Miti i Kosovës dhe Skënderbeu serb janë përralla

April 11, 2015 09:39

Miti i Kosovës dhe Skënderbeu serb janë përralla

“…historianët e ardhshëm le të shkruajnë historinë e Betejës së Kosovës, jo sipas këtyre këngëve e përrallave, që kanë zbukuruar historinë”, shkruan Ilarion Jovan Ruvarac, themelues i kritikës së historiografisë dhe kundërshtar i historiografisë romantike nacionaliste serbe. Ata që historinë e shkruanin me legjenda i porosit që të heqin dorë edhe prej prejardhjes serbe të Skënderbeut.

Kur Ilarion Ruvarac (1832­ 1905) vendosi të shkruante për Betejën e Kosovës dhe për personalitetet që ishin pjesë përbërëse e saj, ishte i vetëdijshëm se po rrezikonte të rrënonte elementet e mitit të Kosovës e këtë e tha me një rast: “Është rrezik t’i luftosh paragjykimet e legjendës popullore”. Këtu mbase kishte parasysh se ai po i kundërvihej këtij miti për faktin se ishte përfaqësues i kishës serbe, se i shërbente asaj e cila ishte pjesë përbërëse e kësaj mitomanie, shkruan sot Koha Ditore.

Megjithatë, ai doli guximshëm kundër shkrimeve të historiografisë romantike nacionaliste serbe, e cila mbështetej në këngët e ciklit të Kosovës, që ishin pjesë përbërëse e kësaj mitologjie. Ruvarac këtë e bënte për të qenë në shërbim të së vërtetës historike, se për të “dëshmia e fakteve ishte e një rëndësie të madhe”, se “pa argumente, përveç Zotit, të tjerat janë mjegull”, e se “vetëm Zoti është i paprekshëm, të tjerëve, përveç fakteve nuk mund t’u besohej”. Duke u nisur nga ky postulat hodhi poshtë edhe martirizimin dhe aktin e martirizimit në Kishën serbe, si dhe Jug Bogdanët e Devet Jugovicët, Shën Premten serbe, e shumë personazhe të tjera, që ishin në themel të mitit të Kosovës, por që ishin të paqenë nga pikëpamja historike.

Kjo për I. Ruvarcin duhej të thuhej, sepse “nuk duhet t’i jepet mundësi gojëdhënës e legjendës për interpretim ndryshe, përveç fakteve dhe argumenteve”. Përfaqësuesit e historiografisë romantike nacionaliste serbe e trajtonin këtë betejë në mbështetje të mitit të Kosovë. Sipas kësaj legjende besohej se: Knjaz Lazari, personazhi kryesor i betejës, qëllimisht u sakrifikua në “perandorinë tokësore”, për të gjetur vend në “Perandorinë qiellore serbe” dhe, që më pas do të shpaguhej (hakmerrej); Milosh Obiliic, dhëndër i Knjaz Lazarit, që vendosi ta vriste Sulltan Muratin I në këtë betejë (28 qershor 1389), pasi ishte përhapur fjala se ky kishte rënë në ujdi me Sulltan Muratin I, që të bëhej vasal i tij (pas fitores së ushtrisë osmane), për çka ishte shpallur tradhtar; Vuk Brankovici, po kështu dhëndër i Knjaz Lazarit, që, sipas këtij miti, nuk mori pjesë në betejë, pra tradhtoi çështjen, që pati si rrjedhojë dështimin e palës serbe dhe fitoren e osmanëve.

April 11, 2015 09:39
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*