INTERVISTË / Një nga neurokirurgët më të mirë të kohës vjen në Tiranë

October 27, 2018 08:30

INTERVISTË / Një nga neurokirurgët më të mirë të kohës vjen në Tiranë

Entela Resuli

Ditën e djeshme, në ambientet e Akademisë së Shkencave, në praninë e dhjetëra mjekëve dhe studentëve, u promovua libri i dytë i Henry Marsh, përkthyer në shqip nga neurokirurgu Mentor Petrela dhe mjeku Flor Dashi.

Henry Marsh është një nga mjekët më të rëndësishëm të trurit në botë dhe pas librit “Mos bëj dëm”, promovuar vitin e kaluar vjen “Rrëfimet e jetës si kirurg i trurit”.

Me një zë me diksion të fortë, doktor Marsh të imponon ta dëgjosh me vëmendje.  Ai është i çlirët, i pëlqen vendi ynë e mbi të gjitha i pëlqen fakti që librat e tij lexohen edhe në shqip.

Ndërsa je përball tij të duket vetja e sigurt. Kemi pranë një nga neurokirurgët më të mirë të trurit në botë. Kjo është vetëm një ndjesi.

Ne patëm mundësinë të bisedonim me Henry Marsh, me këtë personalitet të rëndësishëm të mjekësisë. Për “Dita” ai rrëfeu pak nga jeta e tij e gjatë në fushën e mjekësisë, frikërat dhe ankthet që ka na ndjerë gjatë profesionit, mendimin që ka për vdekjen dhe disa këshilla për një jetë më të mirë.

-Doktor, kur keni ardhur për herë të parë në Tiranë?

Kam ardhur në Tiranë 8 vite më parë dhe vë re se, që nga ajo kohë ky qytet ka ndryshuar shumë, duket gjithmonë e më mirë.

-Çfarë të solli në Shqipëri në atë kohë?

Ambasadorja britanike që ishte emëruar në Shqipëri ishte pacientja ime, pasi ajo vuante nga tumori në tru. Dhe me këtë rast, duke u nisur nga kjo gjë, por edhe nga dëshira që kam pasur për të vizituar Shqipërinë, erdha. Vendi juaj është një vend unik dhe aspak i zakonshëm. Më këtë rast u takova edhe me profesor Petrelën këtu në Tiranë. Në dy vizitat e para kam qëndruar në ambasadën britanike, ndërsa tani nuk është më nevoja, ardhjet e mia janë për kënaqësi dhe unë jam miqësuar me Shqipërinë dhe shqiptarët.

-Ju thatë që jemi një vend unik, por çfarë ju bën përshtypje konkretisht në Tiranë?

Gjëja më interesante është takimi i disa kulturave të ndryshme në të njëjtën vend, siç është Ballkani, Greqia, Italia, myslimanizmi, postkomunizmi, ndërthurja e këtyre e bën shumë unike dhe interesante. Edhe pse ka pasur një reputacion të keq në perëndim, për arsye të regjimit të kaluar dhe për krimin e organizuar, kur udhëton drejt vendit tuaj dhe bën miq, atëherë e kupton që ne jemi të gjithë qenie njerëzore.

Puna që kam bërë në 40 vite profesion për mua ka qenë kënaqësi, pasi e kam shfrytëzuar këtë edhe për të takuar njerëz dhe për t’u njohur me kultura të reja.

-Doktor, ju thoni se keni udhëtuar në shumë vende të botës, po pacientët si janë, a ndryshojnë nga njëri-tjetri, apo dhimbja, dhemb njëlloj?

Jo, nuk mendoj, ata që sëmuren janë të njëjtë kudo. Por ajo që ndryshon është raporti mjek-pacient që është i ndryshëm  në vende të ndryshme. Në Amerikë, për shembull, pacientët ngjajnë më shumë si konsumator që shkojnë në një qendër komerciale. Kam dëshirë ta konsideroj Amerikën si një vend ku vdekja është opsionale.

Amerikanët mendojnë se, nëse ata shpenzojnë para mjaftueshëm, ata kanë mundësi të jetojnë përgjithmonë. Kam punuar edhe në vend e tjera, sidomos në vendet post-sovjetike, ku doktorët sillën si diktator dhe pacientët e tyre nuk kanë asnjë të drejtë.

-Pacientët, shpesh, mjekun e konsiderojnë si Zoti, ku tek ai mund të gjejnë shpëtim dhe shërim, duhet ta mendojnë këtë sipas jush?

Nuk mendoj që doktori është Zoti pasi gjerat ndonjëherë mund të shkojnë keq dhe nëse gjerat shkojnë keq dhe doktori e konsideron vetën Zot, atëherë kjo i jap ankth doktorit. Në mjekësinë moderne, ndonjëherë vendimet janë shumë- shumë të vështira për t’u marrë.

Shpesh herë, ne pyesim veten se cilat janë rreziqet e kirurgjisë, cili është rreziku i të mosvepruarit dhe këto nuk janë fakte të thjeshta ato janë probabilitete dhe ne na duhet të vlerësojmë probabilitetin.  Në fund i mbetet pacientit të zgjedh duke vlerësuar probabilitetin. Është shumë e rëndësishme që doktori të mos e detyrojë pacientin për zgjedhjen e tij, të rekomandojë por mos të sillet si diktator. Nga ana tjetër pacientët duhet të besojnë doktorin. Por sigurisht, nëse doktori me pacientin ndajnë përgjegjësinë e vendimmarrjes, tek pacienti shkaktohet më tepër ankth nga përgjegjësia që duhet të marrë në lidhje me vendimin.

Në vende si Pakistani dhe Nepali ku në përgjithësi, doktori sillet si diktator dhe dikton vendimin që merr pacienti, në këto vende unë njoh mjekë që janë vrarë nga familjarët e pacientëve. Justifikimi i familjarëve është se doktorët janë Zoti dhe Zoti nuk bën gabime.

Për pacientin apo familjarët e tij nëse ndërhyrja kirurgjikale ka qenë një dështim, atëherë t’i nuk je më Zoti, por djalli.

Në këtë kontekst mendoj se është shumë e rëndësishme niveli i edukimit të një populli.

Në leksionet e mia, unë mundohem më tepër që të edukoj edhe popullin, duke i treguar që puna e doktorit, bazohet më tepër në probabilitet dhe jo siguri.

Është shumë e rëndësishme që t’u tregoj se doktorët janë qenie njerëzore dhe ndihen shumë keq, kur pacienti i tyre shkon keq.

Shumë njerëz mendojnë se kirurgjia është një profesion shumë i vështirë dhe i ndërlikuar, por kjo nuk është e vërtet, pasi nëse trajnohesh në mënyrë të duhur, operacioni në vetvete është i lehtë. Pjesa më e vështirë është vendimmarrja dhe menaxhimi i situatave që nuk shkojnë mirë.

Dhe kjo është arsyeja që shumë kirurgë, mbajnë distancë duke veshur atë helmetën e hekurt.

Në këtë aspekt është e rëndësishme empatia, aftësia e mjekut për të ndjerë dhimbjen e pacientit. Doktorëve u dhëmb empatia.

-Edhe kur kanë shumë eksperiencë?

Sigurisht.

-Ju pse vendosët që eksperiencën tuaj profesionale ta shkruanit në libër?

Unë kam shkruar gjithmonë dhe kam mbajtur ditar gjatë gjithë jetës sime dhe kur gruaja ime e dytë, të cilën e kam takuar para 20 vitesh, ajo është shkrimtare dhe antropologe e suksesshme lexoi ditarët e mi, më inkurajoi që të shkruaja libër, pasi sipas saj unë shkruaja shumë mirë.

Sigurisht, unë bëj atë që më thotë gruaja dhe libri i parë që kam shkruar ka shitur tashmë rreth 1 milion kopje në të gjithë botën, në 30 gjuhë të ndryshme

-Në librin “Mos bëj dëm” ju thoni që është një libër për pacientët, doktorët dhe të tjerët, pse?

Për mjekët e rinj, pasi dua që t’u shpjegoj që është normale që të jesh ankthoz në profesion. Megjithëse, si pacient gjëja më frikshme që mund të shohësh është një doktor i frikësuar.

Kështu që si doktor, ne gjithmonë mundohemi të mësojmë se si të fshehim ankthet tona nga pacientët. Dhe doktorët më të vjetër fshehin ankthet e tyre përball doktorëve më të rinj. Dhe në të njëjtën kohë mjekët më të rinj fshehin ankthet e tyre nga studentët e mjekësisë.

-Më duket e vështirë të fshehësh ankthin, është kjo për ju?

Jo, pasi kjo gjë duhet bërë, por e vështirë është fakti se ti krijon një stres psikologjik, pasi ti e kupton që je duke aktruar dhe krijon një konflikt brenda vetes tënde.

Ndoshta jam gabim, por fakti që mjekët e rinj janë ankthioz, ndoshta do i ndihmojë për ta përballuar më mirë profesionin në të ardhmen.

-Çfarë sillni të re në librin që po promovoni sot (dje) “Rrëfimet e jetës si kirurg i trurit”?

Në këtë libër tregoj më shumë për veten dhe për faktin që bëhem më i moshuar dhe që po shkëputem  nga mjekësia. Tregoj mendimet e mia për vdekjen dhe për eutanazinë. Mbase është një libër për të moshuarit…

Por eutanazia tashmë është një problem politik në shumë vende evropiane. Eutanazia nuk është një mënyrë për t’i dhënë lejë mjekëve për të vrarë pacientët e tyre. Ajo është një liri që u jepet njerëzve në përgjithësi apo pacientëve nëse duan të vdesin.

-Ju doktor keni frikë nga vdekja?

Është pak e ndërlikuar, pasi kur jemi të vdekur jemi të gjithë njëlloj. Ka disa mënyra vdekjesh, mund të jetë e shkurtër, e shpejt dhe pa dhimbje dhe nga ana tjetër mund të jetë edhe shumë e tmerrshme. Shumë prej nesh tashmë po jetojnë në një moshë të vjetër. Në Angli pjesa më e madhe e njerëzve vdesin në spitale dhe pjesa më e madhe tyre do të preferonte të vdiste në shtëpi.

Ai që ka një kancer në mushkri, besoj se do të kishte dashur më shumë të vdiste në shtëpi duke marrw një tabletë sesa duke shpenzuar javë e javë të tjera në strukturat spitalore.

Është pyetje shumë e vështirë pasi frika nga vdekja është e ngulitur në tru. Dhe të gjithë e kemi shumë të vështirë për ta menduar dhe sidomos për të folur mbi të.

Evolucioni na ka bërë të ndjejmë se do të jetojmë përgjithmonë, por duhet të jemi realist,  kjo nuk ka për të ndodhur.

Ka shumë vende sot në Evropë si Holanda, Zvicra dhe Belgjika ku aplikohet një praktikë mjekësore që quhet asistimi i vdekjes dhe duket sikur po funksionon mirë për njerëzit që duan. Problemi i vetëm është se ka shumë kundërshti, sidomos nga ana fetare përsa i përket kësaj procedure.

-Jeni i kënaqur që tashmë librat tuaja lexohen edhe në shqip?

Po, jam shumë lumtur. Ndihem shumë me fat dhe i nderuar kur libri im lexohet nga sa më shumë persona. Kjo më jep kënaqësi.

Mendoj që edicioni shqip ishte edituar dhe printuar në mënyrë shumë inteligjente dhe jam i kënaqur për këtë.

– Shpesh njerëzit tregojnë histori të tilla, ku doktori u thotë se nuk u kanë mbetur shumë ditë jetë, dhe ndodh që ata jetojnë më gjatë, juve ju ka ndodhur ndonjëherë kjo situatë?

Unë mendoj që doktorët në fakt nuk thonë që do vdesësh, por mund të vdesësh, në tre muaj, për shembull, sepse siç thash edhe më parë, flitet për probabilitet, askush nuk mund të jetë i sigurt. Unë asnjëherë nuk i them dikujt që do të vdesësh për kaq kohë, pasi unë nuk jam Zoti dhe nuk e parashikoj dot egzaktësisht.

Praktikisht, ajo që të thotë doktori është që; ti ke 80 për qind mundësi që të jesh i vdekur në 3 muaj dhe 20 për qind mundësi që të jesh gjallë në tre vite.

Kështu që pas tre vitesh 80 për qind e pacientëve të ngjashëm do kenë vdekur dhe ky 20 përqindëshi tjetër që është në jetë do thonë që; mua doktori më ka thënë që do vdesësh pas tre muajsh dhe unë jam gjallë.

Problemi kryesor është se nga ana e pacientit duhet siguri, ndërsa doktori jep probabilitet.

-Ju keni punuar shumë vite me njerëzit, sot, pas kaq vitesh eksperiencë, cila është këshilla që u jepni atyre për ta jetuar së më mirë jetën?

Ka evidenca nga studimet sociale që të kesh një qellim dhe t’i japësh një kuptim jetës është shumë e rëndësishme. Dhe qëllimi në jetë nuk duhet të jetë të jetosh sa më gjatë, por të kesh një motiv. Kështu që në këtë kontekst familja dhe puna janë shumë të rëndësishme.

Ne dimë që të papunët kenë vdekshmëri të lartë. Ne dimë që të papunët bëjnë një jetë me cilësi të dobët. Dhe nëse ke punë të mirë dhe je i lumtur në familje, mbase do jetosh më gjatë, por nuk është kjo e gjitha, i rëndësishëm është qëllimi. Ti nuk po përpiqesh të jetosh sa më gjatë, në fakt, po përpiqesh për ta bërë botën një vend sa më të mirë.

Pastaj mund të jap edhe këshilla të tipit; bëj shumë ushtrime fizike, mos pi alkool dhe kohët e fundit ka gjithmonë diskutim mbi konsumimin e mishit të kuq, i cili rekomandohet që të eliminohet nga dieta.

-Doktor, ne të tjerëve, na duket sikur mjekët dinë sekretet e jetës, ju si një specialist që keni studiuar trurin e njeriut,  a keni jetuar një jetë të lumtur?

Para 40 vitesh mendova që të bëhesha neurokirurg pasi sipas meje kjo do të më shpjegonte kuptimin e jetës duke kuptuar misteret e trurit, por duke mësuar mbi trurin, mësova se të mësuarit mbi trurin nuk më mësoi  dhe shpjegoi asgjë. Atë që kam mësuar është vetja ime. Kam mësuar se sa idiot mund të jem. Sa e vështirë mund të jetë të jetosh me njerëz të tjerë dhe sa e lehtë është të bësh gabime. Kam mësuar se sa të prirur dhe të varur jemi nga emocionet dhe ndjenjat. Kështu që jeta ime ka qenë një përpjekje e vazhduar kundër vetes sime.

Por ka edhe disa evidenca që, ndërsa bëhemi më të moshuar bëhemi më të lumtur. Tashmë në moshën 68- vjeçare mendoj se jam më i relaksuar dhe më i qetë krahasuar me 20 vite më parë, por ende e shoh botën dhe jetën shumë interesante për këtë arsye mendoj se akoma nuk jam gati për të ikur… Nga ana tjetër them se është një privilegj shumë i madh të jesh mjek, pasi ndihmon njerëz që të jenë më mirë dhe të shëndetshëm.

Nuk duhet të harrojmë se vlera e punës sonë është e jetës sociale. Nëse gjithë bota do të ishte mjekë dhe infermierë,  dhe nëse shpenzojmë gjithë jetën duke ndihmuar njëri-tjetrin për të jetuar sa më gjatë, bota do të ishte shumë e mërzitshme.

Mentor Petrela, neurokirurg

“Ju si edhe unë jeni lexues, dhe kur lexojmë ëndërrojmë, por të shkruash domethënë të mendosh më tepër seç duhet, ndërkohë përkthimi tani që e provuam, është një lloj frike se mos tradhton atë që thotë autori”.

Autori

Henry Marsh ka studiuar politikë, filozofi dhe ekonomi në Universitetin e Oksfordit para se të diplomohej në mjekësi te spitali Royal Free në Londër. Ai u bë anëtar i Kolegjit Mbretëror të Kirurgëve në 1984 dhe u emërua këshilltar neurokirurg te spitali Atkinson Morley’s St George në Londër në 1987. Marsh ka qenë tema e dy filmave dokumentarë të rëndësishëm, “Jeta e tyre në duart tuaja” , i cili fitoi Royal Television Society Gold Medal, dhe “The English Surgeon”, i cili paraqiti punën e tij në Ukrainë, dhe fitoi çmim Emmy. Ai u bë CBE Comander of British Empire. Është i martuar me antropologen dhe shkrimtaren Kate Fox.

October 27, 2018 08:30
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim