Misteri i nenit që fal ministrat

May 10, 2016 13:06

Misteri i nenit që fal ministrat

Ka ngjallur shqetësim në publik zbulimi i faktit se në draftin e reformës në drejtësi figuroka edhe një nen, me numër 25, sipas të cilit, në funksionarët e lartë që mund të gjykohen për krime dhe korrupsion nga gjykatat e posaçme janë përjashtuar ish-ministrat. Më saktë, çdo ish-ministër mund të gjykohet nga gjykata e posaçme vetëm nëse nuk ka kaluar më shumë se 3 vjet nga koha kur ai e mbante atë post. Ndryshe ai mund të gjykohet vetëm nga gjykatat e zakonshme. Për të zbritur në një truall më konkret, kjo do të thotë që të gjithë ish-ministrat e qeverisë Berisha, apo edhe të qeverive të mëparshme të PS, nuk mund të jenë objekt i gjykimit nga gjykatat e posaçme që do të ngrihen për të luftuar për herë të parë korrupsionin pikërisht në këto nivele të larta të qeverisjes që deri më sot kanë qenë të paprekshme nga ligji.

Lajmi ka ngjallur shqetësim dhe zhgënjim në atë pjesë të publikut që është e interesuar për një reformë reale që në drejtësi që vendos barazinë e të gjithëve përpara ligjit duke i dhënë fund një pandëshkueshmërie kronike veçanërisht për zyrtarët e lartë të shtetit. Por pikërisht kur ishin rritur shpresat për një luftë kundër korrupsionit të madh, shqiptarët dëgjojnë se ish-ministrat mund të dalin përsëri pa lagur. Dhe me të drejtë pyesin: Mos vallë kemi të bëjmë me një amnisti të fshehtë, me një inkorporim të pandëshkueshmërisë në vetë nenet e reformës që duhet të sillte, më në fund, ndëshkimin e kujtdo për krim dhe korrupsion?!

Çfarë i ka shtyrë hartuesit e draftit të reformës, mbi të gjitha specialistët ndërkombëtarë, të bënë një përjashtim për ish-ministrat? Misteri shtohet kur dëgjon një deklaratë nga PD që mohon të ketë inspiruar apo lobuar për një përjashtim të tillë madje se kërkon që të mos ketë asnjë favorizim të tillë për askënd. Edhe PS deklarohet dorëjashtë për nenin 25. Nuk do të ketë amnisti për askënd, durim! – thotë Rama.

Atëherë kush e ideoi nenin 25? Ka zëra specialistësh të fushës që pretendojnë se përjashtimi i ish ministrave është bërë me qëllim që gjykata e posaçme të mos mbingarkohet me çështje duke rrezikuar bllokimin. Por argumenti nuk shfaqet shumë bindës dhe nuk i fashit dot dyshimet që rrezikojnë ta kompromentojnë reformën në publik.

Dhe duhet ta themi se ka një dyshim mjaft të përhapur se përjashtimi i ish-ministrave nga lista e funksionarëve objekt i gjykatave të posaçme, është bërë me synimin që të kandisin ish-ministrat e PD që të japin votën e tyre për reformën. Cili do qe kuptimi i deklaratës së PD në këtë rast? Eshtë fakt se përjashtimi i ish-ministrave nga lista e funksionarëve të lartë, objekt i gjykatave të posaçme, favorizon Bashën por jo Berishën që, si ish-kryeministër, mbetet objekt i atyre gjykatave. Dhe padyshim interesat e Bashës dhe Berishës në këtë rast divergojnë. Basha do të donte që diskriminimi pozitiv i fiksuar në nenin 25 të ruhej sepse kështu do të qe relativisht i qetë për sa i përket korrupsionit me rrugën Durrës-Kukës. Berisha nuk do ta donte këtë  lëshim sepse mund të prodhonte vota brenda PD në favor të një reforme që e kërcënon seriozisht. Mos vallë reagimi i PD është bërë me nxitjen e Berishës dhe jo aq me dëshirën e Bashës. Me shumë gjasa, vështirë se neni 25 të mos ketë ngjallur sentimente të ndryshme brenda grupit parlamentar të PD duke rrezikuar të përçajë unitetin e tij monolit.

Sido që të jetë e vërteta, vështirë që njerëzit ta lexojnë ndryshe nga një amnisti e fshehtë këtë përjashtim. Që në nisje reforma do ishte e damkosur me flirtin e pandëshkueshmërisë për një kategori zyrtarësh që dyshohen se janë nga më të korruptuarit e këtyre dekadave. Se kush kanë bërë korrupsion nëse jo ministrat e një shteti të superkorruptuar? Nëse nuk do të qe kështu, duhet të pranonim se nuk janë qeveritë që e zhvillojnë korrupsionin e madh por qytetarët!

Edhe nëse pranohet se gjykimi edhe i ish-ministrave mund të jetë një ngarkesë e tepërt për gjykatat e posaçme, kemi mendimin se hartuesit e draftit nuk kanë patur, në këtë rast, parasysh veçorinë e Shqipërisë si një shtet me një pandëshkueshmëri absolute në nivelet e larta të politikës dhe qeverisjes. Asnjë ministër nuk është ndëshkuar për korrupsion në këto 25 vjet tranzicion të superkorruptuar pikërisht nga kjo pandëshkueshmëri! Prandaj e vetmja mënyrë që reforma jo vetëm të ruajë moralin e saj në sytë e publikut por edhe të plotësojë misionin për t’i thënë fund pandëshkueshmërisë është që ose neni 25 të ndryshojë duke i bërë objekt të gjykatave të posaçme edhe ish-ministrat pa përjashtim ose, të paktën, në projektin e reformës të futet një dispozitë tranzitore që për një periudhë, të themi 10 vjeçare, i bën edhe ish-ministrat objekt i gjykatave të posaçme sikundër edhe ish-presidentët, ish-kryeministrat apo të gjithë të tjerët që janë në ushtrimin e këtyre posteve. Por është e domosdoshme që pas mbi dy dekada pandëshkueshmëri, muri mbrojtës i pandëshkueshmërisë të bjerë për të gjithë. E në rast se ish-ministrat revoltohen dhe nuk e japin votën për reformën? Aq më keq për ta. Jo vetëm se do jepnin një provë se kanë qenë të korruptuar. Por edhe se ka të tjera shtigje nga mund të kalojë reforma. Ajo nuk mund të mbetet peng e votës së disa të korruptuarve që po t’i falë, korrupton vetveten!

 

Andrea Stefani – Botuar sot në DITA si pjesë e Forumit “Turpi i nenit 25”

May 10, 2016 13:06
Komento

6 Komente

  1. Qarri i zigurit May 10, 15:08

    Kompromis i perkohshem i luse me lulin. Sa te lidhim salen ne fillim si koka e kobres. Pastaj? Te tjeret

    Reply to this comment
    • Claus May 11, 09:02

      Te nderuar lexues,keni lexuar ndonjehere ndonje shkrim,ku zoti Stefani te mos akuzoje Sali Berishen,per cdo ceshtje per te cilen behet fjale?!
      Nuk keni lexuar.
      Por,ja,qe sot keni mundesine te lexoni.
      Dhe,kjo eshte e paprecedente nga ana e Zotit Stefani.Madje,po te lexoni me kujdes,duket sikur,per here te pare(oh tmerr i madh o shokeni socialiste!),po perjashton Berishen nga faji…!
      Pertej ironise,kjo eshte nje prove tjeter e asaj cka kemi thene gjithe keto dite,se famekeqi,neni 25,eshte nje loje perverse,nga me perverset,te zotit Rama me reformen ne drejtesi.
      Urojme qe te jete perversiteti i fundit i tij.Te pakten sa i perket reformes.
      Duke mos patur askund ku te kapet,per te fajesuar opoziten,sidomos teperhereakuzuarin Berishe,megjithate,nje fajtor duhet gjetur.
      Dhe,e kane gjetur.I pari Edi Rama.
      Edi Rama,pasi e pa qe loja u zbulua,per te mos u diskretituar keqas faqe opinionit publik,deklaroi se ,citojme fjale per fjale: Edhe nderkombetaret gabojne!
      Domethene ia la fajin nderkombetareve…per procken qe kishte bere vete!
      Te njejten gje po ben edhe gazetari i tij,zoti Stefani.Edhe ky po ben me faj nderkombetaret.
      Jo,zoti Stefani,jo! Jo dhe jo!
      Nuk mund te na hidhni hi syve kaq kollaj!
      Sepse,i nderuar, kete e pergenjeshtroi nderkombetari me i rendesishem,vete ambasadori amerikan,zoti Donald Lu.
      Menjehere pas deklarates se turpshme te Rames,se na paskerkan gabuar nderkombetaret,i pari i tyre, nderkombetari Lu tha qe,citoj fjale per fjale: Edhe qeveria gabon!
      E permbledhim.
      Rama: edhe nderkombetaret gabojne!
      Lu: edhe qeveria gabon!
      Zoti Stefani mbeshtet qendrimin e Rames.
      Ne,ate te ambasadorit Lu.
      Kush ka te drejte?
      Rama apo Lu?
      Ne apo Stefani?
      Ju mbetet ta gjykoni … sipas mendjes tuaj … te perpunuar ose jo nga propaganda.
      Flm per mirekuptimin.

      Reply to this comment
  2. Lloji May 10, 15:21

    Nje pyejtje kam;
    A nuk i bie me te ‘drejte’ qe te na falni dhe kriminelet e shumkerkuar nga ligji te para 3-viteve?! Nuk jam shkeles ligji por meqe po flasim per ligjshkelesit i trajtoni te gjithe njesoj apo jo!!!

    Reply to this comment
  3. anticensurë 25642654 May 10, 17:05

    “Por edhe se ka të tjera shtigje nga mund të kalojë reforma. ”
    MIR E KE STEFANI!!
    por nuk na duhen referendumet,më!!të paktën për momentin!!
    kur të na duhet i bëjmë brënda javës ne të rilindjes!!
    gjykatë speciale o jo,një shkelës ligji është i baarabartë para gjykatës!!
    qoftë president qoftë qoftexhi!!
    LIGJI I BARABARTË PËR TË GJITHË!!
    nëse ka shkelje ligji duhet të ketë proces gjyqësor pa parakushte!!
    kjo ndodh në shtetet demokratike!!kjo duhet të ndodhë dhe këtu!!

    Reply to this comment
  4. polua May 10, 21:37

    O Andrea, po e ka thene i “madhi” Arvizu qe ne Shqiperi qytetaret jane te korruptuar; ka lene shume broçkulla ai njeri si: burre shteti, yll ne ngritje…

    Reply to this comment
  5. Pellumb Kulla May 11, 02:20

    O gazeta DITA, përse ju nuk jepni lajme optimiste, si gazetat e tjera?! Si mund të lihet një lajm që është për faqe të parë, si ky, që “një këshilltar pranë dyshes ambasadoriale Lu – Vllahutin, tha sot, se duke parë reagimet e shumta, neni 25 i reformës për drejtësi, me siguri do të ndryshohet. Gjykata e posaçme nuk do të gjykojë ministrat që kanë lënë detyrën para 3 vjetësh, por vetëm ata që kanë lënë atë detyrë para 4 vjetësh! Ky ndryshim i nenit 25 të reformës, do të ndodhë, ama, vetëm, nëse miratimi i saj do të zgjatë, siç po zgjat, edhe një vit tjetër!”

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*