Miti pro-BE!

December 30, 2017 13:12

Miti pro-BE!

Prof. As. Dr. Artan Xh. DUKA 

Dy janë sfidat madhore të 2018. Zbatimi i reformës në drejtësi dhe negociatat me BE. Të dyja të ndërlidhura. E sa herë bie fjala për integrimin në BE, mburremi se si shoqëri jemi unik në konsensusin total për të. Të tillë dhe si pro-amerikanë. Po vallë, a jemi vërtet konsensual dhe nëse jo, a është ky një mit që më shumë po na prish se po na ndreq punë?

Vit i ri, avaz i vjetër

Basha sapo paralajmëroi rinisjen e protestave pa kthim në janar! E dinë që do bëjnë një vrimë në ujë por mbase gënjejnë veten se do zgjasin agoninë para drejtësisë, në mos fshehin tjetër gjë. E duke iu kundërvënë reformës në drejtësi, e dinë që po i kundërvihen edhe hapjes së negociatave me BE.

Por ndërsa politika e përfolur nuk ka interes në integrimin drejt BE, votuesit nuk kanë pse u shkojnë pas. Ndryshe, pavarësisht orientimit perëndimor të votuesve të PD, vota e tyre sistematike (afro 25% e elektoratit) për PD shndërron në mit konsensusin shoqëror drejt BE dhe kompromenton edhe parullën simbol të 90-s “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”.

Nëse integrimi në BE është në “genin” politik të votuesit të PD, ai nuk duhet të sakrifikojë ëndrrën e 90-s për hir të makthit të drejtuesve historik të PD ndaj reformës në drejtësi, për më tepër të stërprovuar edhe si “kontrapedal” ndaj vetë integrimit në BE.

Është paradoks fakti që ndërsa të gjithë shprehemi pro BE, pro Amerikës, pro shtetit ligjor, pro interesit kombëtar etj., një pjesë e mirë e votave shkon akoma për një lidership që ka nëpërkëmbur për afro 30 vjet sistematikisht me bëma që do mbeten në histori, të gjitha këto objektiva (piramidat, Gërdeci, 21 janari, abuzimi me votën etj) me kulm, marrëveshjen famëkeqe për detin me Greqinë!

Sa kohë vazhdon ky paradoks dhe e djathta nuk gjen vetveten, konsensusi për BE do të mbetet një mit. Po aq i trumbetuar sa dhe ai i harmonisë fetare kur dihet se harmonia jonë bazohet tek paganizmi i të parëve dhe tek besimi tek kombi e vetvetja përballë feve që u njësuan historikisht me pushtuesin dhe kanosjen për asimilim.

 I lini tek-pull

Votuesi pro-BE nuk ka pse voton e mbush sheshin si dekor duke inkurajuar një kurs politik anti-BE të PD sot. Do të ishte bumerang për ardhmen e familjes së tij por dhe faturë për të gjithë shoqërinë nëse ky qëndrim anti-BE do të çonte ujë në mullirin anti-shqiptar në rajon me Serbinë para nesh në BE.

Patriotizmin askush nuk e ka monopol por ndërkohë ai nuk ka brirë dhe nëse lidershipi PD bën thirrje për protesta që komplikojnë integrimin në BE, ai duhet lënë fillikat në sheshet bosh.

Jo se pala përballë është e kulluar; politikës tashmë i ka dalë syri e nami bashkë por, nëse vlen si ngushëllim, votuesi i djathtë e di që në krye të PS është një politikan dikur protagonist i së djathtës liberale në vitet 90 që jo rastësisht gëzon besimin e të majtëve në një parti “social-ishte” teksa koha bën të vetën dhe palët reflektojnë.

Por nëse nuk duan të mbështesin Ramën, të mbështesin plot parti dhe intelektualë dinjitozë të së djathtës në vend. Që e kanë kuptuar se problemi i PD nuk është z. Basha por trashëgimia e paraardhësit të tij. Ish-ministrat e titullarët e PD që kritikojnë z. Basha dhe hyjnëzojnë z. Berisha nuk janë oferta e duhur për PD e të djathtën në vend. Ngërçi ynë  demokratik quhet e djathta e kapur në Shqipëri dhe pa fituar dinjitetin dhe autoritetin demokratik ajo, gjithmonë rruga drejt BE do të mbetet tatëpjetë pafund.

Anti-BE! Në emër të kujt?

PD nuk duhet kritikuar se është anti-BE. Të jesh kundër BE nuk është tabu bile mozaiku politik në vend ka nevojë për një parti me orientim jo-BE. Ka plot parti në BE që janë kundër pranisë së vendit të tyre në të dhe nuk janë domosdoshmërisht të djathta ekstreme dhe antipatriotike. Sikundër ka vende në Europë – Norvegjia, Zvicra etj, që nuk janë në BE dhe tashmë edhe Britania e Madhe po del jashtë saj. Sa kohë alternativa jo-BE ka vokacion demokratik perëndimor, ajo mbetet reale dhe pro interesit kombëtar.

BE nuk është vetëm klub vlerash por dhe rival gjeopolitik dhe ngutja për të pranuar pa standarde vendet e lindjes përkoi me interesin për të ngritur shpejt e shpejt “gardhin” ndaj Rusisë. BE hap dyert sipas interesit të saj dhe vetëm paniku nga Rusia dhe ndikimi oriental, bën që sot Brukseli të hedhë sytë në gadishullin ilirik dhe këtu meraku e ha për Serbinë e dy karrigeve.

Neve? Na merr të mirë qenë teksa trumbetojmë me patetizëm mitin e konsensusit mbarëpopullor e durim-madh ndaj BE që realisht na vë në pozicion inferior ndaj Serbisë. Por ndërsa Serbia e tre luftrave bën përpara drejt BE, ne vetë i japim BE alibi me bollëk për të na lënë në “radhë” pafund (fut këtu edhe tensionimin e pritshëm me protestën e paralajmëruar të PD).

Kursi politik anti-BE që po tentohet prej PD si rrjedhojë e kundërvënies ndaj reformës në drejtësi të sponsorizuar nga SHBA e BE nuk është një kurs i llojit “Brexit” që ofron një tjetër alternativë demokratike ndaj BE duke respektuar interesin kombëtar.

Cilado qoftë arsyeja e kursit anti-BE ku ka degraduar PD (paniku nga drejtësia apo ndërhyrja e gjeopolitikave sllavo-bizantine dhe atyre orientale konservatore), sa kohë ai nuk ka për objektiv një alternativë demokratike ndaj BE, ai mbetet realisht antidemokratik, antiliberal, antishtet dhe deri antikombëtar sepse të mbetur një “xhiro” pas Serbisë, ajo dhe Greqia do të komplikojnë integrimin tonë europian dhe atë mes shqiptarëve në rajon.

Sa kohë tek ne nuk ka platforma demokratike alternative ndaj BE dhe parti politike që të apelojnë një model të ngjashëm me atë zvicerian, norvegjez etj, BE mbetet e vetmja alternativë. E ndjejmë të gjithë dhe “pyka” e PD nuk duhet lejuar t’a shndërrojë këtë konsensus në mit. Lërini tek-pull.

 

December 30, 2017 13:12
Komento

5 Komente

  1. Epo kjo pune! December 30, 15:24

    sikur PD te mos ishte bere bahce personale e klanit te Berishes, do ishim patjeter ne BE, se PS e zhvendosi Nanon qe ishte ku e ku me liberal dhe perendimor si Berisha por tek PD akoma i falen Berishes si te jete perendi dhe Jozefinrat e patozrat e bregrat qe bejne si gjoja si perendimore, shajne Bashen dhe marrin akoma me te mira Berishen. Dhe akoma mileti voton per PD, ketej do BE ketej voton nje parti qe te mban larg BE! Paradokset shqiptare. Ose per detin, te votosh akoma PD qe fali det!!! cfare dreq patriotesh jeni more njerez… njesoj si ata diversantet qe behen heronj sot po ama gjeten strehe tek greku e serbi…. gjithshka lemsh me ne. Del dhe Rama qe eshte djathtist i betuar dhe behet lideri i se majtes!!! Paradokse pafund.

    Reply to this comment
  2. intelektuali December 30, 16:54

    A MORET VESH JU GJE NGA KJO DACIABO DALLKAUKE?

    sepse:

    Vetem per REZILIN antiamerikan te Edvinit ne OKB nuk flet gje.

    Reply to this comment
  3. shushica December 30, 18:12

    Nje analize e sakte .Gjithmone kam theksuar se BE mbi te gjitha lindi si nje aleance gjeostrategjike ,ku ekonomia ka gjithmone peshen e saj .Ne radhe te pare duhej te frenohej ekspansioni i BS dhe bllokut lindor ,por edhe evitimi i perplasjeve midis vete shteteve perendimore qe brenda 25 viteve shperthyen dy luftra te tmerreshme boterore .Gradualisht BE qe quhej TPE,zgjeroi konceptimin e tij edhe ne fusha te tjera te jetes ekonomike shoqerore ,ku thelbin e perbejne principet themelore te demokracise moderne gjithperfshirese .Fillimisht u pranuan edhe nje grup shtetesh te tjere demokratike ,dhe me vone edhe vendet e sapodale nga diktaturat si Spanja ,Portugalia ,Greqia ,per te arritur ne pranimin e pershpejtuar te vendeve te ish bllokut lindor ,perfshi edhe vendet baltike ,ish sovjetike .Kush ka ndjekur ngjarjet askush nuk kujton debate ,kushte ,gjithcka u vendos ne menyre politike.,Perfitimi ishte i trefishte ,gati u gardhua ndikimi rus ,vendet e futura terhoqen investime ne qindra miliarda ,por edhe perendimi siguroi nje treg te ri me mbi 120 milione banore.Natyrish edhe cmimi i paguar nga shumica e vendeve lindore ishte i larte .Po kush pyet per njerezit e thjeshte .Edhe levizja e papritur qe po ben tani BE per te venene levizje mekanizmin e pranimit per vendet e Ballkanit Perendimor ,te cilet se bashku nuk jane me shume se 20 milione banore ka aresye thjesht gjeopolitike.Ridalja a Rusise ne sferen e marredhenieve nderkombetare ,roli turk si nje fuqi jo perendimore dhe mbi te gjitha rritja e penetrimit kinez nepermjet forces se miliardave po e detyrojne BE te parandaloje nje humbje me pasoja ne nje zone te pastabilizuar akoma nga luftrat e ish Jugosllavise .Sepse soft power e Kines eshte shume me efektive se deklaratat dhe mbledhjet pa fund te burokrateve te Brukselit .Ndaj gjerat jane vendosur ,BE nuk ben shaka ,ne se Berisha ,Basha dhe grupi i tyre anarkofashist do te perpiqen te destabilizojne vendin ,sigurisht do te fshihen nga lista e Partive popullore europiane .Perfundimi dihet ,do te perfundojne nje grup vagabondesh qe do te ulerijne neper rruget e Tiranes ,natyrisht duke patur me vehte edhe disa grupe te …hitlerjungen…te Mones .Por tashme zaret jane hedhur ,jo vetem e majta por edhe e djathta e qendres europiane perkrah Ramen ,jo thjesht si nje lider ,por si nje person qe po ben perpjekje per krijimin e nje shteti normal ,pas katastrofave te klanit te Berishes dhe rremujes se Nanos .Dhe natyrisht personat qe mund te ndjekin Bashen dhe Berishen nuk kane asgje te perbashket me interesat e shqiptareve ,por njekohesisht jane edhe shkaterruesit e te ardhmes se tyre .Hapni syte njerez ,ne momente te tilla te gjithe duhet te mbeshtesim objektivin themelo .Pastaj do te kemi prape kohe te hame njeri tjetrin .

    Reply to this comment
  4. Araniti December 31, 21:50

    Se kemi te tille monstra…si ky artikullshkruesi ndaj jemi katandisur keshtu, ku na qeverisin drogmenet qe mbushen Shqiperine me droge.
    Nen “petkun” e negociatave per BE….duhet te rrime urte…!!??
    Jo mor jo mos degjoni me te tille sharlatane…sherbetore te pushtetit por ngrihuni, ngrihuni se po ju pijne dhe piken e fundit te gjakut.
    Ngrihuni dhe rrezojeni kete qeveri te droges,
    E cila ka kapur dhe kryetarin e PD-Se, Lulushin.
    Ngrihuni sa nuk eshte vone dhe rrezojini…kerkoni nje qeveri teknike pa asnje perfaqesues nga kurvat politike partite aktuale
    E cila te beje nje kod zgjedhor permes te cilit te hiqet monopmonopoli dy partiak.
    Tu ndalohet kandidimi te gjithe politikaneve te 27 viteve, si persona pergjegjes per genocidin ndaj shqiptareve…(ate qe nuk ben turqit e serbet) e ben keta duke larguar 40%te shqiptareve, te cileve u shtohen dhe 56% qe duan te ikin
    Duhet marre fati ne dore nga vete populli…duhet ngrituur sa nuk eshte vone..

    Reply to this comment
  5. Kris 1 January 1, 11:04

    Doktori ka perzier leshin me qime per te na servirur nje sup te ngrohte zgjedhore.Histori te amnistuara e te paguara nga gerdeci ,21 janari,deti do vazhdojne te na helmojne trurin per te votuar shvejkun e Rilindjes.Cfare lidhje ka Saliu dhe lulashi me sllavet na e ka spjeguar Bedriu dhe xha Brahua por dokumentet i ka marre Vishua ne Nato ndera lidhjet me Bizantin me siguri qe i di doktor Artani.Te zhytesh ne qenefin politik shqiptar dhe te nxjerresh qelibar Ramen nuk eshte pune shkencore por veper hyjnore.
    Bravo doktor

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*