Misteret e vrasjes së Alush Lleshanakut nga Sigurimi i Shtetit më 24 dhjetor të vitit 1950 në Elbasan

Kujtim Boriçi March 3, 2013 11:57

Misteret e vrasjes së Alush Lleshanakut nga Sigurimi i Shtetit më 24 dhjetor të vitit 1950 në Elbasan

Arkivat sekrete për vrasjen e Alush Lleshanakut

 

“Miq të Lleshanakut, rekrutuar nga bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit e prenë në besë. Ekzekutimi u bë në pritë afër Urës së Paprit”

 

Për vite me radhë ishte një prej enigmave më të mëdha në qytetin e Elbasanit. E prenë në besë, apo e vranë në pritën e urës së Paprit. E pra, kjo vrasje ka ndodhur në një shtëpi në Elbasan, në 24 dhjetorin e vitit 1950. Legjendimi sikur ai u vra në betejë me forcat e Sigurimit të Shtetit, i shërbeu qëllimit të fshehjes dhe ruajtjes së personit që ngriti grackën. Po si u vra desanti i famshëm, mësuesi i edukimit fizik, federali i Elbasanit, qark komandanti dhe anëtari i Bllokut Kombëtar “Indipendent”, ai person që kishte hyrë disa herë në Shqipëri. Gjithçka bëhet e qartë duke lexuar dosjen operative të tij në materialet e Sigurimit të Shtetit, dosje e cila është parë nga një numër i kufizuar funksionarësh të ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme të regjimit komunist.

 

MISIONI I LLESHANAKUT

Misioni i Lleshanakut në Shqipëri nuk ishte konfrontimi me forcat komuniste, por vetëm mbledhja e informatave të llojit se sa kohë i duhej komunistëve të mobilizoheshin me trupa.

Duket se zbarkimi i Alush Lleshanakut pritej. Kjo për faktin se më 5 janar 1950, ministri Mehmet Shehu kërkonte nga degët e punëve të brendshme të merreshin masa të rrepta, pasi pritej zbarkimi i Alush Lleshanakut nga Korfuzi. Duke parë kohën se kur lëshohet ky alarm, që rezulton i saktë, kuptohet lehtë se misioni i Alushit ishte i dështuar qysh në nisje.

 

HISTORIA E GODITJES

Historia e goditjes së Alush Lleshanakut fillon me një ngjarje të rastësishme. Njëri prej informatorëve më aktivë të Sigurimit të Shtetit në Elbasan, “Thana” në prill 1950, shkon tek një miku i tij, Hoxhë Luniku ku rastësisht dëgjon një bisedë, të cilën e raporton menjëherë. “Thana” raportonte se një djalosh 21 vjeçar, gomisti Xhemal Salla në prani të hoxhë Tahsin Lunikut, i kishte thënë se Alush Lleshanaku i kishte kërkuar takim, por ai nuk do të shkonte se kishte frikë.  Kishte përmendur se kishte miq në Tiranë, Jani Naskën, Thanas Mitrushin, etj. “Thana” për të mos u komprometuar, e kishte “porositur” të rrinte urtë e të mos ia thoshte as atyre gjëra të tilla, duke i thënë se kishte bërë gabim që i kishte thënë. Me marrjen e këtij informacioni, Sigurimi nis përpunimin e personit në fjalë, që rezultonte se kishte lidhje intime me një femër me ndikim në Elbasan.

 

REKRUTIMI

Pa humbur kohë, më 15 prill 1950, ky njeri i nënshtrohet një hetuesie intensive, në përfundim të së cilës rekrutohet duke iu vënë pseudonimi “Magneti”. Ardhjen e Alushit, Sigurimi e mëson edhe prej një burimi tjetër, Zenel Canes nga Elbasani, i arrestuar ato ditë.

“Magneti” u provua fillimisht me ndreqjen e gjeneratorit të Alushit, duke fituar besimin e tij për përgjigjet e dhëna.

Sigurimi gjen në këtë kohë në Elbasan një prej miqve të ngushtë të Lushit gjatë luftës, të cilit i vë pseudonimin “Fortesa”, në shtëpinë e të cilit Alushi do të vritej. Ky filloi punën me Kasemin, por nuk nxori gjë herën e parë. Filloi puna për rekrutimin e korrierit të Lushit.

Mik i dikurshëm i Alush Lleshanakut do të bëhej personi që do ta çonte pabesisht në vdekje. I dashuruar pas sportit, me profesion shofer, ai kishte adhuruar dikur Lleshanakun si sportist i zoti. Quhej Ymer Graceni. Kleanth Andoni dhe referenti Abdyl Vogli shënojnë lidhjet e tij me Alushin dhe Mejtapin dhe për këtë gjë propozojnë rekrutimin e tij.

 

INFORMACIONI I AGJENTIT

Më 5 maj 1950, Ymeri nënshkruan deklarimin e bashkëpunimit me Sigurimin me pseudonimin “Orizonti” ku flet për takimet në shtëpinë e Mejtap Vërlacit më 14 maj 1950, në të cilat agjenti ka testuar për Alushin.

I futur në një përpunim të thellë, “Magneti” vijon informacionet e tij të marra nga shtëpia e Mejtap Vërlacit. “Orizonti” futet edhe ai më thellë në përpunimin e Mejtapit, duke i dërguar rregullisht ilaçe.

Më në fund, Alushi arrin në zonën e Elbasanit. Sigurimi dështoi të binte në gjurmët e Lushit. “Magneti” informon se Alushi mund të arratisej, pasi i kishte dhënë një shumë napolonash për të bijën e Vërlacit. Sigurimi arreston shpejt dhe sekret korrierët e Lushit, por shpejt e kupton gabimin për dyshimin që mund të shkaktonte te Alushi.

 

KOMBINACIONI I SIGURIMIT

Për të maskuar veprimin, ata (Ibrahimi dhe Ismail Çehu) u çuan në kufi dhe u bë një kombinacion, sikur do arratiseshin dhe u shpall kapja e tyre. Për të mos u kompromentuar, “Magneti” thirret rekrut.

Më 16 dhjetor 1950-n, Alushi i kërkon “Orizontit” një takim. Por qendra informohet menjëherë, udhëzon “Orizontin” t’i shkruajë përsëri që e do takimin. “Orizonti” për Alushin njihej me pseudonimin “Sportdashësi”. Ai i shkruan Alushit se nuk mund ta priste në shtëpi dhe për këtë e drejton tek kushëriri i tij, Faik Isaj (“Fortesa”).

Alushi merr letrën e agjentit dhe i kërkon përsëri përgjigje duke i caktuar kohën dhe vendin e takimit. Në bazë të kësaj, qendra organizon planin për kapjen dhe arrestimin e Alushit dhe korrierit, të cilin sapo e kishin njohur.

 

DINAKËRIA E LlESHANAKUT

Dalja jashtë loje e “Magnetit” nuk mund të krijonte qetësi për Alushin, për aq kohë sa “Orizonti” kishte besimin e tij. Duke ndenjur më së shumti tek miqtë e tij në Rrilë apo Godolesh të Elbasanit, Alushi filloi t’i afrohej qytetit. Ai lëvizte i maskuar. Merrte grykën e Zaranikës me një thes çfarëdo në krah, duke mos rënë në sy fare si “fshatari” i kërrusur i veshur keq si për socializëm, ishte pikërisht desanti i fuqishëm… (Vijon nesër)

 

Përgatiti: Kujtim Boriçi

 

Arkivat Sekrete, ardhja me mision e Alush Lleshanaku në Shqipëri

 

Edhe kur kanë kaluar më shumë se 60 vjet nga vrasja e Alush Lleshanakut, ende mbeten shumë pikëpyetje mbi misionin dhe rrethanat e kësaj vrasje që ndodhi në një banesë-pritë ku u afrua viktima nga bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Për këtë vrasje, ‘Dita’ ka siguruar dhe materiale ‘Tepër Sekret’ dokumentuese që lidhen me këtë ngjarje, ku veçohen dy më të rëndësishmit, dokumentimi për vrasjen nga Petrit Hakani, Drejtor i Degës së Brendshme në Elbasan dhe dosja përfundimtare ‘Alush Lleshanaku’ e vitit 1952, firmosur nga zëvendës ministri i Brendshëm Rexhep Kolli.

Referuar dokumenteve sekrete, rezulton se ardhja me mision në Shqipëri e Alush Lleshanakut përkon me një sërë bandash e grupe diversantësh, kundërshtarë të regjimit komunist, të futur në Shqipëri. Kështu mund të përmendet zbulimi në korrik të vitit 1950, i grupit të spiunazhit grek e jugosllav i kryesuar nga Shefki Hysa, ku bënin pjesë dhe eksponentë të njohur si Demir Biçaku, Seit Jazenxhiu etj. Ata bashkëpunonin me diversantët grekë Hasan Matraku, Hiqmet Çifliku dhe diversantë të tjerë të UDB-së, si Ahmet Llarupi, etj.

Alush Lleshanaku, në këtë kohë, ishte instruktor i shkollës së spiunazhit të zbulimit italian, në Romë. Ai, duke parë që të gjitha grupet diversantë dhe të spiunazhit që kishte përgatitur dhe dërguar në Shqipëri kishin dështuar, u nis vetë në krye të një grupi spiunësh, në shkurt të vitit 1950. Por pasi arriti në Shqipëri, ai e pa veten të izoluar dhe të detyruar të struket në male.
Referuar arkivave sekrete, në këto kushte,  Alush Lleshanaku i dërgoi më 20 shkurt 1950, shërbimit sekret Italian këto radiograme:

A-Radiogrami Nr.113, Gj.313-31055 me tekst: “Asht e treta herë që ju them se nuk kam pas mundësinë më të vogël për të komunikuar gjatë orëve të ditës. Sikundër ju kam shpjeguar edhe më parë me telin tim Nr.97, në këtë lokalitet nuk është e lejueshme me ngrit antenat ditën, sepse shihen nga të gjithë. Jo vetëm në lartësitë këtu për rreth, por pothuajse në të gjithë zonën e Elbasanit, nuk ka pyje të mëdhenj dhe të pakontrollueshëm nga njerëzit, nga barinjtë, qentë dhe gjuetarët, gja që bën të pamundur pa u zbulue dhe u njof nga armiqtë. Që më parë kam vendosur orarin për natën. Kam thirrur çdo mbrëmje në orën 18 dhe çdo mëngjes në orën 4. Nuk jeni pergjigj. Nuk kuptoj përse. Më datën 17 të vazhduesit, ora 20 jemi lidhun dhe ju thashë për të nesërmen në oren 3, por ju s’keni ardh, nuk i jeni përgjigj thirrjes time. Gjithashtu kam vazhduar t’ju thërras natën në orët e vendosuna që më parë dhe ju nuk jeni përgjigj. Nuk e kuptoj mënyrën e të sjellit dhe të arsyetimit tuaj. Nëse doni që për kapriçon tuaj të më rrjepin lëkurën, nuk është e drejtë dhe e përshtatshme. Nëse doni që unë të shkoj në malet e nalta ku është së paku pesë metra dëborë dhe jo vetëm që është e pamundur, por se as nuk ia vlen barra qiranë, sepse atje do të jem i izoluar për 5 muaj dhe nuk do të mundem t’ju komunikoj veçse buletinin meteorologjik dhe lëvizjet e ujqërve. Pra me fjalë të shkurtra unë po ndërpres komunikimin ditor dhe do të transmetoj vetëm në orët 20 të çdo mbrëmje… Nëse më dëgjoni dhe nuk më thërrisni në atë orë, do të jem i shtërngue me ndërpre përgjithmonë komunikimin. Alushi”.

 

Vrasja e Lleshanakut

Më 24 dhjetor 1950 pasi ka marrë letrën e korrierit të Lushit prej Xhaferr Trungut, Ymer Graceni (që për Alushin njihej si “Sportdashësi”) i ka lënë takim me anë të një letre duke i thënë se do të donte ta priste në shtëpi, por kishte kallaballëk dhe do të ekspozohej para fqinjëve, kështu që i linte si vend shtëpinë e kushëririt përballë fushës së sportit ngjitur me ish mullirin e Gani Bungës, te një ish magazinë qymyri. Thuhej se po e priste te dera në ora 18.00 e sipër me një cigare të ndezur në dorë. Aty diku afër bëhej një dasëm, që në fund të fundit maskonte veprimet e grupit të Sigurimit.

I zoti i shtëpisë quhej Faik Isaj, mësues në hekurudhë. Në shtëpi prisnin, përveç Ymerit, edhe dy gra. I veshur keq dhe me një cigare në dorë, Alushi kalon gjithë grupin e Sigurimit, të cilët fillimisht nuk e njohën. Por për fatalitetin e tij, Alushi hyn brenda shtëpisë. Dhoma e pritjes kishte dy dyer. Në çastin kur ishin ulur në sofër, “Orizonti” me këmbëngulje të madhe i thotë Alushit se po shkon të porosisë një kafe. Menjëherë ndërhyn grupi special i Sigurimit dhe i thërret “dorëzohu”. Në këtë kohë i emocionuar për legjendat e thëna për Alush Lleshanakun, njëri nga anëtarët e grupit special, Ilo Stojko, humb qetësinë dhe e qëllon duke e vrarë. (në raport këmënguli se iu duk sikur Alushi do rrëmbente armën).

 

Lleshanaku i balsamosur në…betejë!

Kështu përfundoi legjenda Alush Lleshanaku duke lënë për një qytet të pashlyer enigmën e vrasjes së tij. Megjithatë, atë natë krismat në qytet ishin dëgjuar.

Trupi i Alushit u mor në fshehtësi dhe u balsamos nga Ibrahim Dervishi për t’u ekspozuar disa ditë më vonë në “betejën” e urës së Paprit.

Më 21 shkurt 1951 Petrit Hakani drejtor i degës së PB Elbasan, i dërgon MPB-së dosjen e vrasjes së Alush Lleshanakut.Raporti për vrasjen e Alush Lleshanakut është hartuar në Tiranë më 26 tetor 1952 dhe mban firmën e Rexhep Kollit. (Vijon nesër)

 

*****

Nesër, materiale të tjera që botohen për herë të parë nga dosja operative e Sigurimit të Shtetit për Lleshanakun:

1 – Çfarë ndodhi disa muaj pas vrasjes: kush ishin 3 persona që dekonspiruan “Orizontin” që i dorëzoi Sigurimit, Lleshanakun

2 – Kush ishte përpunuesi i korrierëve të Alushit me nofkën “E freskëta” që vite më vonë në 1977 i bëri një letër Kadri Hazbiut

3 – Vargu i proceseve gjyqësore që u zhvilluan pas vrasjes së Alushit

Kujtim Boriçi March 3, 2013 11:57
Komento

6 Komente

  1. Dhori March 3, 13:03

    Menyra si na prezantohet Alushi ne hyrje te gjithe materialit eshte nje qendrim i padobishem qe mban gazetari dhe vete gazeta ndaj njerezve qe i sherbejne pushtuesit, bashkepunojne me te deri ne fund kunder bashkatdhetareve dhe atdheut te vete. Me pas perdoren nga te huajt mish per top po kunder atdheut te vet.
    Sipas hyrje prezantuese, shoqeria duhet te nderoje keta tipa si Alushi dhe jo ata qe mbrojne atdheun dhe kombin e tyre kunder te huajve dhe vegelave te tyre.

    Reply to this comment
  2. Tirana March 3, 14:05

    Shiko kush e informante sigurimin e Enver Hoxhes http://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww

    Reply to this comment
  3. kastriot dervishi March 4, 11:40

    Përshëndetje! Më vjen keq për padijen në formulimin e këtij shkrimi të plagjiatuar. Kjo pjesë është marrë prej librin tim “Plumba politikës” dhe pjesa vijuese prej librit “Historia e Sigurimit të shtetit….” dhe nuk ka asgjë për herë. Si mundet një plagjiaturë e tyre të shitet si shkrim gazete? Në libër dhe në studim unë kam dhënë pjesërisht aq sa e kam gjykuar të arsyeshme, gjëra që nuk i imagjinon e percepton nënshkruesi radhitës.

    Reply to this comment
  4. ola lleshanaku November 6, 18:15

    ky alush lleshanaku eshte kushuriri im

    Reply to this comment
  5. anti November 6, 18:34

    ballist ,bashkepuntor dhe spiun i nazisteve gjate pushtimit gjermano nazist.Kjo lloj qelbesire ka qene.

    Reply to this comment
    • inter February 20, 00:59

      po mir ju qe merni vesh nga politika dhe ju qe i quani keta bij nenash armiq te vendit tuaj po keta fare mir mund te jetonin neper bot dhe te shihnin jeten e tyre pa i hyr gje ne kemb apo jo.po keta djem nenash dhan jeten per te shporrur armen me te flliqur qe ka njohur njerzimi me emrin KOMUNIZEM per te jetuar ne menyr te barabart si vendet e tjera me infrastruktur moderne me autostrada me parqe me dyqanet plot apo doni regjimin e enverit qe nji dyqan normal kishte 2 kavanoza rrecel 10 kile qep 10 kile pras 10 kokra vez se portokalle mandarinade mish apo sallam kto gjera i shifje vetem naten e vitit te ri .si sju vjen turp qe thoni se kta djem jan tradhtar turp tu vij

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*