Miti i votës morale dhe realiteti i koalicioneve elektorale

Nga EDUARD ZALOSHNJA April 9, 2013 23:00

Miti i votës morale dhe realiteti i koalicioneve elektorale

Një ndër argumentet që sjellin disa kundërshtarë të marrëveshjes PS-LSI është ai i një koalicioni opozitar që duhej ta bazonte strategjinë elektorale tek karta morale e antikorrupsionit. Dhe si shembull në mbështetje të këtij argumenti, sjellin fushatën e dikurshme “Me Duar të Pastra” të Berishës, që, sipas tyre, e solli në pushtet në verën e 2005-ës.

Zgjedhjet e vitit 2005 janë, në fakt, një ngjarje tejet e veçantë në hisorinë 100-vjeçare të shtetit shqiptar. Ato shënojnë rastin e vetëm kur pushteti është tranferuar në Shqipëri me votën e popullit në një klimë paqësore.

Nuk u zhvilluan ato zgjedhje pas muajve të mbushur me protesta masive, djegie, vrasje, shkatërrim e kaos, siç ndodhi para zgjedhjeve të shtatorit 1997. Nuk u zhvilluan ato zgjedhje pas një viti traumatik të mbushur me vrasje politike, greva urie, eksode e djegie pronash shtetërore, siç ndodhi para zgjedhjeve të marsit 1992. Dhe duke shkuar më thellë në kohë, as që mund të krahasohet fare klima në të cilat u zhvilluan zgjedhjet e 2005-ës me atë të zgjedhjeve të 1946-ës apo të viteve ’20 të shekullit të kaluar.

Duke qenë një ngjarje kaq unikale në historinë e shtetit shqiptar, transferimi paqësor i pushtetit nëpërmjet votimit të 2005-ës ka qenë vetiu një temë e dashur diskutimi si për analistët publikë, ashtu edhe për ata anonimë nëpër kafenetë e panumërta shqiptare. Dhe për ta shpieguar atë transferim, shumë teza janë ofruar.

Ato shtrihen në një spektër të gjerë, që fillon nga teoritë konspirative (sipas të cilave, Nano ia shiti Berishës pushtetin ekzekutiv në shkëmbim të mbështetjes së premtuar të këtij të fundit për ëndërrën e tij presidenciale), e deri te shpjegimi i fitores elektorale të Berishës në sajë të përdorimit të kartës së fortë të antikorrupsionit (që e përmenda më sipër).

Duke gjykuar nga shpeshtësia e dhënies së këtij shpiegimi të fundit prej shumë analistësh publikë e anonimë, kam arritur në përfundimin që është krijuar tashmë miti ndër shqiptarët se karta e antikorrupsionit ishte kali kryesor i betejës për riardhjen e Berishës në pushtet në vitin 2005. Dhe ky është një mit pothuaj i gjithëpranuar – si nga ata që janë partizanë të Berishës, ashtu dhe nga ata që e kritikojnë se nuk iu përmbajt kartës së antikorrupsionit, me anë të së cilës, sipas tyre, rierdhi në pushtet.

Por ky mit mund të çmontohet lehtë, po të bëhet një analizë e rezultateve të zgjedhjeve nga viti 2001 deri në vitin 2011.

Në zgjedhjet e vitit 2001, koalicioni i udhëhequr nga Berisha, i quajtur atëhere “Bashkimi për Fitore”, mori 37.1% të votave në shkallë vendi. Dhe të mos harrojmë se Partia Demokrate e Pollos, nëpërmjet trukut të emrit dhe logos shumë të ngjashme me të PD-së, mori 5.6% të votave në ato zgjedhje. Pra, po t’i mbledhim votat e Berishës me të Pollos, mund të themi se “mëma” dhe “bija” morën së bashku 42.7% të votës popullore.

Duke ndjekur logjikën e tezës së kartës së fortë antikorrupsion që Berisha luajti në fushatën e 2005-ës, i binte që pesha elektroale e koalicionit të udhëhequr prej tij të rritej ndjeshëm në krahasim me 2001-shin, kur karta kryesore kishte qenë lufta kundër “parlamentit të kallashëve”. Dhe përveç rritjes prej kartës antikorrupsion, koalicioni i Berishës, i quajtur në 2005-ën “Aleanca për Liri, Drejtësi dhe Mirëqenie”, duhej të kishte edhe një rritje mekanike. Kjo, sepse atij iu bashkua edhe partia 5.6-përqindëshe e Pollos.

Por nuk ndodhi ashtu siç logjika e tezës së kartës antikorrupsion na sugjeron. Koalicioni Berisha-Pollo mori vetëm 41.2% të votës popullore në vitin 2005. Pra, s’arriti dot as 42.7 përqindëshin e 2001-shit…

Po si arriti koalicioni Berisha-Pollo të vinte në pushtet, kur nuk kishte marrë më shumë se 41.2% të votës popullore? Thjesht prej përçarjes së të majtës.

Në çdo zonë zgjedhore, koalicioni i Berisha-Pollo kishte nga një kandidat të vetëm përballë 6 kandidatëve të majtë. Dhe ndarja e votave mes këtyre të fundit “u fali” kandidatëve të Berishës mandatin e deputetit në të paktën 18 zona.

Le të shkojmë katër vjet më tej, në zgjedhjet e vitit 2009. Po të mbledhim vetëm votat e partive që ishin në koalicionin e Berisha-Pollo në 2005-ën dhe që mbetën përsëri pjesë e tij, rezulton se ato, të marra së bashku, fituan vetëm 42.7% të votave – si në 2005-ën e famshme…

Ishte zgjerimi i koalicionit me 12 parti të voçkla dhe ndonjë ndihmë nga Ristani që e bënë të arrinte në nivelin 46.9% të votës popullore. Dhe të mos harrojmë se kjo ndodhi pasi karta antikorrupsion e Berishës ishte shpuar disa herë në opinionin publik nga afera si ajo e Gërdecit, Damir Fazlliçit dhe e shpërdorimeve me Rrugën e Kombit.

Ndërsa në 8 maj 2011, koalicioni Berisha-Meta arriti në nivlein 51.7% të votës popullore. Dhe si mund të shpiegohet kjo rritje? Për të dalë tek ky rezultat, mund të mos ishte bërë fare votimi për partitë në 8 maj – mjaftonte të mblidhje 46.9 përqindëshin e koalicionit Berisha-Pollo me 4.8 përqindëshin e LSI-së të 2009-ës, dhe mbërrije tek 51.7 përqindëshi i 2011-ës.

Edhe në Tiranë, për të mbërritur te avantazhi 10-votash i Ramës ndaj Bashës (që u përmbys në bodrumin e KQZ-së), tiranasit mund të mos kishin fare nevojë të votonin – mjaftonte të llogaritej vota e 2009-ës për partitë që mbështetën Ramën dhe ato që mbështetën Bashën (përfshi LSI-në), për të arritur pothuaj fiks fare tek rezultati i 2011-ës mes Ramës e Bashës. Dhe të gjitha këto ndodhën fill pasi Ilir Meta, babai i LSI-së, u shpall i pandehur për korrupsion nga Gjykata e Lartë…

Me pak fjalë, analiza e mësipërme na tregon se karta antikorrupsion e Berishës në 2005-ën nuk ka qenë fare faktor për riardhjen e tij në pushtet. Përndryshe, pesha elektroale e koalicioneve të udhëhequra nga Berisha do të kishte ndjekur trajektoren e kuotave të tij në lidhje me antikorrupsionin.

Kurse, në fakt, koalicionet berishiane, si në rastin kur Berisha ka qenë në majë të kalit antikorrupsion, ashtu edhe në rastin kur ka qenë në bisht të tij, e kanë ndryshuar peshën elektorale si rezultat i rritjes së koalicionit me parti të vogla, të cilat kanë si objektiv thjesht ngjyerjen e duarve në tortën e pushtetit.

Dhe cila është fabula e kësaj analize? Lëkura e shqiptarëve duket se është regjur nga korrupsioni që mbizotëronte në trevat shqiptare gjatë pesë shekujve të Perandorisë Osmane, një nga perandoritë më të korruptuara që ka njohur historia njerzore. Studime të shumta të psikologjisë sociale demonstrojnë se përthyerje kulturore të skalitura në shekuj tek një popull duan një kohë të gjatë të latohen. Pikërisht për këtë arsye, një ndryshim paqësor i pushtetit në të ardhmen e afërt në Shqipëri ka pak gjasa të ndodhë si rezultat i ndonjë fushate me kartën e antikorrupsionit apo me ndonjë kartë tjetër morale. Siç demonstroi 2005-sa, 2009-ta, dhe së fundi, 2011-ta, duket se rotacioni paqësor i pushtetit do të përcaktohet edhe për ca kohë në Shqipëri nga mënyra sesi konfigurohen koalicionet zgjedhore, apo sesi konfigurohet sistemi zgjedhor. Për një 1992-sh apo një 1997-të, as nuk mund të shpresohet e as nuk duhet shpresuar…

Nga EDUARD ZALOSHNJA April 9, 2013 23:00
Komento

4 Komente

  1. Robespier April 10, 06:49

    O shqiptare,shikoni se cfare analize ben zoti Zaloshnja,ku perzihen apo me mire kerleshen te dhenat statistikore me perligjjen (i)morale te aleances PS-LSI ! Ne fakt, i gjithe synimi i ketij shkrimi,i atyre te ketyre diteve,por,edhe i diteve qe do te pasojne,ka dhe do te kete te beje,pikerisht,me kete perligjje te kesaj aleance,gjithe te tjerat jane pallavra,per te harlisur ata qe Andi Bushati i quan “idiotet e dobishem”…
    O shqiptare,sidomos te majte socialiste! Ju qe deri me sot ,per kater vjet me radhe, jeni mesuar te degjoni dhe te entuziazmoheni me avokatine e shkelqyer te kauzes opozitare te Prec Zogajt,nuk do t’i degjoni me argumentat Zogajt qe na ngrenin peshe e na jepnin shprese,sepse,vendin e tij e ka zene…Zaloshnja apo Vangjeli apo Muci…! Me opoziten e Prec Zogajt duket se perjetuam nje enderr,kurse sot urdheroni ne zhgjendrren qe na ofrojne keta shkarrashkrues medioker ,detyra kryesore e te cileve eshte t’u mbushin mendjen shqiptareve se nuk ka moral ne politike!! O tempora o mores !
    O Shqiptare,vereni keta analiste,mundohen e perpiqen te gjejne lloj-lloj “argumentash” per te justifikuar mungesen e moralit! Sillen shembuj pafund nga historia e afert dhe ajo e larget;shqiptare dhe boterore ,per te na mbushur mendjen ose me mire per te na e larguar ate nga ky imoralitet ulerites i kesaj aleance te neveritshme.
    Ajo qe ndodhi (aleanca PS-LSI) fundja e fundit mund edhe te “justifikohet” me ate shprehjen e njohur tashme se ‘keshtu e ka politika’ ,por,ajo qe nuk mund te justifikohet eshte perligjgja qe i bejne ketij turpi disa analiste,opinioniste,gazetare intelektuale,pikerisht ata qe do te duhej t’i denonconin palacolleqe te tilla,sic i denoncon gazetari i vetem i pavarur ne Shqiperi,Andi Bushati.
    Nese poltikanet kane faj per kete pisllek qe po ju servirin shqiptareve, analistet qe i mbeshtesin bejne krim…po po krim sepse,keta qe do te duhej te mbrunin per mire opinionin publik ,po e helmojne ate dita-dites,po e e mesojne se si ta duan te pamoralshem,te ndyren te felliquren dhe te pegerat e politikaneve! Flm per mirekuptimin.

    Reply to this comment
  2. lani April 10, 10:02

    Skrapalinjte gjithmone “mercenare” kane qene. Dikur mbajten ne kembe sistemin enverist sepse i zbriti ne qytete dhe i dha buke e nje kostum gri, tan shkojne prape pa pike dinjiteti sa djathtas – majtas, ku ti paguajne me shume. Shkurt MERCENARE. Per kulture nuk jane mbajtur ndonjehere.

    Reply to this comment
  3. saliheqenefi April 10, 17:32

    te gjithe shqiptaret jane mercenar dhe ndihemi krenare,se eshte i vetmi zanat qe dime me mire te bejme, kushdo qe te zgjidhet shqiptare do mbesim,kemi pare dhe me keq

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*