruar në dhomë me burrat. Thellësisht ky fenomen ka një lidhje të fortë me ekuilibrat e familjes malësore, e cila ka pasur një kujdes të veçantë për t’u drejtuar dhe për t’u përfaqësuar.

Edhe pse gjatë kësaj kohe Shqipëria ishte një vend i varfër, i prapambetur, Durhami është ndjerë e respektuar dhe e vlerësuar kudo ajo ka udhëtuar dhe shkuar në Shqipëri, duke prekur një realitet miqësor, një popull me histori të vjetër dhe me atribute të çmuara, ndryshe shumë popujve të tjerë të Ballkanit. Këtë njohje të thellë, që Durhami pati për Shqipërinë dhe shqiptarët, përveçse ajo i shndërroi në libra dhe në komunikim me kohën dhe vendin e saj, ajo u përpoq që autoritetin e saj, talentin e saj, kontributin shkrimor, njohjen që kishte për historinë dhe diplomacinë  ekohës ta vinte në shërbim të Shqipërisë.

Durhami kishte kontakt me shtypin e kohës që dilte në Perëndim, pasi burime të shumta të këtij kontakti shfaqen në të gjithë librat e saj, ku flitet për politikën, historinë dhe zhvillimet bashkëkohore. Në këtë kuadër, ajo kuptonte mjaft mirë mungesën e mbështetjes që Shqipëria gjendej në këto zhvillime ballkanike dhe evropiane, në kushtet e lindjes dhe zhvillimit kapitalist të Evropës, kur në skenën e politikës ishte shfaqur nacionalizmi.  Në këto kushte ajo përveçse shkroi shkrime, libra, bëri thirrje Perëndimit dhe Fuqive të Europës për t’i respektuar të drejtat e shqiptarëve, të cilët po nëpërkëmbeshin nga nacional- shovinizmi ballkanik. Në masakrat e viteve 1912- 1913, të shqiptarëve në Malin e Zi dhe në Kosovë, Edith Durhami u gjend aty, ajo i pa me sytë e saj masakrat që u bënë mbi shqiptarët, të cilëve u kërkohej detyrimisht që të ndërronin fenë, për shkakun e “elementit” fetar që po përdorej në ndarjen e kufijve të Shqipërisë.

Koha e qëndrimit të Mis Durhamit në Shqipëri përkoi me zhvillime të rëndësishme historike dhe politike të Shqipërisë. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në qytetin e Vlorës nga Ismail Qemali dhe formimi i qeverisë së parë, përveçse është evenimenti më i rëndësishëm i historisë së kombit, por është edhe një nga momentet historike, që u mbush me lëvizje të shumta diplomatike nga Shqipëria, nga diaspora, të politikës dhe diplomacisë së vendeve ballkanike, qëndrimet e shteteve të mëdha evropiane, por edhe të figurave të caktuara, të cilat morën një rol jashtëzakonisht të nevojshëm gjatë kësaj kohe.

Mis Durhami kishte njohje të madhe lidhur me Shqipërinë, pasi kishte disa vite që jetonte në këtë vend. Diplomacia angleze kishte ndërkaq njohje të madhe dhe luante rol të madh në këtë rast, veçmas pas Shpalljes së Pavarësisë, ku Qeveria e Ismail Qemalit po luftonte me forcë mbrojtjen e territoreve tokësore shqiptare, të cilët pritej të copëtoheshin sipas një projekti të shfaqur edhe më herët nga diplomacia e huaj dhe projektet nacional-shoviniste ballkanike.

Shpallja e Pavarësisë, por edhe korrenti diplomatik i Konferencës së Londrës, kishte zgjuar një luftë të egër të fuqisë ushtarake, vrasëse dhe barbare të fqinjëve të Shqipërisë në Veri dhe në Jug, të cilët kishin mësy të pushtonin tokat shqiptare. Nën një regjim të egër dhe vrasës ushtarak ishte edhe koha kur në Vlorë u ngrit flamuri i pavarësisë.  Në këtë kohë, në Shqipëri shfaqet një nga personalitetet e çmuara anglez, i quajturi Aubrey Herberti, i cili do të shfaqet në kontributin e tij si një figurë diplomatike e shkëlqyer. Herberti, përveçse e mbështet pavarësinë e Shqipërisë, ai është njëri nga zëdhënësit e rëndësishëm të të drejtës së saj në parlamentin anglez, po ashtu është edhe njëri nga kontribuesit e pakursyer, i cili familjarisht u vu në shërbim të delegacionit shqiptar, që kishte kërkuar të merrte pjesë dhe të përfaqësonte vendin në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Dy anglezët e shquar, Mis Durhami dhe Aubrey Herberti e njohën mirë Shqipërinë dhe shqiptarët, prandaj ata e mbështetën Pavarësinë e Shqipërinë dhe Qeverinë e Ismail Qmalit. Durhami kishte ardhur në Shqipëri që në vitin 1906, kohë që përkonte me përpjekjet e mëdha të patriotëve shqiptarë për të shpallur pavarësinë, ndërsa Herberti e kishte vizituar Shqipërinë që nga viti 1907, 1908, 1913 dhe më pas. Edhe pse kontakti i këtij të fundit ishte i rastësiishëm, përmes një shqiptari, të quajtur Qazim Kukeli, një malësor nga Dibra, që ishte larguar prej andej për shkakun e një hasmërie, ai do t’i shërbejë diplomatit anglez gjatë gjithë udhëtimeve të tij në shërbim të ambasadës angleze në Konstandinopojë (ku Herberti ishte caktuar si atashe atje) edhe kur Herberti do t’i kërkojë sa duhej ta paguante për shërbimin që ai i kishte bërë, shqiptari i kishte thënë: “Asgjë për mua. Fol mirë për Shqipërinë kur të jepet rast!” Për këtë kontakt edhe lidhja e fortë me Qazim Kukelin, diplomati dhe deputeti i parlamentit anglez Herbert, do të shkruajë faqe të shumta në ditarin e tij dhe në letërkëmbimin me familjen e tij në Londër.

Në kohën e vështirë të passhpalljes së Pavarësisë, dy anglezët e shquar do të jenë një urë komunikimi mes Shqipërisë dhe Anglisë, ku edhe njëri edhe tjetri (Herberti dhe Durhami) do të kërkojnë me këmbëngulje për t’u njohur qeveria shqiptare dhe të drejtat e shqiptarëve. Herberti do të krijonte Komitetin Shqiptar Anglez, në të cilin do të kontribuonte edhe Mis Durhami si anëtare e tij (anëtarësinë  e saj e vërteton një dokument i vitit 1920). Ashtu si Durhami, e cila për Shqipërinë dhe shqiptarët shkroi një kolanë librash të rëndësishëm, për jetën, të kaluarën, ritet, doket, zakonet, historinë, ngjarjet tragjike të luftërave me fqinjët ballkanikë, në Veri dhe në Jug, Herberti do të shkruante dhe do të botonte 17 shkrime në shtypin e kohës në “The Times”, “The Morning Post”, “Spektator”, “The Near East”, “Blackëood”, “Neëstatesman”, “The Nation”, “Saturday Revië”, por edhe fjalimet e shumta në parlamentin anglez, në të cilat do të shprehej për Shqipërinë dhe të drejtat e saj.

Herberti e çmonte Qeverinë e Vlorës, e cila ishte e gjendur në një situatë aspak të mirë qoftë me faktorin e brendshëm, qoftë edhe faktorin e jashtëm. E në këtë gjendje të vështirë në të cilën gjendej Shqipëria dhe Qeveria e Vlorës, në opinionin e Herbertit shkëlqente plaku i mençur i Vlorës, Ismail Qemali, për të cilin ai shkruan:”Ismail Qemal Beun e njoha kur ishte në moshë të thyer, kur ishte si ajo breshka e mençur dhe dashamirëse. Kishte në vetvete  një liberalizëm të vërtetë, që nuk shterrej kurrë, por që ishte bërë i padukshëm nga rregullsia e natyrës së tij dhe shmangiet e lodhëshme nga çiltërsia, i detyruar nga rrethanat. Ishte dinak dhe i zoti, dhe dinakërinë e tij e kishte fuqinë ta formulonte me brishtësi”.

  1. 1. Mis Durham “Brenga e Balkanit”, Tiranë 1990.
March 9, 2020 19:17
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Tirana Bank