Mistika intelektuale e Moikom Zeqos

April 26, 2018 14:29

Mistika intelektuale e Moikom Zeqos

Skender Drini

(Rreth veprës “Mes Laokoontit dhe Krishtit – Onufri II”)

 Libri „Mes Laokoontit dhe Krishtit – Onufri II“ i Moikom Zeqos, është një vepër e madhe.

Është e rrezikshme të shprehesh kështu që në fillim të një shkrimi, por ky është një rrezik, që duhet përballuar.

Ndërsa lexon „Onufrin II“ e Moikomit, për mjaft kohë është e pamundur të kuptosh, pse të vërtiten nëpër kokë Andre Morua me Marsel Prustin.

E ke më lehtë me Moruan, është historian i njohur dhe biograf brilant, po e ke më pisk me autorin e „Në kërkim të kohës së humbur“.

Po, pastaj nuk vonon të mendosh, që Prusti, ky analist i madh i humnerave dhe lartësive gati metafizike të shpirtit njerëzor, i gërvisht deri në molekulën e fundit personazhet e tij dhe vetveten në një përpjekje të dëshpëruar për të dhënë anatominë e shpirtit human.

***

Edhe Moikom Zeqo gërvisht Onufrin dhe vetveten.

E ka gërvishtur disa dekada për të.

Ky libër është pak ta quash të çuditshëm.

Rrjedh gjaku i Onufrit dhe ka po atë ngjyrë të ndezur të së kuqes së ikonave të tij të famshme.

Pastaj si e gërvisht vetveten Moikom Zeqo duhet parë Epistolari për Najadën, kaledoiskop  ligjerimor, apo një thyerje e lumtur sa kompozicionale, aq edhe stilistike.

Po, më së fundi gërvishtjet e mëdha shpërthejnë likudin e kuq, që ngjizet në ato 6-7 poezi  kushtuar intimisht dhe vizionarisht Onufrit, që në të njëjtën kohë ngjajnë me afreska befasuese, të porsazbuluara dhe  plot  me poetika  postmoderne.

Ato poezi, (-cikli poetik i Moikomit-) janë të llahtarshme, demoniake, kabalistike, po në të njëjtën kohë ngërthejnë një realizëm të thellë dhe një mistikë që vjen në një mënyrë shumë humane nga pragu i njerëzimit deri në ditët tona.

Nuk të besohet që ato të jenë të përsëritshme, sado që të mundohet autori.

Ato kanë arritur një majë.

***

E gjithë vepra ka arritur një majë.

Nuk duhet prekur ndoshta më Onufri.

Po, a mos është krim t’i thuash kështu një fanatiku të humnerave historike?

E gjithë vepra është një fetish realist. Po, „fetish“ dhe „realist“ sikur kundërshtojnë njëra-tjetrën?

A mund të qëndrojnë kështu?

Le të qëndrojnë kështu!

Onufri është një mit, është një sagë!

Ai ka krijuar sagën e tij përmes familjes së madhe të shenjtorëve të Arbërit, paraardhësve të tyre dhe shenjtorëve të botës së krishterë.

Në ato afreska është historia e tyre, mistika e tyre dhe filozofia e tyre.

Jo më kot Onufri e kishte marrë emrin e tij nga një oshënar i dëgjuar i mesjetës, që e kishte kaluar gjithë jetën në një shpellë. Vepra e tij duhet të kishte mendim dhe ide dhe nuk do të ishte kurrsesi një panagjyrizëm fetar.

***

Të rralla janë ato vepra, që si „Mes Laokoontit dhe Krishtit– Onufri II“ të lidhin artin me historinë, etikën dhe filozofinë.

Në vepër do të ndeshësh në një mënyrë gati spontane dhe jo fort të organizuar pasazhe të trashëgimisë kantiane të pozitivizmit të Bergsonit, të ekzistencializmit të Zhan Pol Sartrit.

Ato rrjedhin në vepër vetvetiu dhe nuk janë një qëllim në vetvete.

Ato dalin, sepse ai „gërvisht“ Onufrin.

Pastaj ato thellohen sepse ai „gërvisht“ vetveten dhe këtu ndërlikohen punët shumë, se historianë, arkeologu, studiuesi dhe poeti krijojnë një amalgamë të një metafizike moderne.

Kjo është metafizika e pakapshme e artit të kohës, është e vetëdijshme, po më shumë e pavetëdijshme, instiktive, intuitive. Në të, lumturisht, është ngatërruar Moikom Zeqo, si në një pëlhurë merimange, ku janë ngatërruar në shekuj mjekrat më të njohura të mistikës së Artit.

***

Nganjëherë të duket se Onufri, ky piktor gjenial është vetëm një shkak, një pretekst.

Të duket se Moikom Zeqo nuk merret me të, po vetëm e përdor atë për të hedhur idetë dhe mendimet e veta, për të shpalosur dhe rikonstruktuar etiken tjetër, shekullore të artit.

***

Moikomi  nuk e citon kot , thjesht për erudicion, Andre Malrone, se , „arti është triumfi i një stili mbi stilin paraardhës“.

Atëherë nuk është vetëm një simbol utilitar Onufri?

Nuk është spekuluar me të?

Ai është një tabu i rinisë së Moikom Zeqos, është pasioni i tij dhe bohema e tij!

Moikom Zeqo është studiuesi i Onufrit dhe nuk ka asnjë faj, që ky piktor i madh i hap horizonte që kapërcejnë shekullin XVI. Si do të ishte po të mos kishte ekzistuar Onufri?

Onufri jeton në një kohë kur osmanët kishin pushtuar Arbërinë dhe kishin vendosur islamizmin.

Islamizmi mohon sistemin e imazheve dhe kjo është për rrjedhojë të urdhëresave të Muhamedit, që sipas teologëve reflekton ligjet e Moisiut kundër idolatrisë.

Po, a mos është kuptuar në sipërfaqe Muhamedi?

Autori i këtyre radhëve gjithnjë ka dyshuar.

Muhamedi profet dhe iluminist, që kishte njohuri të thella për artin klasik grek dhe romak, nuk mund të ishte kaq kategorik kundrejt imazhit, po le të kthehemi te ndalimi që i bën islamizmi imazhit.

A nuk do të ishte një humnerë e artit pamor po të mos kishin ekzistuar Onufri me shokë?

Të gjithë ata ishin të një feje tjetër.

Islamizmi mbase qe barriera antisllavizuese në Arbëri po kishte mangësi të tjera.

Këto mangësi i plotësojnë religjionet e tjera të përfaqësuara nga Onufri me shokë.

Onufri përfaqëson një qytetërim arbëror, mesdhetar, postbizantin.

Kolegët e tij sllavë ikonografe, të Ballkanit, siç thotë Moikom Zeqo në shekullin XVI janë ,me teper zanatcinj te rendomte, shpesh brutalë, vulgarë dhe teper  rustikë.

Po, ai është treguar i mëshirshëm sepse e gjithë ikonografia lindore e kohës, duke përjashtuar ndonjë shkreptimë të vetmuar, është e tillë.

Onufrin e zbuloi Viktori Puzanova, kjo ruse fatkeqe, që ndau jetën dhe varrin me Shqipërinë.

Por sado që ajo ka studimet e veta me vlerë për Onufrin. Onufrin e ka zbuluar në të vërtetë Moikom Zeqo.

Duke lexuar „Mes Laokontit dhe Krishtit – Onufri II“, të ngjan sikur Onufri ka lindur dhe është rritur në një kohë me autorin e këtij libri.

Puzanova ishte një grua e madhe dhe ka shkruar studime interesante për Onufrin, por sado që të donte dhe të mundohej ajo, nuk mund të shkruante për Onufrin njëlloj si për Rjepinin ose Rublovin.

Kur shkruan për Onufrin, Moikom Zeqo ka përpara vetes një detyrë atdhetare, gjë, që nuk mund të kërkohej prej Puzanovës.

Dhe kur Moikom Zeqo zbulon që Onufri ka pikturuar në Ballkan dhe deri në Itali e ka përmbushur këtë detyrë.

Por, për Onufrin ka qenë jashtëzakonisht vështirë të bësh diçka.

Kjo, sepse ai nuk kishte një biografi të mirëfilltë, që është barazi me gjysmën e materialit që derdhin nëpër libra studiues të ndryshëm të piktorëve të mëdhenj.

***

„Mes Laokontit dhe Krishtit – Onufri II“ është një vepër studimore, po është më poetike, sesa biografitë romaneske të Fojtvangerit.

Kjo bëhet mëse e saktë po të mendosh ,që arti i pikturimit të ikonave dhe afreskeve murale të kësaj natyre përjashtojnë erotikën.

Erotika është tharmi i suksesit në biografitë e piktorëve të mëdhenj, po këtë sukses Moikom Zeqo e arrin pa Erotikë.

Autori gjen psikologjinë e dolorizimit ( dhimbjes ) të Onufrit.

Atë mund ta gjesh edhe tek ikonografia ballkanike madje edhe evropiane e kohës, por ai jepet përgjithësisht vetëm si një pozicion dhe jo si një psikologji.

Onufri ka thyer statizmin, epideminë panballkanike të ikonografisë dhe këtë e ka zbuluar Moikom Zeqo.

***

Vepra që ngërthen në vetvete një erudicion të thellë karakterizohet nga shpërthime të befta të autorit, që shpesh kanë një natyrë vizionare.

Moikomi pyet: „Kush e di me saktësi absolute sekretin e modernitetit?

Kush mund të thotë se pikturat shkëmbore të shpellave të Altamiras janë më pak moderne se pikturat – „Ëndrra të ylberta – të Joan Mirosë?“

***

Duke kërkuar si një asket erudit rreth Onufrit, Moikomi , kërkon me ngulm një Të Kaluar, sepse pa të, nuk ka një Të Ardhme.

Ai kërkon atë, që na e kanë mohuar, që ia kemi mohuar vetvetes, apo që nuk kemi ditur ta gjejmë.

(Botuar fillimisht te  KJ ne vitin 2001)

 

April 26, 2018 14:29
Komento

3 Komente

  1. edi April 27, 08:46

    Autori shkruan: “Islamizmi mbase qe barriera antisllavizuese në Arbëri po kishte mangësi të tjera.”

    Sllavet erdhen ne Ballkan ne shekullin e 6. Nga shekulli i 6 deri ne shekullin e 15 qe erdhe turqit, arberit dhe epirotasit nuk u sllavizuan (te pakten masivisht). Keshtu qe kjo puna e islamizimit si mbrojtes ndaj sllavizimit sikur nuk bind shume. Onufri qe ortodoks si sllavet, por nuk me duket qe u sllavizua…

    Reply to this comment
  2. shefqet April 27, 09:00

    E ke më lehtë me Moruan, është historian i njohur dhe biograf brilant, po e ke më pisk me autorin e „Në kërkim të kohës së humbur“.

    Reply to this comment
  3. Guri Naimit D. April 27, 18:13

    Penes suaj i nderuari Skender Drini i faleminderit sjelle kete analize primo te vepres se nderar e z.Mojkom Zeqo,Ju ne nivelin e tin per interpretimin,
    Faleminderit.Ndihem parashkollor para jush une 82 vjecari,nje jete;parashkolor ne kete fushe…
    Ju pergezoj e shendet e sukese te dyve sa na sillni.

    Tirane 27-04-2018 Guri Naimit D.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*