Misteri i armëve nukleare të Arabisë Saudite

November 10, 2013 13:08

Misteri i armëve nukleare të Arabisë Saudite

“BBC” ndërpret rrjedhën e diskutimeve mbi programin bërthamor të Iranit dhe denoncon marrëveshjen midis Arabisë Saudite dhe Pakistanit

Iranianët mohojnë se zotërojnë bombën atomike, ndërsa sauditët mund ta kenë shumë shpejt atë. Një e vërtetë e njohur prej thuajse 20 vjetësh, del në sipërfaqe tani për të ndikuar edhe njëherë në raportet midis Uashingtonit dhe Riadit.

Në fotografinë e mësipërme, në të dyja anët e ish-presidentit iranian Ahamadinexhad janë centrifuga për pasurimin e uraniumit, identike me ato që lideri libian Gedafi, iu dorëzoi amerikanëve në këmbim të normalizimit të raporteve dhe zhdoganimit të regjimit tij pas vitesh të tëra bllokade.

Nëse nuk keni dëgjuar ndonjëherë të flitet për një program bërthamor libian, ashtu si për atë saudit, kjo është meritë e unanimitetit që i ka shtyrë mediat perëndimore të drejtonin gishtin mbi programin bërthamor iranian, duke fshehur çdo lajm negativ që mund të dëmtonte reputacionin e aleatëve të perëndimit, si p.sh. diktatura e Musharaf apo monarkia mesjetare saudite.

Një hetim i Mark Urban për programin televiziv “Newsnight” (prodhim i “BBC”), ka hedhur “gurin në pellg”, duke zbuluar se disponimi i sauditëve për programin bërthamor të pakistanezëve ekziston që nga vitet ’90. Gazetari citon “një vendimarrës të lartë të NATO-s”, i cili në fillim të këtij viti deklaroi se ishte vënë në dijeni për “armët bërthamore pakistaneze gati për t’iu dorzuar sauditëve” në sajë të raporteve të shërbimeve të zbulimit. Urban, gjithashtu citon opinionin e Geri Samore, deri në muajin mars këshilltar i Obamës, i cili pohon se problemi është aktual. Sipas tij, zyrtarët pakistanezë pranojnë bashkëpunimin me sauditët, si dhe përgatitjen e platformave për raketa “CSS-2” me të cilat janë pajisuar sauditët.

Edhe ish-kreu i Inteligjencës ushtarake izraelite, Amos Yadlin, megjithëse duke refuzuar intervistën për “BBC”, konfirmoi me e-mail se “ndryshe nga kërcënimet e tjera rajonale, ato saudite janë shumë të besueshme dhe të pashmangshme”. Pra, ai thotë se sauditët përfaqësojnë një kërcënim më të besueshëm dhe aktual se sa vetë iranianët, të cilët prej një viti iu janë nënshtruar sanksioneve e kërcënimeve amerikane dhe izraelite për shkak të programit bërthamor. Por Teherani zyrtar i ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat për përdorimin e tij për qëllime ushtarake.

Sipas një analize të revistës ndërkombëtare ushtarake “Jane’s”, nën shënjestrën e raketave saudite janë Irani dhe Izraeli, por gjithashtu mund të ndryshojë drejtim, duke i kthyer ato për nga Turqia dhe Evropa jugore.

Marrëdhëniet midis pakistanezëve dhe sauditëve janë të njohura prej vitesh, meqë këta të fundit kanë financuar programin bërthamor pakistaniez që në nisje. Ideja për “bombën atomike islamike” erdhi nga ish-presidenti pakistanez, Zulfikar Ali Bhuto, pas humbjes poshtëruese të pësuar nga India që kishte vijuar me shkëputjen e Bangladeshit. Bhuto u tregua i gatshëm “të hante bar” (frazë e cila u bë edhe titull i një libri mbi epopenë bërthamore pakistaneze), vetëm e vetëm që të kishte bombën atomike për t’ia kundërvënë asaj “kristiane, hebree dhe hindu”.

Slogani nuk pati efekt në gjetjen e ortakëve. Sauditët ishin të vetmit të huaj që kontribuan me bujari dhe për pasojë kishin akses në vendet e zhvillimit të projektit bërthamor dhe azhornoheshin periodikisht mbi të.

Skandali Khan

Nga viti 2003, historia ka rreshtur së jetuari thjesht mes zërave dhe është shndërruar në realitet, paradoksalisht për meritë të Gedafit, që duke i dorëzuar amerikanëve “gjërat” e tij bërthamore, zbuloi për të huajt se ato e kishin prejardhjen nga Pakistani, aleat krenar i SHBA-së dhe drejtues i luftës kundër terrorizmit në Afganistan. Por, kohët nuk ishin pjekur ende për një histori të tillë, e cila në mënyrë të jashtëzakonshme kaloi pa asnjë pasojë. Madje për t’i ‘hedhur hi syve’ opinionit publik kishte nga ata që shkruanin se iranianët furnizoheshin për programin bërthamor nga ish-republikat sovjetike. Ndërsa dihet se i gjithë arsenali sovjetik përfundoi në Rusi dhe republikat e lindura nga shpërbërja e BRSS nuk kanë zotëruar kurrë armë bërthamore, të cilat vetëm Pakistani mund t’i ofronte.

Skeçi

Për t’i paraprirë skandalit, presidenti pakistanez Pervez Musharaf organizoi një farsë të vogël, e cila mjaftoi për t’ua mbyllur gojën amerikanëve dhe mediave ndërkombëtare. Doli në television Abdul Qader Khan, hero kombëtar dhe krijues i programit bërthamor pakistanez, i cili rrëfeu se kishte shitur materiale “të ndjeshme” nëpër botë për qëllime fitimprurëse personale. Musharaf, që dukej qartë se po e përdorte Khan-in si kurban, u hoq si zbatues i vullnetit të popullit: deklaroi se e kishte falur shkencëtarin dhe se nuk do t’ia dorëzonte atë amerikanëve që ta merrnin në pyetje.

A.Q. Khan kaloi 5 vjet në arrest shtëpie. Në 2009-n u lirua nga çdo akuzë duke iu rikthyer jetës publike, edhe pse jo më formalisht në krye të programit bërthamor. Nuk ka asnjë gjasë që të ketë qenë i gjithi faji i Khan-it, sepse në asnjë vend të botës që e disponon, drejtuesi i programit bërthamor,  nuk mund të bëjë çfarë i teket me të. Aq më pak të nxjerrë jashtë vendit materialin atomik për të cilin nevojiten avionë si mjete transporti në destinacione mëse të dyshimta.

Bomba atomike islamike

Ish-sekretar i kabinetit qeveritar indian, Bahukutumbi Raman, e njeh mirë historinë bërthamore pakistaneze. Në një intervistë të vitit 2004, ai shpjegoi termat e akordit me të cilin ish-presidenti pakistanez Ali Bhutto dhe të tjerë liderë porpozuan bombën pakistaneze si “bombën islamike” duke u mbështetur mbi këto pika:

–          Pakistani do ta ruante bombën islamike si përfaqësuese të të gjithë komunitetit islamik.

–          Ajo mund të përdorej, nëse lindte nevoja, jo vetëm kundër Indisë, por edhe kundër Izraelit.

–          Nëse Arabia Saudite, Libia dhe Irani do të kishin ndjerë nevojën që të zhvillonin në mënyrë të pavarur aftësinë bërthamore për t’u mbrojtur nga Izraeli, Pakistani do të tregohej i gatshëm që të asistonte shkencëtarët e tyre dhe të ndante teknologjitë dhe eksperiencën e fituar me ta.

Raman shtoi se mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, skuadra shkencëtarësh të Arabisë Saudite, Libisë dhe Iranit e kanë vizituar rregullisht Pakistanin që nga vitet ’80, për të përgatitur pozicionet bërthamore dhe për të shkëmbyer eksperiencat me shkencëtarët pakistanezë. Doktor Kahn, i ashtuquajturi babai i bombës atomike pakistaneze, i ka vizituar rregullisht këto vende duke iu ofruar ndihmë në programet e tyre.

Sipas Raman, pozicioni i privilegjuar i sauditëve është vërtetuar nga fakti që ambasadori i Arabisë Saudite në Islamabad, një përfaqësues i besuar i regjimit, ftohet në të gjitha mbledhjet sekrete midis ushtarakëve dhe shkencëtarëve pakistanezë. Po ashtu, kur mbërrin në Pakistan princi Abdullah, kryen vizita të fshehta në impiantin e pasurimit në Kahuta, ku zakonisht kontakton me Kahn dhe shkencëtarë të tjerë mbi aspekte të ndryshme të programit pakistanez.

Jo rastësisht, A. Q. Khan do të miklohej edhe nga Osama bin Laden, i cili e kishte shumë të qartë natyrën e “bombës atomike islamike”.

Të gjitha detajet pastaj u konfirmuan përgjatë viteve nga burime të tjera, që dëshmojnë si interesin dhe përfshirjen e sauditëve në programin atomik, edhe sepse me atë që kanë shpenzuar për Pakistanin kanë paguar pjesën më të madhe të materialit të prodhuar prej tyre. Në maj të 1998-s Pakistali njoftoi se kishte udhëhequr me sukses eksperimentet bërthamore. Kishte mjaftueshëm material sa për të alarmuar Perëndimin prej mëse 10 vitesh, e megjithatë Shtetet e Bashkuara dhe mediat perëndimore e përqendruan interesin e tyre mbi iranianët, ndërsa programi bërthamor pakistanez vijonte pa pengesa.

Pakistani gjithnjë ka deklaruar se “është një fuqi bërthamore e përgjegjshme me struktura komande dhe kontrolli të ashpra në lidhje me eksportimin”. Nga ana e saj, Arabia Saudite ka mohuar duke thënë se është firmatare e Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore dhe se ka punuar për një Lindje të Mesme pa konflikte. Por, kjo rrethanë e fundit është përgënjeshtruar edhe nga deklaratat e vetë sauditëve, të cilët janë shprehur se mund të pajisen me armë bërthamore nga frika e Iranit. Arabia Saudite nuk ka një program dhe as një impiant të sajin atomik, cili vend përveç Pakistanit mund t’i shiste asaj armë bërthamore?/ Dorina Gjuzi

November 10, 2013 13:08
Komento

1 Koment

  1. raimond vlonjati November 11, 17:20

    Pasi te behet mareveshja me Iranin, ti sjellin ne Shqiperi edhe keto arme per ti shkateruar, se vetem ne kemi eksperience , dhe jemi edhe en NATO ..lol

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*